ATV

Category: Sport

  • Manaj dhe Giovanni kryesojnë listën e lojtarëve më të vlefshëm në Superligën e Kosovës

    Manaj dhe Giovanni kryesojnë listën e lojtarëve më të vlefshëm në Superligën e Kosovës

    Faqja e specializuar e statistikave, Transfermarkt, ka përditësuar vlerat e klubeve dhe lojtarëve në Albi Mall Superligën e Kosovës.

    Sipas përditësimit të fundit, Drita mbetet skuadra më e vlefshme në kampionatin elitar të Kosovës, me 29 futbollistë që së bashku vlejnë 7,5 milionë euro. Pas saj renditet Ballkani me 22 lojtarë dhe vlerë prej 6,25 milionë euro, ndërsa Prishtina mban vendin e tretë me një vlerë ekipi prej 5,68 milionë euro.

    Kur bëhet fjalë për lojtarët më të vlefshëm, mesfushori i Ballkanit, Giovanni dhe sulmuesi i Dritës, Arb Manaj, janë në krye me një vlerë prej 800 mijë eurosh secili. Giovanni pati një rritje të lehtë prej 50 mijë eurosh nga vlerësimi i fundit, ndërsa Manaj shënoi një ngritje të jashtëzakonshme prej 350 mijë eurosh (nga 450 mijë në 800 mijë euro).

    Më pas renditen:

    • Muhamet Hyseni (Llapi) – 650 mijë euro

    • Senad Jarovic (Gjilani), Raddy Ovouka (Drita), Albert Dabiqaj (Drita), Valentin Serebe (Ballkani) – 600 mijë euro

    • Etnik Brruti (Malisheva), Rron Broja (Drita) – 550 mijë euro

    • Mario Ilievski (Prishtina), Arlind Aliu (Malisheva), Egzon Bejtullai (Drita), Almir Ajzeraj (Drita), Almir Kryeziu (Ballkani) – 500 mijë euro

    • Laurent Xhylani (Malisheva), Walid Hamidi (Ballkani) – 450 mijë euro

    Ky përditësim tregon rritjen e nivelit të futbollit kosovar dhe vlerën gjithnjë në rritje të lojtarëve të Superligës. /ATVLIVE.TV

  • Rikthim spektakolar i Bostonit, Warriros përmbysin Magic

    Rikthim spektakolar i Bostonit, Warriros përmbysin Magic

    Boston Celtics regjistruan një fitore të madhe para tifozëve të tyre në TD Garden, duke mposhtur Indiana Pacers me rezultat 103:95, në një ndeshje ku dominimi i pjesës së dytë rezultoi vendimtar.

    Takimi nisi më mirë për mysafirët nga Indiana, të cilët hynë në parket me ritëm të lartë dhe e mbyllën çerekun e parë me epërsi prej nëntë pikësh. Pacers vazhduan të kontrollonin lojën edhe në çerekun e dytë, duke e thelluar avantazhin dhe shkuan në pushim me shifrat bindëse 61:43. Në një moment, diferenca arriti deri në 20 pikë, duke lënë të kuptohej një mbrëmje e vështirë për vendasit.

    Por pjesa e dytë solli një tjetër fytyrë të Bostonit. Celtics reaguan fuqishëm në çerekun e tretë, duke rritur agresivitetin në mbrojtje dhe efikasitetin në sulm, çka bëri që diferenca të ulej në vetëm tetë pikë. Në periodën e fundit, skuadra e drejtuar nga Joe Mazzulla e mori plotësisht kontrollin e ndeshjes, përmbysi rezultatin dhe pa ndonjë dramë të madhe në fund, siguroi një fitore të merituar.

    Ylli i mbrëmjes për Bostonin ishte Jaylen Brown, i cili shkëlqeu me 31 pikë, ndërsa Derrick White dha kontribut të rëndësishëm me 19 pikë. Në anën tjetër, për Indiana Pacers më i dalluari ishte Pascal Siakam me 25 pikë, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

    Me këtë triumf, Boston Celtics konsolidojnë pozitën e tretë në renditjen e Konferencës Lindore të NBA-së, me bilanc 18 fitore dhe 11 humbje. Ndërkohë, Indiana Pacers vazhdojnë të përballen me vështirësi këtë sezon, duke u renditur në vendin e 14-të me vetëm gjashtë fitore dhe 23 humbje.

     

    Golden State Warriors ka shënuar fitoren e dytë radhazi pasi mposhti Orlando Magic me rezultat 120-97.

    Më meritoret për këtë fitore ishin, Stephen Curry me 26 pikë e gjashtë asistime dhe Moses Moody me 20 sosh.

    Te skuadra humbëse u dalluan Paolo Banchero me 21 pikë, 12 kërcime e shtatë asistime dhe Desmond Bane me 20 të tjera.

    Warriros gjenden në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit derisa Magic në poziten e gjashtë në Lindje.

  • Drita, Ballkani dhe Prishtina më të vlefshmet në Superligën e Kosovës 2025

    Drita, Ballkani dhe Prishtina më të vlefshmet në Superligën e Kosovës 2025

    Mediumi i specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt, ka përditësuar vlerat e lojtarëve dhe klubeve në Superligën e Kosovës.

    Kampioni në fuqi, Drita, vazhdon të mbetet skuadra më e vlefshme në Superligë, me një rritje të vlerës nga 6,5 në 7,5 milionë euro. Lojtari më i vlefshëm i Dritës është sulmuesi Arb Manaj, i cili ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme të vlerës nga 450 mijë në 800 mijë euro.

    Pas Dritës, vlera më e madhe i takon Ballkanit me 6,25 milionë euro, ndërsa Prishtina renditet e treta me 5,68 milionë euro.

    Pozitat e tjera të klubeve janë:

    • Gjilani – 5,39 milionë euro

    • Malisheva – 5,2 milionë euro

    • Llapi – 4,85 milionë euro

    • Drenica – 3,75 milionë euro

    • Dukagjini – 3,33 milionë euro

    • Ferizaj – 3,29 milionë euro

    • Prishtina e Re – 2,67 milionë euro

    Vlera totale e klubeve të Superligës së Kosovës sipas Transfermarkt ka arritur në 47,89 milionë euro, duke reflektuar zhvillimin dhe përmirësimin e nivelit të futbollit kosovar. /ATVLIVE.TV

  • Sezoni i dobët ulë fitimet e Ferrarit në F1

    Sezoni i dobët ulë fitimet e Ferrarit në F1

    Sezoni i dobët i Ferrarit në Formula 1, që e uli skuadrën nga vendi i dytë në të katërtin në kampionatin e konstruktorëve, ka ndikuar edhe në shpërblimin financiar që do të marrë për vitin 2025.

    Makina italiane do të arkëtojë 10 milionë euro më pak krahasuar me vitin 2024.

    Skuadra që do të arkëtojë më shumë këtë vit është McLaren, e shpallur kampione për konstruktorë. Pas saj renditen Mercedes dhe Red Bull, ndërsa në fund të listës është Alpine, me 75 milionë euro.

    Për vitin 2025, shpërndarja e të ardhurave parashikohet të jetë:

    1. McLaren – 175 mln euro

    2. Mercedes – 164 mln euro

    3. Red Bull – 152 mln euro

    4. Ferrari – 141 mln euro

    5. Williams – 130 mln euro

    6. Racing Bulls – 119 mln euro

    7. Aston Martin – 107 mln euro

    8. Haas – 96 mln euro

    9. Sauber – 85 mln euro

    Megjithatë, për të gjitha skuadrat, të ardhurat totale pritet të jenë më të larta krahasuar me vitin e kaluar. /ATVLIVE.TV

  • Besa Famgas, kampione vjeshtore në Superligën e Kosovës

    Besa Famgas, kampione vjeshtore në Superligën e Kosovës

    Me ndeshjet e zhvilluara të dielën, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

    Pas një gare interesante, të shtrirë në 14 xhiro, kampionë vjeshtore është skuadra Besa Famgas.

    Skuadra pejane e përfundoi pjesën e parë të kampionatit me 12 fitore e dy humbje, përkatësisht me 24 pikë.

    Pejanët kanë garuar në Evropë dhe po ashtu kanë pasur sfida me palestër që ishte e zënë për numërimin e votave dhe për aktivitete të tjera. Por në fund renditen në vend të parë.

    Nga 24 pikë i kanë edhe Rahoveci në vendin e dytë dhe Kastrioti në të tretin por Besa është në vend të parë për shkak të goldallimit më të mirë.

    Fakti që tri skuadrat e kreut kanë pikë të barabarta, garanton garë të fortë e interesante në pranverë për titull të kampionit.

    Pasojnë Vëllaznimi me 13 pikë, Trepça me 12, Llapi me tetë, Prishtina me shtatë dhe Vushtrria që nuk mblodhi asnjë pike sezonin vjeshtor. /ATVLIVE.TV

  • Salah shpëton Egjiptin në ndeshjen hapëse të AFCON-it

    Salah shpëton Egjiptin në ndeshjen hapëse të AFCON-it

    Egjipti e ka nisur Kupën e Kombeve Afrikane me një fitore të vështirë 2-1 ndaj Zimbabvesë, falë një goli vendimtar të Mohamed Salah në minutat shtesë.

    “Faraonët” dominuan ndeshjen që nga fillimi dhe kaluan shpejt në epërsi, por u befasuan nga një kundërsulm i rrallë i Zimbabvesë, i cili përmbysi përkohësisht rezultatin me golin e Prince Dube.

    Në pjesën e dytë, presioni i vazhdueshëm i Egjiptit u shpërblye me golin e barazimit të Omar Marmoush, i cili përfitoi nga një top i gjatë dhe finalizoi saktë.

    Megjithatë, mbrojtja e fortë e Zimbabvesë mbajti rezultatin të hapur deri në fund, duke lënë hapësirë për një përfundim dramatik.

    Kur dukej se ndeshja do të përfundonte me barazim, Mohamed Salah u shfaq sërish si lider, duke shënuar nga afër në kohën shtesë dhe duke i siguruar Egjiptit tre pikët e para në AFCON.

    Ndeshjen tjetër Egjipti e luan kundër Afrikës Jugore, ndërsa Zimbabwe kundër Angolës. /ATVLIVE.TV

  • Aksident i rëndë në Miami – Motra e Messit detyrohet të shtyjë dasmën

    Aksident i rëndë në Miami – Motra e Messit detyrohet të shtyjë dasmën

    Motra e Lionel Messit, Maria Sol Messi, është detyruar të shtyjë dasmën e planifikuar më 3 janar, pasi ka pësuar një aksident të rëndë trafiku në Miami.

    Sipas mediave argjentinase, 32-vjeçarja ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një mur, duke pësuar fraktura në shtyllën kurrizore dhe djegie. Megjithatë, ajo nuk është në rrezik për jetën dhe tashmë ka nisur rehabilitimin në Rosario, sipas konfirmimit të familjes.

    Dasma me Julian “Tuli” Arellano, anëtar i stafit trajner të ekipit U-19 të Inter Miamit, është shtyrë për një datë tjetër. Në ceremoni pritej të merrte pjesë e gjithë familja Messi, përfshirë edhe yllin e Inter Miamit.

    Familja ka bërë të ditur se prioritet mbetet shërimi i plotë i Maria Sol. /ATVLIVE.TV

  • Finale dramatike në Prishtinë – Drita, Lidhja e Prizrenit dhe TTC Ferizaj shpallen fitues

    Finale dramatike në Prishtinë – Drita, Lidhja e Prizrenit dhe TTC Ferizaj shpallen fitues

    Të dielën në Palestrën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, në Prishtinë është mbajtur gara për Kupën e Kosovës për kategorinë e seniorëve (M&F) dhe atë të juniorëve (U15M).

    Te seniorët, favoritët: Drita (F) dhe Lidhja e Prizrenit (M) titullit të Kampionit të garave ekipore ia kanë shtuar edhe trofeun e Kupës, për vitin 2025.

    Te kategoria U15, favorite ishte skuadra kampione nga garat Ekipore 2025, KVPP Prizreni, por TTC Ferizaj, ka arritur që ta fitojë Kupën për edicionin 2025.

    Te seniorët, si te femrat Drita – Prishtina, ashtu edhe te meshkujt Lidhja e Prizrenit – Liria, në finale janë takuar rivalët e njëjtë sikur në edicionin 2024.

    Paraprakisht, në ndeshjet gjysmëfinale, Drita e ka mundur Lirinë e Prizrenit me 3:0, kurse Prishtina e ka mundur Ahmet Hoxhën me 3:1.

    Në finale, Drita me 3:1 e ka mundur Prishtinën, fituesin e edicionit 2024.

    Te meshkujt, Lidhja e Prizrenit, në gjysmëfinalen e parë, e ka mundur Dardaninë me 3:1, kurse Liria me 3:0, ka fituar ndaj Shkolla Prizrenit.

    Në finale, u takuan dy skuadrat më të mira, aktualisht të Superligës dhe fitorja me rezultat të ngushtë 3:2 i ka takuar Lidhjes së Prizrenit, e cila e ka mbrojtur titullin e fituar para një viti.

    Në gjysmëfinalet e juniorëve, TTC Ferizaj e ka mundur Ahmet Hoxhën MK me 3:1, kurse KVPP Prizreni Gani Malokun me 3:0. Në finale janë takuar KVPP Prizreni, kampione e Ligës U15M dhe TTC
    Ferizaj, nënkampione. TTC në finalen e sotme tregoi lojë më të mire se rivali (3:1) dhe me meritë e fitoi Kupën për herë të parë.

    FPPK falënderon edhe KPP Dardania për bashkëpunimin në organizim dhe përgaditje të shkëlqyer të arenës për lojë. /ATVLIVE.TV

  • Muçi në superformë, 7 gola dhe 1 asist në 5 ndeshje

    Muçi në superformë, 7 gola dhe 1 asist në 5 ndeshje

    Në javën e 17-të të Superligës turke, vëmendja e tifozëve shqiptarë ishte tek Ernest Muçi, i cili po vazhdon të shkëlqejë me Trabzonsporin.

    Edhe pse skuadra e tij u mund 4-3 nga Gençlerbirliği, Muçi ishte protagonist. Në minutën e 50-të, ai asistoi për Augusto-n, duke barazuar përkohësisht rezultatin në 2-2. Megjithatë, Gençlerbirliği shënoi edhe dy gola të tjerë për të marrë avantazhin 4-2.

    Në minutën e 67-të, sulmuesi shqiptar shfrytëzoi një penallti të fituar dhe ngushtoi rezultatin në 4-3, që mbeti shifra përfundimtare.

    Me këtë gol, Muçi shkon në kuotën e 7 golave dhe një asist në pesë ndeshjet e fundit, duke u konfirmuar si lojtari më në formë i Trabzonsporit për momentin dhe një nga figurat kryesore të
    skuadrës në Superligën turke. /ATVLIVE.TV

  • Neymar operohet me sukses dhe synon rikthimin për Kupën e Botës

    Neymar operohet me sukses dhe synon rikthimin për Kupën e Botës

    Neymar i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje artroskopike në gju, ka bërë të ditur klubi i tij Santos, teksa ylli brazilian synon të rikthehet në formën optimale për të mbajtur gjallë shanset e tij për pjesëmarrje në Kupën e Botës.

    “Është kryer një artroskopi për trajtimin e një dëmtimi në meniskun medial. Ndërhyrja kirurgjikale ishte e suksesshme dhe lojtari është në gjendje të mirë,” thuhet në deklaratën zyrtare të klubit, ku theksohet se operacioni u realizua nga mjeku i përfaqësueses braziliane, Rodrigo Lasmar.

    33-vjeçari po kalonte një periudhë të mirë me fanellën e Santosit përpara operacionit, duke luajtur edhe me dhimbje dhe duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit, një kontribut vendimtar për mbijetesën e ekipit në elitën e futbollit brazilian. Edhe pse klubi nuk ka dhënë një afat zyrtar për rikuperimin, mediat lokale raportojnë se Neymar mund të mungojë deri në një muaj.

    Neymar është golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses braziliane me 79 gola, por nuk ka veshur fanellën e kombëtares që nga viti 2023, për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Trajneri Carlo Ancelotti ka qenë i qartë, duke theksuar se ai duhet të jetë “në formë të shkëlqyer” për t’u rikthyer në ekip për Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Shëndeti dhe koha mbeten faktorët vendimtarë për rikthimin e Neymarit në arenën më të madhe të futbollit botëror. /ATVLIVE.TV