ATV

Category: Sport

  • Ronaldo në krizë trofesh: 13 tentativa, 0 suksese që prej ardhjes në Arabi Saudite

    Ronaldo në krizë trofesh: 13 tentativa, 0 suksese që prej ardhjes në Arabi Saudite

    Megjithëse ka fituar 35 trofe gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme dhe ka dominuar Evropën me Real Madridin, Cristiano Ronaldo ende nuk ka arritur të ngrejë asnjë kupë që kur iu bashkua Al Nassr në Arabinë Saudite.

    Mbrëmjen e kaluar, “fantazmat” e mungesës së trofeve u rikthyen sërish. Al Nassr u eliminua nga Al Ittihad në Kupën e Arabisë Saudite, në një ndeshje ku Karim Benzema dhe Houssem Aouar shkëlqyen, ndërsa Ronaldo nuk arriti të bënte diferencën, duke humbur një rast të artë për gol.

    Që prej transferimit të tij në Riad, bilanci është i zymtë: 0 trofe nga 13 mundësi. Këtu përfshihen 3 kampionate vendase, 4 kupa, 2 Liga të Kampionëve të Azisë dhe 4 Superkupa, me disa humbje të dhimbshme që kanë ardhur edhe pas serive të penalltive.

    Megjithatë, në Ligën e Arabisë, situata duket ndryshe. Nën drejtimin e Jorge Jesus dhe me mbështetjen e João Félix, skuadra e Al Nassr po kalon një moment të shkëlqyer: 6 fitore në 6 ndeshje, duke kryesuar renditjen me 18 pikë të plota.

    Tre sulmuesit kryesorë të ekipit ndodhen aktualisht në Top 10 golashënuesit e ligës:

    • João Félix – 9 gola dhe 1 asistim

    • Cristiano Ronaldo – 6 gola dhe 1 asistim

    • Kingsley Coman – 3 gola dhe 4 asistime

    Pavarësisht eliminimit të hershëm nga Kupa, Ronaldo mbetet i motivuar për të ndryshuar rrjedhën dhe për ta mbyllur “thatësirën” e gjatë pa trofe. Nëse forma e Al Nassr vazhdon kështu, titulli kampion mund të jetë mundësia e artë për portugezin që të rikthehet në majën e futbollit aziatik. /ATVLIVE.TV

  • Probleme për Arsenalin: Saliba mungon ndaj Brightonit

    Probleme për Arsenalin: Saliba mungon ndaj Brightonit

    Para sfidës së Carabao Cup kundër Brightonit, Arsenali përballet me një problem të madh në mbrojtje.

    William Saliba, mbrojtësi francez i “topçinjëve”, do të mungojë për shkak të një lëndimi, konfirmuar nga trajneri Mikel Arteta.

    Ende nuk është e qartë se sa do të zgjasë mungesa e tij.

    Ndeshja Arsenal – Brighton do të luhet sonte në orën 20:45, dhe mungesa e Salibës pritet të ndikojë në formacionin e skuadrës.

    Përndryshe në Ligën Angleze, Arsenal kryeson në tabelë me 22 pikë, 4 më shumë se vendi i dytë Bournemouth. /ATVLIVE.TV

  • Panathinaikos mposht Makabin dhe ngjitet në vendin e katërt të Euroleague

    Panathinaikos mposht Makabin dhe ngjitet në vendin e katërt të Euroleague

    Euroliga e nisi javën e 7-të me një ndeshje spektakolare në Athinë, ku Panathinaikos triumfoi ndaj Makabi Tel Aviv me rezultatin 99–85.

    Ndeshja nisi mirë për vendasit, të cilët me organizim të fortë në mbrojtje arritën të neutralizojnë pikat kryesore të Makabit. Megjithatë, me disa ndryshime taktike brenda periudhës së parë, skuadra izraelite arriti të rikuperojë disavantazhin prej 8 pikësh dhe madje të kalojë në avantazh minimal.

    Perioda e dytë vazhdoi me ritëm të lartë dhe me 10 ndryshime të udhëheqjes, duke dëshmuar ekuilibër mes dy ekipeve. Në pushim, Makabi ishte përpara me shifrat 47–49.

    Trajneri i Panathinaikosit, Ergin Ataman, në intervistën e zakonshme gjatë pushimit, theksoi se skuadra kishte nevojë për më shumë efikasitet në sulm për të marrë shkëputjen.

    Në periodën e tretë, ndeshja vazhdoi e balancuar, por një seri prej 9–0 e udhëhequr nga Kendrick Nunn ndryshoi rrjedhën e lojës, duke i dhënë avantazhin Panathinaikosit.

    Në dhjetë minutat e fundit, helenët dominojnë plotësisht. Me Nunn (22 pikë) në formë të shkëlqyer dhe mbështetjen e Yurtseven, Hernangomez dhe Osman, Panathinaikosi e thellon gradualisht epërsinë në dyshifrore.

    Makabi nuk arriti të reagojë, ndërsa faullet e shumta i dhanë vendasve mundësi të lehta për pikë nga gjuajtjet e lira.

    Në fund, Panathinaikos rikthehet te fitorja, duke u ngjitur në vendin e katërt të renditjes, ndërsa Makabi Tel Aviv zbret në pozicionin e parafundit.

    Lojtari i ndeshjes: Kendrick Nunn – 22 pikë, 4 asistime. /ATVLIVE.TV

  • Luciano Spalletti drejt stolit të Juventusit: Marrëveshja verbale është arritur

    Luciano Spalletti drejt stolit të Juventusit: Marrëveshja verbale është arritur

    Juventusi duket se ka gjetur trajnerin e ri pas shkarkimit të Igor Tudor. Sipas raportimeve të fundit, “Zonja e Vjetër” ka vendosur që Luciano Spalletti të jetë prioriteti kryesor për drejtimin e skuadrës në vazhdim të sezonit.

    Gazetari i njohur Fabrizio Romano ka raportuar se Spalletti i ka dhënë dritën jeshile ofertës së klubit torinez, ndërsa marrëveshja verbale mes palëve thuhet se tashmë është arritur.

    Trajneri italian pritet të nënshkruajë një kontratë njëvjeçare, me opsion rinovimi automatik në rast se Juventusi arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

    Spalletti, i cili së fundmi drejtoi Kombëtaren e Italisë, u shkarkua nga ky post në qershor, pas ndeshjes me Moldavinë. Më herët, ai ka udhëhequr me sukses ekipe si Napoli, me të cilin fitoi
    Serie A në sezonin 2022/23, si dhe Interin, Romën dhe Zenit St. Petersburg.

    Nëse marrëveshja zyrtarizohet, rikthimi i Spallettit në Serie A pritet të jetë një nga lëvizjet më të rëndësishme të këtij sezoni. /ATVLIVE.TV

  • Vajzat kuqezi triumfojnë 3–0 ndaj Qipros dhe sigurojnë qëndrimin në Ligën B të Nations League

    Vajzat kuqezi triumfojnë 3–0 ndaj Qipros dhe sigurojnë qëndrimin në Ligën B të Nations League

    Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një fitore të madhe në ndeshjen e dytë të play-off-it ndaj Qipros, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3–0 në stadiumin “Air Albania” dhe duke siguruar kështu qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.

    Vajzat kuq e zi e nisën ndeshjen me intensitet të lartë, ndryshe nga takimi i parë në Qipro, duke marrë kontrollin që në minutat e para.

    Epërsia erdhi në minutën e 16-të, kur pas një pasimi të saktë të kapitenes Megi Doçi, Qëndresa Krasniqi realizoi golin e parë për 1–0.

    Në minutën e 29-të, Doçi ishte sërish pranë golit, por tentativa e saj u ndal nga portierja mike.

    Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 38-të, Mesuare Begallo dyfishoi rezultatin pas një krosi perfekt të Megi Doçit, duke dërguar Shqipërinë në pushim me avantazh 2–0.

    Në pjesën e dytë, vajzat kuqezi vazhduan të dominojnë ndeshjen. Në minutën e 66-të, kapitenia Megi Doçi mori përsipër ekzekutimin e një penalltie dhe shënoi me qetësi për rezultatin final 3–0.

    Pavarësisht rasteve të tjera të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, duke i dhënë Shqipërisë një fitore të merituar dhe historike.

    Me këtë sukses, Shqipëria siguron qëndrimin në Ligën B dhe në edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League do të jetë pjesë e grupeve të kësaj lige, duke forcuar pozitën e saj në futbollin europian të femrave. /ATVLIVE.TV

  • Vedat Muriqi drejt historisë te Mallorca: Vetëm 30 gola larg rekordit të Samuel Eto’o-s

    Vedat Muriqi drejt historisë te Mallorca: Vetëm 30 gola larg rekordit të Samuel Eto’o-s

    Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po vazhdon të shkruajë historinë e tij te Mallorca, ku tashmë është kthyer në një nga lojtarët më të dashur nga tifozët për pasionin, përkushtimin dhe lidershipin që tregon në çdo ndeshje.

    Me 40 gola në 127 paraqitje, Muriqi është shumë pranë një arritjeje të madhe. Legjenda Samuel Eto’o mban ende rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 70 gola në 162 ndeshje, çka do të thotë se vetëm 30 gola e ndajnë prizrenasin nga ky rekord historik.

    Ky është sezoni i pestë i Muriqit në La Liga me fanellën e Mallorcës. Pas periudhës së huazimit nga Lazio në sezonin 2021/22, klubi spanjoll bleu kartonin e tij për 8 milionë euro, ndërsa së fundmi ai rinovoi kontratën deri në vitin 2029, duke treguar besnikëri të rrallë në futbollin modern.

    Në një intervistë për emisionin “Jugam a Fora de Joc”, Muriqi foli hapur për periudhën e vështirë në Itali dhe vendimin për të kaluar në Spanjë:

    “Kur isha te Lazio, më telefonoi Ortells dhe e refuzova ofertën. Vuajta shumë në Itali, sepse kur isha në formë të mirë fizike, Sarri nuk më kishte në planet e tij. Ortells më telefonoi sërish dhe fillova të kërkoj informacione për Mallorcën — pastaj pranova. Nuk e mora familjen me vete, sepse mendova se do të qëndroja vetëm katër muaj. Erdha për katër muaj, dhe tani jam këtu gati pesë vjet.”

    Muriqi ka edhe një objektiv të madh personal:

    “Dua të fitoj një trofe me Mallorcën. Pothuajse ia dolëm dy vjet më parë në Kupën e Mbretit, por La Liga është shumë e vështirë. Do të doja ta fitoja një trofe — do të ishte një ëndërr e bërë realitet.”

    Sulmuesi 30-vjeçar ka treguar gjithashtu se dëshiron ta përfundojë karrierën si futbollist pikërisht në Mallorca dhe më pas të qëndrojë në qytet, duke investuar në biznese lokale. Ai mbetet edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Kosovës, me 32 gola në 64 ndeshje.

    Sezoni aktual 2025/26 ka nisur mjaft mirë për të në aspektin personal: në nëntë ndeshje ka shënuar pesë gola, përfshirë rrjetat ndaj Real Madridit dhe Atletico Madridit.

    Megjithatë, Mallorca po përballet me vështirësi — pas dhjetë javësh në La Liga, ka dy fitore, tri barazime dhe pesë humbje, duke u renditur në vendin e 16-të me nëntë pikë. /ATVLIVE.TV

  • Sauditët planifikojnë stadiumin e parë “në qiell”: një arenë 350 metra mbi tokë për Kupën e Botës 2034

    Sauditët planifikojnë stadiumin e parë “në qiell”: një arenë 350 metra mbi tokë për Kupën e Botës 2034

    Arabia Saudite ka zbuluar planet për një projekt që pritet të bëjë histori në botën e arkitekturës sportive — stadiumin e parë në botë që do të ndërtohet rreth 350 metra mbi tokë.

    Objekti, i njohur për momentin me emrin “Neom Stadium” ose “Stadiumi në qiell”, do të jetë pjesë e megaprojektit futuristik NEOM, konkretisht në segmentin urban “The Line”, qyteti linear që synon të transformojë konceptin e jetesës në shkretëtirën sauditë.

    Ky stadium i jashtëzakonshëm pritet të ketë kapacitet prej rreth 46,000 ulësesh dhe të shërbejë si një nga arenat kryesore të Kupës së Botës FIFA 2034, e cila do të organizohet nga Arabia Saudite.

    Sipas planeve paraprake, punimet do të nisin në vitin 2027, ndërsa përfundimi i projektit është parashikuar për vitin 2032, në mënyrë që objekti të jetë gati për eventin më të madh futbollistik në planet.

    Ky projekt i guximshëm pritet të bëhet simbol i inovacionit dhe ambicies saudite për ta vendosur vendin në qendër të hartës botërore të sportit, teknologjisë dhe arkitekturës moderne. /ATVLIVE.TV

  • Shqiptarët në qendër të vëmendjes, por Hoffenheimi eliminohet nga Kupa e Gjermanisë

    Shqiptarët në qendër të vëmendjes, por Hoffenheimi eliminohet nga Kupa e Gjermanisë

    St. Pauli është kualifikuar në të tetën e finales së Kupës së Gjermanisë, pas një përballjeje dramatike ndaj Hoffenheim, të cilën e fitoi me rezultat 8:7 pas penalltive.

    Ndeshja në Hamburg përfundoi 1:1 në kohën e rregullt, ndërsa pas 120 minutash rezultati ishte 2:2, duke e çuar fituesin në serinë e penalltive.

    Për Hoffenheim shënuan Promel (47′) dhe Kramariç (107′ – penallti), ndërsa për St. Pauli golat i realizuan Wahl (1′) dhe Pereira Lage (120+2′).

    Në penallti, për St. Paulin realizuan Smith, Oppie, Kaars, Saliakas, Fujita, Sands, Ceesay dhe Wahl, ndërsa Pereira Lage dështoi.

    Nga ana tjetër, për Hoffenheimin shënuan Burger, Bebou, Avdullahu, Bernardo, Toure, Kabak dhe Tohumcu, ndërsa gabuan Kramariç dhe Albian Hajdari.

    Në këtë ndeshje, Fisnik Asllani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu — tre përfaqësues të Kosovës — u aktivizuan nga minuta e parë për Hoffenheimin.

    Hajdari u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 50-të, ndërsa Asllani u zëvendësua në minutën e 77-të.

    Pas kësaj disfate dramatike, Hoffenheim eliminohet nga Kupa e Gjermanisë, ndërsa St. Pauli vazhdon rrugëtimin e saj historik drejt fazës së 1/8 së finales. /ATVLIVE.TV

  • Mbyllet sot xhiroja e 11-të në Albi Mall Superligë, tri ndeshje në program

    Mbyllet sot xhiroja e 11-të në Albi Mall Superligë, tri ndeshje në program

    Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me ndeshjet e xhiros së 11-të, ku tri përballje interesante janë në program për t’u zhvilluar.

    Vëmendja kryesore e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Podujevë, aty ku takohen dy rivalët rajonal, Llapi dhe Prishtina.

    Llapjanët janë rikthyer në formë pas një fillimi të dobët të kampionatit dhe synojnë ta mposhtin skuadrën kryeqytetase. Nga ana tjetër, Prishtina vjen me moral të lartë pas gjashtë fitoreve radhazi dhe kërkon të vazhdojë këtë seri mbresëlënëse.

    Në formë të mirë është edhe kampioni në fuqi, Drita, e cila ka regjistruar katër fitore radhazi. Gjilanasit do të kërkojnë të pestën në udhëtim te Drenica, në Skënderaj. Vendasit, megjithatë, ndodhen në një periudhë të vështirë me katër humbje të njëpasnjëshme, dhe do të synojnë t’i japin fund kësaj serie negative.

    Ndërkohë, në Ferizaj, skuadra vendase do të përballet me Prishtinën e Re, që aktualisht mban vendin e fundit në tabelë.

    Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme nisin nga ora 13:00. /ATVLIVE.TV

  • Erling Haaland tërheq vëmendjen me thjeshtësinë e tij jashtë fushës

    Erling Haaland tërheq vëmendjen me thjeshtësinë e tij jashtë fushës

    Futbollisti i Manchester City, Erling Haaland, po fiton zemrat e tifozëve jo vetëm me golat e tij, por edhe me thjeshtësinë dhe sjelljen njerëzore jashtë fushës. Video e fundit e publikuar në rrjetet sociale tregon Haaland duke vizituar një fermë lokale për të blerë qumësht dhe mish, ndërsa bisedon në mënyrë të sjellshme me pronaren.

    Ky moment i thjeshtë ka marrë shumë komente pozitive nga fansat, të cilët vlerësojnë sjelljen e tij të qetë dhe larg arrogancës së famës që zakonisht e shoqëron yjet e futbollit.

    Haaland ka treguar më herët se ka plane për të ardhmen jashtë futbollit: “Mendoj se do të kem një fermë të vogël kur të pensionohem nga futbolli… jam mjaft i sigurt që do ta bëj këtë gjë.”

    Fansat tashmë e shohin si një shembull të një ylli të suksesshëm që ruan thjeshtësinë dhe lidhjen me njerëzit e zakonshëm.