ATV

Category: Sport

  • Aksident fatal, ndërron jetë futbollisti Ethan McLeod

    Aksident fatal, ndërron jetë futbollisti Ethan McLeod

    Futbolli anglez është në zi pas humbjes tragjike të Ethan McLeod, ish-lojtar i akademisë së Wolverhampton Wanderers dhe pjesë e Macclesfield FC. 21-vjeçari humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën M1, pranë Northamptonit, teksa po kthehej në shtëpi pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Bedford Town.

    Lajmi u konfirmua nga Macclesfield FC përmes një deklarate prekëse, ku klubi e përshkroi McLeod si një futbollist me potencial të madh, shumë të respektuar nga bashkëlojtarët dhe stafi.

    “Dhimbja që po përjetojmë është e pamasë dhe kjo humbje ka prekur thellë gjithë familjen e klubit”, thuhet në reagim.

    McLeod kishte kaluar një dekadë në akademinë e Wolves, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte mbajtur fanellën e Alvechurch FC si i huazuar, si dhe kishte luajtur për Rushall Olympic dhe Stourbridge, përpara se këtë verë të bashkohej me Macclesfield FC në National League North.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit fatal, ndërsa reagime ngushëllimi kanë ardhur nga e gjithë bota e futbollit për familjen, miqtë dhe klubin e tij. /ATVLIVE.TV

  • Alcaraz largohet nga Ferrero, trajneri që e bëri numrin një të botës

    Alcaraz largohet nga Ferrero, trajneri që e bëri numrin një të botës

    Carlos Alcaraz ka konfirmuar një ndarje të papritur nga trajneri i tij, Juan Carlos Ferrero, duke i dhënë fund një bashkëpunimi të gjatë dhe jashtëzakonisht të suksesshëm.

    Numri një i botës e bëri të ditur lajmin të mërkurën përmes Instagramit, duke pranuar se ishte “shumë e vështirë” të njoftonte ndarjen nga Ferrero, ish-numri 1 i botës dhe kampion i French Open 2003.

    Alcaraz dhe Ferrero nisën bashkëpunimin në vitin 2019, kur tenisti spanjoll ishte ende adoleshent dhe shihej si një nga talentet më premtuese të së ardhmes. Nën drejtimin dhe mentorimin e Ferreros, Alcaraz u zhvillua me shpejtësi, duke u shndërruar në një nga lojtarët më dominues të brezit të tij dhe një nga figurat më të mëdha të tenisit modern.

    Gjatë kësaj periudhe, Alcaraz fitoi gjashtë tituj Grand Slam – nga dy në French Open, Wimbledon dhe US Open – si dhe qëndroi mbi 50 javë në krye të renditjes ATP. Në shtator të vitit 2022, ai hyri në histori duke u bërë numri 1 më i ri i ATP-së. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtare: Superkupa e Kosovës Drita–Prishtina luhet më 25 janar në Antalia

    Zyrtare: Superkupa e Kosovës Drita–Prishtina luhet më 25 janar në Antalia

    Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur zyrtarisht datën dhe vendin e zhvillimit të Superkupës së Kosovës, ku do të përballen dy prej skuadrave më të trofeshme të futbollit kosovar, FC Drita dhe FC Prishtina.

    Sipas njoftimit të FFK-së, finalja e Superkupës do të zhvillohet të dielën, më 25 janar 2026, me fillim nga ora 14:30 sipas kohës lokale të Turqisë, përkatësisht në ora 12:30 sipas kohës në Kosovë. Takimi do të luhet në stadiumin modern “Mardan Palace” në Antalia.

    Në këtë përballje prestigjioze do të ballafaqohen FC Drita, kampione në fuqi e Kosovës, dhe FC Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25, në një duel që pritet të zgjojë interes të madh te tifozët.

    Vendimi për zhvillimin e Superkupës në Antalia është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, duke marrë parasysh faktin se të dyja ekipet do të jenë të angazhuara në fazën përgatitore dimërore në Turqi, nga 15 deri më 30 janar 2026. Kjo zgjedhje është bërë në përputhje me agjendën e klubeve, me qëllim lehtësimin e përgatitjeve dhe organizimit të ndeshjes.

    Kjo do të jetë hera e katërt që finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet në Antalia, pasi më herët kjo arenë ka pritur përballjet Drita–Prishtina, Llapi–Ballkani dhe Prishtina–Ballkani, duke u shndërruar tashmë në një destinacion tradicional për këtë kompeticion.

  • E ardhmja e Fernandes në dyshim?

    E ardhmja e Fernandes në dyshim?

    Ylli i Manchester United, Bruno Fernandes, ka bërë deklarata sensacionale lidhur me të ardhmen e tij, duke lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për një transferim në Spanjë, Itali dhe Portugali.

    Portugezi theksoi se prioriteti i tij mbetet Manchester United, por vetëm nëse klubi e bën të ndihet i vlerësuar. Fernandes pranoi se ishte i lënduar kur klubi donte ta shiste më herët, pas një oferte të madhe nga skuadra e Arabisë Saudite, Al-Hilal, verën e kaluar, të cilën ai e refuzoi për shkak të dashurisë ndaj klubit.

    Në një intervistë për Canal 11, ai tha:

    “Dua të qëndroj te Manchester United për aq kohë sa ndihem i dëshiruar.”

    “Do të doja ta provoja kampionatin spanjoll dhe të luftoja për tituj të mëdhenj në Itali. Kam shumë lidhje me Italinë. Vajza ime ka lindur atje.”

    “Kam menduar për një rikthim në Portugali, opsioni i parë do të ishte Sporting. Dua të jem i lumtur, siç isha me Sportingun, por nuk dua të prish imazhin që kam lënë.”

    “Nuk dua të shkoj thjesht për të qenë atje, dua të shtoj diçka.”

    “Madje edhe të provoj futbollin e distriktit në moshë më të shtyrë. Aty luan për dashuri dhe ndihesh ndryshe. Kam miq në atë futboll.”

    31-vjeçari ka qenë një element kyç i skuadrës së Manchester United, duke shënuar 103 gola dhe dhënë 93 asistime në 307 paraqitje në të gjitha garat. Në këtë sezon, ai ka nisur si titullar në të gjitha 16 ndeshjet e Premier League, me pesë gola dhe shtatë asistime.

    Megjithatë, pas deklaratave të fundit, e ardhmja e tij në klub mbetet në diskutim dhe hierarkia e Manchester United mund të shqyrtojë një shitje verën e ardhshme. Duke pasur parasysh cilësinë dhe përvojën e tij, pritet të ketë interes të madh për shërbimet e Fernandes në tregun e transferimeve. /ATVLIVE.TV

  • 50 milionë euro për rijetësimin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë

    50 milionë euro për rijetësimin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar nisjen e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Prishtinë, që synon rijetësimin e plotë të Pallatit të
    Rinisë dhe kthimin e tij në një qendër moderne për sport, art dhe rini, në prag të Lojërave Mesdhetare.

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro për rinovimin total të objektit, përfshirë edhe sallën e djegur, si pjesë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Postimi i Hajrullah Çekut:

    “50 milionë euro për Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Rinovim total, përfshirë sallën e djegur, në përgatitje për Lojërat Mesdhetare, dhe në shërbim të sportistëve, artistëve e të rinjve tanë.

    Në bazë të marrëveshjes sonë me Bankën Evropiane për Investime, janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit të Pallatit, për t’i hapur rrugë më pas edhe nisjes së punimeve.

    Ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bërë bashkë për të krijuar një model për modernizimin dhe funksionalizimin e plotë të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit.”

  • FIFA shpall shpërblimet rekord për Botërorin 2026

    FIFA shpall shpërblimet rekord për Botërorin 2026

    Na ndajnë vetëm 7 muaj nga fillimi i Kampionatit Botëror, që këtë herë do të mbahet për herë të parë në tre shtete: SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Para finales së Kupës Ndërkontinentale FIFA në Doha, Këshilli i FIFA-s mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe çështjet e qeverisjes. Me entuziazmin në rritje pas shortit përfundimtar të zhvilluar më 5 dhjetor 2025 në Uashington DC, Këshilli miratoi një kontribut financiar rekord prej 727 milionë dollarësh amerikanë që do të shpërndahet si rezultat i Kupës së Botës FIFA 2026.

    Pjesa më e madhe – 655 milionë dollarë amerikanë, që shënon një rritje prej 50% krahasuar me edicionin e mëparshëm – do të shpërndahet mes 48 ekipeve pjesëmarrëse, sipas kësaj strukture:

    • Kampionët: 50 milionë dollarë

    • Nënkampionët: 33 milionë dollarë

    • Vendi i 3-të: 29 milionë dollarë

    • Vendi i 4-t: 27 milionë dollarë

    • Vendet 5–8: 19 milionë dollarë

    • Vendet 9–16: 15 milionë dollarë

    • Vendet 17–32: 11 milionë dollarë

    • Vendet 33–48: 9 milionë dollarë

    Kujtojmë se Botërori 2026 nis më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik. /ATVLIVE.TV

  • Haaland në rolin e Babagjyshit, dhurata dhe befasi për fëmijët e Mançesterit

    Haaland në rolin e Babagjyshit, dhurata dhe befasi për fëmijët e Mançesterit

    Futbollisti i Manchester Cityt, Erling Haaland, u maskua si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe vizitoi disa shtëpi në Mançester, duke befasuar fëmijët.

    Fillimisht, Haaland shpërndante dhurata dhe më pas zbulonte identitetin e tij – një moment që la fëmijët pa fjalë. Megjithatë, në disa shtëpi surpriza dështoi, pasi ata e zbuluan menjëherë se kush fshihej pas kostumit. /ATVLIVE.TV

  • Gjyqtari Elldin Uglari në “Play-off” të FIBA EuroCup Women

    Gjyqtari Elldin Uglari në “Play-off” të FIBA EuroCup Women

    Gjyqtari nga Kosova, Elldin Uglari do të gjykojë një ndeshje shumë të rëndësishme evropiane.

    Uglari është nominuar për ndeshjen kthyese të “Play-off”-it në FIBA EuroCup Women, ÇBK Mersin – Club Sportiv Rapid.

    Kjo ndeshje do të zhvillohet më 18 dhjetor (nesër) në Mersin, Turqi.

    Takimi i parë kishte përfunduar 78:82, në të mirë të skuadrës turke.

    Uglari ka gjykuar edhe shumë ndeshje evropiane këtë verë dhe viteve të kaluara.

    Kjo është një dëshmi e besimit të FIBA-s për gjyqtarët e Kosovës. /ATVLIVE.TV

  • Kriza në mbrojtjen e Real Madridit, mungon edhe Raul Asencio

    Kriza në mbrojtjen e Real Madridit, mungon edhe Raul Asencio

    Real Madridi po përballet me një krizë të madhe në mbrojtje. Mbrojtësi Raul Asencio do të mungojë në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Talavera de la Reinas.

    Mungesa e tij nuk është për shkak të një lëndimi, por për shkak të etheve që e lënë jashtë për këtë përballje.

    Ndeshja do të zhvillohet sonte, në orën 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Laporta akuzon Florentinon: “Po flet për Negreira vetëm tani, sepse projektet tona dështuan”

    Laporta akuzon Florentinon: “Po flet për Negreira vetëm tani, sepse projektet tona dështuan”

    Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Florentino Pérez, duke ngritur dyshime mbi arsyet pse kreu i Real Madridit po flet tani për çështjen “Negreira”.

    “Nuk e kuptoj pse Florentino po flet papritur për Negreira, kur më parë nuk ka folur kurrë për këtë temë”, është shprehur Laporta. Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit lidhet drejtpërdrejt me prishjen e marrëdhënieve mes dy klubeve në nivel institucional.

    Laporta theksoi se vetëm një vit më parë, Barcelona dhe Real Madridi ishin të përfshirë së bashku në projekte të rëndësishme, përfshirë Superligën Evropiane. Megjithatë, situata ndryshoi kur ky projekt nuk pati sukses dhe Barcelona arriti një marrëveshje me UEFA-n.

    “Kur pa se kjo nuk funksionoi dhe se ne arritëm një marrëveshje me UEFA-n, ai ndryshoi qëndrim”, shtoi presidenti i Barcelonës, duke lënë të kuptohet se sulmet aktuale kanë më shumë prapavijë politike dhe strategjike sesa sportive.

    Deklaratat e Laportës pritet të ndezin edhe më shumë tensionet mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, në një moment delikat për futbollin evropian dhe të ardhmen e reformave në kompeticionet kontinentale.