ATV

Category: Sport

  • GO+ Peja synon fitoren e parë në Ligën ENBL ndaj Spartak Pleven

    GO+ Peja synon fitoren e parë në Ligën ENBL ndaj Spartak Pleven

    Sonte, GO+ Peja do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi për edicionin e ri të Ligës ENBL, duke u përballur me skuadrën bullgare BC Spartak Pleven në parketin e palestrës “Karagaqi”.

    Fillimi i ndeshjes është planifikuar për ora 19:30.

    Skuadra pejane, që po debuton këtë vit në Ligën ENBL, ka pasur një start të vështirë, duke pësuar dy humbje në dy ndeshjet e para. Me rezultat 72:83 ndaj Riga Zelli dhe 83:98 ndaj Dubravës.

    Nga ana tjetër, Spartak Pleven ka filluar sezonin me dy fitore radhazi, duke mposhtur Olomoucko me 91:84 dhe Dubravën me 83:82.

    Megjithatë, GO+ Peja hyn në këtë përballje me motivim të lartë për të shënuar fitoren e parë në këtë kompeticion ndërkombëtar dhe për t’u rikthyer te rezultatet pozitive para tifozëve, duke pasur parasysh formën e mirë në ProCredit Superligë, ku ka regjistruar tre fitore në tri ndeshje. /ATVLIVE.TV

  • Skandal në volejbollin shqiptar – Nayara Ferreira rrëfen tronditjen pas kërkesës për test gjinie: “Jam 100% femër, ky është diskriminim”

    Skandal në volejbollin shqiptar – Nayara Ferreira rrëfen tronditjen pas kërkesës për test gjinie: “Jam 100% femër, ky është diskriminim”

    Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur sportin shqiptar. Për herë të parë, një sportiste është pezulluar për mungesë të testit të gjinisë.

    Bëhet fjalë për volejbollisten braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, e cila është dyshuar për gjininë e saj dhe i është kërkuar të vërtetojë se është femër nëpërmjet analizës së gjakut.

    Dyshimet, sipas burimeve, kanë lindur nga thashetheme dhe biseda korridoresh, pa asnjë provë konkrete. Megjithatë, kjo ka mjaftuar që sportistja të izolohet në shtëpi për më shumë se një javë dhe të përjetojë një shok të fortë psikologjik.

    Në një intervistë ekskluzive për “Top Channel”, në emisionin Top Story me gazetarin Endi Tufa, Nayara ka rrëfyer tronditjen e saj emocionale dhe ka folur hapur për diskriminimin që ndien.

    “Kjo është një situatë shumë e vështirë për mua. Luaj volejboll që nga mosha 12-vjeçare dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Jam larg familjes dhe po e përballoj e vetme. Nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse më kërkojnë testin. Kur pyeta federatën, më thanë se është ‘dokument privat’. Çfarë është private për ta në lidhje me jetën time?” – u shpreh ajo me lot në sy.

    Ferreira theksoi se nuk ka pse të dëshmojë feminitetin e saj, duke e quajtur kërkesën diskriminuese dhe çnjerëzore.

    “Jam 100% femër. Nuk duhet të shpjegoj që kam lindur femër. Ju më gjykoni nga si vishem apo nga fiziku im. Kjo është e turpshme. Nuk e di si mund të flejë i qetë presidenti i federatës pas kësaj.”

    Sportistja tregon se për ditë të tëra nuk ka mundur as të flejë, as të hajë, as të pijë ujë për shkak të stresit që ka përjetuar.

    “Faleminderit Federatës Shqiptare që ma bëtë këtë,” – tha ajo me ironi. – “Por e di që e vërteta do të dalë në dritë. Nuk kam frikë.”

    Pavarësisht gjithçkaje, Nayara ka marrë mbështetje të madhe nga publiku dhe koleget e saj, të cilat e konsiderojnë trajtimin e saj të padrejtë dhe poshtërues për sportin shqiptar. /ATVLIVE.TV

  • NBA – Befasi në Los Angeles, Lakers mposhten në shtëpi nga Trail Blazers

    NBA – Befasi në Los Angeles, Lakers mposhten në shtëpi nga Trail Blazers

    Në mbrëmjen e fundit të NBA-së u zhvilluan 11 ndeshje emocionuese, ku nuk munguan as surprizat.

    Një nga befasitë më të mëdha ndodhi në Crypto.com Arena, ku Los Angeles Lakers u mundën në shtëpi nga Portland Trail Blazers me rezultat 108:122.

    Lakers vazhduan të luajnë pa dy yjet e tyre kryesorë, LeBron James dhe Luka Doncic, ndërsa përgjegjësinë kryesore e mori Austin Reaves, i cili shkëlqeu me 41 pikë, por që në fund nuk mjaftuan për fitore.

    Në anën tjetër, Portland u tregua më i balancuar në sulm, me tre lojtarë që shënuan mbi 20 pikë:

    • Deni Avdija – 25 pikë

    • Jrue Holiday – 24 pikë

    • Jerami Grant – 22 pikë

    Rezultatet e plota të natës:

    • Detroit Pistons – Cleveland Cavaliers 95:116

    • Philadelphia 76ers – Orlando Magic 136:124

    • Chicago Bulls – Atlanta Hawks 128:123

    • Houston Rockets – Brooklyn Nets 137:109

    • New Orleans Pelicans – Boston Celtics 90:122

    • San Antonio Spurs – Toronto Raptors 121:103

    • Dallas Mavericks – Oklahoma City Thunder 94:101

    • Utah Jazz – Phoenix Suns 138:134

    • Minnesota Timberwolves – Denver Nuggets 114:127

    • Golden State Warriors – Memphis Grizzlies 131:118

    • Los Angeles Lakers – Portland Trail Blazers 108:122. /ATVLIVE.TV

  • Lionel Messi: Ende s’e përjashtoj pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026

    Lionel Messi: Ende s’e përjashtoj pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026

    Lionel Messi, i cili prej gati dy dekadash mbetet në majat e futbollit botëror, ka pranuar se ende shpreson të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Megjithatë, ai thekson se mosha dhe gjendja fizike do të jenë vendimtare për pjesëmarrjen e tij në turne.

    Legjenda argjentinase, që do të mbushë 39 vjeç në qershor të ardhshëm, ka zgjatur kontratën me Inter Miami deri në vitin 2028, duke sinjalizuar se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli për momentin.

    Në një intervistë për NBC News, fituesi i tetë “Topave të Artë” tha se do të marrë një vendim për të ardhmen e tij pas vlerësimit të gjendjes fizike gjatë parasezonit të ardhshëm me ekipin amerikan.

    “Është diçka e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një Kupa Bote dhe do të doja shumë ta përjetoja sërish,” tha Messi.

    “Do të vlerësoj çdo ditë si ndihem fizikisht. Nëse do të jem mirë dhe i dobishëm për ekipin, do të bëj gjithçka për të qenë atje. Por vendimin do ta marr kur të vijë koha.”

    Kapiteni i Argjentinës shtoi se ideja për të mbrojtur trofeun e fituar në Katar është një motivim i madh:

    “Është gjithmonë një ëndërr të luash me kombëtaren. Ne vijmë si kampionë bote dhe mundësia për ta mbrojtur titullin është diçka spektakolare.”

    Messi ka zhvilluar një karrierë mbi 20-vjeçare, duke debutuar për Barcelona-n në vitin 2004, përpara se të luante për Paris Saint-Germain dhe më pas të transferohej te Inter Miami në vitin 2023.

    Pas shumë trofesh individualë dhe në nivel klubesh, ai arriti kulmin e suksesit ndërkombëtar duke fituar Kupën e Amerikës 2021 dhe më pas Kupën e Botës 2022, pas një finaleje dramatike ndaj
    Francës. /ATVLIVE.TV

  • Pas daljes nga burgu, Dani Alves gjen paqen në fe – bëhet pastor në Girona

    Pas daljes nga burgu, Dani Alves gjen paqen në fe – bëhet pastor në Girona

    Dani Alves mbetet një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit modern. Braziliani ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme, veçanërisht me Barcelona-n, ku fitoi gjithçka – përfshirë dy “Tripleta” historike, në vitet 2009 dhe 2015. Ai gjithashtu fitoi trofe të rëndësishëm me Juventus-in dhe Paris Saint-Germain-in.

    Megjithatë, reputacioni i tij pësoi goditje të rëndë pas arrestimit në vitin 2022, pasi u akuzua për sulm seksual ndaj një 23-vjeçareje. Alves u dënua fillimisht me burg, por më vonë u lirua këtë vit, pasi gjykata vendosi ta shpallte të pafajshëm.

    Pas gjithë ngjarjeve që tronditën karrierën dhe jetën e tij personale, Dani Alves duket se ka zgjedhur një rrugë të re. Ish-mbrojtësi brazilian i është përkushtuar fesë, duke u shndërruar në pastor të një kishe në qytetin Girona, afër Barcelonës.

    Alves e përfundoi karrierën e tij te UNAM Pumas në Meksikë, por kontrata e tij u ndërpre menjëherë pas arrestimit./ATVLIVE.TV

  • Bayern Munich vë sytë te Fisnik Asllani – pasardhësi i mundshëm i Harry Kane

    Bayern Munich vë sytë te Fisnik Asllani – pasardhësi i mundshëm i Harry Kane

    Bayern Munich ka futur në radar sulmuesin shqiptar të TSG Hoffenheim, Fisnik Asllani, duke e parë si një alternativë afatgjatë për Harry Kane, duke nisur nga sezoni 2026/27.

    Sipas raportimeve të gazetarit gjerman Florian Plettenberg, drejtuesit e klubit bavarez, Max Eberl dhe Christoph Freund, janë të mahnitur nga zhvillimi i 23-vjeçarit dhe tashmë janë në dijeni të klauzolës së lirimit që mund ta bëjë të transferueshëm në verën e ardhshme.

    Asllani ka lënë të kuptohet se dëshiron të ndërrojë ambient pas këtij sezoni, ndërsa interesimi për të është i madh. Përveç Bayern-it, në garë janë edhe Barcelona, si dhe klubet angleze Aston Villa, Chelsea dhe Tottenham.

    Forma e tij këtë sezon ka tërhequr vëmendjen e shumë skautëve evropianë – 6 gola dhe 2 asiste në të gjitha garat – duke e kthyer në një nga talentet më premtues të Bundesligës.
    Bayern po mendon në perspektivë dhe synon të sigurojë një lojtar që mund të bëhet pjesë kyçe e projektit sulmues të klubit në vitet e ardhshshme. /ATVLIVE.TV

  • Lajme të mira për Napolin dhe Conten: Rikthehen Rrahmani dhe Højlund

    Lajme të mira për Napolin dhe Conten: Rikthehen Rrahmani dhe Højlund

    Pas lajmit jo të mirë se Kevin De Bruyne do të mungojë për disa muaj për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Interit në fundjavë, tashmë vijnë lajme pozitive për Napolin dhe trajnerin Antonio Conte.

    Dy futbollistët Amir Rrahmani dhe Rasmus Højlund janë rikuperuar dhe do të jenë në dispozicion për ndeshjen ndaj Lecces, që zhvillohet sot.

    Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Rrahmani, kishte pësuar një lëndim në muskujt e pasëm të kofshës së djathtë gjatë përballjes mes Kosovës dhe Zvicrës në Bazel, më 5 shtator.

    Ai ishte rikthyer më 22 shtator si pjesë e bankinës rezervë në ndeshjen kundër Pisës, por më pas u detyrua të qëndronte jashtë fushave edhe për një muaj tjetër për shkak të shqetësimeve muskulare.

    Qendërmbrojtësi pritet të jetë në stol ndaj Lecces, ndërsa do të vlerësohet nëse mund të jetë gati për të startuar në ndeshjen e radhës kundër Comos më 1 nëntor, raporton Calcio Mercato.

    Ky është gjithashtu një lajm i shkëlqyer për Kombëtaren e Kosovës, e cila në nëntor do të zhvillojë dy ndeshje vendimtare në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

    “Dardanët” do të përballen më 15 nëntor me Slloveninë në Ljubljanë dhe më 18 nëntor do të presin Zvicrën në Prishtinë. Kosova ruan ende shpresat për të siguruar vendin e dytë që çon në play-off.

    Ndërkohë, sulmuesi danez Rasmus Højlund është rikthyer pas mungesës në tre ndeshjet e fundit — kundër Torinos, PSV-së dhe Interit — për shkak të një lëndimi të lehtë në kofshën e majtë.

    Ndeshja Lecce – Napoli do të zhvillohet sot, me fillim nga ora 18:30. /ATVLIVE.TV

  • Mesjava rikthen Superligën e Kosovës në futboll

    Mesjava rikthen Superligën e Kosovës në futboll

    Xhiroja e 11-të në Albi Mall Superligë do të luhet në mesjavë, të martën dhe të mërkurën.

    Për ditën e sotme (e martë) janë në program dy ndeshje, të cilat do të zhvillohen nga ora 13:00.

    Gjjilani i vendit të tetë do të presë në stadiumin e qytetit Dukagjinin e vendit të katërt. Vendasit kërkojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive me trajnerin e ri, Debatik Currin, ndërsa mysafirët do të kërkojnë fitoren pas katër ndeshjeve. Drejtësinë në këtë takim do ta ndajë gjyqtari, Genc Nuza.

    Në po të njëjtën kohë Malisheva e vendit të gjashtë do të presë në stadiumin “Liman Gegaj” Ballkanin e vendit të dytë. Të dyja skuadrat do të synojnë fitoren për të vazhduar ngritjen në tabelë. Në këtë ndeshje Mentor Ajeti do të jetë gjyqtar kryesor.

    Nesër (e mërkurë) do të zhvillohen edhe tri ndeshjet e tjera, Drenica – Drita, Ferizaj- Prishtina e Re dhe Llapi – Prishtina. /ATVLIVE.TV

  • Kompletohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll, gati për dy sfidat me Britaninë e Madhe

    Kompletohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll, gati për dy sfidat me Britaninë e Madhe

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka zhvilluar dy seancat e radhës stërvitore në prag të ndeshjeve me Britaninë e Madhe.

    Stërvitjet janë zhvilluar në palestrën në Lipjan, ndërsa shtabi teknik është shumë i kënaqur me punën e bërë dhe atmosferën brenda grupit.

    Grupi i lojtarëve është kompletuar të hënën paradite, me ardhjen e Haris Berishës, Drilon e Dren Tahirukaj dhe Suad Pajazitit. Këta katër lojtarë kishin ndeshje me skuadrat e tyre të dielën dhe për këtë arsye janë grumbulluar me Kombëtare të hënën.

    Pajaziti, që shkëlqeu në Botërorin U19 në Egjipt, është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A. Ai është mirënjohës për rastin e fituar dhe po jep më të mirën për të shpërblyer besimin.

    Përzgjedhësi Jesper Ostlund dhe asistenti i tij, Jasmin Zhuta, kanë përcjellë te lojtarët idetë e tyre se si do të luajë Kombëtarja në ndeshjet me Britaninë e Madhe e po ashtu në sfidat tjera të ardhshme. Stërvitja ishte e fokusuar në aspekte taktike të lojës në mbrojtje e në sulm.

    Ndeshja e parë me Britaninë e Madhe është të mërkurën nga ora 18:00 në Derby të Anglisë, ndërsa ndeshja e dytë do të zhvillohet të dielën nga ora 17:15 në Prishtinë. Kombëtarja më e mirë pas dy ndeshjeve avancon në raundin e dytë kualifikues për Botërorin 2027.

    Dardanët do të udhëtojnë sot për në Derby, në arenën ku zhvillohet ndeshja, ata do të kenë një stërvitje në orët e mbrëmjes. /ATVLIVE.TV

  • Napoli pa Kevin De Bruyne në ndeshjet e rradhës

    Napoli pa Kevin De Bruyne në ndeshjet e rradhës

    Kampioni italian Napoli nuk do të ketë në dispozicion Kevine De Bruyne në ndeshjet e rradhës në të gjitha garat.

    Belgu ka pësuar lëndim në muskulin e kofshës,dhe pritet që të mungoj për disa muaj napolitanëve.

    Përndryshe nuk dihet se kur do të ketë afat zyrtar për rikuperimin e tij,teksa mungesa e tij padyshim është një hendikep i madh për Napolin siodomos kur skuadra tani ka marrë pozitën e parë në Serie A.

    Kujtojmë që Kevin De Bruyne ka bërë 11 paraqitje në të gjitha garat,duke shënuar 4 gola e bëri 2 asistime.