ATV

Category: SPORT

  • Real Madridi zbulon listën për Interin, rikthehen tre futbollistë

    Real Madridi zbulon listën për Interin, rikthehen tre futbollistë

    Real Madridi ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për supersfidën e sontme ndaj Interit në Ligën e Kampionëve.

    “Los Blancos” do ta presin skuadrën italiane në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e parë të fazës së ligës, e cila nis nga ora 21:00.

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vendosur të përfshijë në skuadër edhe disa futbollistë që janë rikthyer pas lëndimeve. Thiago Pitarch, Aurelien Tchouameni dhe Endrick janë sërish në dispozicion, pasi kanë lënë pas problemet fizike që i kishin mbajtur jashtë që nga faza përgatitore.

    Megjithatë, madrilenët vazhdojnë të kenë një listë të gjatë mungesash. Eder Militao, Ferland Mendy, Rodrygo Goes dhe Raul Asencio janë jashtë për shkak të lëndimeve, ndërsa Eduardo Camavinga, Bernardo Silva dhe Arda Guler nuk do të jenë të gatshëm për shkak të pezullimeve.

    Për të plotësuar grupin, Mourinho ka marrë sërish lojtarë nga Castilla. Në listën e të grumbulluarve janë përfshirë edhe portierët Sergio Mestre dhe Javi Navarro, mbrojtësi Mario Rivas dhe mesfushori Cestero.

    Real Madridi synon ta nisë aventurën evropiane me fitore, por përballë do të ketë një Inter që vjen në Madrid me të njëjtin objektiv: tri pikët.

  • Nis Liga e Kampionëve, nata e parë sjell përballje të mëdha

    Nis Liga e Kampionëve, nata e parë sjell përballje të mëdha

    Janë bërë të ditur pesë klubet që do të garojnë për çmimin prestigjioz “Klubi i Vitit për Meshkuj 2026”, një nga kategoritë e rëndësishme të ceremonisë së organizuar nga France Football.

    Në listën e të nominuarve janë Arsenali, Bayern Munich, Bodo/Glimt, Flamengo dhe Paris Saint-Germain, skuadra që lanë gjurmë gjatë sezonit të kaluar, secila me paraqitje dhe rezultate të veçanta.

    Arsenali riktheu titullin e Ligës Premier në vitrinën e klubit pas një pritjeje prej 22 vitesh. Skuadra londineze ishte shumë pranë edhe triumfit në Ligën e Kampionëve, por në finale u mposht nga PSG-ja pas ekzekutimit të penalltive.

    Bayern Munich pati një sezon të jashtëzakonshëm në Gjermani nën drejtimin e Vincent Kompany. Bavarezët humbën vetëm një ndeshje në Bundesligë dhe dhuruan disa përballje spektakolare në Evropë, përfshirë sfidat ndaj PSG-së, Real Madridit dhe Atalantës.

    Surprizën më të madhe e përfaqëson Bodo/Glimt. Klubi norvegjez befasoi Evropën duke triumfuar ndaj emrave të mëdhenj si Atletico Madrid, Manchester City dhe Inter, duke siguruar një vend në fazën e eliminimit direkt.

    Në anën tjetër, Flamengo pati një sezon të suksesshëm në Amerikën e Jugut, duke fituar dy trofe të rëndësishëm nën drejtimin e Filipe Luis, përfshirë Copa Libertadores dhe kampionatin brazilian.

    Në garë është edhe Paris Saint-Germain. Kampionët francezë dominuan në Ligue 1 dhe arritën suksesin më të madh në Evropë, duke fituar Ligën e Kampionëve pas fitores ndaj Arsenalit në finale.

    Fituesi i çmimit do të mësohet më 26 tetor 2026, gjatë ceremonisë së “Ballon d’Or”, e cila do të mbahet në Londër të Anglisë.

  • Superliga vazhdon sot me dy ndeshje, Drenica pret Prishtinën, Llapi përballet me Vushtrrinë

    Superliga vazhdon sot me dy ndeshje, Drenica pret Prishtinën, Llapi përballet me Vushtrrinë

    Java e pestë e Albi Mall Superligës së Kosovës sjell sot, të martën, dy përballje që pritet të prodhojnë emocione dhe pikë të rëndësishme për skuadrat. Të dy takimet janë në program nga ora 16:00.

    Në Skenderaj, në stadiumin “Bajram Aliu”, Drenica do të përballet me Prishtinën në një duel ku vendasit kërkojnë fitoren e parë të sezonit, ndërsa mysafirët synojnë të vazhdojnë serinë pozitive.

    Prishtina e ka nisur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar tri fitore në tri ndeshjet e para. Skuadra kryeqytetase do të kërkojë të ruajë ritmin edhe në Skenderaj, por përballë do të ketë një Drenicë që llogarit fuqishëm në mbështetjen e tifozëve dhe faktorin e fushës.

    Në të njëjtën kohë, në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, Vushtrria do të përballet me Llapin.

    Kjo sfidë është veçanërisht e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi fillimi i sezonit ka qenë shumë i vështirë. Si Vushtrria, ashtu edhe Llapi kanë pësuar nga katër humbje në katër ndeshjet e para, ndaj përballja e sotme është një mundësi për të ndryshuar situatën dhe për të regjistruar pikët e para.

    Dy ndeshje, katër skuadra dhe një objektiv i përbashkët: të dalin nga fusha me pikë dhe të kthejnë sezonin në rrugën e duhur.

  • France Football zbulon finalistët për “Klubin e Vitit 2026”

    France Football zbulon finalistët për “Klubin e Vitit 2026”

    Janë bërë të ditur pesë klubet që do të garojnë për çmimin prestigjioz “Klubi i Vitit për Meshkuj 2026”, një nga kategoritë e rëndësishme të ceremonisë së organizuar nga France Football.

    Në listën e të nominuarve janë Arsenali, Bayern Munich, Bodo/Glimt, Flamengo dhe Paris Saint-Germain, skuadra që lanë gjurmë gjatë sezonit të kaluar, secila me paraqitje dhe rezultate të veçanta.

    Arsenali riktheu titullin e Ligës Premier në vitrinën e klubit pas një pritjeje prej 22 vitesh. Skuadra londineze ishte shumë pranë edhe triumfit në Ligën e Kampionëve, por në finale u mposht nga PSG-ja pas ekzekutimit të penalltive.

    Bayern Munich pati një sezon të jashtëzakonshëm në Gjermani nën drejtimin e Vincent Kompany. Bavarezët humbën vetëm një ndeshje në Bundesligë dhe dhuruan disa përballje spektakolare në Evropë, përfshirë sfidat ndaj PSG-së, Real Madridit dhe Atalantës.

    Surprizën më të madhe e përfaqëson Bodo/Glimt. Klubi norvegjez befasoi Evropën duke triumfuar ndaj emrave të mëdhenj si Atletico Madrid, Manchester City dhe Inter, duke siguruar një vend në fazën e eliminimit direkt.

    Në anën tjetër, Flamengo pati një sezon të suksesshëm në Amerikën e Jugut, duke fituar dy trofe të rëndësishëm nën drejtimin e Filipe Luis, përfshirë Copa Libertadores dhe kampionatin brazilian.

    Në garë është edhe Paris Saint-Germain. Kampionët francezë dominuan në Ligue 1 dhe arritën suksesin më të madh në Evropë, duke fituar Ligën e Kampionëve pas fitores ndaj Arsenalit në finale.

    Fituesi i çmimit do të mësohet më 26 tetor 2026, gjatë ceremonisë së “Ballon d’Or”, e cila do të mbahet në Londër të Anglisë.

  • E rëndë në Gjermani: Lojtari dyshohet se helmoi për vdekje shokun e skuadrës për një arsye tronditëse

    E rëndë në Gjermani: Lojtari dyshohet se helmoi për vdekje shokun e skuadrës për një arsye tronditëse

    Një futbollist 35-vjeçar në Gjermani, i identifikuar si Marius, është arrestuar nën dyshimin se ka helmuar në mënyrë fatale një shok skuadre gjatë një udhëtimi në fund të sezonit.

    Futbollisti, i cili luan për klubin amator TuS Rockenberg, dyshohet se helmoi fshehurazi një bashkëlojtar gjatë një udhëtimi të ekipit në Dresden, ku futbollistët kishin shkuar për të festuar përfundimin e sezonit.

    Gjatë udhëtimit, njëri prej lojtarëve, Philipp, papritmas filloi të ndihej keq. Pasi u kthye në shtëpi, gjendja e tij u përkeqësua dhe familja e tij thirri ambulancën.

    Philipp u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë të nesërmen, më 16 qershor 2025, në moshën 30-vjeçare, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar.

    Fillimisht, familja e viktimës besonte se ai ishte prekur nga një helmim i rëndë ushqimor, pasi gjatë udhëtimit ekipi kishte konsumuar peshk.

    Megjithatë, hetimet e mëvonshme zbuluan se shkaku i vdekjes së Philippit ishte dështimi i shumëfishtë i organeve, i shkaktuar nga helmimi.

    Gjatë hetimit, Marius u identifikua si i dyshuari kryesor.

    “Ne supozojmë se bëhet fjalë për një akt hakmarrjeje”, deklaroi prokurori i lartë Thomas Hauburger për mediat lokale, duke shtuar se dyshohet që motivi i hakmarrjes lidhej me një vajzë.

    “Jemi të gjithë të befasuar dhe të tronditur. Askush nuk e priste këtë. Shpresojmë që policia të jetë në gjendje të zbardhë plotësisht atë që ka ndodhur”, tha Manuel Barufe, drejtuesi i departamentit të futbollit të TuS Rockenberg, në një deklaratë për mediat lokale.

  • UEFA ndryshon rregullat në UCL, Gjyqtari në qendër, VAR-i me më pak ndërhyrje

    UEFA ndryshon rregullat në UCL, Gjyqtari në qendër, VAR-i me më pak ndërhyrje

    Liga e Kampionëve rikthehet me ndryshime të rëndësishme në gjykimin e ndeshjeve dhe përdorimin e VAR-it.

    UEFA ka prezantuar direktiva të reja, duke rikthyer gjyqtarin kryesor në qendër të vendimmarrjes. Sipas shefit të gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Rosetti, vendimet duhet të merren fillimisht në fushë, ndërsa VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm kur ka një gabim të qartë dhe të rëndësishëm.

    Një tjetër objektiv është që kontrollet e VAR-it të jenë më të shpejta dhe të mos shkaktojnë vonesa të panevojshme. Teknologjia mund të përdoret edhe për korrigjimin e identitetit të lojtarit të ndëshkuar gabimisht, ndërsa në raste të caktuara mund të rishikohet edhe një karton i dytë i verdhë i dhënë gabimisht.

    VAR-i mund të ndërhyjë gjithashtu për faulle pa top, nëse ato ndikojnë drejtpërdrejt në një gol, penallti apo vendim tjetër të rëndësishëm.

    UEFA kërkon më shumë uniformitet edhe në rastet e prekjeve me dorë në zonë, për të shmangur interpretime të ndryshme.

    Ndryshime ka edhe në ritmin e lojës. Lojtarët që zëvendësohen duhet të largohen nga fusha brenda 10 sekondash, ndërsa vonesat në rivëniet nga porta apo goditjet e këndit mund të sjellin ndëshkime dhe ndryshim të zotërimit.

    Ndërkohë, UEFA nuk do të aplikojë automatikisht “ligjin Prestianni” për mbulimin e gojës gjatë komunikimit. Por sjellja antisportive mund të ndëshkohet.

    Në fund, vetëm kapiteni pritet të komunikojë me gjyqtarin për vendimet, ndërsa protestat e lojtarëve të tjerë mund të ndëshkohen me karton të verdhë.

    Mesazhi i UEFA-s për sezonin e ri është i qartë: më shumë autoritet për gjyqtarin në fushë dhe një VAR që korrigjon gabimet, por nuk merr kontrollin e ndeshjes.

  • Një minutë heshtje para çdo ndeshjeje në Ligën e Kampionëve, UEFA zbulon arsyen

    Një minutë heshtje para çdo ndeshjeje në Ligën e Kampionëve, UEFA zbulon arsyen

    UEFA ka konfirmuar se të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohen këtë javë do të nisin me një minutë heshtje në nderim të viktimave dhe personave të prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet shkatërruese të dheut në Nepal.

    Organizata qeverisëse e futbollit evropian do të vendosë gjithashtu një baner solidariteti brenda stadiumeve gjatë ndeshjeve, si shenjë mbështetjeje për viktimat dhe komunitetet e prekura nga kjo tragjedi.

    Homazhi do të zhvillohet në kuadër të nisjes së sezonit 2026/27 të Ligës së Kampionëve, i cili fillon të martën, më 8 shtator.

    Xhiroja hapëse përfshin 36 skuadra dhe gjithsej 18 ndeshje gjatë kësaj jave, duke shënuar fillimin e fazës së ligës.

    Edhe pse vëmendja do të jetë e përqendruar te rikthimi i kompeticionit më prestigjioz evropian për klube, iniciativa e UEFA-s do të sigurojë që viktimat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve vdekjeprurëse të dheut në Nepal të kujtohen gjatë javës hapëse të Ligës së Kampionëve.

    UEFA do t’u bëjë homazhe viktimave para secilës prej 18 ndeshjeve të kësaj jave. Para çdo sfide do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa në stadiume do të shfaqet edhe një baner në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje.

    “Para të gjitha ndeshjeve të Ligës së Kampionëve që do të zhvillohen këtë javë do të mbahet një minutë heshtje dhe do të shfaqet një baner në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje”, thuhet në njoftimin e UEFA-s./

  • Prishtina 2030 tashmë ka identitetin e saj, historia dhe tradita fshihen pas logos së re

    Prishtina 2030 tashmë ka identitetin e saj, historia dhe tradita fshihen pas logos së re

    Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” tashmë kanë edhe simbolin e tyre zyrtar. Logoja, e krijuar nga dizajneri Dardan Luta, do të jetë një prej elementeve kryesore të identitetit të Kosovës gjatë organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

    Logoja u prezantua në Taranto, gjatë ceremonisë përmbyllëse të Lojërave Mesdhetare 2026, në një moment simbolik kur Kosova mori zyrtarisht stafetën për organizimin e edicionit të vitit 2030.

    Në pamje të parë, dizajni duket minimalist dhe i thjeshtë, por pas formave të tij fshihen disa referenca të lidhura ngushtë me Prishtinën, kulturën dhe historinë e Kosovës.

    Elementi qendror është vetë numri “2030”. Forma e tij e përmbysur është konceptuar si një referencë ndaj Hyjneshës në Fron, një prej simboleve më të njohura të kryeqytetit.

    Edhe numrat 2 dhe 3 kanë një funksion të dyfishtë. Përmes mënyrës se si janë vendosur, ato krijojnë forma që të kujtojnë shkronjat “P” dhe “R”, duke iu referuar drejtpërdrejt emrit të Prishtinës.

    Në dy zerot e logos është integruar një tjetër element i trashëgimisë shqiptare. Format e tyre janë frymëzuar nga motivet tradicionale të qilimave shqiptarë, duke i dhënë dizajnit një karakter të veçantë kulturor.

    Jo më pak domethënëse është edhe tipografia. Ajo është bazuar në anatominë e alfabetit latin-romak të zbuluar në Ulpianë, duke krijuar një lidhje mes identitetit modern të Lojërave dhe historisë së lashtë të Kosovës e Dardanisë.

    Kështu, një simbol në dukje minimalist është ndërtuar mbi disa shtresa kuptimore: Prishtina, trashëgimia kulturore, historia dhe sporti janë ndërthurur në një identitet të vetëm vizual.

    Kjo ishte edhe një prej kërkesave kryesore të konkursit për krijimin e logos, e cila duhej të ishte origjinale, e qartë, e dallueshme, lehtësisht e mbajtshme në mend dhe funksionale në madhësi e formate të ndryshme.

    Logoja është konceptuar për t’u përdorur shumë përtej materialeve promocionale. Ajo do të shfaqet në fanella, stadiume, dokumente zyrtare, materiale reklamuese, transport dhe hapësira publike, si dhe në qytetet ku do të zhvillohen garat e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Një tjetër veçori e këtij identiteti është pritja e parë publike. Krahasuar me disa projekte të mëparshme të identitetit vizual në Kosovë, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta, logoja e “Prishtina 2030” është pritur dukshëm më pozitivisht.

    Ndoshta pikërisht sepse arrin të bëjë një kompromis mes modernes dhe tradicionales: vizualisht është e pastër dhe bashkëkohore, ndërsa në përmbajtje bart simbole që lidhen me Prishtinën, kulturën shqiptare dhe historinë e Kosovës.

    Në fund, logoja e Dardan Lutës nuk është thjesht një kombinim numrash për të shënuar vitin 2030. Ajo është konceptuar si një rrëfim vizual për qytetin dhe vendin që do të presë Lojërat Mesdhetare – një identitet që synon ta përfaqësojë Kosovën para mijëra sportistëve dhe miliona shikuesve nga rajoni e më gjerë.

    Prishtina 2030 kështu nuk ka marrë vetëm një logo, por një simbol që synon ta tregojë historinë e saj në një gjuhë moderne.

  • Fury trondit me deklaratën për Joshuan: Po tërhiqet, më pas sfidon Usykun

    Fury trondit me deklaratën për Joshuan: Po tërhiqet, më pas sfidon Usykun

    Tyson Fury ka hedhur benzinë mbi një prej dueleve më të shumëpritura të boksit, duke pretenduar se Anthony Joshua po tërhiqet nga përballja e planifikuar mes dy yjeve britanikë.

    “Gypsy King” nuk u ndal me kaq. Nëse dueli me Joshuan nuk realizohet, Fury ka bërë të qartë se synimi i tij i radhës është Oleksandr Usyk, të cilin e ka sfiduar publikisht për një përballje të tretë.

    Fury dhe Joshua kanë qenë prej kohësh në bisedime për një duel mes dy ish-kampionëve të botës në peshat e rënda. Përballja është përfolur për muajin nëntor, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për vendin ku do të zhvillohet.

    Fury, i cili nuk e ka fshehur zhgënjimin për vonesat në finalizimin e marrëveshjes, kishte sulmuar Joshuan edhe javën e kaluar, duke e cilësuar atë si “frikacak”.

    Në një video të publikuar në Instagram, 38-vjeçari pretendoi se Joshua po i shmanget përballjes dhe menjëherë e ktheu vëmendjen te rivali i tij ukrainas.

    “E gjithë kjo vetëm do të më çojë drejt një përballjeje me Oleksandr Usykun. Oleksandr, ti je trajneri dhe mentori i tij. E di se ai ka mentalitet të dobët dhe nuk do të përballej kurrë me ‘Gypsy King’, ndërsa ti ke pasur guximin të luftosh me mua dy herë”, deklaroi Fury.

    Britaniku më pas iu referua dy humbjeve të tij ndaj Usykut dhe i bëri ukrainasit një ftesë të drejtpërdrejtë për një trilogji.

    “Herën e fundit vendimet ishin në favorin tënd. Të lumtë. Të uroj fat dhe le ta bëjmë përsëri. Le ta përsërisim në nëntor”.

    “Topi është në fushën tënde. A dëshiron të luftosh me mua këtë vit, në 2026, apo po e lë fare? Më njofto, sepse tani jam duke kërkuar një kundërshtar të ri”, shtoi ai.

    Fury është mposhtur dy herë nga Usyk, i cili gjatë karrierës së tij ka arritur të shpallet dy herë kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e peshave të rënda.

    Në anën tjetër, Joshua së fundmi ka punuar me ekipin ukrainas të stërvitjes që ka bashkëpunuar edhe me Usykun, një detaj që e bën edhe më pikante deklaratën e Furyt.

    Sa i përket duelit Fury–Joshua, Madison Square Garden në New York është përmendur si një prej opsioneve kryesore për organizimin e tij. Megjithatë, kampi i Joshuas preferon që përballja të zhvillohet në Wembley Stadium.

    Kompania saudite Sela, e cila raportohet se po financon eventin, së bashku me transmetuesin Netflix, thuhet se favorizojnë zhvillimin e duelit në Shtetet e Bashkuara.

    Tani vëmendja është kthyer te negociatat. Nëse Fury–Joshua merr dritën jeshile për nëntor, fansat do të shohin më në fund një duel që është kërkuar prej vitesh. Në të kundërt, “Gypsy King” tashmë e ka bërë të qartë alternativën e tij: një kapitull të tretë me Usykun.

  • Rahoveci 029 merr dritën jeshile për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026

    Rahoveci 029 merr dritën jeshile për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026

    Federata e Basketbollit të Kosovës ka miratuar me kusht aplikimin e KB Rahoveci 029 për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026.

    Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, edicioni i ardhshëm i kësaj gare do të zhvillohet në palestrën sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Megjithatë, për organizimin e eventit, klubi rahovecian duhet të përmbushë një sërë kriteresh të përcaktuara nga Federata. Rahoveci 029 është obliguar të garantojë përmbushjen e kërkesave organizative, teknike dhe të sigurisë, si dhe të gjitha detyrimet financiare që burojnë nga organizimi i Superkupës.

    Një çështje tjetër që do të rregullohet me marrëveshje është administrimi dhe destinimi i të hyrave nga shitja online e biletave. Këto detaje do të përcaktohen në kontratën që do të nënshkruhet ndërmjet FBK-së dhe klubit organizator.

    Në kuadër të vendimit, Bordi i Federatës ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të FBK-së që të lidhë kontratën për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026 me KB Rahoveci 029.

    Kështu, Rahoveci pritet të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të basketbollit kosovar në vitin 2026.