ATV

Category: Sport

  • Bashkimi fiton derbin ndaj Trepçës

    Bashkimi fiton derbin ndaj Trepçës

    Bashkimi ka fituar derbin e kësaj jave me rezultat final 79-93. Nënkampionët e Kosovës kanë dominuar gjatë gjithë kohës Trepçën, ku epërsia shkoi deri në +19.

    Tek Trepça nuk shkoi asgjë siç duhet, lojtarët mitrovicas ishin mjaft të lodhur dhe nuk kishin energji për ta përmbysur rezultatin. Dallimin në ndeshje e bëri mbrojtja e mirë e prizrenasve dhe huqja e gjuajtjeve të lira të Trepçës, 15-30 nga gjuajtjet e lira, plot 15 gjuajtje të huqura.

    Tek Bashkimi më i miri ishte TJ Bickerstaff me 15 pikë e 15 kërcime e 5 asistime, tek Trepça u dallua Brown me 19 pikë e 13 kërcime.

    Me këtë fitore ‘portokallezinjtë’ vazhdojnë të kryesojnë në tabelë, ku nga tri ndeshje kanë po aq fitore, ndërsa Trepça numëron dy humbje dhe një barazim. /ATVLIVE.TV

  • Istogu e fiton ndeshjen ndaj Shqiponjës

    Istogu e fiton ndeshjen ndaj Shqiponjës

    Istogu e Shqiponja kanë luajtur ndeshje interesante të dielën mbrëma në palestrën “Dresha” në Banjë. Fitorja i takoi skuadrës vendase, Istogut, me rezultat 38:34.

    Ishte kjo kryendeshja e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

    Pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë, ndërsa mysafiret në një moment u shkëputën në tri gola. Pas 30 minutave lojë, Istogu ishte në epërsi 19:18.

    Pas minutës së 40-të istogaset nisën shkëputjen në rezultat, ndërsa gjakovaret nuk ia dolën të afrohen në më shumë se tri gola.

    Joneidel Balotinelle Olikaka i shënoi plot 14 gola për Istogun. Nëntë i kishte Angjelina Krasniqi e gjashtë Suzana Ujkiq.

    Ana Carolini Gonçalves ishte më efikasja te Shqiponja me 11 gola. Nga gjashtë i realizuan Alma Nivokazi e Juleidt Lourençao.

    Kampioni aktual, Istogu, e shënoi fitoren e katërt rresht. Shqiponja e pësoi humbjen e dytë rresht, ndërsa i ka edhe tri fitore.

    Po të dielën, Samadrexha fitoi 46:19 ndaj Kastriotit, kurse Ferizaj e mposhti Besën me rezultat 38:22.

    Edhe Samadrexha e Ferizaj i kanë nga katër fitore rradhazi. /ATVLIVE.TV

  • Golden Eagle Ylli merr fitoren e parë

    Golden Eagle Ylli merr fitoren e parë

    Golden Eagle Ylli shënoi fitoren e parë këtë edicion në ProCredit Superligë. Në një dramë të vërtetë në Therandë, Ylli ia shkaktoi humbjen e tretë këtë edicion Vëllaznimit me rezultat 84:82 (25:12, 15:27, 20:24, 24:19).

    Te vendasit u dalluan Trevon Allen me 27 pikë e nëntë kërcime, Brandon Huffman me 19 pikë e 12 kërcime dhe Larry Thomas me 14 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime, kurse te mysafirët më i miri ishte Marques Warrick me 28 pikë.

    Kjo ishte fitorja e parë për Golden Eagle Yllin pas dy humbje, ndërsa Vëllaznimi numëron tri humbje. /ATVLIVE.TV

  • Formacioni i Juventusit: Ylli kosovar në stol ndaj Lazios

    Formacioni i Juventusit: Ylli kosovar në stol ndaj Lazios

    Sonte, Juventus pret Lazion në një ndeshje të rëndësishme të Serie A.

    Trajneri Igor Tudo ka shpallur formacionin startues, ndërsa Edon Zhegrova, ylli kosovar, do të nisë sërish nga stoli.

    Kroati ka vendosur që lojtari “dardan” të mos marrë pjesë që nga minuta e parë, duke pritur ta aktivizojë më vonë gjatë ndeshjes.

    Ndeshja fillon nga ora 20:45. /ATVLIVE.TV

  • Tensione të larta pas “El Clásico”-s në “Santiago Bernabéu”

    Tensione të larta pas “El Clásico”-s në “Santiago Bernabéu”

    Ndeshja klasike mes Real Madridit dhe Barcelonës përfundoi me tone të larta në “Santiago Bernabéu”, pasi pas fishkëllimës përfundimtare shpërtheu një përleshje mes lojtarëve të të dyja skuadrave.

    Sipas raportimeve të DAZN dhe mediave spanjolle, gjithçka nisi kur Dani Carvajal, kapiteni i Real Madridit, iu drejtua menjëherë Lamine Yamalit për ta qortuar lidhur me deklaratat që lojtari i Barcelonës kishte bërë para ndeshjes — deklarata që kishin ngjallur pakënaqësi te madrilenët.

    Carvajal, i cili është gjithashtu bashkëlojtar me Yamal në Kombëtaren e Spanjës, këtë herë e harroi lidhjen ndërkombëtare dhe u përball drejtpërdrejt me të, duke i bërë një gjest me dorë që i kërkonte të “fliste”.

    Në këtë moment ndërhynë edhe Thibaut Courtois dhe Vinicius Junior, të cilët iu bashkuan Carvajalit në konfrontim me lojtarin e Barcelonës. Ky veprim shkaktoi reagim të menjëhershëm nga disa futbollistë të Barçës, që u përpoqën të mbronin shokun e tyre të skuadrës. Situata degjeneroi në shtytje, britma dhe akuza mes të dyja palëve.

    Edhe pse përplasja nuk u shndërrua në dhunë fizike, pamjet e publikuara nga DAZN tregojnë qartë momentet e tensionit, me lojtarë që tregonin me gisht dhe përpiqeshin të ndanin grupet e përfshira.

    Kur situata dukej se po qetësohej, Vinicius u pa sërish duke i bërtitur nga larg Yamalit, gjë që ndezi një tjetër debat verbal. Lojtari i ri i Barcelonës iu përgjigj, duke e ftuar të afrohej, çka rriti edhe më tej tensionin.

    Në përleshje u përfshinë edhe lojtarë që nuk ishin në fushë, si Rüdiger, Alaba dhe Raphinha, të cilët u përpoqën të ndanin bashkëlojtarët e tyre.

    Incidenti pas ndeshjes pritet të përfshihet në raportin zyrtar të gjyqtarëve, ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) do të analizojë sjelljen e lojtarëve të përfshirë në këtë episod të nxehtë të “El Clásico”-s.

    Pas ndeshjes, Frenkie de Jong: “Carvajal mund të flasë me Yamal privatisht… Por jo me lëvizje në fushë. Nëse je shok skuadre (tek Spanja) dhe e njeh, mund ta telefonosh në vend që ta bësh këtë në fushë!” /ATVLIVE.TV

  • FC Prizreni reagon pas humbjes ndaj Vushtrrisë: “U dëmtuam rëndë nga gjyqtarët”

    FC Prizreni reagon pas humbjes ndaj Vushtrrisë: “U dëmtuam rëndë nga gjyqtarët”

    Klubi i futbollit Prizreni ka reaguar ashpër pas humbjes si vendas ndaj Vushtrrisë me rezultat 1:0, në ndeshjen e javës së 14-të të Ligës së Parë të Kosovës.

    Prizrenasit pretendojnë se janë dëmtuar rëndë nga vendimet e gjyqtarëve, duke theksuar se padrejtësitë e tilla po përsëriten.

    Reagimi i klubit:

    “FC Prizreni sot është dëmtuar rëndë dhe në mënyrë të papranueshme nga vendimet e gjyqtarëve të ndeshjes – referi kryesor Kujtim Krasniqi dhe asistenti i dytë Egzon Dervishaj. Për hir të sportit, të drejtës dhe respektit ndaj punës sonë, jemi të detyruar të reagojmë publikisht.

    Çfarë ndodhi sot në fushë?

    • Në pjesën e parë, na u anulua një gol i pastër, pa asnjë arsye të drejtë legjitime.

    • Po ashtu, në pjesën e parë u injorua një penallti e qartë, klasike, para syve të referit kryesor dhe asistentit, të cilët kishin pamje të plotë të situatës.

    • Në pjesën e dytë, pas golit të epërsisë së KF Vushtrrisë, referi lejoi zhagitje të qëllimshme të lojës për minuta të tëra, duke prishur ritmin e lojës dhe duke dëmtuar garën sportive.

    Klubi ynë do të dalë me video-incizime zyrtare, ku do të dëshmohen qartë këto momente dhe padrejtësitë që na janë bërë nga gjyqtarët e ndeshjes.

    Ky nuk është rasti i parë!

    Edhe në ndeshje të tjera kemi qenë të dëmtuar nga referimi. Por sot kupa është mbushur. Nuk mund të heshtim më. Pyesim publikisht: Kujt po i pengon FC Prizreni? Pse duhet të dëmtohemi sistematikisht?

    Kërkesa jonë është e thjeshtë:

    • Barazi në fushë.

    • Respekt për mundin, djersën dhe sakrificën e lojtarëve tanë.

    • Drejtësi për klubin tonë që po punon me pasion dhe profesionalizëm.

    FC Prizreni do të ndjekë të gjitha rrugët zyrtare dhe institucionale për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e klubit dhe garës.

    Aktualisht, klubi renditet në vendin e 14-të me 11 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Grumbullohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll, Ostlund fillon punën

    Grumbullohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll, Ostlund fillon punën

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll është grumbulluar në prag të ndeshjeve me Britaninë e Madhe që i takojnë fazës së parë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

    Stërvitja e parë po mbahet në palestrën në Lipjan, ndërsa po udhëhiqet nga selektori i ri, Jesper Ostlund.

    Suedezi i suksesshëm, Ostlund, është emëruar në postin e selektorit në fillim të shtatorit, ndërsa debuton të mërkurën në Derby ndaj Britanisë së Madhe.

    Ostlund po asistohet nga Jasmin Zhuta, që po ashtu ka karrierë të suksesshme në Suedi.

    Nën urdhrat e shtabit të ri teknik po ushtrojnë shumica e lojtarëve të ftuar ndërsa grupi kompletohet të hënën. /ATVLIVE.TV

  • Real Madrid triumfon në “El Clasico”-n e parë të sezonit

    Real Madrid triumfon në “El Clasico”-n e parë të sezonit

    “El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me fitore të Real Madridit, që mposhti Barcelonën 2-1 në “Santiago Bernabeu”, në një përballje plot emocione dhe momente dramatike.

    Madrilenët nisën më mirë takimin dhe pas vetëm pak minutash menduan se kishin kaluar në epërsi me Kylian Mbappen, por goli i tij u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje. Francezi megjithatë nuk u ndal, dhe në minutën e 22-të, pas një aksioni të bukur, realizoi golin e parë të ndeshjes.

    Barcelona reagoi para fundit të pjesës së parë. Një kundërsulm i shpejtë i lejoi Fermin Lopezit të barazonte rezultatin pas asistimit të Marcus Rashford (38’).

    Vetëm pesë minuta më vonë, Real Madridi riktheu avantazhin falë Jude Bellingham, që përfitoi nga një top i bukur i Eder Militao për të shënuar nga afër (43’).

    Në pjesën e dytë, “Los Blancos” vazhduan të kërcënojnë portën kundërshtare. Mbappe humbi një penallti, ndërsa dy gola të tjerë – nga ai vetë dhe Bellingham – u anuluan sërish nga VAR për pozita jashtë loje.

    Barcelona provoi të barazonte në minutat e fundit, por mbrojtja e Realit rezistoi me sukses. Në fund, Pedri mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja (90+10’).

    Pas kësaj fitoreje, Real Madridi ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe largohet pesë pikë nga Barcelona, që mbetet e dyta me 22. /ATVLIVE.TV

  • Spektakël në “Bernabeu”: Real Madridi në epërsi ndaj Barcelonës pas 45 minutash

    Spektakël në “Bernabeu”: Real Madridi në epërsi ndaj Barcelonës pas 45 minutash

    Real Madridi e ka përfunduar me epërsi pjesën e parë ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”.

    “Los Blancos” ishin më të mirë gjatë 45 minutave të para, duke shkuar në pushim me rezultat 2-1.

    Vendasit e nisën fuqishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi pas vetëm 12 minutash falë një super goditjeje me volej nga Kylian Mbappe, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

    Megjithatë, madrilenët nuk u ndalën. Jude Bellingham dha një asistim fantastik për Mbappe, i cili nuk gaboi përballë Szczesny dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të.

    Barcelona reagoi në minutën e 38-të, kur Fermin Lopez realizoi nga afërsia pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistimi të Marcus Rashford.

    Por vetëm pesë minuta më vonë, Eder Militao shpiku një asistim të shkëlqyer për Bellingham, i cili e dërgoi topin në portën e zbrazët për rezultatin 2-1 (43’).

    Në fund të pjesës së parë, Vinicius Junior shënoi sërish për Realin, por edhe ky gol u anulua për pozitë jashtë loje.

    Kështu, mbetet të shihet nëse Real Madridi do të arrijë ta mbajë epërsinë në këtë përballje dramatike që po zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu”. /ATVLIVE.TV

  • Drita shënon fitore ndaj Ferizajt dhe kalon në pozitën e tretë-Llapi mund Drenicën në ndeshjen që solli 7 gola

    Drita shënon fitore ndaj Ferizajt dhe kalon në pozitën e tretë-Llapi mund Drenicën në ndeshjen që solli 7 gola

    Janë zhvilluar dy ndeshje të ditës së diel të cilat i takuan xhiros së 10-të në Albi Mall Superligë,ku pati ndeshje tejet interesante dhe që u shënuan shumë gola.

    Kampioni Drita ka mposhtur në shtëpi me rezultat 3;1 Ferizajn,duke arritur një fitore tejet të rëndësishme.

    Ardit Iljazi në minutën e 17-të shënoi autogol për epërsi Dritën në 1:0,teksa Egzon Bejtullai poashtu shënoi autogol për ta barazuar rezultatin në 1:1 kur po zhvillohej minuta e 41-të.

    Në pjesën e dytë Drita shënoi edhe dy herë të tjera,ku së pari  Bejtullai realizoi në portën e duhur për 2:1 e më pas Mike Arthur shënoi për 3:1 8 minuta para fundit.

    Drita tani ka 17 pikë në pozitën e tretë,teksa Ferizaj ka 10 pikë në pozitën e parafundit.

    Ndërkohë ndeshja në të cilën u shënuan plotë 7 gola ishte ajo ndërmjet Llapit dhe Drenicës,ku në fund triumfoi skuadra e Tahir Batatinës.

    Blakqori,Gnapi,Sadriu dhe Hyseni shënuan për Llapin,teksa Kreshnik Uka me dy gola dhe Jeton Krasniqi realizuan për ekipin nga Skënderaj.

    Llapi pas xhiros së 10-të ngritet në pozitën e 5-të me 13 pikë,kurse Drenica mbetet në pozitën e 7-të me 11 pikë.