ATV

Category: Sport

  • Drita ngjitet në renditjen e UEFA-së, kalon Ballkanin pas sukseseve në Conference League

    Drita ngjitet në renditjen e UEFA-së, kalon Ballkanin pas sukseseve në Conference League

    Kampioni i Kosovës, Drita, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm, këtë herë në ranglistën e UEFA-së, pas paraqitjeve mbresëlënëse në UEFA Conference League.

    Klubi gjilanas u bë ekipi i parë kosovar që arrin kuotën e pesë pikëve në fazën e grupeve të një gare evropiane, rezultat që ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e tij në renditjen kontinentale.

    Falë këtij progresi, Drita ka kaluar rivalin e saj të drejtpërdrejtë, Ballkanin, duke u pozicionuar tani në vendin e 151-të në klasifikimin e klubeve të UEFA-së.

    Nga ana tjetër, Ballkani i Suharekës mban pozitën e 160-të, duke qenë i dyti ndër klubet kosovare.

    Në vazhdim të listës, Prishtina renditet në pozitën e 336-të, ndërsa Llapi në 341-tën.

    Në pjesën e poshtme të renditjes ndodhen Malisheva (367), Dukagjini (368) dhe Gjilani (369).

    Ky sukses i ‘Intelektualëve’ është një tjetër dëshmi e rritjes së futbollit kosovar në arenën evropiane, si në aspektin sportiv ashtu edhe në koeficientet e UEFA-së. /ATVLIVE.TV

  • Courtois rikthehet në Madrid pas lëndimit, mungon në ndeshjet e Belgjikës

    Courtois rikthehet në Madrid pas lëndimit, mungon në ndeshjet e Belgjikës

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, është larguar nga grumbullimi i kombëtares belge dhe është kthyer në Madrid për të vazhduar trajtimin pas një lëndimi muskulor.

    Federata e Futbollit të Belgjikës njoftoi të martën se Courtois iu nënshtrua disa testeve mjekësore nën mbikëqyrjen e stafit të saj, të cilat konfirmuan dëmtimin e pësuar fundjavën e kaluar.

    Në komunikatën zyrtare të kombëtares thuhej:

    “Thibaut Courtois iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë pasdite nga stafi mjekësor i RBFA. Ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare dhe do të kthehet në klubin e tij për trajtim të mëtejshëm.”

    Lëndimi ndodhi gjatë barazimit 0–0 të Real Madridit kundër Rayo Vallecanos, dhe sipas raportit të klubit madrilen, portieri belg ka pësuar dëmtim në muskujt e gjatë të kofshës së djathtë.

    Edhe pse Real Madridi kishte kryer ekzaminimet fillestare, stafi mjekësor belg kërkoi analiza shtesë, të cilat konfirmuan të njëjtin rezultat.

    Synimi është që 33 vjeçari të rikuperohet plotësisht dhe të jetë gati në ndeshjen e La Ligës kundër Elches, më 23 nëntor. /ATVLIVE.TV

  • Udhëtim rekord: klubi francez përshkon 36 mijë kilometra për ndeshjen në Kupën e Francës

    Udhëtim rekord: klubi francez përshkon 36 mijë kilometra për ndeshjen në Kupën e Francës

    Të premten nis raundi i shtatë i Kupës së Francës në futboll, ku marrin pjesë 128 ekipe, ndërsa një klub ka ndërmarrë një udhëtim të jashtëzakonshëm për të zhvilluar ndeshjen e tij.

    FC Mulhouse, që garon në ligën e pestë franceze, është nisur mbrëmë në një rrugëtim prej 36,000 kilometrash drejt Kaledonisë së Re, ku do të përballet me AS Magenta.

    Kjo distancë e pazakontë ndodh për shkak se Kupa e Francës përfshin ekipe nga të gjitha territoret franceze përtej detit, duke u zhvilluar në katër kontinente.

    Në këtë garë marrin pjesë edhe klube nga:

    • Oqeania (Kaledonia e Re, Polinezia Franceze),

    • Afrika (Reunioni, Majota),

    • Amerika Qendrore dhe Jugore (Guiana Franceze, Guadalupa, Martinika, Shën Martini, Shën Bartolomeu, Shën Pjetri dhe Mikeloni).

    Në këtë raund, përveç Magentës, do të luajnë edhe Bandrele FC nga Majota, që do të përballet me Montreuil, si dhe AS Pirae nga Tahiti, që do të udhëtojë drejt Francës për t’u përballur me Carnoux.

    Duke marrë parasysh koston e madhe të udhëtimeve, Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka marrë përsipër të financojë plotësisht shpenzimet e klubeve nga ligat e ulëta dhe territoret jashtë Francës.

    Kur në garë të përfshihen edhe klubet e Ligue 1 në muajin dhjetor, ekipet nga territoret përtej detit që do të kenë avancuar do të udhëtojnë për në Francë — me shpenzimet sërish të mbuluara nga FFF.

    Derisa kjo është një garë unike në botë për shtrirjen e saj gjeografike, asnjë klub nga jashtë Evropës nuk ka arritur ndonjëherë të kalojë raundin e 1/16-ës së Kupës së Francës. /ATVLIVE.TV

  • “Air Albania” plot! Të gjitha biletat për ndeshjen Shqipëri – Angli janë shitur

    “Air Albania” plot! Të gjitha biletat për ndeshjen Shqipëri – Angli janë shitur

    Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se të gjitha biletat për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Anglisë janë shitur, duke dëshmuar interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve kuqezi për këtë përballje të madhe.

    Në njoftimin e saj, FSHF theksoi se interesimi ishte i menjëhershëm dhe biletat u shitën në një kohë të shkurtër, ndërsa atmosfera pritet të jetë elektrizuese në stadiumin “Air Albania”.

    Ende mbetet për t’u parë nëse kjo ndeshje do të kthehet në një festë për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026.

    Kujtojmë se takimi Shqipëri – Angli do të zhvillohet këtë të diel, më 12 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 18:00. /ATVLIVE.TV

  • “Kosova është në nivel të lartë” – Xhaka reagon pas largimit të Avdullahut dhe Hajdarit

    “Kosova është në nivel të lartë” – Xhaka reagon pas largimit të Avdullahut dhe Hajdarit

    Kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, ka komentuar zgjedhjen e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën, pas largimit të tyre nga kombëtarja zvicerane.

    Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Xhaka u shpreh se të dy lojtarët nuk patën durimin e nevojshëm për të pritur mundësinë e tyre me Zvicrën.

    “Lojtarët me cilësitë e tyre sigurisht që nuk do të doje t’i humbje. Por duke parë nivelin aktual të ekipit tonë, nuk mendoj se do të kishin arritur një vend titullari brenda tre apo katër vitesh. Ardon Jashari është me ne tash e tre vjet dhe ka vetëm katër paraqitje,” tha Xhaka.

    Kapiteni shtoi se nuk e sheh Leon Avdullahun më të mirë se Ardon Jasharin:

    “A është Leon më i mirë se Ardon Jashari? Nuk mendoj kështu. Është një djalë i mirë, luan rregullisht te Hoffenheim, por ndoshta i mungoi pak durimi,” theksoi ai.

    Megjithatë, Xhaka e vlerësoi zgjedhjen e tyre për t’iu bashkuar Kosovës:

    “Vendimi i tyre është i respektueshëm. Përfaqësuesja e Kosovës tashmë është në një nivel shumë të lartë,” tha ai.

    Sa i përket mundësisë që Zvicra të përballet me Kosovën në një ndeshje vendimtare në Prishtinë, Xhaka u shpreh se gjithçka varet nga paraqitja kundër Suedisë:

    “Nëse bëjmë punën tonë ndaj Suedisë, ndoshta nuk do të vijë deri aty. Por nëse ndodh, do ta pranojmë situatën. Nuk do të ishte hera e parë që luajmë atje,” përfundoi kapiteni i Zvicrës. /ATVLIVE.TV

  • Kolumbiani James Rodriguez bëhet lojtar i lirë nga janari

    Kolumbiani James Rodriguez bëhet lojtar i lirë nga janari

    James Rodriguez do të largohet nga klubi meksikan, Club León.

    Sipas gazetarit Fabrizio Romano, kolumbiani do të jetë lojtar i lirë nga janari i ardhshëm dhe do të jetë i hapur për oferta nga klube në Amerikën Jugore apo edhe në Evropë.

    James synon të gjejë një klub sa më shpejt për të qenë në formë për Kampionatin Botëror që zhvillohet verën tjetër.

    Gjatë kohës së tij te Club León, ai ka regjistruar 34 paraqitje, duke shënuar 5 gola dhe dhuruar 9 asistime. /ATVLIVE.TV

  • Kombëtarja shqiptare përgatitet intensivisht për ndeshjet kualifikuese ndaj Andorrës dhe Anglisë

    Kombëtarja shqiptare përgatitet intensivisht për ndeshjet kualifikuese ndaj Andorrës dhe Anglisë

    Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në Barcelonë, në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës kualifikuese për Botërorin 2026, ndaj Andorrës dhe Anglisë. Stafi dhe lojtarët janë të përqendruar kryesisht te sfida e parë, e cila konsiderohet vendimtare për rrugëtimin drejt Kupës së Botës.

    Sulmuesi Indrit Tuci, që rikthehet në Kombëtare, u shpreh për fshf.org se ndihet shumë i lumtur për mundësinë që i është dhënë dhe se nuk do të kursejë përpjekjet në këto dy ndeshje:

    “Të them të drejtën ndihem shumë mirë, ndihem i lumtur që u ktheva në Kombëtare. Është një arritje e madhe për çdo futbollist të jetë pjesë e ekipit, sidomos kur kemi një mundësi më shumë për të shkuar në Botëror. Do jap maksimumin tim, çunat më pritën shumë mirë dhe shpresoj të bëjmë mirë në këto dy ndeshje.”

    Ai shtoi se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe përgatitjet intensive për Andorrën po ecin në mënyrë perfekte:

    “Të gjithë shoqërohemi mirë, ka harmoni grupi dhe po punojmë shumë për Andorrën. Për momentin po mendojmë vetëm për ndeshjen e parë; më pas do të përqendrohemi te Anglia. Po analizojmë çdo detaj dhe shpresojmë që dëshirat e trajnerit t’i realizojmë në fushë dhe të mos e zhgënjejmë.”

    Tuci paralajmëroi se Andorra nuk duhet nënvlerësuar, pasi skuadra kundërshtare është e organizuar dhe e vështirë për t’u thyer:

    “Më e rëndësishme është ndeshja e parë me Andorrën dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Ata mbrohen me çdo kusht dhe dinë të penalizojnë gabimet. Shpresojmë ta fitojmë këtë takim dhe pastaj do të mendojmë për sfidën me Anglinë.”

    Kombëtarja shqiptare pritet të japë maksimumin në këto dy sfida vendimtare për të siguruar një vend në Botërorin 2026.

  • Messi rikujton momentet më të veçanta me Barcelonën: “E pamundur të zgjedh vetëm një”

    Messi rikujton momentet më të veçanta me Barcelonën: “E pamundur të zgjedh vetëm një”

    Legjenda e Barcelonës, Lionel Messi, ka ndarë disa nga kujtimet më të veçanta të karrierës së tij me fanellën blaugrana, duke theksuar se periudha në Katalonjë mbetet më e rëndësishme për të si futbollist dhe si njeri.

    38-vjeçari, që aktualisht luan për Inter Miami, ka fituar shumicën e trofeve të tij në “Camp Nou” dhe konsiderohet lojtari më i dekoruar në historinë e futbollit. Në një intervistë për Sport, Messi tregoi se është e pamundur të zgjedhësh vetëm një moment nga koha e tij me katalanasit.

    “Është e vështirë të zgjedh vetëm një. Faleminderit Zotit që kam përjetuar kaq shumë momente. Gjashtëshja e parë me Guardiolën ishte e jashtëzakonshme, ashtu si Liga e fundit e Kampionëve me Luis Enriquen. Nuk e di, është e vështirë të zgjedh vetëm një moment,” tha Messi.

    Ai shtoi se lidhja e tij me Barcelonën shkon përtej fushës së lojës:

    “Jam mirënjohës që kam kaluar gjithë jetën time në Barcelonë dhe që fëmijët e mi kanë lindur këtu. Ka kaq shumë gjëra për t’u çmuar, jo vetëm në klub, por edhe në qytet,” shtoi argjentinasi me nostalgji.

    Edhe pse ndodhet në Shtetet e Bashkuara, Messi pranon se vazhdon të ndjekë me pasion Barcelonën dhe të flasë me miqtë e tij si Suarez, Busquets dhe Alba rreth ndeshjeve dhe rezultateve të klubit.

    Vizita e fundit në Barcelonë ka ringjallur spekulimet për një rikthim të mundshëm të Messit në një rol tjetër, megjithëse ende nuk dihet nëse tifozët do ta shohin përsëri në “Camp Nou”.

    Messi përfundoi me emocion:

    “Dashuria e tifozëve të Barça-s është spektakolare. Më jep nostalgji dhe emocione të mëdha.”

  • Sukses historik: Kosova U17 për femra ngjitet në Ligën A të Evropianit 2026

    Sukses historik: Kosova U17 për femra ngjitet në Ligën A të Evropianit 2026

    Kombëtarja U17 e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka arritur një tjetër sukses të madh, duke siguruar kalimin në Ligën A për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian 2026.

    Të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit e përfunduan ciklin kualifikues në vendin e dytë të Grupit B në Ligën B, me pikë të barabarta me Uellsin. Kombëtarja uellsiane u kualifikua direkt si fituese e grupit falë golavarazhit më të mirë, ndërsa Kosova ruajti shpresat për kualifikim përmes renditjes si e dyta më e mirë në të gjitha grupet e Ligës B — gjë që u zyrtarizua sot, pas humbjes së Sllovenisë ndaj Islandës (0:3).

    Dardanet U17 shfaqën paraqitje mbresëlënëse gjatë ciklit të zhvilluar muajin e kaluar në Moldavi, duke mposhtur Moldavinë (1:0) dhe Azerbajxhanin (6:0), si dhe barazuar me Uellsin (1:1) në sfidën vendimtare për kreun e grupit.

    Kësisoj, Kosova U17 (vajza) për herë të katërt radhazi arrin të ngjitet nga Liga B në Ligën A, një dëshmi e qartë e progresit të qëndrueshëm të futbollit të vajzave në vend dhe e punës së përkushtuar të stafit teknik dhe lojtareve të reja dardane. /ATVLIVE.TV

  • Bekaj dhe Zabërgja: “Me këtë grup, mund ta bëjmë historinë!”

    Bekaj dhe Zabërgja: “Me këtë grup, mund ta bëjmë historinë!”

    Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

    Në përfundim të seancës stërvitore, futbollistët Baton Zabërgja dhe Visar Bekaj folën për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për sfidat e ardhshme, duke shprehur bindjen se Kosova mund të arrijë rezultate pozitive.

    Visar Bekaj theksoi formën e mirë të skuadrës dhe atmosferën pozitive në kampin dardan:

    “Të gjithë bashkëlojtarët janë në formë shumë të mirë dhe atmosfera është e shkëlqyer. Duhet të fokusohemi maksimalisht te ndeshja me Slloveninë, sepse është shumë e rëndësishme të dalim me rezultat pozitiv. Nëse kemi pak fat dhe Zvicra gabon në ndeshjen e parë, mund të luajmë një ‘finale’ këtu në ‘Fadil Vokrri’.”

    “Kemi përballuar situata të ngjashme më herët. Edhe kundër Zvicrës jashtë luajtëm pa disa lojtarë kryesorë dhe barazuam 1:1. Edhe kundër Suedisë kishim mungesa, por ia dolëm. Tani jemi më të kompletuar dhe besoj se do të arrijmë rezultate pozitive në të dyja ndeshjet. Më e rëndësishmja është që secili që hyn në fushë të japë maksimumin.”

    Nga ana tjetër, Baton Zabërgja, i rikthyer pas lëndimit që e mbajti jashtë grumbullimit të tetorit, tha:

    “Jam shumë i lumtur për rikthimin, sidomos tani që kemi përpara dy ndeshje jetike për Kombëtaren. Me seriozitet dhe qasje të mirë, besoj se mund t’i kalojmë këto sfida dhe të arrijmë qëllimin tonë. Fillimisht përballemi me Slloveninë, ku synojmë të paktën një pikë – por me grupin që kemi, mund të shkojmë për fitore. Ekipi ka qenë në nivel të lartë, veçanërisht kundër Suedisë, ku dhamë 100 për qind. Me këtë grup lojtarësh, e meritojmë të jemi pjesë e Botërorit,”

    Dardanët do të vazhdojnë përgatitjet edhe në ditët në vijim, me fokus të plotë në përballjen e parë kundër Sllovenisë, më 15 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /ATVLIVE.TV