ATV

Category: Sport

  • Gjykata urdhëron PSG të paguajë Kylian Mbappes 61 milionë euro

    Gjykata urdhëron PSG të paguajë Kylian Mbappes 61 milionë euro

    Një gjykatë pune në Paris urdhëroi të martën Paris Saint-Germain (PSG) të paguajë Kylian Mbappes 61 milionë euro për pagat dhe bonuset e papaguara, duke dhënë fund një prej mosmarrëveshjeve më të mëdha ligjore në futbollin francez.

    Vendimi erdhi pas muajsh debate ligjore, pasi sulmuesi francez paditi PSG-në për të ardhurat që sipas tij nuk i ishin dhënë për muajt prill, maj dhe qershor 2024, pak para se të largohej nga klubi për t’u bashkuar me Real Madridin si transferim i lirë.

    Avokati i Mbappes, Frederique Cassereau, tha:

    “Jemi të kënaqur me vendimin. Kjo është ajo që mund të pritet kur pagat nuk paguhen.”

    Gjykata konstatoi se PSG nuk i kishte paguar sulmuesit tre muaj rrogë, një bonus etik dhe një bonus nënshkrimi, të cilat ishin të detyrueshme sipas kontratës. Këto shuma ishin njohur edhe nga vendime të Ligës Franceze të Futbollit Profesional (LFP) në shtator dhe tetor 2024.

    Gjykata hodhi poshtë pretendimet e PSG-së se Mbappe duhej të humbiste tërësisht pagat e papaguara, por gjithashtu nuk pranoi disa nga pretendimet shtesë të lojtarit, përfshirë akuzat për punë të fshehur, ngacmim moral dhe shkelje të detyrës së sigurisë.

    PSG kishte argumentuar se Mbappe kishte vepruar në mënyrë të pabesë duke mos paralajmëruar për një vit planet për të mos rinovuar kontratën, duke i mohuar klubit mundësinë për të marrë një tarifë transferimi. Përfaqësuesit e Mbappes thanë se mosmarrëveshja lidhej me zbatimin e ligjit francez të punës dhe pagat e papaguara, jo me politikën e transferimeve. /ATVLIVE.TV

  • Wayne Rooney: ‘Granit Xhaka, blerja më e mirë e sezonit’

    Wayne Rooney: ‘Granit Xhaka, blerja më e mirë e sezonit’

    Kapiteni i kombëtares së Zvicrës dhe futbollisti i Sunderlandit, Granit Xhaka, është një lider në fushë dhe këtë po e tregon më së miri te ekipi i ‘Maceve të zeza’. Skuadër kjo që këtë sezon është pjesë e Premier League dhe po tregon klas dhe shpirt gare në çdo ndeshje.

    Por, një nga lojtarët kyç të tyre është padyshim shqiptari Xhaka dhe për këtë edhe legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, i ka thurur elozhe të veçanta atij. Në podcastin, “The Wayne Rooney Podcast”, Rooney u shpreh:

    “Xhaka duhet të jetë transferimi i stinorit. Ai ishte gjithnjë lojtar i mirë. Kam menduar se duke shkuar në Sunderland do të vuajë dhe nuk do të ishte transferim i mirë, por ai është i jashtëzakonshëm. Aftësia e tij për të diktuar lojtarët dhe për të qetësuar lojën është brilante.”

    Performancat e Xhakës, përfshirë edhe ndeshjen e fundit kundër Newcastle, kanë konfirmuar ndikimin e tij të madh në skuadër dhe aftësinë për të udhëhequr lojën në fushë. /ATVLIVE.TV

  • Transformim i palestrës “Minatori” në Mitrovicë, 680 ulëse të reja dhe tribunë teleskopike

    Transformim i palestrës “Minatori” në Mitrovicë, 680 ulëse të reja dhe tribunë teleskopike

    Palestra e sportit “Minatori” në Mitrovicë po i nënshtrohet një transformimi të rëndësishëm, me vendosjen e tribunave teleskopike, një investim në vlerë prej 400 mijë eurosh që pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka theksuar se ky projekt do të rrisë dukshëm kapacitetin dhe funksionalitetin e palestrës.

    Sipas Çekut, në ambientet e palestrës do të shtohen 680 ulëse të reja, duke krijuar kushte më të mira për publikun sportdashës dhe për organizimin e ngjarjeve sportive të ndryshme.

    Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të modernizuar infrastrukturën sportive në Mitrovicë dhe për të ofruar standarde më të larta për sportistët dhe tifozët. /ATVLIVE.TV

  • Turneu ndërkombëtar në Çeki, orari i ndeshjeve të Kosovës në futsal

    Turneu ndërkombëtar në Çeki, orari i ndeshjeve të Kosovës në futsal

    Kombëtarja e Kosovës në futsal do të marrë pjesë në turnuen ndërkombëtar që zhvillohet në Kutná Hora, Çeki.

    Aty do të përballet me tri kombëtare evropiane të nivelit të lartë: Çekinë, Letoninë dhe Lituaninë.

    Ndeshjet e parë do të zhvillohet më 17 dhjetor ndaj Letonisë, ndërsa një ditë më pas më 18 dhjetor luajmë ndaj Lituanisë.

    Më 20 dhjetor, Kosova do të përballet me nikoqirin, Çekinë.

    Këto ndeshje shërbejnë si një fazë shumë e rëndësishme përgatitore për ekipin. /ATVLIVE.TV

  • Kosova U18 në turneun e rëndësishëm në Belgjikë

    Kosova U18 në turneun e rëndësishëm në Belgjikë

    Një tjetër angazhim ndërkombëtar do të ketë Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll (djemtë).

    Të mërkurën (nesër) në mëngjes, Kombëtarja jonë e 18-vjeçarëve udhëton për në Belgjikë, ku do të paraqitet në turneun “4 Nations”.

    Turneu mbahet në Lokeren, ndërsa pos Kosovës e Belgjikës do të marrin pjesë edhe Luksemburgu dhe Britania e Madhe.

    Koordinatori i grupmoshave të reja në Federatën e Hendbollit të Kosovës, Bujar Qerimi, ka publikuar listën e hendbollistëve të ftuar. Qerimi do të asistohet nga Arben Parduzi.

    Menjëherë të mërkurën nga ora 18:00, Kombëtarja jonë e luan ndeshjen me Luksemburgun.

    Të enjten prej orës 18:00 është ndeshja mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

    Ndërkohë ndeshja mes Belgjikës dhe Kosovës U18 është të premten nga ora 16:00.

    Ky turne vlerësohet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të hendbollistëve tanë të rinj.

    Lista e lojtarëve:

    Diar Zekaj KH Deçani
    Valdrin Rashica KH Vushtrria
    Eris Beqiri KH Trepça
    Olt Bajrami KH Besa Famgas
    Lorik Kelmendi TSV Weinsberg
    Ajan Muqolli KH Besa Famgas
    Lum Xhemajli KH Prishtina
    Ledion Bytyqi Forbach Moselle-Est Handball
    Art Parduzi Metz Handball
    Leon Kelmendi TSV Weinsberg
    Orges Mavraj KH Istogu
    Erion Bajramaj KH Prishtina
    Xhafer Alimusaj KH Deçani
    Florent Mavraj KH Istogu
    Ali Bajqinovci KH Prishtina
    Arbian Thaqi HSC 2000 Coburg
    Adis Vula KH Vëllaznimi

  • Një epokë e re për ekipin Casertana, stadium me kapacitet më të madh se “Fadil Vokrri”

    Një epokë e re për ekipin Casertana, stadium me kapacitet më të madh se “Fadil Vokrri”

    Skuadra italiane e divizionit të tretë, Casertana FC, do të ketë një stadium të ri modern me kapacitet prej 16,000 ulëseve deri në fund të vitit 2028.

    Stadiumi i ri do të ndërtohet në qendër të qytetit të Caserta-s, që ndodhet 40 kilometra larg Napolit dhe do të përfshijë objekte mbështetëse të shumta dhe zona parkimi.

    Casertana, e themeluar në vitin 1908, ka kaluar shumicën e historisë së saj në ligat e treta dhe të katërta italiane, por mbetet një nga simbolet kryesore të qytetit me rreth 74,000 banorë.

    Qyteti dha lejen për ndërtimin e stadiumit në prill të vitit 2025, ndërsa punimet pritet të fillojnë në vitin 2026. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 11 milionë euro.

    Stadiumi i ri shihet si fillimi i një epoke të re për klubin dhe mund të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt një promovimi në Serie B dhe në plan më afatgjatë, drejt ëndrrës së tifozëve për të luajtur në Serie A dhe për të presë derbi rajonal me Napolin.

    Kapaciteti i stadiumit do të jetë më i madh se stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke e bërë atë një nga impiantet më të mëdha në këtë nivel për rajonin. /ATVLIVE.TV

  • Presion te Tottenham – A do t’i rezistojë Thomas Frank kritikave?

    Presion te Tottenham – A do t’i rezistojë Thomas Frank kritikave?

    Pakënaqësia ndaj trajnerit Thomas Frank te Tottenham Hotspur po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Që nga humbja ndaj Chelseat gjashtë javë më parë, tifozët e Spurs kanë shfaqur shqetësim të shtuar për formën e skuadrës.

    Pas asaj humbjeje, Tottenham ka regjistruar vetëm tri fitore – ndaj Copenhagen, Brentford dhe Slavia Pragës – ndërkohë që disa disfatat e fundit, përfshirë humbjen ndaj Arsenalit dhe pikët e humbura ndaj Manchester United, kanë theksuar problemet e ekipit nën drejtimin e Frankut.

    Brenda klubit, qëndrimi zyrtar mbetet mbështetës. Pas humbjes ndaj Chelseat dhe barazimit me Manchester United, drejtuesit bënë të qartë se pozita e trajnerit nuk ishte në rrezik dhe atij do t’i jepej koha për të ndërtuar skuadrën sipas vizionit të tij.

    Megjithatë, tensioni po rritet dhe durimi i tifozëve po vihet në provë. Klubi është i vetëdijshëm për presionin dhe synon të forcojë ekipin në afatin kalimtar të janarit, duke vënë në shënjestër lojtarë si Kenan Yildiz, Rodrygo dhe Ademola Lookman për t’i dhënë sulmit më shumë shpejtësi dhe kreativitet. Përveç tyre, Spurs shqyrtojnë edhe opsione për portier, mbrojtës të majtë, mesfushor luftarak dhe një golashënues të provuar.

    Trajneri Frank do të duhet të tregojë përmirësim të menjëhershëm në paraqitje dhe rezultate për të ruajtur pozicionin e tij, veçanërisht përballë sfidave të radhës ndaj Liverpoolit dhe Crystal Palace. Oliver Glasner, trajneri aktual i Palace, konsiderohet kandidati kryesor për të zëvendësuar Frankun nëse situata përshkallëzohet, por ende nuk ka pasur zhvillime konkrete.

    Dy ndeshjet e fundit të vitit 2025 pritet të jenë vendimtare: rezultatet dhe mënyra e lojës do të vendosin nëse Frank do të vazhdojë të udhëheqë Tottenhamin në gjysmën e dytë të sezonit. /ATVLIVE.TV

  • Në Prishtinë – grumbullimi i parë i vajzave të Kosovës U16

    Në Prishtinë – grumbullimi i parë i vajzave të Kosovës U16

    Të mërkurën në Prishtinë bëhet grumbullimi i Kombëtares U16 të Kosovës në hendboll.

    Është ky grumbullimi i parë i vajzave të grupmoshës U16, që në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të paraqiten në Kampionatin Mesdhetar që mbahet pikërisht në Prishtinë. Mesdhetari është sfidë shumë serioze për të ardhmen e këtyre hendbollisteve të reja.

    Grumbullimi i parë është deri më 23 dhjetor.

    Kryetrajneri i kësaj gjenerate, Faruk Shala, ka ftuar 20 lojtare në grumbullim. Shumica prej tyre janë të klubeve të vendit.

    Shala ka përgatitur programin e punës, që pritet t’u shërbejë lojtareve të reja për ngritje të mëtejme të nivelit.

    Lista e lojtareve:

    Alea Morina Ganddal
    Anisa Ajvazi Stavanger IH
    Dilara Bangu KHF Vushtrria
    Diona Gashi KHF Prishtina
    Diona Zhegrova KHF Ferizaj
    Elda Hergaja KHF Prishtina
    Elira Sadiku KHF Shqiponja
    Eliza Shabani KHF Vushtrria
    Enisa Jahaj HSG Aareland
    Jusra Begu KHF Vushtrria
    Klea Kelmendi KHF Besa
    Kleja Gashi KHF Prishtina
    Liana Gashi Nearbo
    Melisa Sefa KHF Shqiponja
    Mesila Demhasaj KHF Besa
    Natyra Arifi KHF Prishtina
    Reina Musa KHF Kastrioti
    Rina Bytyçi KHF Istogu
    Samanda Konjuhaj KHF Besa
    Yllka Aliçkaj KHF Prishtina

  • Lajm i madh për Bayern-in, Musiala rikthehet në fushën stërvitore

    Lajm i madh për Bayern-in, Musiala rikthehet në fushën stërvitore

    FC Bayern Munich ka marrë lajmin që e priste prej muajsh, pasi Jamal Musiala është rikthyer në stërvitje me ekipin.

    Sipas faqes zyrtare të klubit, mesfushori ofensiv u pa të martën paradite në qendrën stërvitore të klubit në Säbener Straße, ku iu bashkua bashkëlojtarëve në fushë rreth orës 11:00.

    Ky ishte rikthimi i parë i Musialës në stërvitje ekipore pas më shumë se pesë muajsh e gjysmë mungesë, si pasojë e një dëmtimi të rëndë në këmbën e majtë. Lojtari i Kombëtares së Gjermanisë ishte pësuar thyerje të fibulës, si dhe dëmtime të shumta ligamentare në kyçin e këmbës.

    Megjithëse rikthimi i plotë në fushë do të kërkojë ende kohë, Musiala ka marrë pjesë në disa pjesë të seancës stërvitore, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aktivizimit të tij.

    Trajneri Vincent Kompany ka konfirmuar se plani i klubit është që Musiala të marrë minutat e para në ndeshje gjatë muajit janar, duke e cilësuar këtë skenar si ideal për Bayern-in. /ATVLIVE.TV

  • Pas katër muajsh mungesë, Lukaku gati për rikthim me Napolin

    Pas katër muajsh mungesë, Lukaku gati për rikthim me Napolin

    Romelu Lukaku është rikthyer në stërvitje me Napolin dhe sipas raportimeve të së martës, mund të jetë i gatshëm për rikthim në ndeshje zyrtare në Superkupën e Italisë, e cila zhvillohet këtë javë në Arabinë Saudite.

    Sulmuesi belg ka qenë jashtë fushave për 124 ditë, pas një dëmtimi serioz në kofshë të pësuar më 14 gusht gjatë një ndeshjeje miqësore parasezonale kundër Olympiacosit.

    Lëndimi i Lukakut, i ndodhur vetëm pak ditë para nisjes së sezonit të Serie A, detyroi Napolin të veprojë shpejt në treg, duke përshpejtuar afrimin e Rasmus Højlund, pasi u bë e qartë se trajneri Antonio Conte do të mbetej pa sulmuesin kryesor për disa muaj.

    Tashmë, situata duket më pozitive për Conten, pasi Lukaku është rikthyer në stërvitje që nga e hëna dhe pritet të udhëtojë me skuadrën drejt Riadit për Superkupën e Italisë. Kështu, trajneri italian mund të ketë në dispozicion Lukakun, Højlundin dhe Lorenzo Luccën për këtë turne.

    Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Napoli do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite të martën pasdite, ndërsa ende mbetet e paqartë se sa minuta do të mund të aktivizohet Lukaku, duke marrë parasysh se ai ka munguar në gjithsej 22 ndeshje në Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë. /ATVLIVE.TV