ATV

Category: Sport

  • I pafundmi “King Kazu” – Miura vazhdon të luajë futboll edhe në prag të 59 vjetëve

    I pafundmi “King Kazu” – Miura vazhdon të luajë futboll edhe në prag të 59 vjetëve

    Karriera e një futbollisti profesionist zakonisht ka një afat të kufizuar, por ka raste të rralla që sfidojnë çdo normë të sportit modern. Një prej tyre është pa dyshim Kazuyoshi Miura, legjenda e futbollit japonez dhe simbol i vërtetë i jetëgjatësisë sportive.

    I njohur si “King Kazu”, sulmuesi japonez vazhdon të luajë futboll aktiv edhe pse shumica e bashkëkohësve të tij janë larguar prej kohësh nga fushat e blerta. Pas dy sezoneve të fundit të kaluara në Portugali me Oliveirense (2022/23 dhe 2023/24), Miura është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

    Më 26 shkurt, ai do të festojë 59-vjetorin e lindjes, por në vend që të mendojë për pensionimin, ka vendosur të vazhdojë të luajë. Miura ka firmosur një kontratë të re me Fukushima United, skuadër që garon në divizionin e tretë të kampionatit japonez.

    Ky vendim konfirmon edhe një herë pasionin, disiplinën dhe mentalitetin unik të një lojtari që prej dekadash është një pikë referimi për futbollin japonez dhe më gjerë. Për Miurën, çdo sezon i ri është histori më vete dhe një dëshmi se dashuria për futbollin mund të mposhtë edhe kufijtë e moshës. /ATVLIVE.TV

  • Vinicius në dyshim për qëndrimin te Real Madridi, tifozët kthehen kundër tij

    Vinicius në dyshim për qëndrimin te Real Madridi, tifozët kthehen kundër tij

    E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, pasi ylli brazilian raportohet se po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit nga “Santiago Bernabeu”.

    Edhe pse një largim ka qenë gjithmonë një skenar i mundshëm, marrëdhënia e përkeqësuar me tifozët dhe bllokimi i negociatave për rinovimin e kontratës po e komplikojnë situatën. Vinicius ka edhe 18 muaj kontratë të mbetur me klubin madrilen.

    Braziliani kishte interes konkret nga Arabia Saudite verën e kaluar dhe thuhet se kishte rënë dakord për një kontratë të re në pranverë, por kërkesat e tij financiare u rritën ndjeshëm gjatë verës, duke bërë që bisedimet të ngecin.

    Sipas gazetarit Jorge C. Picón, palët nuk pritet të rifillojnë negociatat deri pas Kupës së Botës 2026, e cila shihet si momenti vendimtar për Viniciusin që të provojë se meriton një pagë të barabartë me atë të Kylian Mbappé, objektivi kryesor i tij.

    Nga ana tjetër, drejtuesit e Real Madrid janë të bindur se Vinicius do të rikthehet në formën e tij më të mirë, por nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë bonuset e nënshkrimit që ai kërkon. Edhe pse lojtari dëshiron të qëndrojë në Madrid, situata është komplikuar edhe nga marrëdhënia e tensionuar me trajnerin Xabi Alonso.

    Sipas El Chiringuito, për herë të parë Vinicius po dyshon seriozisht nëse duhet të vazhdojë te Real Madridi. Fishkëllimat e tifozëve në ndeshjen e fundit e kanë prekur ndjeshëm lojtarin, i cili për herë të parë ka ndjerë se nuk është më plotësisht i dëshiruar nga “Madridistas”.

    Një sondazh i gazetës Marca tregon se 84% e tifozëve do të ishin të gatshëm të ndaheshin me brazilianin. Edhe pse jo një tregues zyrtar, kjo shifër reflekton ftohjen e opinionit publik ndaj tij, e ndikuar nga forma e paqëndrueshme gjatë 18 muajve të fundit. /ATVLIVE.TV

  • Golden Eagle Ylli ndahet me Larry Thomas, klubi falënderon basketbollistin për kontributin

    Golden Eagle Ylli ndahet me Larry Thomas, klubi falënderon basketbollistin për kontributin

    Basketbollisti Larry Thomas nuk do të jetë më pjesë e Golden Eagle Yllit, pasi palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.

    Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar të klubit nga Theranda, i cili ka shprehur mirënjohje për kontributin e lojtarit gjatë periudhës së qëndrimit të tij në skuadër.

    “Me marrëveshje të dyanshme kemi vendosur të shkëpusim bashkëpunimin me lojtarin Larry Thomas. E falënderojmë për kontributin dhe i urojmë shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij”, thuhet në komunikatën e klubit.

    Ndarja vjen në një periudhë jo të lehtë për Golden Eagle Yllin, i cili po kalon një edicion të vështirë në elitën e basketbollit të Kosovës. Pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, skuadra renditet në vendin e shtatë në tabelë me 17 pikë dhe po kërkon stabilitet për pjesën e mbetur të sezonit.

    Klubi pritet të analizojë situatën dhe të ndërmarrë hapa të rinj për të përmirësuar rezultatet në vazhdim të kampionatit.

  • Roony Bardghji refuzon ofertat nga Premier League dhe vendos të qëndrojë te Barcelona

    Roony Bardghji refuzon ofertat nga Premier League dhe vendos të qëndrojë te Barcelona

    Barcelona ka siguruar vazhdimësinë e një prej talenteve më premtuese të saj, pasi Roony Bardghji ka vendosur të qëndrojë në klub dhe të luftojë për një vend në ekipin e parë, pavarësisht interesimit konkret nga disa klube të Ligës Premier.

    Në një periudhë intensive të merkatos, anësori ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij, duke refuzuar ofertat që do ta largonin nga objektivi kryesor, të ketë sukses me fanellën e Barcelonës.

    Bardghji beson se ky është momenti i duhur për të bërë hapin e radhës në karrierë brenda klubit katalanas, duke konkurruar në nivelin më të lartë dhe duke u zhvilluar përmes punës dhe disiplinës së përditshme.

    Gjatë javëve të fundit, ai ka marrë oferta nga disa klube angleze, përfshirë Crystal Palace, Everton, Nottingham Forest dhe Sunderland, të cilat i garantonin më shumë minuta dhe një rol më të madh afatshkurtër. Megjithatë, lojtari ka zgjedhur të vazhdojë projektin e tij në “Camp Nou”.

    Nga ana e Barcelonës, vendimi është pritur shumë pozitivisht. Drejtoria sportive dhe stafi teknik e shohin këtë si një sinjal të rëndësishëm besimi ndaj projektit të klubit dhe strategjisë për zhvillimin e talenteve të rinj nga brenda.

    Në këtë fazë, një transferim nuk është pjesë e planeve të lojtarit dhe rrethit të tij, ndërsa klubi do të ndjekë nga afër progresin e Bardghjit, me performancën, përshtatjen taktike dhe profesionalizmin që do të jenë vendimtare për rolin e tij gjatë sezonit.

    Vendimi i tij dërgon një mesazh të qartë në treg, Barcelona mbetet një destinacion shumë tërheqës për talentet e rinj, edhe përballë ofertave të mëdha nga jashtë. Për momentin, e ardhmja e Bardghjit është e lidhur ngushtë me “Camp Nou”. /ATVLIVE.TV

  • Albion Rrahmani në radarët e West Ham, “Çekanët” kërkojnë sulmues të ri

    Albion Rrahmani në radarët e West Ham, “Çekanët” kërkojnë sulmues të ri

    Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në merkato, teksa ekipi aglez West Ham United po kërkon përforcime në repartin ofensiv për afatin kalimtar të janarit.

    “Çekanët” nuk janë të kënaqur me rendimentin aktual në sulm dhe trajneri Nuno Espírito Santo po shqyrton alternativa të reja. Edhe pse Callum Wilson mbetet sulmuesi kryesor në skuadër, ai nuk ka qenë zgjedhje titullare në tri ndeshjet e fundit, çka ka shtuar spekulimet për afrime të reja.

    Situata e vështirë në Ligën Premier ka bërë që West Ham të synojë me prioritet një sulmues të ri, në përpjekje për të shmangur rënien nga elita e futbollit anglez.

    Sipas raportimeve të thewesthamway.com, klubi londinez po monitoron nga afër Albion Rrahmanin, me synimin për ta transferuar në “London Stadium” gjatë kësaj vere dimërore.

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës po kalon një sezon pozitiv me Spartën e Pragës, ku ka shënuar 12 gola në 32 paraqitje në të gjitha garat. 25-vjeçari iu bashkua klubit çek verën e kaluar nga Rapid Bukureshti dhe tashmë ka tërhequr interesin e disa klubeve.

    Edhe pse West Ham e vlerëson lart Rrahmanin, ende nuk ka pasur një ofertë konkrete për shërbimet e tij. /ATVLIVE.TV

  • Ekipi i meçit Joshua–Paul paralajmëron padi: Akuza për ndeshje të kurdisur do të ndiqen ligjërisht

    Ekipi i meçit Joshua–Paul paralajmëron padi: Akuza për ndeshje të kurdisur do të ndiqen ligjërisht

    Ekipi promovues që qëndron pas meçit të shumëpërfolur mes Anthony Joshua dhe Jake Paul ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se ndeshja ishte e kurdisur, duke paralajmëruar veprime ligjore kundër çdo personi që vazhdon të përhapë akuza të tilla.

    Nakisa Bidarian, partner biznesi i Jake Paul dhe bashkëthemeluese e kompanisë Most Valuable Promotions, ka konfirmuar se janë angazhuar avokatë për të ndërhyrë ndaj pretendimeve që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale pas përfundimit të përballjes.

    Edhe pse akuzat për trukim kanë shoqëruar pothuajse çdo ndeshje të Jake Paul, me përjashtim të humbjes ndaj Tommy Fury, kjo është hera e parë që ekipi i tij njofton publikisht se do të ndërmarrë hapa konkretë ligjorë për t’i ndalur këto spekulime.

    Bidarian, gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Ariel Helwani Show”, u shpreh qartë se pretendimet nuk do të tolerohen më. I pyetur nëse performanca e Paul, pavarësisht nokautit, mjaftonte për të heshtur teoritë konspirative, ai u përgjigj prerë:

    “Jo, jo tamam. Avokatët tanë po ndjekin në mënyrë aktive një numër njerëzish.”

    Jake Paul edhe më herët i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se manipulimi i ngjarjeve sportive profesionale në Shtetet e Bashkuara konsiderohet krim federal dhe ndëshkohet rëndë nga ligji.

    Kujtojmë se në meçin e zhvilluar të premten në Miami, dy herë ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, e nokautoi Jake Paul në raundin e gjashtë. Si pasojë e goditjeve, Paul pësoi thyerje të nofullës në dy vende dhe u desh të merrte trajtim mjekësor pas ndeshjes.

  • Goce Sedloski emërohet trajner i ri i Maqedonisë së Veriut, synon Kupën e Botës 2026

    Goce Sedloski emërohet trajner i ri i Maqedonisë së Veriut, synon Kupën e Botës 2026

    Goce Sedloski është emëruar trajneri i ri i kombëtares së Maqedonisë së Veriut në futboll. 51-vjeçari zëvendëson Blagoja Milevskin, pas skadimit të kontratës së tij dhe pritet të sjellë energji të re në ekip për të synuar një vend në Kupën e Botës 2026.

    Kreu i Federatës së Maqedonisë së Veriut, Masar Omeragic, komentoi zgjedhjen e Sedloskit:

    “Dua ta falenderoj publikisht Milevskin për rezultatet e deritanishme. Por ndryshimet ndodhin në futboll dhe ekipi ka nevojë për energji të re për të arritur play-off-in dhe për të synuar fazën finale të Kupës së Botës.”

    Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në play-off-in e marsit 2026, ku fillimisht do të përballet me Danimarkën dhe nëse kalon këtë rival, do të luajë ndaj fituesit të çiftit Çeki – Irlandë.

    Ekipi i Sedloskit do të përbëhet edhe nga disa futbollistë shqiptaro-maqedonas.

    Sedloski njihet në Shqipëri pasi gjatë sezonit 2023-24 drejtoi për disa muaj Vllazninë e Shkodrës, duke fituar përvojë të vlefshme në futbollin shqiptar. /ATVLIVE.TV

  • Talenti 19-vjeçar i Logroñés, Rezola, bashkohet me Real Madridin

    Talenti 19-vjeçar i Logroñés, Rezola, bashkohet me Real Madridin

    Manex Rezola, mesfushori sulmues 19-vjeçar i ekipit Logroñés, do t’i bashkohet Real Madridit duke filluar nga janari, konfirmoi klubi i tij të martën. Talenti i ri, një nga lojtarët më premtues të La Riojas dhe objektiv i 15 klubeve gjatë këtij afati kalimtar, do të monitorohet nga afër nga trajneri i Castilla-s, Álvaro Arbeloa.

    Real Madridi ka paguar rreth 150,000 euro për klauzolën e lirimit të lojtarit. Ky transferim nënvizon përkushtimin e klubit ndaj zhvillimit të talenteve të reja spanjolle dhe rrit edhe më shumë reputacionin e La Riojas si një zonë prodhuese e lojtarëve premtues. /ATVLIVE.TV

  • Pasi fitoi Super Kupën, Napoli siguron 9,5 milionë euro shpërblim

    Pasi fitoi Super Kupën, Napoli siguron 9,5 milionë euro shpërblim

    Napoli mbylli vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Superkupën e Italisë me rezultat 2-0 ndaj Bolonjës në Riad, të Arabisë Saudite.

    David Neres ishte protagonist me dy gola, ndërsa skuadra e Antonio Contes tregoi një dominim të plotë gjatë gjithë takimit, duke shpërblyer tifozët e Partenopeit.

    Fitimi i Superkupës solli për Napolin rreth 9,5 milionë euro, një shumë që pritet të rritet në 11 milionë euro pas ndeshjes miqësore kundër fituesit të Superkupës së Arabisë Saudite. Ky sukses vjen pas fitimit të Scudettos së dytë brenda tre viteve, duke bërë vitin 2025 një sezon historik për klubin.

    Trofeu jo vetëm që pasuron vitrinën e Napolit, por edhe forcon financat e klubit përmes shpërblimeve nga fondi prej 23 milionë eurosh të dedikuar për Superkupën e këtij viti. /ATVLIVE.TV

  • Raphinha dhe bashkëshortja e tij shpërndajnë gëzim në Brazil për festat e fundvitit

    Raphinha dhe bashkëshortja e tij shpërndajnë gëzim në Brazil për festat e fundvitit

    Futbollisti brazilian Raphinha, së bashku me bashkëshorten e tij Natalia, kanë dhënë një shembull të bukur humanizmi në prag të Krishtlindjeve, duke organizuar një aktivitet bamirësie në Brazil për familjet në nevojë.

    Çifti organizoi një ngjarje të veçantë ku u shpërndanë ushqime dhe dhurata për dhjetëra familje më pak fatlume, duke sjellë buzëqeshje dhe shpresë në shtëpitë e tyre gjatë kësaj periudhe festive. Atmosfera ishte e mbushur me emocione, ndërsa fëmijët dhe prindërit u pritën me ngrohtësi dhe dashuri.

    Ky veprim fisnik vlerësohet si një tjetër dëshmi se përtej fushës së blertë, Raphinha vazhdon të tregojë zemër të madhe edhe jashtë saj. Gjestet e tilla të solidaritetit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në botën e sportit, duke shërbyer si frymëzim për shumë të tjerë.

    Në prag të Krishtlindjeve, iniciativa e Raphinhës dhe Natalias përcjell një mesazh të fuqishëm: futbolli nuk është vetëm lojë dhe konkurrencë, por edhe humanizëm, ndihmë dhe dashuri për ata që kanë më shumë nevojë.