ATV

Category: Sport

  • Kur mund të anulohet një ndeshje futbolli – çfarë thonë rregullat?

    Kur mund të anulohet një ndeshje futbolli – çfarë thonë rregullat?

    Prishtina po përjeton reshje të dendura shiu ditën e sotme, por stadiumi “Fadil Vokrri” do të presë ndeshjen vendimtare Kosovë – Zvicër, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me fillim nga ora 20:45.

    Autoritetet e stadiumit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë konfirmuar se, megjithë motin e keq, ndeshja pritet të zhvillohet sipas orarit të paracaktuar. Stadiumi është i përgatitur për pritjen e lojtarëve dhe tifozëve, dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për siguri dhe mirëmbajtje.

    Sipas rregullave të FIFA dhe UEFA, ndeshjet mund të zhvillohen edhe në kushte reshjesh të dendura, për sa kohë fusha është e sigurt për lojtarët dhe nuk paraqet rrezik për dëmtim. Në rast se kushtet bëhen të papërshtatshme, arbitri kryesor ka të drejtën të ndalojë ose shtyjë ndeshjen pas konsultimit me organizatorët dhe ekipet.

    Kosova hyn në këtë sfidë me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën me 13 pikë. Një fitore sonte mund të rrisë ndjeshëm shanset për kualifikim direkt në Kupën e Botës, ndërsa një humbje do të konfirmonte pjesëmarrjen e Kosovës në playoff.

    Reshjet e dendura nuk pritet të pengojnë zhvillimin e ndeshjes, por siguria e lojtarëve dhe e tifozëve mbetet prioritet kryesor për organizatorët. /ATVLIVE.TV

  • Presidenti i FFK-së: Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme

    Presidenti i FFK-së: Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme

    Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se gjithçka është gati për ndeshjen e sotme ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe Zvicrës.

    Dardanët dhe zviceranët do të përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Pavarësisht shiut të pandërprerë që ka përfshirë vendin, Ademi tha se ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit, duke u siguruar që çdo detaj të jetë në vend.

    “Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme! Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend. Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium!”, ka shkruar Ademi.

  • Julian Ryerson feston kualifikueset e Botërorit me një model të ri flokësh – fansat ndahen në mendime!

    Julian Ryerson feston kualifikueset e Botërorit me një model të ri flokësh – fansat ndahen në mendime!

    Mbrojtësi i kombëtares së Norvegjisë, Julian Ryerson, ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve pasi u shfaq me një model të ri flokësh për të festuar ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Ndryshimi i papritur, i cili po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ka shkaktuar reagime të shumta—nga të qeshura, te komplimente e deri te debatet e zakonshme të tifozëve.

    Disa e quajtën stilin “simbol i fatit të ri për Norvegjinë”, ndërsa të tjerë e morën me humor, duke bërë krahasime plot fantazi me shpejtësinë dhe energjinë e një gepardi.

    Tifozët tashmë po pyesin: Sa e vlerësoni këtë model flokësh nga 1 deri në 10?

    Ryerson, nga ana tjetër, duket i qetë dhe i buzëqeshur—i gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë, pavarësisht diskutimeve rreth pamjes së tij.

  • Liga Unike rikthehet me edicionin e ri: Shqipëria dhe Kosova gati për startin

    Liga Unike rikthehet me edicionin e ri: Shqipëria dhe Kosova gati për startin

    Të mërkurën, më 19 nëntor, nis sezoni i ri i Ligës Unike në basketboll për meshkuj, kompeticioni që bashkon në një turne të vetëm ekipet më të forta të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Në këtë edicion marrin pjesë tetë skuadra, të ndara në mënyrë të barabartë mes dy vendeve.

    Shqipëria përfaqësohet nga Besëlidhja, Vllaznia, Teuta dhe Apolonia, ndërsa Kosova nga Bora, Vëllaznimi, Golden Eagle Ylli dhe Go+Peja.

    Ekipet janë shpërndarë në dy grupe dhe do të zhvillojnë fazën e rregullt, pas të cilës dy të parat e çdo grupi sigurojnë vendin në gjysmëfinalet e play-off-it.

    Final Four-i i këtij sezoni do të zhvillohet në Shqipëri.

    Vëllaznimi nga Kosova hyn në kompeticion si kampion në fuqi.

    Grupi A – Raundi i parë

    • Besëlidhja – Bora

    • Teuta – Vëllaznimi

    Grupi B – Raundi i parë

    • Golden Eagle Ylli – Vllaznia

    • Go+Peja – Apolonia. /ATVLIVE.TV

  • Mesfushori i Kosovës drejt Ukrainës: Cluji dhe Metalist 1925 po mbyllin marrëveshjen

    Mesfushori i Kosovës drejt Ukrainës: Cluji dhe Metalist 1925 po mbyllin marrëveshjen

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Lindon Emërllahu, është shumë pranë transferimit te klubi ukrainas Metalist 1925, sipas raportimeve të mediumit ukrainas “sport.ua”.

    Emërllahu ka qenë prej muajsh i lidhur me largimin nga Cluji, me FCSB-në si një nga alternativat kryesore, por tani duket se destinacioni i tij i ardhshëm do të jetë Ukraina. Sipas raportit, Metalist 1925 është gati të paguajë klauzolën e lirimit në vlerën 1.8 milionë euro për 22-vjeçarin, i cili ka kontratë me Clujin deri në qershor 2028. Burimet raportojnë se shanset për realizimin e transferimit janë rreth 90%.

    Situata financiare e Clujit, e vështirësuar nga pagat e larta të lojtarëve si Kurt Zouma dhe Marcus Coco, e ka bërë klubin rumun të konsiderojë seriozisht shitjen e Emërllahut.

    Ky edicion, mesfushori ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Clujit, me 19 paraqitje, katër gola dhe dy asistime. Ai ka gjithashtu 12 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës.

    Në Metalist 1925, Emërllahu do të bashkohet me dy futbollistë shqiptarë të tjerë, Baton Zabërgja dhe Ermir Rashica, duke e bërë adaptimin e tij më të lehtë në kampionatin ukrainas. /ATVLIVE.TV

  • Davide Massa vendos drejtësi në duelin Kosovë–Zvicër

    Davide Massa vendos drejtësi në duelin Kosovë–Zvicër

    UEFA ka zyrtarizuar tashmë katërshen e gjyqtarëve që do të drejtojnë sfidën mes Kosovës dhe Zvicrës, në ndeshjen e fundit të grupeve për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.

    Takimi do të zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, ku Kosova do të jetë nikoqire e helvetikëve.

    Në këtë duel, që ka rëndësi të madhe për verdiktet finale të grupit, UEFA ka deleguar një ekip të njohur gjyqtarësh italianë. Davide Massa do të mbajë bilbilin kryesor, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Filippo Meli dhe Stefano Alassio.

    Ndërkohë, rolin e gjyqtarit të katërt do ta marrë Daniele Chiffi. /ATVLIVE.TV

  • Kosova U-21 sfidon Finlandën në ndeshjen vendimtare të Euro 2027

    Kosova U-21 sfidon Finlandën në ndeshjen vendimtare të Euro 2027

    Sot (e martë), Kosova U-21 zhvillon një ndeshje të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian Euro 2027.

    Përfaqësuesja e të rinjve të Kosovës përballet sonte me Finlandën në stadiumin “Veritas” të Turku-së, me ndeshjen që nis në ora 17:30.

    Djelmoshat dardanë synojnë të sigurojnë pikë të vlefshme në këtë sfidë, ndërsa përkrahja për ta mbetet e madhe. Ekipi është i motivuar për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të vazhduar garën për kualifikim.

    Aktualisht, Kosova U-21 mban vendin e tretë në grup me 7 pikë nga katër ndeshje, ndërkohë që Finlanda renditet e dyta me 9 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Foda i ruan për play-off: Avdullahu dhe Hajdari jashtë ndeshjes me Zvicrën

    Foda i ruan për play-off: Avdullahu dhe Hajdari jashtë ndeshjes me Zvicrën

    Kosova tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në play-off, por ruan ende gjasa teorike për kualifikim të drejtpërdrejtë në Kupën e Botës — skenar që do të realizohej vetëm me një fitore 6:0 ndaj Zvicrës.

    Megjithatë, “Dardanët” do të hyjnë në këtë ndeshje pa dy nga lojtarët e tyre të rëndësishëm: Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin.

    Mungesat e tyre nuk lidhen me lëndime, por me vendimin e trajnerit Franco Foda për t’i mbrojtur nga rreziku i pezullimit, pasi të dy janë të ngarkuar me kartonë të verdhë. Për këtë arsye, Foda ka zgjedhur të mos i rrezikojë në mënyrë që ata të jenë plotësisht të gatshëm për ndeshjet e play-off-it.

    Përballja me Zvicrën do të zhvillohet sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. /ATVLIVE.TV

  • KB Bashkimi, për fitore dhe për kualifikim

    KB Bashkimi, për fitore dhe për kualifikim

    Sonte dhe nesër do të zhvillohen ndeshjet evropiane për klubet tona.

    Bashkimi dhe Trepça do të zhvillojnë takimet e fundit në grupe të FIBA Europe Cup, derisa GO+ Peja dhe Sigal Prishtina do të zhvillojnë përballjen e radhës në Ligën ENBL.

    Në fazën e ardhshme të FIBA Europe Cup, kualifikohet dhjetë vendet e para të grupeve dhe gjashtë vendet më të mira të dyta.

    Grupi J është i vetmi ku katër skuadra janë në garë për tu kualifikuar.

    Sonte zhvillohet përballja Dijon-Bashkimi nga ora 20:00. Dijon do të kualifikohej me një fitore ndaj prizrenasve, derisa do të eliminoheshin me një humbje. Portokallezinjtë që marrin pjesë për herë të parë do të mund të kualifikoheshin me një fitore dhe eliminoheshin me humbje.

    Nëse Bashkimi fiton ndaj Dijon-it dhe Reggiana mposht Cibonën, atëherë do të gjitha skuadrat do të kenë nga tri fitore e tri humbje, ku në këtë rast do të vendoset sipas Rregullave Zyrtare të Basketbollit.

    Dijon dhe Cibona kanë nga tri fitore e dy humbje, ndërsa Bashkimi dhe Reggiana nga dy fitore e tri humbje.

    Kampionia e Kosovës, Trepça do të ketë ndeshjet e fundit në grupe, ku është mysafir i Anwil-it në Poloni. Mitrovicasit në një grup të vështirë nuk kanë shënuar fitore nga pesë ndeshjet e zhvilluara, kurse ajo polake dy fitore e tri humbje. Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 18:30.

    GO+ Peja do të zhvillojë ndeshjen e katërt në grupe të Ligën ENBL, ku është mysafire e Dziki Warszawa. Verdhezinjtë kanë një fitore e dy humbje, derisa ajo polake dy fitore e një humbje. Takimi zhvillohet sonte nga ora 19:00.

    Mysafire do të jetë edhe Sigal Prishtina, që do të përballet të mërkurën me Manchester Basketball nga ora 20:00.

    Bardhekaltrit kanë tri fitore e një humbje, ndërsa Manchester ka dy fitore e dy humbje. /ATVLIVE.TV

  • Kosova sonte përballet me Zvicrën

    Kosova sonte përballet me Zvicrën

    Prishtina pritet të jetë në qendër të vëmendjes sonte, teksa kombëtarja e Kosovës përballet me Zvicrën në ndeshjen e fundit të kualifikimeve direkte për Kupën e Botës 2026.

    Dueli nis në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mijëra tifozë dardanë pritet të krijojnë një atmosferë të zjarrtë.

    Kosova e pret sfidën me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën lidere që numëron 13 pikë.

    Trajneri Franco Foda ka nënvizuar rëndësinë e një paraqitjeje solide dhe formën shumë të mirë të disa prej futbollistëve, me theks të veçantë te Fisnik Asllani, i cili po shkëlqen me gola dhe lëvizje vendimtare në hapësira të ngushta.

    Edhe pse matematikisht në garë për kualifikim të drejtpërdrejtë, një triumf 6:0 ndaj Zvicrës mbetet skenar i vështirë.

    Aktualisht, skuadra e Granit Xhakës mban kreun me 13 pikë, ndërsa Kosova ndodhet në vend të dytë me 10 pikë.

    Pavarësisht rezultatit të kësaj përballjeje, “Dardanët” e kanë të sigurt pjesëmarrjen në playoff, ku në mars 2026 do të synojnë biletën për në Botëror.