ATV

Category: Sport

  • Kosova në prag të historisë, një biletë për Botëror dhe milionat e FIFA-s

    Kosova në prag të historisë, një biletë për Botëror dhe milionat e FIFA-s

    Kombëtarja e Kosovës në futboll do të ketë në mars një sfidë historike dhe një shans për miliona.

    “Dardanët” do të luajnë për një biletë drejt Botërorit 2026, me shpresën për të mposhtur Sllovakinë dhe më pas fituesen e çiftit Turqi-Rumani, për të shkruar për herë të parë emrin e tyre në aktivitetin më të madh ndërkombëtar për kombëtaret.

    Por, përveç nderit dhe prestigjit, Kosova do të ketë edhe një shpërblim të madh në lojë. FIFA ka rritur pagesat për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke ofruar një premio të rëndësishme financiare.

    Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha të Katarit gjatë finales së Kupës Interkontinentale, miratoi një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo ekip pjesëmarrës në Botëror. Kjo është shifra më e lartë e dhënë ndonjëherë për kombëtaret dhe përfshin rritje të shpërblimeve për çdo fazë të kaluar në turne, duke arritur deri në 50 milionë euro për skuadrën që shpallet Kampione Bote. /ATVLIVE.TV

  • Knicks triumfojnë në Las Vegas dhe fitojnë Kupën e NBA-së, Brunson shpallet MVP

    Knicks triumfojnë në Las Vegas dhe fitojnë Kupën e NBA-së, Brunson shpallet MVP

    Kupa e NBA-së ka përfunduar në duart e New York Knicks, të cilët më në fund do të kenë mundësinë të varin një banderolë të ri në tavanin e legjendarit Madison Square Garden, përkrah titullit historik të vitit 1973.

    Skuadra nga New York triumfoi në finale ndaj San Antonio Spurs me rezultat 124-113, pas një ndeshjeje plot ritëm, intensitet dhe kthesa. Knicks treguan karakter të madh, duke përmbysur një disavantazh prej 11 pikësh në mesin e çerekut të tretë, falë agresivitetit në mbrojtje dhe vendimeve të guximshme të trajnerit Brown.

    Çmimi MVP i finales, i përzgjedhur nga një panel prej 20 votuesish, iu nda liderit të Knicks, Jalen Brunson, i cili udhëhoqi ekipin në momentet vendimtare.

    Finalja nisi me një San Antonio energjik. Victor Wembanyama e filloi ndeshjen nga stoli edhe këtë herë, ndërsa Spurs prodhuan basketboll cilësor në minutat e para përmes dyshes Fox–Castle. Knicks u kundërpërgjigjën me një OG Anunoby dominant në të dyja anët e fushës, duke mbajtur ekipin në lojë.

    Wembanyama pati nevojë për kohë për t’u futur në ritëm, por Spurs gjetën momentin e tyre në çerekun e dytë falë gjuajtjeve nga distanca dhe një loje më të organizuar. Tekasanët ndërtuan një epërsi prej shtatë pikësh, por Knicks reaguan në fund të pjesës së parë, duke bërë që Spurs të shkonin në pushim vetëm me dy pikë epërsi.

    Në çerekun e tretë, Wembanyama u aktivizua më shumë dhe shënoi 12 pikë, duke ndihmuar Spurs të krijonin një avantazh maksimal prej 11 pikësh. Megjithatë, Knicks nuk u dorëzuan. Fizikaliteti i Mitchell Robinson nën kosh dhe energjia e jashtëzakonshme e Kolek i rikthyen njujorkezët në lojë.

    Momenti vendimtar erdhi në fillim të çerekut të katërt, kur Knicks realizuan një seri 11-1, duke marrë kontrollin e plotë të finales. Trajneri Brown i besoi rezervave edhe në momentet më të nxehta të ndeshjes, një vendim që rezultoi vendimtar, ndërsa Spurs humbën qartësinë në sulm.

    Në fund, Knicks menaxhuan epërsinë dhe ngritën Kupën e NBA-së në “T-Mobile Arena” në Las Vegas, duke shënuar një sukses të madh dhe duke hapur një kapitull të ri në historinë e klubit.

  • Luka Dončić në rolin e Babagjyshit, Superylli dhuron 103 dhurata për familjen e Lakers

    Luka Dončić në rolin e Babagjyshit, Superylli dhuron 103 dhurata për familjen e Lakers

    Luka Dončić ka treguar edhe një herë pse konsiderohet jo vetëm një nga basketbollistët më të mëdhenj të kohës, por edhe një nga më të dashurit kudo që luan. Superylli slloven ka marrë sërish rolin e “Babagjyshit të Vitit të Ri”, duke vazhduar traditën e tij të dhuratave për shokët e ekipit dhe stafin e klubit.

    I njohur prej vitesh për gjestet e tij bujare, Dončić edhe këtë vit nuk bëri përjashtim, por këtë herë shkoi edhe më larg. Ai shpërndau plot 103 dhurata, praktikisht për të gjithë ata që janë pjesë e organizatës së Los Angeles Lakers, duke përfshirë lojtarë, trajnerë dhe punonjës që zakonisht qëndrojnë larg vëmendjes së publikut.

    Dhuratat nuk ishin aspak simbolike. Siç konfirmoi trajneri i Lakers, JJ Redick, të gjithë përfituesit morën biçikleta elektrike të cilësisë së lartë, një gjest që u prit me entuziazëm nga i gjithë ekipi.

    “Është e vërtetë. Të gjithë morën dhurata, mendoj se ishin 103 gjithsej. Morëm biçikleta elektrike shumë cilësore. Mezi pres të ngas përgjatë bregdetit. Ishte një gjest vërtet i bukur dhe të gjithë u kënaqën”, u shpreh Redick.

    Trajneri i Lakers theksoi gjithashtu anën humanitare të Dončićit, duke kujtuar se ai ka ndihmuar financiarisht komunitetin që në ditët e para pas mbërritjes në Los Angeles, veçanërisht pas fatkeqësive natyrore, duke vazhduar një traditë që e ka ndjekur gjatë gjithë karrierës.

    Biçikletat elektrike të dhuruara janë nga marka Pedal Electric, me tërheqje në të gjitha rrotat dhe me një çmim rreth 3,300 euro për copë, çka do të thotë se Dončić ka shpenzuar rreth 340 mijë euro për këtë gjest bujar.

    Një veprim që edhe një herë dëshmon se Luka Dončić nuk është vetëm lider në parket, por edhe jashtë tij.

  • Ancelotti nuk e votoi Mbappén për “The Best”, Dembélé zgjedhja e parë e italianit

    Ancelotti nuk e votoi Mbappén për “The Best”, Dembélé zgjedhja e parë e italianit

    Carlo Ancelotti ka zbuluar preferencat e tij në votimin për çmimin prestigjioz FIFA “The Best”, duke mos e renditur Kylian Mbappén në vendin e parë, pavarësisht statusit të tij si një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.

    Trajneri italian i dha votën maksimale sulmuesit të Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, i cili u rendit i pari në listën e Ancelottit. Në vendin e dytë, tekniku i Real Madridit zgjodhi brazilianin Raphinha, ndërsa Mbappé u pozicionua vetëm i treti.

    Ky votim ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin sportiv, veçanërisht për faktin se Mbappé është një nga figurat kryesore të futbollit modern dhe shpesh konsiderohet favorit në gara individuale. Megjithatë, Ancelotti duket se ka vlerësuar më shumë paraqitjet dhe ndikimin e Dembélés dhe Raphinhës gjatë sezonit.

    Zgjedhjet e trajnerëve dhe kapitenëve të Kombwtareve janë pjesë kyçe e procesit të përzgjedhjes për çmimin “The Best”, duke reflektuar këndvështrime profesionale mbi performancat e lojtarëve gjatë vitit.

  • Mesjava sjell super përballje në ProCredit Superligë

    Mesjava sjell super përballje në ProCredit Superligë

    Të mërkurën dhe enjten zhvillohen ndeshjet e javës së 12-të të ProCredit Superligës.

    Në këtë mesjavë priten shumë përballje interesante, me elitën e basketbollit, që është më interesant se kurrë.

    GO+Peja-Sigal Prishtina është derbi i kësaj jave, me skuadrat me traditë që përballen dhe duan të triumfojnë në derbi. Pejanët kanë shtatë fitore e katër humbje, derisa prishtinasit gjashtë fitore e pesë humbje, duke e bërë edhe më interesante këtë sfidë.

    Takim shumë i rëndësishëm zhvillohet në Gjakovë, ku ndeshen Vëllaznimi me Rahoveci 029, e fitorja është shumë e vlefshme për të dy skuadrat. Kuqezinjtë kanë tri fitore e tetë humbje, ndërsa ‘Vreshtarët’ pesë fitore e gjashtë humbje.

    Bashkimi-Golden Eagle Ylli takohen të enjten në Therandë, në një derbi rajonal, që është shumë i rëndësishëm. Prizrenasit pas shtatë fitoreve radhazi pësuan katër humbje, kurse therandasit kanë tri fitore e tetë humbje.

    Bora dhe Trepça do të përballen sërish pas 48 orësh, e sërish në Mitrovicë. ‘Xehetarët’ fituan 72:90 të martën në ndeshjen e mbetur të javës së pestë dhe kaluan në vendin e parë me tetë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit kanë pesë fitore e gjashtë humbje.

    ProCredit Superliga-Java 12

    E mërkurë

    18:45 Vëllaznimi-Rahoveci 029

    18:45 GO+Peja-Sigal Prishtina

    E enjte

    18:45 Bashkimi-Golden Eagle Ylli

    18:45 Trepça-Bora

  • Spektakël botëror sonte në Doha, PSG dhe Flamengo përballen në finalen e “FIFA International Cup”

    Spektakël botëror sonte në Doha, PSG dhe Flamengo përballen në finalen e “FIFA International Cup”

    Sonte pritet një mbrëmje e madhe futbolli, pasi do të zhvillohet finalja e shumëpritur e garës “FIFA International Cup”, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë dy prej klubeve më të mëdha të botës: kampioni i Evropës, Paris Saint-Germain, dhe kampioni i Amerikës Jugore, Flamengo.

    PSG-ja ka siguruar kualifikimin direkt në finale falë statusit të saj si kampione e Evropës dhe tani synon ta mbyllë vitin me një tjetër trofe historik. Klubi parisien është në prag të fitimit të trofeut të gjashtë për këtë sezon, një arritje e jashtëzakonshme që do ta vendoste përkrah gjigantëve si Barcelona dhe Bayern Munich, të cilët në të kaluarën kanë arritur të fitojnë gjashtë trofe brenda një viti kalendarik.

    Skuadra franceze vjen në këtë finale me moral të lartë dhe me një përbërje të mbushur me yje, duke synuar të konfirmojë dominimin e saj në arenën ndërkombëtare. Fitorja ndaj Flamengos do të ishte një tjetër dëshmi e fuqisë së futbollit evropian dhe e projektit ambicioz të PSG-së.

    Në anën tjetër, Flamengo përfaqëson krenarinë e futbollit të Amerikës Jugore dhe hyn në finale me synimin për të befasuar dhe për të rrëmbyer trofeun. Klubi brazilian ka përvojë të madhe në ndeshje të mëdha dhe nuk pritet të dorëzohet lehtë, duke e bërë këtë finale edhe më tërheqëse.

    Finalja e “Kupës Internacionale” do të zhvillohet sonte në stadiumin “Lusail” në Doha, një nga arenat më moderne në botë, duke filluar nga ora 18:00. Tifozët e futbollit anembanë globit presin një duel spektakolar mes dy kontinenteve, ku në lojë është një tjetër trofe prestigjioz ndërkombëtar. /ATVLIVE.TV

  • Pas kritikave FIFA ulë ndjeshëm çmimet e biletave për Botërorin 2026

    Pas kritikave FIFA ulë ndjeshëm çmimet e biletave për Botërorin 2026

    Na ndajnë edhe shtatë muaj nga fillimi i Kampionatit Botëror 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Kjo do të jetë hera e parë në histori që tre shtete organizojnë së bashku këtë kompeticion madhor.

    Së fundmi, FIFA është përballur me kritika të shumta për shkak të çmimeve tepër të larta të biletave, të cilat për disa ndeshje kishin arritur deri në 10 mijë euro, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët.

    Pas reagimeve të shumta nga opinioni publik, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka vendosur të rishikojë politikën e çmimeve. Sipas çmimores së re, biletat do të jenë të disponueshme duke filluar nga 60 euro, çmim i vlefshëm për ndeshjet e këtij turneu.

    Kampionati Botëror 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik të vitit të ardhshëm, duke premtuar një spektakël historik në formatin më të madh të zhvilluar ndonjëherë. /ATVLIVE.TV

  • Akuza të rënda në Afrikë – Nigeria dërgon RD Kongon në FIFA

    Akuza të rënda në Afrikë – Nigeria dërgon RD Kongon në FIFA

    Një skandal i madh ka tronditur futbollin afrikan, vetëm pak muaj para ndeshjeve vendimtare eliminatore ndërkontinentale për Kupën e Botës.

    Federata e Futbollit e Nigerisë ka dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA, duke akuzuar Republikën Demokratike të Kongos për aktivizimin e lojtarëve të papërshtatshëm gjatë ndeshjeve kualifikuese.

    Sipas pretendimeve të palës nigeriane, deri në nëntë futbollistë të RD Kongos kanë ndryshuar shtetësinë sportivo-kombëtare vetëm pak para përballjes vendimtare ndaj Nigerisë. Mes emrave të përfshirë përmenden lojtarë të njohur si Axel Tuanzebe, Arthur Masuaku, Aaron Wan-Bissaka dhe Charles Pickel Sadiki.

    Nga ana tjetër, Federata Kongoleze ka pranuar se procedurat administrative për ndryshimin e shtetësisë nuk janë përfunduar brenda afateve, por ka theksuar se lojtarët në fjalë i kanë përmbushur kushtet e nevojshme për përfaqësim.

    Çështja bëhet edhe më delikate për shkak të ligjit kushtetues të Republikës Demokratike të Kongos, i cili nuk lejon shtetësi të dyfishtë. Sipas ankesës së Nigerisë, disa prej lojtarëve mund të kenë ruajtur shtetësinë e mëparshme, gjë që do t’i bënte ata të papërshtatshëm për të luajtur me fanellën e RD Kongos.

    Nëse këto akuza konfirmohen, FIFA mund të ndërmarrë masa drastike, përfshirë anulimin e rezultateve të ndeshjeve ku janë aktivizuar këta lojtarë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin e RD Kongos në fazën finale të eliminatoreve ndërkontinentale.

    Pranimi i ankesës nga FIFA do të kishte pasoja të rënda për futbollin afrikan dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026. /ATVLIVE.TV

  • E ardhmja e Wirtz në pikëpyetje, Real Madridi gati të përfitojë nga dilemat e Liverpoolit

    E ardhmja e Wirtz në pikëpyetje, Real Madridi gati të përfitojë nga dilemat e Liverpoolit

    Florian Wirtz është rikthyer në qendër të vëmendjes së tregut europian të transferimeve, pas zhvillimeve të papritura që kanë shoqëruar aventurën e tij te Liverpooli.

    Mesfushori ofensiv gjerman, i afruar si figura kyçe e projektit të ri të “Të Kuqve”, nuk ka arritur të lërë gjurmën e pritur në “Anfield”. Paraqitjet e tij deri më tani kanë qenë larg pritshmërive, duke ngritur pikëpyetje serioze brenda klubit.

    Statistikat e Wirtz flasin për një sezon zhgënjyes: asnjë gol dhe vetëm pesë asistime në të gjitha garat kryesore, përfshirë Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Community Shield. Një bilanc i dobët për një lojtar që pritej të merrte rolin udhëheqës në ekip.

    Si pasojë, Liverpooli ka nisur të rishqyrtojë të ardhmen e tij, pavarësisht investimit të madh të bërë vetëm disa muaj më parë. Sipas raportimeve të Defensa Central, klubi anglez është i gatshëm të ulë ndjeshëm çmimin e kartonit të tij.

    Nga 150 milionë euro të paguara fillimisht, Liverpooli mund të pranojë tashmë rreth 110 milionë euro, një ulje prej 40 milionësh, e diktuar nga performancat jo bindëse të futbollistit.

    Në këtë situatë, Real Madridi rikthehet në skenë. Gjigantët spanjollë nuk e kanë humbur kurrë interesin për Wirtz, të cilin e kishin në radar edhe para transferimit të tij në Angli.

    Një rol kyç në këtë lëvizje mund ta ketë Xabi Alonso. Nëse trajneri spanjoll arrin të konsolidojë pozitat e tij dhe ta mbyllë sezonin me sukses, ai pritet të kërkojë afrimin e Wirtz, lojtarin që e shndërroi në yll absolut gjatë kohës së tyre te Bayer Leverkusen.

    Marrëdhënia mes Alonsos dhe Wirtz ishte shembullore, me trajnerin që e ndihmoi mesfushorin gjerman të rikthehej në nivelin më të lartë pas një dëmtimi serioz, duke e bërë protagonist në Bundesligë dhe në arenën europiane. /ATVLIVE.TV

  • Barcelona me mjaft vështirësi eliminon Guadalajaran nga Kupa e Mbretit

    Barcelona me mjaft vështirësi eliminon Guadalajaran nga Kupa e Mbretit

    Barcelona ka arritur të kualifikohet në raundin tjetër të Kupës së Mbretit,duke eliminuar me mjaft vështirësi Guadalajaran me rezultat 2:0.

    Pjesa e parë u karakterizua me kontroll të lojës nga katalunasit,por vendasit arritën të jenë mjaft të organizuar në mbrojtje,dhe 45 minutat e parë përfunduan pa gola 0:0.

    Në pjesën e dytë Barca arriti të thej rezistencën e vendasve,duke arritur të realizoi në minutën e 76-të për 1:0 me anë të Andreas Christensen që shënoi me kokë.

    Në fund të ndeshjes Marcus Rashford vulosi kualifikimin e Barcelonës,duke shënuar për 2:0 që ishte edhe rezultati përfundimtar.