ATV

Category: Sport

  • Sonte El Classico Barcelona-Real Madrid

    Sonte El Classico Barcelona-Real Madrid

    Barcelona e pret rivalin e përbetuar të dielën, nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së 10-të të La Ligës. Katalunasit kryesojnë tabelën me 27 pikë, ndërsa Real Madridi ka gjashtë pikë më pak.

    Skuadra e Flickut ka regjistruar nëntë fitore në nëntë ndeshjet e para të kampionatit dhe synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe në përballjen e madhe ndaj madrilenëve. Një fitore do t’i krijonte Barcelonës një epërsi prej nëntë pikësh ndaj rivalit të saj, duke e forcuar pozitën në krye të tabelës.

    Megjithatë, përballë do të ketë një Real Madrid të udhëhequr nga Kylian Mbappe, i cili ka realizuar 12 gola në 12 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

    Duke folur për mënyrën se si Barcelona do të përpiqet ta neutralizojë sulmuesin francez, Flick ka nënvizuar rëndësinë e organizimit taktik.

    “Për ne është i rëndësishëm pozicionimi në fushë kur nuk e kemi topin dhe kur e kemi posedimin. Nëse i bëjmë këto dyja, për mbrojtjen do të jetë më e lehtë. Kjo është ajo që duhet bërë”, ka deklaruar trajneri gjerman.

    Barcelona ka shënuar 50 gola në 12 ndeshje në të gjitha garat, por mbrojtja ka treguar disa dobësi, duke pranuar 15 gola. Katër prej tyre erdhën në humbjen ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.

    Përballë Real Madridit, Flicku do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Eric Garcia, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Dani Olmo nuk do të jenë në dispozicion të tij.

    Pavarësisht vështirësive, trajneri i Barcelonës e ka cilësuar “El Clasicon” si një ndeshje të veçantë, që tejkalon kufijtë e futbollit.

    “El Clasico është ndryshe. Është ndeshja më e mirë. E gjithë bota e sheh këtë ndeshje. Miliona njerëz, kultura e gjenerata janë të lidhura me të. Është e pabesueshme”, ka theksuar Flick.

    Në anën tjetër, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vlerësuar se një prej përparësive të Barcelonës është vazhdimësia e grupit të lojtarëve, të cilët kanë luajtur së bashku për disa vite, ndryshe nga madrilenët, që kanë pasur më shumë ndryshime në përbërje.

    Mourinho ka folur edhe për Lamine Yamalin, duke vlerësuar cilësitë e talentit të Barcelonës, por ka bërë të qartë se Real Madridi nuk do ta ndryshojë identitetin e lojës për t’u përshtatur me një kundërshtar të vetëm.

    “Po flasim për një skuadër me kualitete të larta, por nuk është problem. Yamali është lojtar shumë i mirë dhe lojtarët e mirë respektohen. Por, respekti ndaj dikujt është një gjë. Ndryshimi i planeve, strukturës apo dalja nga identiteti është diçka tjetër. Ne nuk do ta bëjmë atë, jo për atë, por për askënd”, ka deklaruar Mourinho.

    Historia e përballjeve mes dy gjigantëve spanjollë është tejet e pasur. Barcelona dhe Real Madridi janë takuar 264 herë, me nga 106 fitore për secilën skuadër.

    Në ndeshjet e zhvilluara në “Camp Nou”, Barcelona ka bilanc më të mirë, me 70 fitore në 128 përballje, ndërsa Real Madridi ka triumfuar 31 herë.

  • Anulohet gara e MotoGP në Phillip Island, Marc Marquez mbetet lider i Botërorit

    Anulohet gara e MotoGP në Phillip Island, Marc Marquez mbetet lider i Botërorit

    Gara e së dielës në Phillip Island, në kuadër të kampionatit botëror të MotoGP-së, është anuluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Si rrjedhojë, Marc Marquez nuk pati mundësinë ta thellonte epërsinë e tij në klasifikimin e përgjithshëm ndaj Jorge Martin, i cili po rikuperohet nga lëndimi.

    Vendimi për anulimin e garës u mor nga organizatorët pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe mungesës së dukshmërisë në pistë. Kushtet e krijuara konsideroheshin të rrezikshme për pilotët, ndërsa pamundësia e funksionimit të helikopterit të emergjencës ishte një tjetër faktor vendimtar. Përveç garës së MotoGP-së, u anuluan edhe garat e kategorive Moto2 dhe Moto3.

    Phillip Island, që ka qenë pjesë e kalendarit të MotoGP-së që nga viti 1997, pritej të priste garën për herë të fundit, pasi nga sezoni i ardhshëm garat do të zhvillohen në Adelaide.

    Megjithatë, për t’i përshëndetur tifozët e pranishëm, organizatorët lejuan pilotët të dilnin në pistë për një xhiro parakalimi. Piloti australian Jack Miller dhuroi spektakël për të pranishmit, duke bërë disa rrotullime të gomave para tribunave.

    Pas anulimit të garës, Marc Marquez vazhdon të kryesojë klasifikimin e pilotëve, me 10 pikë epërsi ndaj Jorge Martin dhe 50 pikë më shumë se Marco Bezzecchi. Mbetet të shihet se kur Martin do të rikthehet në pistë, pas rrëzimit të pësuar të shtunën.

    Ndalesa e radhës e Botërorit të MotoGP-së është Çmimi i Madh i Malajzisë, ndërsa më pas në kalendar janë garat në Katar, Portugali dhe Valencia, në Spanjë. Zhvillimi i garës në Katar mbetet ende i pakonfirmuar.

  • Aston Villa trondit Manchester Cityn, fitore 2-1 dhe fundi i serisë prej shtatë fitoresh

    Aston Villa trondit Manchester Cityn, fitore 2-1 dhe fundi i serisë prej shtatë fitoresh

    Aston Villa ka triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Manchester Cityt, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Ligës Premier, duke vazhduar serinë e rezultateve pozitive dhe duke i shkaktuar kundërshtarit humbjen e parë në kampionat.

    Skuadra e drejtuar nga Unai Emery zhvilloi një paraqitje të mirë përballë ekipit të Manchester Cityt, duke regjistruar fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit. Në anën tjetër, kjo humbje i dha fund serisë prej shtatë fitoreve radhazi të skuadrës së drejtuar nga Enzo Maresca.

    Pjesa e parë u karakterizua me raste të shumta nga të dyja skuadrat, por vendasit ishin më konkretë para portës kundërshtare.

    Goli i epërsisë për Aston Villën erdhi që në minutën e gjashtë, kur Nicolas Jackson shënoi për 1-0 pas asistimit të John McGinn. Me këtë rezultat u mbyllën 45 minutat e para.

    Në pjesën e dytë, Manchester City u rikthye në lojë dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 52-të. Erling Haaland realizoi për 1-1 pas asistimit të Iliman Ndiaye, duke rikthyer shpresat e mysafirëve për të marrë pikë nga kjo përballje.

    Megjithatë, reagimi i Aston Villës ishte i menjëhershëm. Vetëm tetë minuta më vonë, në minutën e 60-të, Nicolas Jackson shënoi golin e dytë personal dhe të fitores për vendasit, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-1.

    Pas këtij triumfi, Aston Villa ngjitet në pozitën e gjashtë me 11 pikë, ndërsa Manchester City mbetet në vendin e parë me 21 pikë.

    Në xhiron e ardhshme, Manchester City do të jetë nikoqir i Brightonit, ndërsa Aston Villa do të përballet në shtëpi me Fulhamin.

  • Vushtrria rrezikon dënime të rënda nga FFK-ja, rregullorja parasheh edhe përjashtimin nga gara

    Vushtrria rrezikon dënime të rënda nga FFK-ja, rregullorja parasheh edhe përjashtimin nga gara

    FC Vushtrria rrezikon ta humbasë në tavolinë me rezultat 3-0 ndeshjen ndaj Ballkanit, pasi nuk u paraqit në fushë në përballjen e planifikuar për të shtunën, në kuadër të javës së 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Moszhvillimi i takimit erdhi pas bojkotit të një grupi futbollistësh, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për pagat e papaguara. Situata ka nxitur reagimin e ashpër të klubit vushtrrias, nga ku u deklarua se “klubi nuk shantazhohet nga askush”.

    Përveç krizës së brendshme, Vushtrria tashmë përballet edhe me rrezikun e sanksioneve disiplinore nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

    Sipas nenit 35.1 të Rregullores së Garave të FFK-së, në rastet kur një klub refuzon të luajë, nuk paraqitet në stadium ose është përgjegjës për moszhvillimin e një ndeshjeje në Albi Mall Superligë, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës mund ta regjistrojë takimin si të humbur në tavolinë, krahas masave të tjera disiplinore.

    Në këto rrethana, nëse Vushtrria shpallet përgjegjëse për moszhvillimin e ndeshjes, Ballkani pritet të fitojë me rezultat zyrtar 3-0.

    Por pasojat mund të jenë edhe më të rënda nëse një situatë e tillë përsëritet. Rregullorja parasheh që, në rast të refuzimit për të luajtur ose mosparaqitjes në më shumë se një ndeshje gjatë të njëjtit edicion, klubi përgjegjës të përjashtohet nga gara, të zbresë së paku një kategori më poshtë dhe në edicionin pasues t’i zbriten të paktën gjashtë pikë.

    Megjithatë, për rastin konkret ende pritet vendimi i organeve kompetente të FFK-së, të cilat duhet të shqyrtojnë rrethanat dhe të përcaktojnë përgjegjësinë për moszhvillimin e takimit.

    Ndërkohë, kriza te Vushtrria lidhet me vonesat në pagesat e futbollistëve. Klubi ka pranuar se paga e fundit ka pasur vonesë prej 20 ditësh, duke sqaruar se kjo ka ardhur si pasojë e procedurave për dokumentacionin e sponsorizimit.

    Drejtuesit kishin premtuar se pagat do të ekzekutoheshin gjatë javës së ardhshme, por marrëveshja nuk ka mjaftuar për të shmangur bojkotin e ndeshjes ndaj Ballkanit.

    Tashmë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë FFK-ja dhe nëse kjo përplasje mes klubit dhe futbollistëve do të sjellë pasoja të tjera për të ardhmen e Vushtrrisë në futbollin kosovar.

  • Vushtrria nuk paraqitet ndaj Ballkanit-Pritet të humbë ndeshjen me rezultat 3:0 në tavolinë

    Vushtrria nuk paraqitet ndaj Ballkanit-Pritet të humbë ndeshjen me rezultat 3:0 në tavolinë

    Vushtrria ka bojkotuar ndeshjen ndaj Ballkanit, e vlefshme për javën e 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke rrezikuar humbjen e takimit me rezultat zyrtar 3-0.

    Ndeshja mes Vushtrrisë dhe Ballkanit ishte e para e planifikuar për ditën e sotme (e shtunë), me fillim nga ora 14:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

    Megjithatë, skuadra vendase nuk u paraqit fare në fushë, si pasojë e bojkotit të futbollistëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për pagat e papaguara nga drejtuesit e klubit.

    Pavarësisht reagimit zyrtar të FC Vushtrrisë, përmes të cilit klubi kishte bërë të ditur se lojtarëve u ishte premtuar shlyerja e pagave gjatë javës së ardhshme, futbollistët nuk kanë pranuar të zbresin në fushë, duke pamundësuar zhvillimin e takimit.

    Në anën tjetër, futbollistët e Ballkanit dhe gjyqtarët janë paraqitur në stadium, duke pritur ekipin vendas. Pas konstatimit të mungesës së Vushtrrisë, ata janë kthyer në zhveshtore, ndërsa çështja tashmë i mbetet në dorë komisioneve përkatëse të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

    Sipas rregullores, Ballkani pritet të regjistrojë fitore me rezultat zyrtar 3-0, por vendimi përfundimtar i takon organeve kompetente të FFK-së.

    Kjo situatë përbën një goditje për Vushtrrinë, e cila tashmë përballet me një krizë të brendshme mes drejtuesve dhe futbollistëve, me mosmarrëveshjet për pagat që kanë çuar deri te bojkotimi i një ndeshjeje të kampionatit.

  • “Klubi nuk shantazhohet nga askush”, Vushtrria reagon ashpër pas bojkotit të lojtarëve

    “Klubi nuk shantazhohet nga askush”, Vushtrria reagon ashpër pas bojkotit të lojtarëve

    FC Vushtrria ka reaguar ashpër pas bojkotit të një grupi lojtarësh, të cilët refuzuan të paraqiten në ndeshjen e sotme, pavarësisht zotimeve të dhëna në takimin e zhvilluar një natë më parë.

    Përmes një komunikate zyrtare, klubi vushtrrias ka shprehur pakënaqësinë për situatën e krijuar, duke theksuar se çështjet e brendshme duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, pa dëmtuar interesat e klubit.

    Bordi i FC Vushtrrisë ka pranuar se paga e fundit e lojtarëve të ekipit të parë ka pasur një vonesë prej 20 ditësh. Sipas klubit, kjo situatë është shkaktuar nga procedurat ligjore për sigurimin e dokumentacionit të sponsorizimit, i cili është kompletuar gjatë kësaj jave.

    Në komunikatë bëhet e ditur se në takimin e mbajtur mbrëmjen e kaluar, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e tifogrupit “Forca”, lojtarëve u është premtuar se pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.

    Megjithatë, sipas drejtuesve të klubit, pavarësisht këtij zotimi, një grup lojtarësh nuk pranoi të luante në ndeshjen e sotme, duke e vendosur Vushtrrinë në një situatë të vështirë dhe duke rrezikuar humbjen e takimit në tavolinë.

    “Klubi nuk shantazhohet nga askush”, thuhet në titullin e reagimit të klubit, i cili ka paralajmëruar se rasti do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me rregulloret e brendshme dhe legjislacionin në fuqi.Bordi ka theksuar gjithashtu se FC Vushtrria ka qenë ndër klubet me më së paku vonesa në përmbushjen e obligimeve ndaj futbollistëve, duke pranuar njëkohësisht përgjegjësinë për vonesën e fundit dhe duke premtuar angazhim për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.

    Në fund të reagimit, drejtuesit kanë ritheksuar se interesat e klubit duhet të jenë mbi ato individuale, duke kërkuar përgjegjësi të përbashkët dhe zgjidhje përmes komunikimit.

    Mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në ditët në vijim dhe nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e krizës që ka përfshirë klubin vushtrrias.

    1. Jose Mourinho para El Clasicos: Barcelona është më e kompletuar, Reali ende në ndërtim

      Jose Mourinho para El Clasicos: Barcelona është më e kompletuar, Reali ende në ndërtim

      Trajneri i Real Madridit, José Mourinho, ka folur para përballjes së madhe ndaj Barcelonës, duke theksuar se nuk shqetësohet nga fakti që rivalët katalunas shihen si favoritë për El Clasicon e së dielës.

      Tekniku portugez ka vënë në pah se skuadra e tij është ende në fazën e ndërtimit dhe se krahasimi me një ekip që ka punuar së bashku për një periudhë më të gjatë nuk është i drejtë.

      “Fakti që njerëzit flasin mirë për Barcelonën nuk më shqetëson. Ka ndeshje ku ata padyshim meritojnë të lavdërohen, sepse bëjnë disa gjëra vërtet të mira”, është shprehur Mourinho.

      Ai ka theksuar se Real Madridi nuk mund të konsiderohet ende një skuadër e kompletuar, pasi procesi i punës me ekipin ka nisur relativisht vonë.

      “Në rastin tonë, ne shihemi si një produkt i përfunduar. Produktet e përfunduara në futboll janë të vështira për t’u gjetur. Nëse flasim për ne në një fazë të avancuar të procesit, ne kemi punuar për tre muaj. Nëse heqim ndeshjet parasezonale dhe pushimin ndërkombëtar, kemi punuar vetëm për një muaj e gjysmë”, ka deklaruar trajneri portugez.

      Mourinho ka shtuar se skuadra e tij është ende në fazat e para të projektit, ndërsa ai dhe lojtarët po përshtaten me njëri-tjetrin.

      “Larg të qenit një produkt i përfunduar, ne jemi një produkt fillestar. Jemi në një fazë paraprake, ku trajneri po i njeh lojtarët, po i analizon dhe po zhvillon strategji. Edhe lojtarët po më njohin mua”, ka theksuar ai.

      Në fund, trajneri i Real Madridit ka nënvizuar se nuk e konsideron të drejtë krahasimin e skuadrës së tij me një ekip që ka pasur më shumë kohë për të ndërtuar automatizmat dhe për të konsoliduar lojën.

      El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit pritet të zhvillohet të dielën, nga ora 21:00, në një përballje ku vëmendja do të jetë te rivaliteti i madh mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.

    2. Alarm te Flamengo, Jorginho dyshohet për doping – rrezikon pezullim deri në dy vjet

      Alarm te Flamengo, Jorginho dyshohet për doping – rrezikon pezullim deri në dy vjet

      Mesfushori i Flamengos dhe ish-reprezentuesi i Italisë, Jorginho, raportohet se ka rezultuar pozitiv në një kontroll antidoping, ndërsa nëse dyshimet konfirmohen, ai mund të përballet me një pezullim të gjatë nga futbolli.

      Lajmi u raportua fillimisht nga gazetari brazilian Thiago Asmar, i njohur si Pilhado, ndërsa mediat në Brazil bëjnë të ditur se mostra është marrë gjatë një kontrolli rutinë antidoping të CONMEBOL-it, para çerekfinales së Copa Libertadores kundër Independiente.

      Deri më tani, nuk është bërë e ditur se cila substancë dyshohet se është zbuluar në mostrën e lojtarit. Sipas raportimeve, kundëranaliza e mostrës B është planifikuar për të martën, më 27 tetor, e cila pritet të jetë një hap i rëndësishëm për të sqaruar rastin.

      Ndërkohë, Flamengo ka deklaruar, sipas raportimeve të Radio Globo, se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për një rezultat të mundshëm pozitiv dhe se nuk ishte në dijeni të kundëranalizës së planifikuar. Klubi ka konfirmuar vetëm se CONMEBOL-i kishte kryer kontrolle rutinë para ndeshjeve çerekfinale.

      Nga ana tjetër, CONMEBOL-i ka refuzuar të komentojë rastin, duke iu referuar konfidencialitetit të procedurave antidoping.

      Nëse rezultati pozitiv konfirmohet dhe shkelja vërtetohet, ndaj Jorginhos mund të nisin procedurat disiplinore. Sipas mediave braziliane, pezullimi mund të arrijë deri në dy vjet, në varësi të substancës së zbuluar dhe rrethanave të rastit.

      Një dënim i tillë do të ishte një goditje e madhe për mesfushorin, i cili mbush 35 vjeç në dhjetor dhe mund të përballej me një situatë të vështirë në fazën e fundit të karrierës së tij. Megjithatë, deri në konfirmimin e rezultateve, nuk mund të flitet për një shkelje të provuar.

      Dyshimet janë ngritur në një periudhë të rëndësishme të sezonit për Flamengon. Jorginho luajti pa kufizime në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Copa Libertadores kundër Estudiantes, ku skuadra braziliane u eliminua nga gara.

      Jorginho është një emër i njohur në futbollin evropian. Ai ishte pjesë e Italisë që fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2021, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur për Napolin, Chelsean dhe Arsenalin. Me Chelsean, ai fitoi edhe Ligën e Kampionëve, përpara se t’i bashkohej Flamengos në vitin 2025.

      Për momentin, rasti mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht, ndërsa rezultatet e mëtejshme dhe qëndrimi i autoriteteve përkatëse do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse mesfushori do të përballet me sanksione disiplinore.

    3. Gabimet e fundit shqetësojnë Sassuolon, Aquilani i del në mbrojtje Muriqit: Ka potencial të madh

      Gabimet e fundit shqetësojnë Sassuolon, Aquilani i del në mbrojtje Muriqit: Ka potencial të madh

      Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriq, po kalon një periudhë të vështirë te Sassuolo, pas disa gabimeve në ndeshjet e fundit që kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës italiane.

      Disfata 4-2 ndaj Frosinones në xhiron e kaluar ka shtuar pikëpyetjet rreth formës së portierit kosovar, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do ta ruajë vendin në formacionin titullar për ndeshjen e ardhshme.

      Për situatën e Muriqit ka folur edhe trajneri i Sassuolos, Alberto Aquilani, i cili pavarësisht gabimeve të fundit, ka shprehur besim dhe respekt të madh për portierin 27-vjeçar.

      “Kam respekt të pafund për këtë lojtar. E shoh si portier me potencial të konsiderueshëm. Ai mund të luajë në çdo ligë në botë. Është e qartë se po kalon disa vështirësi. Gabimet e tij të përsëritura po ndikojnë tek ai dhe te ekipi”, deklaroi Aquilani.

      Trajneri italian bëri të ditur se ka biseduar drejtpërdrejt me portierin kosovar, duke theksuar se synimi i tij është ta ndihmojë atë të kapërcejë këtë periudhë të vështirë.

      “Kemi folur për këtë dhe ai e di. Është një djalë i sjellshëm dhe inteligjent. Duhet ta ndihmoj atë dhe ekipin, dhe kjo është diçka që po e marr në konsideratë”, shtoi tekniku italian.

      Tashmë, vëmendja është përqendruar te ndeshja e radhës e Sassuolos, që të shtunën do të përballet në udhëtim me Comon. Aquilani ende nuk e ka bërë të ditur nëse Muriq do ta nisë takimin nga minuta e parë apo do të qëndrojë në stol.

      Për portierin e Kosovës, kjo është një periudhë e rëndësishme për të rikthyer sigurinë dhe për të dëshmuar se mund ta rimarrë vendin e tij në formacionin titullar të skuadrës italiane.

    4. Marc Márquez triumfon në Sprintin e Australisë, Jorge Martin pëson frakturë dhe goditet në luftën për titull

      Marc Márquez triumfon në Sprintin e Australisë, Jorge Martin pëson frakturë dhe goditet në luftën për titull

      Marc Márquez ka triumfuar në Garën Sprint të MotoGP-së në Phillip Island të Australisë, duke dhuruar një paraqitje dominuese dhe duke siguruar një fitore të rëndësishme në garën për titullin botëror të sezonit 2026.

      Piloti spanjoll i Ducatit e kaloi vijën e finishit përpara vëllait të tij, Álex Márquez, ndërsa podiumi u plotësua nga Fabio Di Giannantonio, i cili garon për ekipin VR46 Ducati.

      Gara u karakterizua edhe nga një incident i rëndë, ku Jorge Martin u rrëzua gjashtë xhiro para përfundimit. Spanjolli, i cili po luftonte drejtpërdrejt me Márquezin, pësoi një frakturë në krah dhe u largua nga pista me barelë. Si pasojë e këtij incidenti, ai nuk do të marrë pjesë në garën kryesore të fundjavës në Australi.

      Ndërkohë, Marco Bezzecchi zhvilloi një garë të mirë, duke rikuperuar disa pozicione dhe duke e përfunduar Sprintin në vendin e katërt.

      Kjo fitore mund të ketë ndikim të rëndësishëm në garën për titullin botëror të MotoGP-së 2026. Sipas raportimit, Márquez rikthehet në krye të renditjes, duke krijuar një epërsi prej 10 pikësh ndaj Jorge Martinit.

      Me garën kryesore ende për t’u zhvilluar, beteja për titullin mbetet e hapur, por rezultati në Phillip Island mund të shënojë një moment vendimtar në sezonin e sivjetshëm.