ATV

Category: Sport

  • NBA: Brunson udhëheq Knicks drejt fitores, dramë edhe në ndeshjet tjera!

    NBA: Brunson udhëheq Knicks drejt fitores, dramë edhe në ndeshjet tjera!

    Ylli i New York Knicks, Jalen Brunson, zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme natën e kaluar në NBA, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një fitoreje të madhe 132:125 ndaj Miami Heat.

    Brunson ishte lojtari dominant i ndeshjes, duke e mbyllur takimin si shënuesi më i mirë me plot 47 pikë, të shoqëruara edhe me tetë asistime. Ai tregoi efikasitet të lartë në gjuajtje, duke realizuar 9 nga 13 tentativa për dy pikë dhe 6 nga 13 për tre pikë, ndërsa ishte i pagabueshëm nga vija e gjuajtjeve të lira me 11 nga 11.

    Kontribut të rëndësishëm për Knicks dha edhe Mikal Bridges me 24 pikë, ndërsa te Miami Heat u dallua Kel’el Ëare, i cili regjistroi një “double-double” mbresëlënës me 28 pikë dhe 19 kërcime.

    Knicks renditen në vendin  e dytë në Konferencën e Lindjes, derisa Heat në poziten e tetë.

     

    Spektakël i vërtetë u pa edhe në përballjen dramatike mes Atlanta Hawks dhe Chicago Bulls, një ndeshje ku u shënuan mbi 300 pikë në total. Chicago arriti të triumfojë në transfertë me rezultat 152:150, pas një fundi tejet emocionues.

    Te Atlanta, më të dalluarit ishin Jalen Johnson dhe Trae Young, por performancat e tyre nuk mjaftuan për fitore. Johnson ishte shumë pranë një “triple-double”, duke regjistruar 36 pikë, 11 kërcime dhe nëntë asistime, ndërsa Young kontribuoi me 35 pikë dhe nëntë asistime.

    Në anën tjetër, heroi i Chicagos ishte talenti lituanez Matas Buzelis me 28 pikë, ndërsa Coby White shtoi edhe 21 të tjera.

    Bulls renditen në vendin e 10 në Lindjes derisa Hawks një pozitë më lartë.

     

    Dramë u zhvillua edhe në përballjen mes Sacramento Kings dhe Houston Rockets. Kings arritën fitore pas kohës shtesë me rezultatin minimal 125:124, falë një gjuajtjeje vendimtare për tre pikë nga Dennis Schröder, vetëm tre sekonda para përfundimit të ndeshjes.

    Përndryshe Shcroder gjatë gjith ndeshjes kishte 24 pikë, shtatë kërcime dhe 10 asistime, derisa kontribut në këtë fitore dhanë edhe DeMar DeRozan me 27 pikë e nëtë asistime dhe Keegan Murray me 26 sosh.

    Te skuadra humbëse u dalluan Alperen Sengun me 28 pikë dhe Kevin Durant me 24 sosh.

    Kujtojmë që Kings gjenden në vendin e 14 në Konferencën e Perëndimit derisa Rockets në poziten e gjashtë.

  • Gol, asist dhe notë e lartë, Muslija dominon në Bundesliga 2

    Gol, asist dhe notë e lartë, Muslija dominon në Bundesliga 2

    Florent Muslija ka qenë protagonisti kryesor në fitoren e rëndësishme të Fortuna Düsseldorfit gjatë fundjavës në Bundesliga 2, duke treguar edhe një herë formën e tij të shkëlqyer.

    Skuadra bardhekuqe triumfoi me rezultat 2-1 ndaj Greuther Fürth, ndërsa reprezentuesi i Kosovës ishte lojtari më meritor për këto tri pikë të arta. Muslija kontribuoi drejtpërdrejt në të dy golat e ekipit të tij, duke regjistruar një asistim dhe një gol.

    Në minutën e 24-të të takimit, mesfushori kosovar dha një asistim të saktë për Cederic Itten, i cili realizoi golin e epërsisë 1-0. Performanca e Muslijës vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku në minutën e 65-të ai u shfaq vendimtar duke shënuar vetë golin e dytë për Fortuna Düsseldorf, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij.

    Për paraqitjen e jashtëzakonshme, Muslija u vlerësua me notën 8.6 nga SofaScore, që ishte një nga notat më të larta të xhiros në Bundesliga 2, duke u tejkaluar vetëm nga portieri Kristof, i cili mori notën 9.

    Falë kësaj paraqitjeje, ylli dardan u përfshi edhe në formacionin më të mirë të xhiros së 17-të në Bundesliga 2, duke konfirmuar rëndësinë e tij për ekipin dhe formën pozitive që po kalon këtë sezon.

  • Trepça fiton derbin me Prishtinën, fitore edhe për Rahovecin e Kastriotin

    Trepça fiton derbin me Prishtinën, fitore edhe për Rahovecin e Kastriotin

    Me tri ndeshjet e zhvilluara të dielën mbrëma, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll.

    Ndeshja më e rëndësishme e xhiros së 14-të ishte ajo mes Trepçës e Prishtinës.

    Në “Minatori”, Trepça fitoi me rezultatin 35:30.

    Ermir Smaka i shënoi nëntë gola për Trepçën. Shtatë i realizoi Ermir Januzi, kurse Amar Mujka e Matheus Henrique kontribuuan me nga gjashtë gola.

    Te Prishtina nga shtatë gola i shënuan Albi Gjuka e Enis Kuleta. Erion Bajramaj i kishte gjashtë, ndërsa Gent Bajrami pesë.

    Po të dielën, kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi 51:26 ndaj Llapit. Kastrioti e mposhti Vushtrrinë me rezultat 53:28.

    Besa Famgas, Rahoveci dhe Kastrioti i kanë nga 24 pikë në tri pozitat e para. Vëllaznimi është i katërti me 13 pikë, ndërsa Trepça e pesta me 12. Llapi renditet i gjashti me tetë pikë,

    Prishtina e shtata me shtatë pikë, ndërsa e fundit është Vushtrria, pa pikë. /ATVLIVE.TV

  • Lojtari i “Steelers” DK Metcalf, shpërthen në Detroit, dyshohet se goditi një tifoz të “Lions”

    Lojtari i “Steelers” DK Metcalf, shpërthen në Detroit, dyshohet se goditi një tifoz të “Lions”

    Kaosi shpërtheu brenda “Strofkës së Luanëve” në Detroid të dielën, kur “marrësi” i “Pittsburgh Steelers”, DK Metcalf, u përfshi në atë që dyshohet të jetë një përplasje fizike me një tifoz të “Detroit Lions” pas ndeshjes në “Ford Field”.

    Dëshmitarët thonë se Metcalf humbi durimin pas talljeve të vazhdueshme pranë tunelit, duke u kthyer nga tribuna ndërsa tensionet veç rriteshin. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë yllin e NFL-së duke lëvizur drejt tifozit, përpara se sigurimi të ndërhynte. Disa të pranishëm pretendojnë se Metcalf hodhi një grusht, megjithëse pamjet nuk e tregojnë qartë të gjithë incidentin.

    Nuk është raportuar asnjë arrestim dhe policia e Detroitit nuk ka konfirmuar nëse është paraqitur ndonjë ankesë. “Steelers” kanë pranuar se janë në dijeni të ngjarjes dhe po e shqyrtojnë situatën.

    I njohur për lojën e tij plot emocion dhe intensitet, Metcalf tani ndodhet në qendër të një stuhie jashtë fushës, një situatë që mund të tërheqë vëmendjen e NFL-së.

    Priten më shumë detaje ndërsa ngjarja vazhdon të zhvillohet.

  • Sonte në Riad finalja e Superkupës Italiane, Napoli – Bologna

    Sonte në Riad finalja e Superkupës Italiane, Napoli – Bologna

    Sonte do të zhvillohet finalja e madhe e Superkupës italiane, ku përballen Napoli dhe Bologna. Takimi pritet të jetë një sfidë emocionuese dhe luhet në Riad të Arabisë Saudite, ashtu si çdo vit për këtë kompeticion tradicional që hap sezonin futbollistik italian.

    Napoli ka arritur në finale pas një paraqitjeje mbresëlënëse kundër Milanit, kampionit në fuqi të Superkupës, duke e mposhtur me rezultat 2-0 dhe duke treguar formë të lartë dhe vendosmëri për të siguruar trofeun e parë të sezonit. Ndërkohë, Bologna ka surprizuar të gjithë duke eliminuar Interin përmes penalltive, një arritje që ka rritur entuziazmin për ndeshjen finale.

    Për shqiptarët, kjo finale merr një dimension të veçantë, pasi kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të jetë një nga figurat kryesore të ndeshjes. Për 31 vjeçarin, ky është një rast i artë për të mbyllur vitin 2025 me një tjetër trofe në karrierën e tij dhe për të dëshmuar rëndësinë e tij në mbrojtjen e Napolit.

    Analistët sportiv parashikojnë një ndeshje me ritëm të lartë, ku Napoli do të kërkojë të imponojë lojën e saj sulmuese, ndërsa Bologna mund të mbrohet dhe të kërkojë mundësi për kundërsulme të shpejta. Trajneri i Napolit dhe ai i Bolonjas kanë bërë të ditur se skuadrat janë gati dhe do të japin maksimumin për të fituar trofeun.

    Kujtojmë se finalja Napoli–Bologna do të fillojë sonte nga ora 20:00, dhe pritet të tërheqë vëmendjen e tifozëve në mbarë botën. /ATVLIVE.TV

  • Christensen pëson këputje të ACL-së, jashtë fushave për një periudhë të gjatë

    Christensen pëson këputje të ACL-së, jashtë fushave për një periudhë të gjatë

    Ekipi i Barcelonës ka marrë konfirmime të reja lidhur me gjendjen e Andreas Christensen, me mbrojtësin danez që pritet të mungojë për një periudhë të gjatë pasi ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL).

    Sipas vlerësimeve mjekësore, Christensen nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Stafi mjekësor i klubit ka përjashtuar operacionin, megjithatë serioziteti i dëmtimit do ta mbajë qendërmbrojtësin jashtë fushave për disa muaj.

    Dëmtimi ka ndodhur në minutat e fundit të një seance stërvitore, pak para ndeshjes së Barcelonës ndaj Villarrealit, duke shtuar edhe një mungesë tjetër për trajnerin Hansi Flick, i cili po përballet me vështirësi të shumta në repartin defensiv.

    Ky është një tjetër pengesë në një sezon tashmë të vështirë për mbrojtësin danez, i cili ka vuajtur nga mungesa e vazhdimësisë dhe ka qenë kryesisht një opsion dytësor në skuadër.

    Situata ndërlikohet edhe më tej nga fakti se kontrata e Christensen me Barcelonën skadon në qershor, çka e bën të ardhmen e tij në “Camp Nou” gjithnjë e më të paqartë, në një periudhë kur klubi po rishikon planet për sezonet e ardhshme. /ATVLIVE.TV

  • Alarm te Liverpooli, Isak rrezikon mungesë disa mujore

    Alarm te Liverpooli, Isak rrezikon mungesë disa mujore

    Sipas gazetarit të njohur të gazetës “The Athletic”, David Ornstein, te Liverpooli ekziston frika se Alexander Isak ka pësuar një thyerje të këmbës pas lëndimit të marrë në ndeshjen e së shtunës ndaj Tottenhamit.

    Sulmuesi suedez u detyrua të largohej nga fusha pas një ndërhyrjeje nga Micky van de Ven, pikërisht në momentin kur po realizonte golin e parë në fitoren 2-1 të Liverpoolit. Pas trajtimit mjekësor në fushë, u bë e qartë se Isak nuk ishte në gjendje të vazhdonte ndeshjen.

    Në rast se këto dyshime konfirmohen, 25-vjeçari pritet të mungojë për disa muaj, ndonëse shkalla e saktë e lëndimit ende nuk është përcaktuar zyrtarisht.

    Ky zhvillim përbën një tjetër goditje për Isakun, i cili edhe më herët kishte humbur disa ndeshje këtë sezon për shkak të problemeve në ijë. Forma e tij ishte ndikuar gjithashtu nga mungesa në pjesën më të madhe të fazës përgatitore, para transferimit të tij te Liverpooli nga Newcastle.

    Stafi mjekësor i “The Reds” do t’i nënshtrojë sulmuesin ekzaminimeve të tjera në ditët në vijim për të përcaktuar diagnozën përfundimtare dhe kohën e rikuperimit, ndërsa shqetësimi në “Anfield” mbetet i lartë.

    Ndërkohë, Liverpooli duket se është jashtë garës për titullin kampion, duke synuar që të kërkojë një befasi të mundshme në Ligën e Kampionëve. /ATVLIVE.TV

  • Festoi fitoren me shqiponjë, diskualifikohet pingpongisti nga Ferizaj

    Festoi fitoren me shqiponjë, diskualifikohet pingpongisti nga Ferizaj

    Një pingpongist i ri nga Ferizaj është diskualifikuar nga një turne ndërkombëtar i mbajtur në Mal të Zi, pasi gjatë festimit të fitores në finale bëri simbolin e shqiponjës me duar.

    Lajmi u konfirmua të dielën mbrëma nga klubi i pingpongut “Gani Maloku”, pjesë e të cilit është sportisti Rejan Krasniqi.

    Ngjarja ndodhi në turneun “Podgorica Open”, i zhvilluar në kryeqytetin e Malit të Zi. Sipas njoftimit të klubit ferizajas, vendimi për diskualifikimin e Krasniqit u mor nga organizatori i turneut menjëherë pas përfundimit të ndeshjes finale.

    Në videon e publikuar nga klubi, Rejani shihet duke festuar fitoren dhe duke bërë simbolin e shqiponjës në drejtim të familjarëve dhe ekipit të tij.

    “Rejani e fitoi finalen me meritë të plotë sportive ndaj një lojtari malazez, i cili ishte pjesë e klubit organizator. Pas përfundimit të ndeshjes, ai festoi në mënyrë spontane duke bërë me duar simbolin e shqiponjës drejt familjarëve dhe ekipit të tij. Ky veprim nuk ishte provokues, nuk cenoi askënd dhe nuk ndikoi në rrjedhën sportive të garës, por u përdor padrejtësisht si arsye për një vendim ekstrem dhe të njëanshëm, duke pasur parasysh se nuk ekzistojnë standarde apo rregulla të dyfishta. Sporti duhet të bashkojë, të respektojë emocionin e fitores dhe të mbrojë sportistin, jo ta ndëshkojë atë për shprehje identiteti apo gëzimi personal. Vendimi i marrë nga organizatori është në kundërshtim me frymën sportive, fair-play-n dhe parimet bazë të garave ndërkombëtare.”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Klubi i pingpongut “Gani Maloku” ka bërë të ditur se kjo ishte hera e katërt që merrte pjesë në turneun ndërkombëtar “Podgorica Open”. /ATVLIVE.TV

  • Dukagjini dhe Ballkani luajnë baraz pa gola-Gjilani fiton ndaj Prishtinës së Re-Drita barazon ndaj Malishevës

    Dukagjini dhe Ballkani luajnë baraz pa gola-Gjilani fiton ndaj Prishtinës së Re-Drita barazon ndaj Malishevës

    Kanë përfunduar ndeshjet e ditës së diel në kuadër të xhiros së 18-të në Albi Mall Superligë,ku solli rezultate interesante.

    Nënkampioni Ballkani ka barazuar pa gola 0:0 kundër Dukagjinit,në ndeshjen që solli raste të shumta nga të dyja ekipet por vetëm goli mungonte.

    Ballkani e mbyllë sezonin vjeshtor si lider me 33 pikë,teksa Dukagjini mbetet në pozitën e tretë me 29 pikë.

    Gjilani në anën tjetër ka mbyllur vitin 2025 me fitore,duke mundur Prishtinën e Re me rezultat 3:2.

    Edi Basa në minutat 23 dhe 28 si dhe Senad Jarovic në të 37-tën minutë shënuan për skfiterat,kurse golin e vetëm për ekipin nga kryeqyteti e shënoj Gomes në minutën e 45-të shtesë.

    Gjilani mbyllë sezonin vjeshtor në pozitën e 6-të me 26 pikë,kurse Prishtina e Re në vendin e fundit me 15 pikë.

    Kampioni Drita ndërkohë barazoi në udhëtim kundër Malishevës me rezultat 1:1.

    Jorgi Pellumbi kaloi Intelektualët në epërsi në 1:0 në minutën e 84-të,por Malisheva barazoi në minutën e fundit përmes Ibishit.

    Drita pas kësaj ndeshjeje grumbullon 26 pikë teksa do ta zhvilloj edhe ndeshjen e mbetur në mesjavë kundër Prishtinës,kurse Malisheva e mbyllë këtë stinor me 27 pikë.

  • Kylian Mbappe barazohet me Cristiano Ronaldon me numrin e golave të shënuar

    Kylian Mbappe barazohet me Cristiano Ronaldon me numrin e golave të shënuar

    Ylli francez Kylian Mbappe arriti një shifër historike në karrierë me fanellën e Real Madridit në ndeshjen kundër Sevillas.

    Mbappe shënoi golin e 59-të këtë vit për Real Madridin,duke e barazuar kështu rekordin e Cristiano Ronaldos i cili shënoi po aq gola në vitin 2013.

    Përndryshe Mbappe ka mundur që të realizonte edhe një herë tjetër,dhe që do ta thyente rekordin e portugezit por këtë nuk e lejoi mbrojtja andaluziane gjatë 90 minutave.

    Kujtojmë që Kylian Mbappe shënoi 30 gola në 27 ndeshje për Real Madridin këtë sezon në të gjitha garat.