ATV

Category: Sport

  • Kosova pranohet zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation

    Kosova pranohet zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation

    Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e Federatës Internacionale të Golf -it (IGF), duke shënuar një moment historik për zhvillimin e sportit të golfit në vend.

    Ky anëtarësim vjen pas më shumë se një dekade përpjekjesh të vazhdueshme dhe pune intensive në ndërtimin e strukturës kombëtare të golfit, si dhe angazhimit në arenën ndërkombëtare. Pranimi në IGF e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap rrugë përfaqësimit në garat ndërkombëtare, përfshirë edhe mundësinë e pjesëmarrjes në ciklet olimpike.

    Anëtarësimi në Federatë nuk përfaqëson vetëm një status formal, por konfirmon rrugëtimin e gjatë të institucionalizimit të golfit në Kosovë, ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të këtij sporti.

    Një rol kyç në themelimin dhe zhvillimin e golfit në Kosovë ka pasur shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, i cili konsiderohet vizionari që solli dhe organizoi për herë të parë këtë sport në vend.
    Kontributi i tij mbetet bazë e rëndësishme për strukturën aktuale të golfit kosovar.

    Po ashtu, mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e golfit, përmes mbështetjes financiare, rrjetëzimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit të Kosovës në forumet sportive ku qasja ka qenë shpesh sfiduese.

    Federata e Golfit e Kosovës ka shprehur mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për mbështetjen institucionale, duke theksuar se bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë vendimtar për arritjen e këtij suksesi.

    Sipas Federatës, anëtarësimi në IGF krijon mundësi të reja për zhvillimin e infrastrukturës, edukimin e trajnerëve, rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe afirmimin e Kosovës si pjesëmarrëse aktive në komunitetin ndërkombëtar të golfit.

    Kosova bëhet kështu pjesë e familjes globale të golfit, duke hapur një kapitull të ri për këtë sport dhe për përfaqësimin sportiv të vendit në arenën ndërkombëtare. /ATVLIVE.TV

  • Karim Adeyemi mund të largohet nga Borussia Dortmund, vendim i ndikuar nga Loredana Zefi

    Karim Adeyemi mund të largohet nga Borussia Dortmund, vendim i ndikuar nga Loredana Zefi

    Sulmuesi gjerman Karim Adeyemi i ka bërë të ditur Borussia Dortmund se dëshiron të largohet nga klubi. Ky vendim ka krijuar menjëherë bujë në mediat sportive dhe ka nxitur spekulime për të ardhmen e talentit gjerman.

    Sipas mediave gjermane, motivi pas këtij vendimi është personal: e dashura e tij, këngëtarja kosovare Loredana Zefi, dëshiron të jetojë në një qytet më të madh evropian, dhe jo në Dortmund. Ky faktor ka ndikuar drejtpërdrejt te Adeyemi, i cili tani po shqyrton mundësitë e një largimi.

    Për të përgatitur një transferim të mundshëm, Adeyemi ka ndryshuar agjent dhe ka nisur të rinegociojë kontratën e tij me Dortmundin. Sulmuesi, i cili është nën kontratë deri në vitin 2027, ka një vlerë tregu prej 60 milionë eurosh.

    Në të kaluarën, Adeyemi është lidhur me disa gjigantë evropianë, duke përfshirë Barcelona, Manchester United dhe Juventus, dhe një largim nga Bundesliga mund t’i hapë rrugën një transferimi madhor.

    E ardhmja e talentit gjerman pritet të vendoset gjatë afatit të ardhshëm të transferimeve, dhe mediat sportive vazhdojnë të monitorojnë çdo lëvizje të mundshme të sulmuesit. Ndërkohë, fansat e Borussia Dortmund dhe tifozët e klubit evropian po ndjekin me kujdes zhvillimet, duke spekuluar për destinacionin e mundshëm të Adeyemit.

  • NBA: Denver dhe Utah fitojnë në kohë shtesë, performanca spektakolare e Jokic dhe Mitchell

    NBA: Denver dhe Utah fitojnë në kohë shtesë, performanca spektakolare e Jokic dhe Mitchell

    Denver Nuggets vazhdoi serinë e fitoreve duke triumfuar 128-125 ndaj Houston Rockets në një përballje të fortë që shkoi në kohë shtesë.

    Ylli i ndeshjes, Nikola Jokic, regjistroi një “triple-double” spektakolar me 39 pikë, 15 kërcime dhe 10 asistime, ndërsa Jamal Murray e mbështeti ekipin me 35 pikë, duke i ndihmuar Nuggets të ngjiten në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit.

    Nga ana tjetër, Alperen Sengun po ashtu shkëlqeu me triple-double prej 33 pikëve, 10 kërcimeve e po aq asistimeve, por nuk mjaftuan për fitore.

    Kujotjmë që Rockets renditen në vendin e pestë në Perëndim.

     

    Edhe Utah Jazz u shfaq i papërmbajtshëm në minutat shtesë, duke mundur Dallas Mavericks 140-133 në një duel spektakolar.

    Keyonte George udhëhoqi skuadren e tijë drejt fitores me 37 pikë, pesë kërcime e gjahstë asistime, derisa kontribuan edhe dhe Lauri Markkanen me 33 pikë e 16 kërcime dhe Kyle Filipowski me 25 sosh.

    Mirëpo përkunder humbjes askush nuk mundi të marr vemendjen e super yllit të ri vetëm 18 vjec Cooper Flagg I cili realizoi 42 pikë.

    Jazz janë në vendin e 10 në Peëndim derisa Mavericks në poziten e 12.

     

    Në Konferencën e Lindjes, Detroit Pistons ruajti vendin e parë pas fitores 112-105 në fushën e Boston Celtics. Cade Cunningham spikati për Pistons me 32 pikë dhe 10 asist, duke udhëhequr ekipin drejt një triumfi të rëndësishëm.

    Te skuadra humbëse u dallua Derrick White me 31 pikë e gjahstë kërcime.

    Kujtojmë që Celtics janë në vendin e katërt në Lindje.

  • Anthony Joshua paralajmëron Jake Paul: Do të thyej mendërisht dhe shpirtërisht

    Anthony Joshua paralajmëron Jake Paul: Do të thyej mendërisht dhe shpirtërisht

    Anthony Joshua i ka dhënë një paralajmërim të fuqishëm Jake Paulit para përballjes së shumëpritur, duke deklaruar se synon ta mposht jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht dhe shpirtërisht.

    Dueli mes Joshuas dhe Paulit do të zhvillohet të premten në Kaseya Center në Miami dhe është eventi kryesor i kartës së madhe të Netflix. Për Paulin kjo do të jetë ndeshja e parë pas fitores ndaj Julio Cesar Chavez Jr., ndërsa Joshua rikthehet pas humbjes me nokaut nga Daniel Dubois vitin e kaluar.

    Në një intervistë ballë për ballë, Joshua u shpreh: “Plani im është ta mposht mendërisht. Nëse ia thyej mentalitetin dhe shpirtin, atëherë e kam fituar ndeshjen. Nuk është thjesht fizike, duhet t’ia marrësh shpirtin kundërshtarit në ring”.

    Jake Paul u përgjigj shkurt: “I vetmi që mund ta bëjë këtë është Zoti”, ndërsa Joshua buzëqeshi: “E dija që do ta thoshte këtë”. Britaniku shtoi se ka përvojë për të parë momentin kur energjia e kundërshtarit fillon të zbehet dhe do ta shfrytëzojë plotësisht.

    Pas publikimit të intervistës, reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra, me shumë tifozë që mendonin se Paul duket i pasigurt për këtë përballje

  • Bekim Balaj fiton “Topin e Artë” në mbrëmjen gala të futbollit shqiptar

    Bekim Balaj fiton “Topin e Artë” në mbrëmjen gala të futbollit shqiptar

    Në ambientet madhështore të Teatrit të Operës dhe Baletit u zhvillua mbrëmja gala e futbollit shqiptar, ku u ndanë çmimet për protagonistët më të spikatur të vitit.

    Vëmendja kryesore e ceremonisë u përqendrua te trofeu prestigjioz “Topi i Artë”, i cili iu dha sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Balaj, si vlerësim për një sezon të jashtëzakonshëm. Balaj u shpërblye gjithashtu edhe me “Këpucën e Artë”, duke

    Sa i përket pankinave, titulli i trajnerit më të mirë të vitit iu akordua teknikut të Egnatias, Edlir Tetova, falë rezultateve mbresëlënëse dhe paraqitjeve stabile të skuadrës rrogozhinase gjatë sezonit.

    Ndërkohë, futbollistët e Kombëtares shqiptare përzgjodhën më të mirin e ekipit kuqezi, duke votuar kapitenin Berat Gjimshiti.

    Një moment i veçantë dhe emocional i mbrëmjes ishte ndarja e trofeut “Ëndërr Botërori”, kushtuar lojtarëve të Kombëtares për arritjen e një objektivi historik. Ky nderim iu dha 12 futbollistëve të pranishëm në ceremoni: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Çeka, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi.

    Trofeun ua dorëzoi personalisht presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe suksesin historik të Kombëtares.

    Në mbyllje të ceremonisë, analistët dhe gazetarët sportivë përzgjodhën edhe formacionin më të mirë të Kategorisë Superiore, duke përmbyllur kështu një mbrëmje festive dhe emocionuese të futbollit shqiptar.

  • Muriqi mes yjeve të La Ligës, në formacionin e javës

    Muriqi mes yjeve të La Ligës, në formacionin e javës

    Vedat Muriqi vazhdon të konfirmojë statusin e tij si një nga figurat më të rëndësishme të La Ligës. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është përzgjedhur në Formacionin më të Mirë të Javës në kampionatin spanjoll, duke spikatur mes yjeve më të mëdhenj të futbollit iberik.

    Platforma e njohur e statistikave, SofaScore, ka publikuar formacionin ideal për xhiron e 16-të të sezonit 2025/26, ku Muriqi zë një vend qendror në repartin ofensiv, falë paraqitjes së tij dominuese me fanellën e Mallorcës. Ai u vlerësua me notën 8.0, një tregues i qartë i ndikimit të tij të madh në lojë.

    Forca fizike, superioriteti në duelet ajrore dhe prania konstante në zonë e bënë “Piratin” protagonist absolut në fitoren bindëse 3-1 ndaj Elches, ndeshje në të cilën ai realizoi edhe një gol vendimtar.

    Në formacionin e javës, përkrah Muriqit, u përfshinë edhe yje të futbollit botëror si Raphinha, Jude Bellingham dhe Koke, çka e bën këtë përzgjedhje edhe më domethënëse për sulmuesin kosovar.

    Kjo paraqitje është një tjetër dëshmi se Vedat Muriqi mbetet një nga sulmuesit më të respektuar dhe më efektivë në La Liga. Me 7 gola të shënuar deri më tani, ai renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit, pas Kylian Mbappé dhe Ferran Torres, duke dëshmuar formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë për Mallorcën.

  • Agim Ademi takohet me Gianni Infantinon në Doha të Katarit

    Agim Ademi takohet me Gianni Infantinon në Doha të Katarit

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në Doha.

    Takimi u mbajt në prag të finales së Kupës Interkontinentale mes Paris Saint-Germain dhe Flamengos, ku Ademi theksoi se biseda me kreun e futbollit botëror ishte e frytshme dhe e fokusuar në zhvillimin e futbollit kosovar si dhe në projektet e së ardhmes.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ademi bëri të ditur se shkëmbimi i ideve dhe vizionit me drejtuesit e futbollit ndërkombëtar mbetet gjithmonë motivues, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për rritjen e standardeve dhe krijimin e mundësive të reja për talentet e Kosovës.

    Presidenti i FFK-së shtoi se futbolli kosovar po vazhdon rrugën e tij të zhvillimit falë mbështetjes së vazhdueshme nga UEFA dhe FIFA, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

  • 18 vjeçari Cooper Flagg thyen rekordin e LeBron James

    18 vjeçari Cooper Flagg thyen rekordin e LeBron James

    Zgjedhja numër një e Draftit të NBA-së për këtë vit, Cooper Flagg, ka hyrë në histori në ligën më prestigjioze të basketbollit botëror.

    Vetëm 18 vjeç, Flagg u konsiderua si një talent i rrallë që para se të zbriste në parket, ndërsa Dallas Mavericks e përzgjodhën atë të parin në Draft. Dhe ai nuk vonoi të tregonte pse ishte kaq i kërkuar. Në orët e para të mëngjesit të së martës, në përballjen ndaj Utah Jazz, i riu amerikan shkëlqeu duke dhënë një paraqitje të jashtëzakonshme.

    Flagg u shndërrua në figurën kryesore të Dallasit duke realizuar plot 42 pikë, një arritje historike që e bën atë 18-vjeçarin e parë që shënon mbi 40 pikë në një ndeshje NBA. Me këtë paraqitje, ai theu rekordin e LeBron James, i cili në vitin 2001 kishte shënuar 41 pikë si 19-vjeçar me Cleveland Cavaliers.

    Flagg që do të festojë ditëlindjen e 19-të pas vetëm pesë ditësh, ishte protagonisti absolut i një ndeshjeje spektakolare mes Dallasit dhe Utah, e cila u mbyll me fitoren e Jazz 140:133 pas kohës shtesë.

    Ylli i ri i Mavericks realizoi 42 pikë me 13 nga 27 gjuajtje nga loja. Përveç pikëve, Flagg kontribuoi edhe me shtatë kërcime, gjashtë asistime, dy bllokada dhe një rrëmbim topi.

  • Maresca i prerë për Palmerin: “Nuk mund të luajë tri ndeshje brenda një jave, duhet ta mbrojmë”

    Maresca i prerë për Palmerin: “Nuk mund të luajë tri ndeshje brenda një jave, duhet ta mbrojmë”

    Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka qenë i qartë dhe i vendosur sa i përket menaxhimit të minutave të Cole Palmer, duke theksuar se ylli i skuadrës nuk mund të përballojë një ngarkesë kaq të madhe ndeshjesh.

    “Dua të jem shumë i qartë: Palmer nuk mund të luajë tri ndeshje brenda një jave. Duhet ta mbrojmë”, deklaroi Maresca para mediave.

    Tekniku italian theksoi se prioriteti i stafit teknik është ruajtja e formës fizike dhe shëndetit të lojtarit, sidomos në një periudhë të ngarkuar të sezonit, ku ritmi i ndeshjeve është tepër intensiv.

    Palmer ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Chelseat këtë sezon, duke dhënë kontribut të madh me gola dhe asistime, çka ka shtuar pritshmëritë dhe presionin për aktivizimin e tij të vazhdueshëm. Megjithatë, Maresca nënvizoi se vendimet do të merren gjithmonë duke pasur parasysh interesin afatgjatë të lojtarit dhe ekipit.

    “Duam ta kemi Palmerin në formën më të mirë për gjithë sezonin, jo vetëm për disa ndeshje”, përfundoi trajneri i londinezëve.

    Deklarata e Marescës sinjalizon rotacione të mundshme në formacionin e Chelseat në ndeshjet e ardhshme, në mënyrë që të shmangen dëmtimet dhe mbingarkesa fizike e yllit anglez.

  • Superkupa e Italisë zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite

    Superkupa e Italisë zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite

    Superkupa e Italisë do të luhet këtë muaj në Riad të Arabisë Saudite, ku do të mbahet edicioni i 38-të i këtij kompeticioni prestigjioz.

    Katër ekipet më të mira të sezonit të kaluar do të përballen në dy ndeshje gjysmëfinale më 18 dhe 19 dhjetor, ndërsa finalja për trofeun do të zhvillohet më 22 dhjetor.

    Të gjitha ndeshjet janë programuar të nisin në orën 20:00 sipas kohës së Evropës Qendrore (22:00 sipas kohës lokale). Në gjysmëfinalen e parë, Napoli, kampion i Serie A, do të përballet me Milanin, finalist të Kupës së Italisë. Ndërkohë, në gjysmëfinalen e dytë do të takohen Bologna, fituese e Kupës së Italisë, dhe Interi, nënkampion i Serie A.

    Ekipet pjesëmarrëse në këtë edicion të Superkupës së Italisë janë Napoli, Bologna, Interi dhe Milani.

    Edicioni i kaluar i zhvilluar në Arabinë Saudite solli përfitime të mëdha financiare për klubet pjesëmarrëse. Në total, katër ekipet arkëtuan rreth 22.5 milionë euro. Milani, si fitues i trofeut, përfitoi 9.5 milionë euro, shifër që u rrit në 11 milionë euro pas zhvillimit të një ndeshjeje miqësore. Interi, si finalist, përfitoi 6.7 milionë euro, ndërsa Juventusi dhe Atalanta morën nga 2.4 milionë euro secili.

    Superkupa e Italisë rikthehet kështu si një ngjarje e rëndësishme sportive dhe ekonomike, duke e shndërruar Riadin në qendër të vëmendjes së futbollit italian për disa ditë.