ATV

Category: SPORT

  • Russell hapet për vështirësitë në F1: Kam punuar me psikolog sportiv që nga viti 2020

    Russell hapet për vështirësitë në F1: Kam punuar me psikolog sportiv që nga viti 2020

    George Russell po përjeton një sezon jo të lehtë në Formula 1, pavarësisht dy fitoreve të arritura deri më tani. Piloti britanik i Mercedes ka folur hapur për presionin, sfidat psikologjike dhe mënyrën se si po përpiqet të rikthejë formën e tij më të mirë.

    Sezoni 2026 nuk ka shkuar plotësisht sipas pritshmërive për George Russell. Britaniku ka triumfuar në garat e zhvilluara në Australi dhe Austri, por këto rezultate janë lënë në hije nga paraqitjet e forta të shokut të skuadrës, Kimi Antonelli, ndërsa Lewis Hamilton gjithashtu ka qenë më i qëndrueshëm në kampionat.

    Russell e kishte nisur sezonin me synimin për të luftuar për titullin e parë botëror në karrierë, por rezultatet e deritanishme nuk kanë qenë në nivelin që ai shpresonte.

    Në prag të rikthimit të Formula 1 në pistën e Zandvoort, piloti i Mercedes ka zbuluar se prej vitesh punon me një psikolog sportiv, me synimin për të menaxhuar më mirë presionin dhe për të nxjerrë maksimumin nga vetja.

    “Kam punuar me një psikolog sportiv që nga viti 2020. Qëllimi kryesor ishte të më ndihmonte të jepja më të mirën time, por edhe të mbështesja njerëzit me të cilët punoj, për të menaxhuar më mirë presionin e një fundjave gare dhe për të kanalizuar energjinë time gjatë gjithë sezonit”, deklaroi Russell.

    28-vjeçari theksoi se kjo mbështetje nuk është e nevojshme vetëm kur rezultatet nuk janë pozitive, por është pjesë e përgatitjes së tij profesionale.

    “Kjo mbështetje nuk është e nevojshme vetëm në momentet më të vështira”, shtoi ai.

    Russell foli edhe për njerëzit që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke përmendur të fejuarën e tij, Gwen Lagrue, si dhe drejtuesin e Mercedes, Toto Wolff.

    “Jam shumë me fat që kam një grup njerëzish fantastikë pranë meje. Gwen Lagrue dhe Toto Wolff më kanë mbështetur gjithmonë. Kjo më ndihmon, por gjithashtu më kujton atë që jam i aftë të bëj”, u shpreh britaniku.

    Piloti i Mercedes beson se rikthimi te sukseset e së kaluarës është një nga mënyrat për të fituar sërish besimin në vetvete.

  • Luis Enrique pas humbjes nga Lens: PSG-ja luajti më mirë se sa prisja

    Luis Enrique pas humbjes nga Lens: PSG-ja luajti më mirë se sa prisja

    Paris Saint-Germaini e nisi sezonin me një zhgënjim, pasi u mposht nga Lens në finalen e Superkupës së Francës. Pavarësisht humbjes dhe trofeut të humbur, trajneri Luis Enrique nuk e pa paraqitjen e skuadrës me nota negative.

    Tekniku spanjoll, në një prononcim për “Ligue 1+”, vlerësoi paraqitjen e PSG-së dhe theksoi se skuadra e tij krijoi mundësi të mjaftueshme për të ndryshuar rrjedhën e takimit, por mungesa e golit bëri diferencën.

    “Gjëja e parë pozitive është se, nëse je në finale, do të thotë se ke bërë diçka mirë. Ne luajtëm në një nivel më të lartë nga sa prisja”, u shpreh Enrique.

    Trajneri i kampionëve francezë pranoi se PSG-ja zhvilloi një ndeshje të mirë, duke krijuar raste, por nuk arriti t’i konkretizonte ato para portës.

    “Luajtëm një ndeshje të shkëlqyer, krijuam raste, por nuk arritëm të shënonim. Ky është futbolli. Duhet ta përgëzosh kundërshtarin”, deklaroi ai.

    Pavarësisht humbjes në finalen e Superkupës, Enrique beson se skuadra nuk ka arsye për alarm, duke nënvizuar se në këtë fazë të sezonit ka parë disa sinjale pozitive në lojën e ekipit.

    “Ne nuk jemi të lodhur. Në këtë pikë të sezonit kam parë disa situata shumë pozitive në lojë. Luajtëm një ndeshje të mirë. Duhet ta pranojmë dhe të vazhdojmë”, shtoi trajneri i PSG-së.

    I pyetur për merkaton e transferimeve dhe lëvizjet e mundshme të klubit, Luis Enrique zgjodhi të mos japë detaje, duke bërë të qartë se do të flasë vetëm pasi të mbyllet afati kalimtar.

    “Do të flas për tregun e transferimeve vetëm pasi të mbarojë, jo para ose pas. Pasi të mbarojë afati i transferimeve, do të diskutoj të gjitha çështjet”, tha Enrique.

    Kështu, pavarësisht humbjes ndaj Lens, trajneri spanjoll mbetet i fokusuar te vazhdimi i sezonit dhe përgatitja e PSG-së për sfidat e ardhshme, ndërsa çështjet e merkatos do të mbeten për t’u diskutuar vetëm pas mbylljes së saj.

  • Malisheva merr kreun pas javës së parë, 24 gola dhe spektakël në Superligën e Kosovës

    Malisheva merr kreun pas javës së parë, 24 gola dhe spektakël në Superligën e Kosovës

    Superliga e Kosovës ka nisur me ritëm të lartë edicionin 2026/27, duke sjellë gola, rezultate befasuese dhe një numër të madh emocionesh që në javën e parë të kampionatit.

    Në pesë ndeshjet e zhvilluara u realizuan plot 24 gola, ndërsa vëmendjen kryesore e mori Malisheva, e cila e nisi sezonin në mënyrën më bindëse të mundshme dhe menjëherë u ngjit në krye të tabelës.

    Skuadra e Malishevës dhuroi fitoren më të thellë të xhiros, duke mposhtur në udhëtim Vushtrrinë me rezultat të thellë 6:1. Me këtë sukses dhe golaverazhin +5, Malisheva e mbylli javën e parë si lidere e Superligës.

    Spektakël pati edhe në Gjilan, ku Drita triumfoi ndaj Llapit në një ndeshje të hapur dhe me shumë gola. Gjilanasit fituan 5:3, duke siguruar tri pikë dhe duke nisur kampionatin me një mesazh të qartë për rivalët.

    Fitore të rëndësishme në udhëtim regjistroi edhe Gjilani, i cili mori tri pikët përballë Feronikelit ’74. Skuadra gjilanase triumfoi 3:1, duke u renditur menjëherë në mesin e ekipeve që e nisën kampionatin me fitore.

    Një prej rezultateve më interesante të javës erdhi nga Prishtina, ku skuadra kryeqytetase mposhti Ballkanin me 4:2. Përballja prodhoi gjashtë gola dhe një fitore të rëndësishme për Prishtinën, e cila e nis edicionin me ambicie të mëdha.

    Ndërkohë, e vetmja ndeshje e xhiros që nuk prodhoi gola u zhvillua mes Drenicës dhe Dukagjinit. Dy skuadrat u ndanë në paqe me rezultat 0:0, duke marrë nga një pikë në startin e kampionatit.

    Pas javës së parë, Malisheva udhëheq klasifikimin me tri pikë dhe golaverazh +5. Pas saj renditen Drita, Prishtina dhe Gjilani, të gjitha me nga tri pikë, ndërsa Drenica dhe Dukagjini kanë nga një pikë pas barazimit në përballjen direkte.

     

    Rezultatet e javës së parë janë:

    Feronikeli ’74 – Gjilani 1:3

    Drenica – Dukagjini 0:0

    Vushtrria – Malisheva 1:6

    Drita – Llapi 5:3

    Prishtina – Ballkani 4:2

     

    Starti i edicionit të ri ka dhënë sinjale të qarta se Superliga e Kosovës pritet të jetë e luftuar që në javët e para. Malisheva e ka marrë kreun me një paraqitje bindëse, ndërsa Drita, Prishtina dhe Gjilani janë pozicionuar menjëherë pas saj.

    Me 24 gola të shënuar në vetëm pesë ndeshje, java hapëse premton një sezon me shumë rivalitet, gola dhe përballje interesante në garën për kreun e tabelës.

  • Futbolli i Kosovës në zi, brenda një dite ndahen nga jeta dy legjenda të mëdha

    Futbolli i Kosovës në zi, brenda një dite ndahen nga jeta dy legjenda të mëdha

    Futbolli i Kosovës është përballur me një ditë të rëndë zie, pasi brenda pak orësh ka humbur dy prej figurave më të njohura të historisë së tij, Erdogan Celinën dhe Zenun Brovinën.

    Pas lajmit për vdekjen e Erdogan Celinës, është konfirmuar edhe ndarja nga jeta e Zenun Brovinës në moshën 84-vjeçare. Dy emra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në futbollin kosovar tashmë i janë bashkuar historisë së këtij sporti.

    Zenun Brovina ishte një prej futbollistëve më të spikatur të gjeneratës së tij. Ai e nisi karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas pati një aventurë edhe te Partizani i Beogradit, para se të luante për Prishtinën.

    Brovina ishte gjithashtu kapiten i Reprezentacionit të Kosovës dhe për vite me radhë u dallua si një prej figurave kryesore të futbollit në vend. Me paraqitjet, përkushtimin dhe karakterin e tij, ai la gjurmë në skuadrat ku luajti dhe fitoi respektin e madh të komunitetit sportiv.

    Veçanërisht i rëndësishëm ishte kontributi i tij te Vëllaznimi, ku emri i Brovinës mbetet i lidhur me një periudhë të rëndësishme të historisë së klubit gjakovar. Ai kujtohet jo vetëm për cilësitë në fushë, por edhe për modestinë dhe korrektësinë që e karakterizuan gjatë gjithë jetës.

    Në historinë e Prishtinës, Brovina zë gjithashtu një vend të veçantë. Ai ishte pjesë e një grupi të futbollistëve të mëdhenj, së bashku me Veli Vraniqin dhe Burim Hatipin, që lanë gjurmë në fanellën e klubit kryeqytetas.

    Humbja e tij, e ardhur në të njëjtën ditë me atë të Erdogan Celinës, e bën edhe më të dhimbshme këtë ditë për futbollin kosovar. Dy prej figurave të gjeneratës së artë tashmë mungojnë fizikisht, por kontributi dhe kujtimi për ta do të mbeten pjesë e pandashme e historisë së sportit në Kosovë.

  • Rodri udhëton drejt Barcelonës, ylli spanjoll një hap larg transferimit te Barça

    Rodri udhëton drejt Barcelonës, ylli spanjoll një hap larg transferimit te Barça

    Rodri është gjithnjë e më pranë transferimit te Barcelona. Mesfushori spanjoll ka marrë dritën jeshile për të udhëtuar sot, të hënën, drejt Barcelonës, ku pritet të kompletojë hapat e fundit para zyrtarizimit të marrëveshjes me klubin katalanas.

    Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, Barcelona i ka rezervuar Rodrit testet mjekësore, të cilave ai pritet t’u nënshtrohet së shpejti. Nëse gjithçka shkon sipas planit, 30-vjeçari do të firmosë gjatë kësaj jave një kontratë katërvjeçare, që do ta mbajë në “Camp Nou” deri në qershor të vitit 2030.

    Marrëveshja mes Barcelonës dhe Manchester Cityt është arritur për një shumë prej 60 milionë eurosh fikse. Përveç kësaj, kontrata parasheh edhe 6 milionë euro bonuse të lehta për t’u aktivizuar, ndërsa 10 milionë euro të tjera janë të lidhura me objektiva dhe kushte më të vështira, përfshirë paraqitjet dhe performancën e lojtarit.

    Fituesi i “Topit të Artë” dhe një prej mesfushorëve më të rëndësishëm të gjeneratës së tij pritet të jetë një nga figurat kryesore të projektit të ri të Barcelonës.

    Përvoja e gjatë e Rodrit në elitën e futbollit, aftësia për të kontrolluar ritmin e ndeshjeve dhe cilësia në organizimin e lojës pritet t’i japin skuadrës katalanase më shumë stabilitet dhe kreativitet në mesfushë.

    Transferimi i spanjollit shihet si një goditje e rëndësishme e Barcelonës në merkato, teksa klubi vazhdon të ndërtojë një skuadër konkurruese me synimin për t’u rikthyer në majat e futbollit evropian.

    Nëse Rodri i kalon me sukses testet mjekësore, zyrtarizimi i transferimit të tij në “Camp Nou” pritet të jetë vetëm çështje ditësh.

  • Juventusi përforcon mbrojtjen, zyrtarizohet Jhon Lucumi

    Juventusi përforcon mbrojtjen, zyrtarizohet Jhon Lucumi

    Juventusi ka bërë zyrtare transferimin e Jhon Lucumit nga Bologna, me mbrojtësin kolumbian që ka firmosur kontratë me klubin torinez deri më 30 qershor 2030.

    28-vjeçari është produkt i akademisë së Deportivo Calit, ndërsa debutimin në futbollin profesionist e regjistroi në moshën vetëm 17-vjeçare. Në vitin 2018, Lucumi u transferua në Belgjikë te Genk, ku fitoi një rol të rëndësishëm dhe u shndërrua në një prej qendërmbrojtësve më të vlerësuar të kampionatit belg.

    Pas katër viteve në Belgjikë, kolumbiani zbarkoi në Serie A në vitin 2022, kur iu bashkua Bolognas. Me fanellën kuqeblu, Lucumi u shndërrua në një pikë referimi në repartin defensiv, duke regjistruar 152 paraqitje në të gjitha kompeticionet gjatë aventurës së tij në klub.

    Qendërmbrojtësi pati gjithashtu mundësinë të përjetonte skenën më të madhe evropiane me Bolognan, duke luajtur në Ligën e Kampionëve dhe duke realizuar një prej dy golave të tij me skuadrën italiane.

    Tashmë, Lucumi nis një kapitull të ri në karrierë me fanellën e Juventusit. Përvoja e tij në Serie A dhe karakteristikat e tij si qendërmbrojtës pritet t’i ofrojnë më shumë siguri dhe alternativa trajnerit Luciano Spalletti në repartin defensiv.

    Me këtë transferim, Juventusi vijon të kompletojë skuadrën për sezonin e ri, me synimin për të rikthyer klubin në majat e futbollit italian dhe për të qenë protagonist edhe në arenën evropiane.

  • Neil Magny përmbys gjithçka ndaj Ramiz Brahimajt dhe shkruan historinë në UFC 330 Background

    Neil Magny përmbys gjithçka ndaj Ramiz Brahimajt dhe shkruan historinë në UFC 330 Background

    Neil Magny mori një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij, duke mposhtur Ramiz Brahimajn me TKO në raundin e dytë të përballjes së tyre në UFC 330.

    Përballja nuk nisi në mënyrën më të mirë për veteranin amerikan. Brahimaj përdori me efikasitet mundjen dhe kontrollin në tokë, duke e mbajtur Magnyn nën presion gjatë pjesës më të madhe të raundit të parë. Megjithatë, shqiptari nuk arriti të përfitonte maksimalisht nga dominimi i tij, pasi nuk shkaktoi dëme të konsiderueshme.

    Situata ndryshoi në raundin e dytë. Magny nisi të gjente hapësirat e duhura dhe gradualisht mori kontrollin e duelit. 38-vjeçari e çoi Brahimajn pranë kafazit dhe filloi të godiste në seri, duke mos i lënë kundërshtarit shumë mundësi për të reaguar.

    Pas një breshërie të vazhdueshme goditjesh, arbitri vendosi të ndërpresë përballjen në minutën 3:20 të raundit të dytë, duke i dhënë Magnys fitoren me nokaut teknik.

    Kjo ishte fitorja e 31-të e Magnys në karrierë, kundrejt 14 humbjeve, ndërsa veterani amerikan vendosi gjithashtu një rekord të ri në divizionin welterweight të UFC-së.

    Për Brahimajn, kjo ishte humbja e dytë radhazi. Shqiptari tani ka një bilanc prej 5 fitoresh dhe 5 humbjesh në UFC, ndërsa rekordi i tij profesional shkon në 13 fitore dhe 7 humbje.

  • Liverpooli synon Endrickun, 65 milionë euro për talentin e Real Madridit

    Liverpooli synon Endrickun, 65 milionë euro për talentin e Real Madridit

    Liverpooli ka kthyer vëmendjen nga Endricku dhe është gati të bëjë një ofertë konkrete për talentin brazilian të Real Madridit. “Reds” po përgatisin një propozim prej 65 milionë eurosh për 20-vjeçarin, me synimin për ta transferuar gjatë këtij afati kalimtar.

    Interesimi i Liverpoolit për Endrickun daton prej disa muajsh. Edhe gjatë qershorit ishte raportuar se klubi anglez po shqyrtonte mundësinë e një oferte, e cila në atë kohë parashikohej të ishte rreth 70 milionë euro.

    Nëse oferta prej 65 milionë eurosh bëhet zyrtare, Real Madridi do të përballet me një dilemë të madhe. Klubi spanjoll pagoi 35 milionë euro për ta marrë Endrickun nga Palmeiras, ndërsa me bonuset shuma totale e transferimit mund të arrinte në 60 milionë euro.

    Braziliani e mbylli sezonin e kaluar në Francë, ku ishte i huazuar te Olympique Lyon. Atje, Endricku pati mundësinë të luante më rregullisht dhe shënoi tetë gola, duke dhënë gjithashtu disa asistime.

    Pas rikthimit në Madrid, e ardhmja e tij mbetet ende për t’u përcaktuar. José Mourinho raportohet se ka besim te sulmuesi dhe e konsideron atë pjesë të planeve për sezonin e ri.

    Trajneri portugez mund ta përdorë Endrickun si alternativë në qendër të sulmit, por edhe në krahun e djathtë, ku braziliani ka luajtur më parë.

    Pikërisht për këtë arsye, Real Madridi nuk kishte dhënë dritën jeshile për një tjetër huazim, pavarësisht interesimit nga Roma dhe Aston Villa.

    Megjithatë, oferta e Liverpoolit mund ta ndryshojë situatën. Një shumë prej 65 milionë eurosh do t’i vendoste drejtuesit madrilenë përballë zgjedhjes mes një përfitimi të madh financiar dhe mbajtjes së një lojtari që shihet si investim për të ardhmen.

    Endricku, nga ana tjetër, dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe të luftojë për një vend në formacionin e Mourinhos.

    Tashmë topi është në fushën e Real Madridit. Nëse Liverpooli e konkretizon ofertën, drejtuesit e klubit do të duhet të vendosin nëse do t’i rezistojnë interesimit anglez apo do të pranojnë një nga ofertat më të rëndësishme për Endrickun që prej transferimit të tij nga Palmeiras.

  • Kylian Mbappé beson te Mourinho: “Me të do të fitojmë tituj këtë sezon”

    Kylian Mbappé beson te Mourinho: “Me të do të fitojmë tituj këtë sezon”

    Kylian Mbappé ka folur me superlativa për José Mourinhon, duke e cilësuar trajnerin portugez si një teknik që di të fitojë dhe që e di rrugën drejt suksesit.

    Ylli francez beson se rikthimi i “Special One” në stolin e Real Madridit mund t’i japë skuadrës një shtysë të madhe në garën për trofetë këtë sezon.

    “Mendoj se është shumë pozitive të kesh një trajner si Mourinho, dikë që di si të fitojë dhe di të përcaktojë rrugën për ta arritur këtë. Çdo lojtar është i lumtur të ketë një trajner që e di se ku po shkon. Ky është një aspekt shumë pozitiv për ne”, u shpreh Mbappé.

    Francezi theksoi se Real Madridi duhet të japë maksimumin dhe të gjejë ritmin e duhur që në fillim të sezonit.

    “Është koha të japim gjithçka dhe të gjejmë ritmin e duhur që të jemi gati për ndeshjen e parë. Jam i sigurt se do t’i rikthehemi fitimit të trofeve. Këtë duam dhe kjo do të ndodhë. E ndiej urinë e skuadrës për fitore”, deklaroi ai.

    Mbappé tha se skuadra do të jetë e përqendruar gjatë gjithë sezonit, me synimin për t’u dhuruar tifozëve sa më shumë gëzime.

    “Unë jam dikush që di ta shijoj momentin dhe e kuptoj se sa me fat jam. Por tani duhet të fitojmë. Pavarësisht nëse je te Real Madridi apo diku tjetër, këtu duhet të fitosh tituj dhe të arrish sukses. Prandaj jam këtu”, tha sulmuesi francez.

    Në fund, Mbappé dha edhe një mesazh të qartë për objektivat e Real Madridit në sezonin e ri.

    “Ne do të fitojmë tituj këtë vit”, përfundoi Mbappé

  • Rafael Leao përgënjeshtron zërat për përplasje me Amorimin

    Rafael Leao përgënjeshtron zërat për përplasje me Amorimin

    Rafael Leao ka reaguar ndaj raportimeve se marrëdhënia e tij me trajnerin e Milanit, Ruben Amorim, nuk është e mirë.

    Në ditët e fundit, në mediat italiane dhe angleze është raportuar se Amorim e konsideron Leaon si një ndikim negativ në dhomën e zhveshjes dhe se mes tyre ka pasur përplasje.

    Këto zëra janë shtuar edhe më shumë për shkak të pasigurisë rreth së ardhmes së sulmuesit portugez, i cili është përmendur si një nga lojtarët që mund të largohet nga Milani gjatë kësaj vere.

    Megjithatë, Leao ka reaguar drejtpërdrejt ndaj këtyre pretendimeve. Në një postim në rrjetin social X, ku ishte shpërndarë lajmi për raportin e tij me Amorimin, ai ka komentuar në mënyrë ironike: “Ndoshta sepse po gënjen”.

    Mungesa e Leaos në miqësoren e Milanit ndaj Manchester Unitedit kishte ngritur dyshime të reja për një situatë të tensionuar me trajnerin, por më vonë u bë e ditur se portugezi nuk luajti për shkak të një dëmtimi të lehtë.

    Milani po përgatitet për sezonin e ri nën drejtimin e Amorimit, ndërsa e ardhmja e Leaos mbetet ende e paqartë.

    Pavarësisht reagimit të futbollistit, nuk përjashtohet mundësia që të dyja palët të ndahen gjatë kësaj vere, veçanërisht nëse në “San Siro” arrin një ofertë që kënaq drejtuesit e klubit.

    Tani mbetet për t’u parë nëse Leao do të vazhdojë aventurën me Milanin apo do të kërkojë një sfidë të re në karrierën e tij.