ATV

Category: Sport

  • Nis sezoni i ri në NBA, Lakers shkëlqejnë ndaj Golden State

    Nis sezoni i ri në NBA, Lakers shkëlqejnë ndaj Golden State

    Los Angeles Lakers e kanë nisur sezonin e ri të NBA-së me një fitore bindëse, duke mposhtur Golden State Warriors me rezultat 127-105. Skuadra nga Los Angeles dominoi në parket, ndërsa Luka Doncic ishte lideri i vendasve me 28 pikë.

    Stephen Curry realizoi 23 pikë për Warriors, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Në anën tjetër, Lakers u mbështetën në kontributin e disa lojtarëve, të cilët së bashku realizuan 77 pikë.

    Një tjetër rezultat befasues u regjistrua në përballjen mes Miami Heat dhe Minnesota Timberëolves, ku mysafirët triumfuan me shifrat 131-106.

    Anthony Edwards ishte protagonisti kryesor i Minnesota-s, duke realizuar 42 pikë dhe duke regjistruar 10 kërcime. Përkundër 35 pikëve të Giannis Antetokounmpo për vendasit, Miami nuk arriti të rivalizonte deri në fund.

    Fitore bindëse shënoi edhe Toronto Raptors, që mposhti Chicago Bulls me rezultat të thellë 135-92.

    Leonard, Barnes dhe Quickley kontribuan me nga 23 pikë secili, duke udhëhequr skuadrën kanadeze drejt triumfit.

    Derisa te skuadra humbëse, u dallua Caleb Wilson me 16 pikë e katër kkërcime.

    Ndërkohë, Los Angeles Clippers nuk i lanë shumë hapësirë Sacramento Kings, duke fituar me rezultat 121-96.

    Darius Garland shkëlqeu në këtë takim me 30 pikë të realizuara.

    Sa i përket Kings, Zach LaVine, kishte paraqitje të mirë me 28 pikë, 4 kërcimee po aq asistime, mirëpo nuk mundi ta evidentonte humbjen.

  • Harry Kane në ndjekje të rekordit historik të Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve

    Harry Kane në ndjekje të rekordit historik të Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve

    Harry Kane po i afrohet një arritjeje madhështore në Ligën e Kampionëve, duke kërcënuar një nga rekordet më të veçanta të Cristiano Ronaldos në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

    Sulmuesit të Bayern Munichut i duhet vetëm edhe një ndeshje me gol për të barazuar rekordin e yllit portugez, i cili kishte arritur të shënonte në 11 ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve gjatë periudhës së tij te Real Madridi.

    Kapiteni i Anglisë po dëshmon edhe këtë sezon se mbetet një nga sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin evropian. Sezonin 2026/27, ai e ka nisur me shifra mbresëlënëse, duke regjistruar 16 gola dhe tetë asistime në 15 paraqitje në të gjitha garat.

    Forma e tij e jashtëzakonshme e ka vendosur në prag të një rekordi që për vite me radhë është mbajtur nga Cristiano Ronaldo, një prej golashënuesve më të mëdhenj në historinë e Ligës së Kampionëve.

    Nëse Kane arrin të gjejë rrugën drejt rrjetës edhe në paraqitjen e ardhshme në këtë kompeticion, ai do të barazojë serinë prej 11 ndeshjesh radhazi me gol, të realizuar nga Ronaldo me fanellën e Real Madridit.

    Për sulmuesin anglez, ky do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa Bayern Munichu vazhdon të mbështetet te instinkti i tij para portës për të synuar suksese në arenën evropiane.

    Tashmë, vëmendja do të jetë te ndeshja e ardhshme e bavarezëve, ku Kane do të ketë mundësinë të barazojë një rekord që mban firmën e një prej legjendave më të mëdha të futbollit botëror.

  • Lionel Scaloni drejt rinovimit me Argjentinën, synimi mbetet Botërori 2030

    Lionel Scaloni drejt rinovimit me Argjentinën, synimi mbetet Botërori 2030

    Lionel Scaloni ka dhënë dritën e gjelbër për vazhdimin e aventurës së tij në krye të kombëtares së Argjentinës, pasi ka arritur marrëveshje me Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA) për një kontratë të re deri në përfundim të Kupës së Botës 2030.

    Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano, përzgjedhësi i kampionëve të botës ka pranuar ofertën e paraqitur nga federata në muajin shtator. Tashmë, palët pritet të finalizojnë detajet e fundit përpara nënshkrimit të marrëveshjes së re.

    Kontrata aktuale e Scalonit skadon në dhjetor të vitit 2026, por ky zhvillim pritet t’i japë fund paqartësive rreth së ardhmes së tij dhe të sigurojë vazhdimësinë e projektit të nisur me “Albiceleste”.

    Që nga marrja e drejtimit të kombëtares, Scaloni ka ndërtuar një skuadër fituese, duke e rikthyer Argjentinën në majën e futbollit botëror.

    Nën udhëheqjen e tij, argjentinasit triumfuan në Kupën e Amerikës më 2021, fituan Kupën e Botës në Katar më 2022 dhe e konfirmuan dominimin kontinental me një tjetër sukses në Kupën e Amerikës më 2024.

    Këto arritje e kanë shndërruar Scalonin në një nga figurat më të rëndësishme të futbollit argjentinas, ndërsa vazhdimi i bashkëpunimit me AFA-në do t’i mundësojë atij të punojë me të njëjtin projekt edhe në vitet e ardhshme.

    Me synimin për të mbrojtur statusin e saj si një nga kombëtaret më të forta në botë, Argjentina pritet të vazhdojë përgatitjet për sfidat e ardhshme nën drejtimin e trajnerit që i riktheu trofetë më të mëdhenj.

    Nëse marrëveshja zyrtarizohet, Scaloni do të ketë mundësinë ta udhëheqë Argjentinën edhe në Botërorin e vitit 2030, me synimin për të vazhduar një cikël që tashmë ka hyrë në historinë e futbollit.

  • Alarm te Barcelona, Dani Olmo rrezikon të mungojë në El Clasico

    Alarm te Barcelona, Dani Olmo rrezikon të mungojë në El Clasico

    Barcelona mund të përballet me një mungesë të rëndësishme në prag të El Clasicos ndaj Real Madridit, pasi Dani Olmo ka pësuar një lëndim në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit dhe rrezikon të mos jetë i gatshëm për sfidën e së dielës.

    Sipas mediumit spanjoll AS, mesfushori ofensiv nuk pritet të rikuperohet në kohë për duelin e madh ndaj rivalit madrilen, duke i shtuar shqetësimet e trajnerit Hansi Flick në një moment të rëndësishëm të sezonit.

    Megjithatë, ende nuk ka një diagnozë përfundimtare për gjendjen e futbollistit. Ekzaminimet mjekësore pritet të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperimin e tij.

    Reprezentuesi spanjoll e nisi nga minuta e parë përballjen ndaj PSG-së, me Flickun që i besoi atij një vend në formacionin titullar, përpara Fermin Lopezit.

    Por paraqitja e tij përfundoi shumë shpejt. Pas një përplasjeje me mesfushorin e skuadrës franceze, Vitinha, Olmo u rrëzua në fushë dhe sinjalizoi se nuk mund të vazhdonte më lojën.

    Në vend të tij u aktivizua Fermin Lopez, ndërsa pamjet televizive shfaqën zhgënjimin e dukshëm të futbollistit të Barcelonës pas këtij incidenti.

    Sipas raportimit të AS, një rezonancë magnetike e planifikuar për të mërkurën në Barcelonë pritet të qartësojë natyrën e lëndimit dhe mundësitë e rikthimit të tij.

    Nëse ekzaminimet konfirmojnë një çarje muskulore, Olmo mund të qëndrojë jashtë fushave për katër deri në pesë javë.

    Një skenar i tillë do të ishte një goditje e ndjeshme për Barcelonën, e cila mund të humbasë shërbimet e një lojtari të rëndësishëm në një periudhë me ndeshje të shumta dhe sfida vendimtare.

    Për Hansi Flickun, shqetësimi kryesor tani është gjendja fizike e Olmos dhe mundësia për ta pasur atë në dispozicion për El Clasicon, një prej përballjeve më të rëndësishme të sezonit ndaj Real Madridit.

  • Ligën e Kampionëve vazhdon edhe sonte, Bayern Munich – Arsenal në qendër të vëmendjes

    Ligën e Kampionëve vazhdon edhe sonte, Bayern Munich – Arsenal në qendër të vëmendjes

    Liga e Kampionëve rikthehet sonte me një mbrëmje të mbushur me emocione, ku nëntë ndeshje janë në program dhe vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Bayern Munichut dhe Arsenalit, dy gjigantëve që synojnë të dëshmojnë forcën e tyre në skenën më të madhe të futbollit evropian.

    Aksioni nis nga ora 18:45, me dy përballje që premtojnë rivalitet. Como do të përballet me Manchester Unitedin, ndërsa Lille do të ketë përballë Galatasarayn. Skuadrat do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të përmirësuar pozitat e tyre dhe për të vazhduar me objektiva të qarta në garën evropiane.

    Vëmendja kryesore do të jetë në orën 21:00, kur Bayern Munichu dhe Arsenali zbresin në fushë për një përballje që pritet të jetë ndër më tërheqëset e mbrëmjes.

    Të dyja skuadrat kanë ambicie të mëdha në Ligën e Kampionëve dhe synojnë të marrin një rezultat të rëndësishëm. Me kualitetin që kanë në përbërjet e tyre, dueli pritet të vendoset nga detajet, organizimi taktik dhe shfrytëzimi i rasteve para portës kundërshtare.

    Një tjetër ndeshje që pritet të zgjojë interes është ajo mes Real Madridit dhe Leipzigut. Skuadra spanjolle, me historinë e saj të pasur në këtë garë, synon të vazhdojë rrugëtimin me sukses, ndërsa Leipzig do të kërkojë të prishë planet e madrilenëve.

    Programi i orës 21:00 sjell edhe disa përballje të tjera interesante. Aston Villa luan ndaj Vikingut, Club Brugge përballet me Lensin, ndërsa Interi pret Shakhtarin.

    Në ndeshjet e tjera, Real Betisi takohet me Feyenoordin, kurse Sporting Lisbona përballet me LASK-un.

    Me nëntë ndeshje në program dhe disa përballje mes skuadrave me ambicie të mëdha, tifozët e futbollit i pret një mbrëmje e pasur me aksion dhe emocione. Dueli Bayern Munich – Arsenal mbetet padyshim një nga sfidat që pritet të marrë vëmendjen më të madhe të kësaj nate evropiane.

  • Kosova ngjitet në renditjen e FIFA-s, “Dardanet” përparojnë në ranglistën botërore

    Kosova ngjitet në renditjen e FIFA-s, “Dardanet” përparojnë në ranglistën botërore

    Kombëtarja e Kosovës në futbollin e femrave ka shënuar përparim në renditjen më të fundit të FIFA-s, duke u ngjitur me dy pozita në ranglistën botërore.

    Në klasifikimin e ri, të publikuar të martën nga FIFA, përfaqësuesja kosovare renditet në vendin e 83-të, duke përmirësuar pozitën e saj krahasuar me ranglistën paraprake.

    ‘Dardanet’ kishin qenë në vendin e 81-të në muajin prill, por në përditësimin e publikuar më 16 qershor kishin pësuar rënie deri në pozitën e 85-të. Tashmë, Kosova ka rikuperuar dy vende në klasifikimin ndërkombëtar.

    Ky avancim vjen edhe pse përfaqësuesja kosovare u mposht në të dyja ndeshjet e plejofit kualifikues për Kupën e Botës ndaj Austrisë. Megjithatë, ndryshimet në renditje varen edhe nga rezultatet e kombëtareve të tjera dhe pikët e grumbulluara prej tyre.

    Pavarësisht triumfit në të dyja përballjet me Kosovën, Austria ka pësuar rënie prej dy pozitash në ranglistën e re. Ndërkohë, Shqipëria ka zbritur një vend dhe aktualisht renditet e 68-ta në botë.

    Sa i përket tri kombëtareve më të mira, Spanja vazhdon të kryesojë renditjen botërore, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.

    Për Kosovën, ngjitja në këtë klasifikim përbën një përmirësim në ranglistën ndërkombëtare, ndërsa ‘Dardanet’ synojnë të vazhdojnë me paraqitje pozitive në ndeshjet e ardhshme.

  • Alarm te PSG-ja, Kvaratskhelia pëson lëndim të rëndë dhe do të mungojë gjatë

    Alarm te PSG-ja, Kvaratskhelia pëson lëndim të rëndë dhe do të mungojë gjatë

    Paris Saint-Germaini ka marrë një lajm të hidhur pas fitores ndaj Barcelonës, pasi Khvicha Kvaratskhelia do të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave për shkak të një lëndimi serioz në gju.

    Kontrollet mjekësore kanë konfirmuar se sulmuesi gjeorgjian ka pësuar një çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e djathtë. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi parisien, i cili ka njoftuar se lojtari do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në ditët në vijim.

    Kvaratskhelia u lëndua gjatë përballjes së Ligës së Kampionëve, ku PSG-ja triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Barcelonës. Ai u detyrua të largohej nga loja në pjesën e dytë, ndërsa ekzaminimet e mëvonshme zbuluan natyrën e rëndë të dëmtimit.

    Për momentin, klubi nuk ka dhënë një afat të saktë për rikthimin e tij. Kohëzgjatja e mungesës pritet të përcaktohet pas operacionit dhe vlerësimit të procesit të rehabilitimit.

    Mungesa e yllit gjeorgjian përbën një goditje të madhe për kampionët francezë, të cilët humbasin një prej armëve të tyre më të rëndësishme në repartin ofensiv, në një periudhë vendimtare të sezonit.

    Vështirësitë për trajnerin e PSG-së nuk përfundojnë me Kvaratskhelian. Klubi ka bërë të ditur se edhe Ousmane Dembele do të vazhdojë trajtimin gjatë javëve të ardhshme, pas një dëmtimi muskulor në kofshën e majtë.

    Ndërkohë, edhe kapiteni Marquinhos do të jetë jashtë dispozicionit për një periudhë të caktuar, pasi pësoi një lëndim muskulor në kofshën e djathtë gjatë së njëjtës ndeshje ndaj Barcelonës.

    Kështu, PSG-ja përballet me një situatë shqetësuese në prag të sfidave të ardhshme, pasi disa prej lojtarëve të saj kryesorë do të mungojnë për shkak të dëmtimeve.

  • Prishtina 2030 në pikëpyetje, Qeveria e Kosovës pritet t’i përgjigjet urgjentisht ICMG-së

    Prishtina 2030 në pikëpyetje, Qeveria e Kosovës pritet t’i përgjigjet urgjentisht ICMG-së

    Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 po shoqërohen me zhvillime të reja, pas shqetësimeve të ngritura nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare lidhur me përmbushjen e obligimeve për organizimin e këtij eventi të madh sportiv.

    Sipas burimeve të KosovaPress-it, sot është mbajtur një takim urgjent mes ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës, ku në fokus kanë qenë vërejtjet e ICMG-së dhe hapat që duhet të ndërmerren për të çuar përpara projektin Prishtina 2030.

    Nga ky takim, sipas të njëjtave burime, është vendosur që Qeveria e Kosovës t’i dërgojë përgjigje institucionit ndërkombëtar deri nesër, të mërkurën, lidhur me çështjet e ngritura për procesin e përgatitjeve.

    Kjo situatë vjen pas publikimit të një letre të ICMG-së nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në të cilën janë paraqitur shqetësimet për përmbushjen e detyrimeve dhe aspektet financiare që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare.

    Ndërkohë, vëmendja pritet të zhvendoset te takimi i radhës i ICMG-së, i planifikuar për 19 dhjetor, ku do të diskutohet edhe për të ardhmen e këtij projekti në Kosovë.

    Përgjigjja e Qeverisë dhe masat që do të ndërmerren në ditët në vijim mund të jenë vendimtare për ecurinë e procesit, ndërsa organizimi i Prishtina 2030 mbetet përballë një momenti të rëndësishëm, në të cilin pritet të qartësohet rruga drejt realizimit të këtij eventi sportiv ndërkombëtar.

  • Ronaldo dhe Messi, dy superyjet që pritet të arkëtojnë së bashku 396 milionë euro në sezonin 2026/2027

    Ronaldo dhe Messi, dy superyjet që pritet të arkëtojnë së bashku 396 milionë euro në sezonin 2026/2027

    Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi vazhdojnë të dominojnë futbollin botëror, por gara mes dy legjendave nuk zhvillohet më vetëm për gola dhe trofe. Edhe jashtë fushës, dy superyjet mbeten në krye, me të ardhura që arrijnë shifra marramendëse.

    Sipas parashikimeve të Forbes për sezonin 2026/2027, Ronaldo pritet të arkëtojë rreth 267 milionë euro, duke u renditur si futbollisti më i paguar në botë.

    Pjesa dërrmuese e të ardhurave të portugezit vjen nga kontrata me Al Nassrin, rreth 222,5 milionë euro, ndërsa 44,5 milionë të tjera parashikohen nga sponsorët dhe bizneset e tij.

    Në vendin e dytë qëndron Lionel Messi, me të ardhura të pritshme prej 129 milionë eurosh. Argjentinasi pritet të përfitojë rreth 62,3 milionë euro nga angazhimi te Inter Miami, ndërsa 66,8 milionë euro nga marrëveshjet komerciale dhe aktivitetet jashtë futbollit.

    Ronaldo ka ndërtuar një perandori përmes markës CR7, që përfshin modën, parfumet dhe hotelet, si dhe investimeve në sektorë të tjerë. Messi, ndërkohë, vazhdon bashkëpunimet me marka të njohura ndërkombëtare dhe zgjerimin e interesave të tij në biznesin e futbollit.

    Së bashku, dy yjet pritet të fitojnë rreth 396 milionë euro gjatë sezonit, pothuajse gjysmën e të ardhurave të dhjetë futbollistëve më të paguar, të vlerësuara në rreth 838 milionë euro.

    Në këtë listë bëjnë pjesë edhe emra të gjeneratës së re, si Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal, të cilët po rrisin ndikimin e tyre financiar dhe tregtar.

    Megjithatë, këto shifra paraqesin të ardhurat e parashikuara për një sezon dhe jo pasurinë e përgjithshme të lojtarëve.

    Kështu, rivaliteti Ronaldo–Messi vazhdon edhe jashtë stadiumeve, ku suksesi matet jo vetëm me trofe, por edhe me fuqinë financiare dhe perandoritë që të dy kanë ndërtuar ndër vite.

  • UEFA i kërkon llogari FIFA-s për Infantinon, 42 pyetje dhe afat deri më 2 nëntor

    UEFA i kërkon llogari FIFA-s për Infantinon, 42 pyetje dhe afat deri më 2 nëntor

    UEFA ka shtuar presionin ndaj FIFA-s, duke kërkuar sqarime për një sërë vendimesh dhe çështjesh që lidhen me presidencën e Gianni Infantinos. Përmes një letre zyrtare, organi qeverisës i futbollit evropian i ka kërkuar FIFA-s përgjigje për 42 pyetje të ndara në 12 fusha, me afat deri më 2 nëntor.

    Sipas raportimeve të Sky Sports dhe mediave të tjera britanike, Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, ia ka drejtuar letrën homologut të tij në FIFA, Mattias Grafström, duke kërkuar që çështjet e ngritura të marrin përgjigje pa vonesa.

    Në letrën e tij, Theodoridis ka theksuar se UEFA pret sqarime të menjëhershme dhe se këto çështje nuk duhet të shtyhen për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s.

    “Këto pyetje kërkojnë përgjigje tani. Ato nuk mund të shtyhen deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s, dhe as reformat e ardhshme të qeverisjes nuk mund të zëvendësojnë shqyrtimin e vendimeve të marra tashmë dhe llogaridhënien për to”, thuhet në letrën e Theodoridis.

    Ndër çështjet që kërkojnë sqarime janë projekti FIFA Forward Enterprise (FFE), tashmë i braktisur, si dhe Çmimi i Paqes i FIFA-s. UEFA ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj Infantinos pas propozimit për krijimin e një kompanie që do të menaxhonte interesat komerciale të garave të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, me mundësinë e shitjes së një pjese të aksioneve te investitorët privatë.

    Përplasjet rreth këtij projekti kanë shtuar tensionet mes dy institucioneve, ndërsa kërkesa e fundit e UEFA-s tregon se organizata evropiane po insiston në transparencë dhe llogaridhënie për vendimet e marra nga udhëheqja e FIFA-s.

    Në anën tjetër, Infantino pritet të kandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, të planifikuara për mars të vitit 2027. Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 18 nëntor, çka e bën këtë periudhë veçanërisht të rëndësishme për të ardhmen e udhëheqjes së futbollit botëror.