ATV

Category: Sport

  • PSG synon Diomanden, ofertë 45 milionë euro

    PSG synon Diomanden, ofertë 45 milionë euro

    Paris Saint-Germain ka shfaqur interes të madh për qendërmbrojtësin e Sporting CP, Ousmane Diomande, duke paraqitur një ofertë prej 45 milionë eurosh.

    Sipas gazetës “A Bola”, 22-vjeçari është prioriteti kryesor i PSG-së për mbrojtjen këtë merkato dimërore. Trajneri Luis Enrique e sheh 22 vjeçarin si zgjidhjen ideale për strategjinë e tij taktike.

    Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë spikat për aftësinë për të ndërtuar lojën nga mbrojtja, përdorimin e të dyja këmbëve dhe forcën fizike, karakteristika që e bëjnë të përshtatshëm për stilin e lojës pariziene.

    Diomande shihet si një investim afatgjatë, duke marrë parasysh se Marquinhos tashmë ka 31 vjet dhe klubi dëshiron të rinovojë gradualisht mbrojtjen. Sporting ka kontratë me të deri në 2027, me plane për zgjatjen deri në 2030, ndërsa klauzola e lirimit është 80 milionë euro.

    PSG po monitoron gjithashtu mbrojtësin e Benficës, Tomas Araujo, por Diomande mbetet objektivi kryesor. /ATVLIVE.TV

  • Nga operacioni direkt në stol – Sarri gati për sfidën me Napolin

    Nga operacioni direkt në stol – Sarri gati për sfidën me Napolin

    Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, do t’i nënshtrohet një operacioni tashmë të planifikuar.

    Ndërhyrja kirurgjikale do ta mbajë Sarri larg fushës për disa ditë, por nuk pritet të ndikojë në përgatitjet për ndeshjen e parë zyrtare të vitit 2026, kundër Napolit, e cila është programuar të dielën, më 4 janar, në orën 12:30.

    Gjatë mungesës së tij, stërvitjet do të drejtohen nga ndihmësi i tij, Marco Ianni.

    Megjithatë, Lazio nuk ka arsye për shqetësim, pasi Sarri do të jetë në stol për ndeshjen ndaj Napolit dhe pritet të rikthehet menjëherë pas Natës së Vitit të Ri, duke marrë pjesë në kampin e shkurtër stërvitor të planifikuar për të shtunën.

    Pas javës së 17-të, Lazio mban vendin e tetë në tabelë me 24 pikë, ndërsa Napoli të tretin me 34 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Presion mbi Deco, Barcelona kërkon mbrojtës të ri për Flick

    Presion mbi Deco, Barcelona kërkon mbrojtës të ri për Flick

    Ekipi i Barcelonës po planifikon të nënshkruajë një qendërmbrojtës të ri gjatë afatit kalimtar dimëror, i cili hapet zyrtarisht këtë javë. Mungesa afatgjatë e Andreas Christensen për shkak të këputjes së ligamentit të kryqëzuar, së bashku me pasigurinë që rrethon Ronald Araújon, ka lënë trajnerin Hansi Flick me pak alternativa në mbrojtjen qendrore.

    Gjetja e një lojtari të ri në janar nuk do të jetë e lehtë. Ekipi katalanas mund të mbulojë deri në 80% të pagës së Christensen për të sjellë një zëvendësues, por shumica e klubeve nuk janë të gatshme të shesin lojtarët kryesorë gjatë sezonit, përveçse për një shumë të konsiderueshme, diçka që katalanasit nuk mund ta përballojnë.

    Për këtë arsye, klubi po shqyrton opsione më të arritshme. Sipas raportimeve të mediumit MD, tre mbrojtës janë në radar dhe aktualisht luajnë në Serie A.

    Bëhet fjalë për: Stefan de Vrij të Interit, Koni De Winter të Milanit dhe Juan Jesus të Napolit. Të tre kanë pasur role të kufizuara te klubet e tyre, gjë që mund të lehtësojë një marrëveshje të favorshme me Barcelonën.

    Përveç përforcimit afatshkurtër, Barcelona po monitoron edhe opsionet e ardhshme, si Luka Vušković. 18-vjeçari ka shfaqur formë të shkëlqyer me Hamburgun këtë sezon, megjithatë një marrëveshje me Tottenham Hotspur, klubin e tij aktual, mund të rezultojë e vështirë.

    Ky sezon ka nxjerrë në pah dobësitë në mbrojtje, të cilat më parë ishin më pak të dukshme me Iñigo Martínez në skuadër dhe është thelbësore që Barcelona të sigurojë një përforcim gjatë afatit dimëror dhe përgjegjësia bie mbi drejtorin sportiv Deco për të zgjedhur opsionin më të përshtatshëm.

    Pasojat e zgjedhjeve të ardhshme do të jenë vendimtare për stabilitetin e skuadrës së Flick gjatë pjesës së mbetur të sezonit. /ATVLIVE.TV

  • Berisha pas triumfit në Superkupë: “Dëshiroj më shumë minuta”

    Berisha pas triumfit në Superkupë: “Dëshiroj më shumë minuta”

    Sulmuesi, Bernard Berisha, zhvilloi një paraqitje pozitive me Dinamon në fitoren e Superkupës ndaj Egnatias në Shqipëri me rezultat 3-1.

    Anësori 34-vjeçar e nisi ndeshjen si titullar dhe tregoi një nivel të lartë loje. Pas përfundimit të takimit, ai foli për mediat, ku dha edhe një sinjal të qartë për trajnerin Ilir Daja në lidhje me minutazhin e tij.

    “Është një ndjenjë shumë e bukur të rikthehesh në Shqipëri dhe të fitosh një trofe. Dua ta falënderoj gjithë ekipin për angazhimin dhe shpresoj të vazhdojmë kështu,” u shpreh Berisha.

    Ai pranoi se dëmtimet dhe gjendja fizike kanë ndikuar në aktivizimin e tij gjatë gjysmës së sezonit. “Dëmtimi dhe forma fizike kanë ndikuar në rendimentin tim. Dëshiroj të kem edhe më shumë minuta në fushë,” shtoi ai.

    Berisha theksoi se, pavarësisht minutazhit të kufizuar në disa ndeshje, trofeu mbetet më i rëndësishmi. “Pas ndeshjes me Elbasanin nuk kam pasur shumë minuta, por kjo ka pak rëndësi kur fiton një trofe. Puna e madhe që po bëhet te Dinamo duhet të reflektohet në fushë, ashtu si sot,” përfundoi sulmuesi.

  • “Zeppetta”, arma sekrete që po e bën Zhegrovën unik në futbollin italian

    “Zeppetta”, arma sekrete që po e bën Zhegrovën unik në futbollin italian

    Deri më tani, askush nuk ka arritur ta përkufizojë plotësisht stilin e lojës që e bën Edon Zhegrovën kaq të veçantë në botën e futbollit.

    Sipas prestigjiozes italiane La Gazzetta dello Sport, dallimi kryesor i yllit kosovar qëndron te mënyra se si ai e prek topin – një detaj i vogël në pamje të parë, por vendimtar në efekt, që e veçon nga lojtarët e tjerë.

    Zhegrova shquhet për teknikën e tij jashtëzakonisht të rafinuar, kontrollin e topit në hapësira të ngushta dhe aftësinë për ta mposhtur kundërshtarin me një veprim të vetëm. Pikërisht ky stil unik ka bërë që trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, t’i vendosë një nofkë të veçantë, të lidhur drejtpërdrejt me mënyrën e tij të lojës.

    “Kam lindur me këtë aftësi,” ka deklaruar Zhegrova pas ndeshjes ndaj Pisan. “Trajneri më quajti ‘Zeppetta’. E falënderoj që më dha këtë emër.”

    Termi “Zeppetta” nuk është i zakonshëm në fjalorin futbollistik italian, por përshkruan në mënyrë perfekte driblimet karakteristike të Zhegrovës, lëvizjet e shpejta dhe të paparashikueshme që thyejnë linjat mbrojtëse dhe krijojnë epërsi numerike për skuadrën.

    Spalletti e ka vlerësuar vazhdimisht Zhegrovën si një lojtar vendimtar, të aftë për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes me një prekje të vetme.

    Dhe pikërisht “Zeppetta”, kjo mënyrë e veçantë e trajtimit të topit, është ajo që po e shndërron Edon Zhegrovën në një nga emrat më interesantë dhe më të respektuar në futbollin italian. /ATVLIVE.TV

  • Pushim i veçantë për Korenicën, futbollisti fejohet

    Pushim i veçantë për Korenicën, futbollisti fejohet

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, e ka shfrytëzuar në mënyrën më të bukur pushimin dimëror.

    Mesfushori rahovecas ka gjetur partneren e jetës dhe është fejuar.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Korenica duke e bërë publike lidhjen e tij dhe duke zbuluar se e fejuara e tij quhet Fjolla Haska.

    Aktualisht, Korenica është pjesë e skuadrës së Clujit në Rumani, ndërsa afati kalimtar i janarit mund të sjellë zhvillime të reja rreth së ardhmes së tij sportive. /ATVLIVE.TV

  • Palladino mbron Gjimshitin pas humbjes ndaj Interit: “Janë gabime që ndodhin”

    Palladino mbron Gjimshitin pas humbjes ndaj Interit: “Janë gabime që ndodhin”

    Berat Gjimshiti ishte protagonist negativ në ndeshjen ndaj Interit, duke gabuar në aksionin që i dha kundërshtarëve golin e fitores. Goli i vetëm i takimit që u shënua në minutën e 65-të, kur Lautaro Martinez përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë.

    Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Atalantës, Raffaele Palladino, doli në mbrojtje të mbrojtësit shqiptar, duke theksuar se bëhet fjalë për një episod të izoluar.

    “Në fund të ndeshjes e përqafova Gjimshitin, sepse ai zakonisht nuk bën gabime të tilla. Janë situata që ndodhin në futboll dhe nuk mund ta fajësoj për këtë,” deklaroi trajneri.

    Tekniku i Atalantës pranoi gjithashtu se skuadra e tij nuk ishte mjaftueshëm e saktë në fazën përfundimtare. “Kemi gabuar në zgjedhjet tona në momentet vendimtare. Patëm disa raste, si ai i Samardziçit, por kundër skuadrave si Interi duhet t’i shfrytëzosh, sepse nuk të japin shumë mundësi,” përfundoi trajneri.

    Golin e vetëm të këtij dueli e shënoi Lautaro Martinez, falë një aksioni që “lindi” prej gabimit të Berat Gjimshitit. Ndërkohë që mbrojtësi shqiptar ka reaguar sot në rrjetet sociale, duke kërkuar falje.

    “U kërkoj falje të gjithë shokëve të ekipit dhe tifozëve për gabimin që ndryshoi lojën. Përpara Atalanta në çdo situatë”, shkruan Berat Gjimshiti në rrjetet sociale. /ATVLIVE.TV

  • Cluj synon Etnik Brrutin, Malisheva vendos çmimin

    Cluj synon Etnik Brrutin, Malisheva vendos çmimin

    Klubi rumun Cluj ka shprehur interes konkret për transferimin e mesfushorit Etnik Brruti, të cilin e sheh si pasues të Lindon Emërllahut, i transferuar ditë më parë te ekipi Polissya në Ukrainë për shumën prej 2 milionë eurosh.

    Megjithatë, Malisheva nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë talentin 21-vjeçar. Klubi kosovar kërkon të paktën 800 mijë euro për kartonin e Brrutit, ndërsa synon të mbajë edhe 15 për qind të përfitimit nga një rishitje e mundshme në të ardhmen.

    Kontrata e mesfushorit me Malishevën është e vlefshme deri në qershor të vitit 2026, çka e detyron klubin të negociojë me kujdes për të mos rrezikuar largimin e tij pa kompensim financiar.

    Brruti ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes në arenën ndërkombëtare, pasi disa muaj më parë vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, duke u ndarë nga Kosova U21, me të cilën ishte aktiv më herët.

    Në këtë sezon, 21-vjeçari është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të Malishevës, duke realizuar katër gola dhe duke asistuar në tre të tjerë në 17 paraqitje zyrtare. /ATVLIVE.TV

  • Edinson Cavani i thotë lamtumirë futbollit

    Edinson Cavani i thotë lamtumirë futbollit

    Futbollisti legjendar uruguaian Edinson Cavani ka vendosur të mbyllë kapitullin e karrierës së tij të pasur, duke u tërhequr nga futbolli aktiv në moshën 38-vjeçare.

    Vendimi u bë publik gjatë pushimit të kampionatit argjentinas, që zhvillohet nga 7 dhjetori deri në fund të janarit, periudhë në të cilën Cavani ndau edhe mesazhin e tij prekës të lamtumirës.

    “Nëpërmjet futbollit u formova si njeri. Më sfidoi, më mësoi të ringrihem pas çdo rrëzimi dhe të vlerësoj çdo hap të rrugëtimit. Falë tij realizova ëndrra që dikur më dukeshin të paarritshme dhe njohja njerëz të jashtëzakonshëm,” shkroi Cavani.

    Ai falënderoi familjen, miqtë, shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët, duke theksuar se dashuria e tyre do ta shoqërojë përgjithmonë. “Po largohem i qetë, i bindur se kam dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje, gjithmonë me respekt për këtë profesion,” shtoi ai.

    I njohur me nofkën “El Matador”, Cavani, këto dy vite e gjysmë të fundit luajti me Boca Juniors, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me klube si PSG, Napoli, Palermo dhe Manchester United.

    Me Paris Saint-Germain ai zhvilloi 301 ndeshje dhe realizoi 200 gola, ndërsa me Napolin shënoi 104 gola në 138 paraqitje. Me kombëtaren e Uruguait, Cavani numëron 136 ndeshje dhe 58 gola, duke u renditur mes figurave më të mëdha të historisë së futbollit uruguaian. /ATVLIVE.TV

  • Mërgim Vojvoda asiston në supergolin e Nico Paz kundër Lecces

    Mërgim Vojvoda asiston në supergolin e Nico Paz kundër Lecces

    Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës po bën paraqitje të shkëlqyer me Comon në elitën e futbollit italian.

    Vojvoda asistoi tek Nico Paz,ku ky i fundit shënoi një supergol për golin e epërsinë së Comos në 1:0.

    Përndryshe ky asistim mund t’i ndihmojë yllit dardan në ndeshjet e rradhës të Comos,ku synon që të fitoj vendin e titullarit tek ekipi italian,e cila po suprizon të gjithë në këtë sezon në Serie A.

    Kujtojmë që Mërgim Vojvoda ka 14 paraqitje në të gjitha garat për Comon,ku ka realizuar vetëm një gol nën drejtimin e trajnerit spanjoll Cesc Fabregas.