ATV

Category: Sport

  • Mbappe arrin shifrën e 100 golave me Real Madridin

    Mbappe arrin shifrën e 100 golave me Real Madridin

    Kylian Mbappe vazhdon të lërë gjurmë te Real Madridi. Sulmuesi francez ka arritur shifrën e 100 golave me fanellën e klubit madrilen, duke e kurorëzuar këtë sukses në mënyrën më të veçantë të mundshme: me dy gola në përballjen ndaj rivalit të përbetuar, Barcelonës.

    Ylli francez ishte protagonisti kryesor i El Clásicos, të zhvilluar në kuadër të javës së dhjetë të La Ligës, ku Real Madridi triumfoi me rezultatin 2-1. Me dygolëshin e tij, Mbappe bëri diferencën në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, duke i dhënë skuadrës madrilene një fitore me peshë të madhe.

    Sulmuesi francez po dëshmon se është një nga futbollistët më vendimtarë në përballjet ndaj katalunasve. Me dy realizimet e fundit, ai ka shënuar tashmë tetë gola në shtatë paraqitjet e para në El Clásico, një statistikë që dëshmon ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në këtë rivalitet historik.

    Për Mbappen, arritja e 100 golave me Real Madridin merr edhe më shumë vlerë, pasi u realizua në një ndeshje ku presioni dhe pritshmëritë janë gjithmonë maksimale.

    Përveç rekordeve me fanellën madrilene, Mbappe ka lënë pas edhe një emër të madh të futbollit spanjoll. Sipas statistikave të publikuara nga “Stats Foot”, francezi ka realizuar 258 gola në pesë ligat kryesore evropiane gjatë karrierës së tij, duke kaluar ish-sulmuesin legjendar të Real Madridit, Raul Gonzalez, i cili kishte shënuar 256 gola.

    Barcelona vazhdon të jetë një nga kundërshtaret ndaj të cilëve Mbappe ka treguar më së shumti efikasitet. Katalunasit kanë pësuar 14 gola nga sulmuesi francez në ndeshjet zyrtare, ndërsa vetëm Montpellier, me 15 gola të pësuar, ka pësuar më shumë prej tij.

    Në një moshë kur shumë futbollistë janë ende në kërkim të konsolidimit në nivelet më të larta, Mbappe po ndërton një karrierë që e afron gjithnjë e më shumë me emrat më të mëdhenj të futbollit evropian.

    100 gola me Real Madridin dhe një dygolësh ndaj Barcelonës, një tjetër kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin e yllit francez, i cili vazhdon të konfirmojë statusin e tij si një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë.

  • Londra pret ceremoninë e 70-të të Topit të Artë, yjet e futbollit në garë për çmimin prestigjioz

    Londra pret ceremoninë e 70-të të Topit të Artë, yjet e futbollit në garë për çmimin prestigjioz

    Londra do të jetë sonte epiqendra e futbollit botëror, pasi më 26 tetor do të mbahet ceremonia e 70-të e ndarjes së çmimeve të Topit të Artë për vitin 2026. Për herë të parë në histori, ceremonia e këtij çmimi prestigjioz individual do të organizohet në kryeqytetin anglez.

    Ngjarja madhore do të zhvillohet në teatrin London Palladium, duke nisur nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. Mbrëmja do të drejtohet nga legjenda e futbollit francez, Thierry Henry, dhe gazetarja sportive Kate Scott.

    I themeluar nga revista France Football në vitin 1956, Topi i Artë mbetet një nga vlerësimet më të rëndësishme individuale në futboll, duke shpërblyer lojtarët që spikasin me paraqitjet dhe kontributin e tyre gjatë sezonit përkatës.

    Përveç çmimeve kryesore për futbollistin dhe futbollisten më të mirë të vitit, ceremonia do të përfshijë edhe disa kategori të tjera, mes tyre çmimet për talentin e ri, portierin, trajnerin, klubin dhe sulmuesin më të mirë, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.

    Në program është përfshirë edhe çmimi “Socrates”, i cili nderon personalitete të futbollit për angazhimin e tyre në iniciativa humanitare, solidaritet dhe kauza me rëndësi shoqërore.

    Lista e kandidatëve për çmimin e meshkujve përfshin emra të njohur të futbollit ndërkombëtar. Lionel Messi, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Lamine Yamal, Ousmane Dembele, Vinicius Junior, Harry Kane dhe Jude Bellingham janë ndër futbollistët që tërheqin vëmendjen në garën për trofeun prestigjioz.

    Një përfaqësim të gjerë në listë ka edhe Paris Saint-Germaini, me futbollistë si Dembele, Achraf Hakimi, Khvicha Kvaratskhelia, Marquinhos, Nuno Mendes, Joao Neves, Willian Pacho, Fabian Ruiz dhe Vitinha.

    Në mesin e kandidatëve të tjerë janë edhe Rodri, Declan Rice, Bruno Fernandes, Luis Diaz, Michael Olise, Lautaro Martinez dhe Sadio Mane, duke e bërë konkurrencën edhe më interesante.

    Vëmendja tashmë është përqendruar te emri që do të triumfojë në këtë edicion jubilar, ndërsa ceremonia në Londër pritet të mbledhë emrat më të njohur të futbollit dhe të kurorëzojë protagonistët e sezonit.

  • Manchester United pëson humbje të rëndë, Bournemouth triumfon 3-0 në “Old Trafford”

    Manchester United pëson humbje të rëndë, Bournemouth triumfon 3-0 në “Old Trafford”

    Manchester United ka pësuar një tjetër humbje zhgënjyese, duke u mposhtur 0-3 nga Bournemouthi në kuadër të xhiros së tetë të Ligës Premier.

    Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 38-të, kur Rayan realizoi pas asistimit të Justin Kluivertit. Vetëm pesë minuta më vonë, Marcus Tavernier shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e vendasve për ta dyfishuar epërsinë.

    Në pjesën e dytë, Bournemouthi vazhdoi të krijonte raste, ndërsa në minutën e 71-të Evanilson shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren bindëse të skuadrës së tij.

    Manchester United pati vështirësi gjatë gjithë ndeshjes, duke shfaqur sërish probleme në repartin defensiv dhe mungesë efikasiteti në sulm.

    Në anën tjetër, Bournemouthi shfrytëzoi gabimet e kundërshtarit dhe u largua me tri pikë të rëndësishme nga kjo përballje.

    Kjo humbje shton presionin mbi Manchester Unitedin, që vazhdon të kërkojë stabilitet dhe rezultate pozitive në kampionatin anglez

  • Jeton Mehmeti jep dorëheqje nga Drenica

    Jeton Mehmeti jep dorëheqje nga Drenica

    Jeton Mehmeti nuk do të jetë më trajner i Drenicës, pasi ka njoftuar dorëheqjen nga kjo pozitë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    Mehmeti ka bërë të ditur se rrethanat e krijuara së fundmi e kanë bërë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit me klubin nga Skenderaj.

    “Rrethanat e krijuara së fundmi e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë”, ka shkruar ndër të tjera Mehmeti, duke falënderuar kryetarin e klubit, Halim Bajraktari, lojtarët dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë kësaj periudhe.

    Ai ka vlerësuar punën e bërë gjatë kohës sa ishte në krye të skuadrës, duke theksuar se largohet krenar për rezultatet e arritura dhe me ndërgjegje të pastër.

    “Kam punuar me pasion, përkushtim e profesionalizëm. Ndihem krenar me punën time dhe largohem me kokën lart e ndërgjegje të pastër”, ka deklaruar ai.

    Pas 11 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës, Drenica renditet në pozitën e shtatë me 11 pikë.

  • Feronikeli ’74 triumfon bindshëm ndaj Dukagjinit, Prapashtica shkëlqen me dy gola

    Feronikeli ’74 triumfon bindshëm ndaj Dukagjinit, Prapashtica shkëlqen me dy gola

    Feronikeli ’74 ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0 ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.

    Skuadra nga Drenasi zhvilloi një paraqitje të mirë para tifozëve të saj, duke siguruar tri pikë të rëndësishme.

    Albin Prapashtica kaloi vendasit në epërsi në minutën e 30-të, pas një aksioni të shpejtë dhe një realizimi të bukur.

    Feronikeli ’74 vazhdoi me ritëm të lartë edhe pas pushimit, duke shënuar dy gola të shpejtë. Noah Yannick e dyfishoi epërsinë në minutën e 46-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, Prapashtica realizoi golin e tij të dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-0.

    Me këtë fitore, Feronikeli ’74 shkon në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Dukagjini mbetet në pozitën e pestë me 17 pikë në tabelën e Superligës së Kosovës.

  • Drita triumfon bindshëm ndaj Prishtinës, “Intelektualët” fitojnë 0-3 në kryeqytet

    Drita triumfon bindshëm ndaj Prishtinës, “Intelektualët” fitojnë 0-3 në kryeqytet

    Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, duke triumfuar me rezultat të pastër 0-3 në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.

    Skuadra gjilanase ishte më kërkuese gjatë ndeshjes dhe kaloi në epërsi me Blerim Krasniqin, i cili shënoi pas asistimit të kapitenit Besnik Krasniqi.

    Në pjesën e dytë, Drita vazhdoi me lojë të mirë dhe e dyfishoi epërsinë në minutën e 63-të, kur Liridon Balaj realizoi pas asistimit të Jasharit.

    Fitoren e “Intelektualëve” e vulosi Kemehlo Nguena në minutën e 85-të, me një goditje të fuqishme që përfundoi në rrjetën e Prishtinës.

    Me këtë triumf, Drita ngjitet në pozitën e tretë me 20 pikë, tri më pak se Prishtina, e cila mbetet në vendin e dytë në tabelën e Superligës së Kosovës.

  • Lajm i fundit para “El Clasicos”, Courtois shpreson të luajë ndaj Barcelonës

    Lajm i fundit para “El Clasicos”, Courtois shpreson të luajë ndaj Barcelonës

    Thibaut Courtois mund të jetë në dispozicion të Real Madridit për përballjen ndaj Barcelonës, pavarësisht se klubi madrilen njoftoi më herët se portieri belg do të mungojë për shkak të gripit.

    Sipas mediumit britanik “The Athletic”, gjendja shëndetësore e Courtois është përmirësuar dhe ai shpreson të udhëtojë drejt Barcelonës për të qenë pjesë e derbit të madh spanjoll.

    Megjithatë, pjesëmarrja e tij në ndeshje mbetet e pasigurt, pasi Real Madridi e kishte përjashtuar zyrtarisht nga lista për këtë përballje dhe kishte ftuar portierin e ri ukrainas, Illia Voloshyn, si zëvendësues të tij.

    Mungesa e Courtois do të ishte një goditje e madhe për skuadrën e Jose Mourinhos, ndërsa në rast se belgu nuk ia del të rikuperohet, Andriy Lunin pritet ta nisë ndeshjen si titullar.

    Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit zhvillohet të dielën, nga ora 21:00, në “Camp Nou”.

  • Philadelphia vazhdon serinë e fitoreve, Booker shkëlqen me 43 pikë në NBA

    Philadelphia vazhdon serinë e fitoreve, Booker shkëlqen me 43 pikë në NBA

    Philadelphia po kalon një formë të shkëlqyer në NBA, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi pas triumfit 127-116 ndaj Milwaukee Bucks.

    Joel Embiid me 28 pikë, Jaylen Brown me 27 dhe Tyrese Maxey me 26 pikë ishin protagonistët kryesorë të kësaj fitoreje, duke bërë diferencën për skuadrën e Philadelphia.

    Ndërkohë, San Antonio Spurs regjistroi fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur Dallas Mavericks me rezultat 122-106 në derbin teksan. Të gjithë titullarët e Spurs kontribuuan me të paktën 11 pikë.

    Fitore jashtë fushe shënoi edhe Washingtoni, që triumfoi 124-120 ndaj Chicago Bulls. Në këtë takim u dallua Trae Young, me 25 pikë të realizuara.

    Një paraqitje spektakolare zhvilloi Devin Booker, i cili shënoi 43 pikë në fitoren e Phoenix Suns ndaj Golden State Warriors, me rezultat 131-122. Warriors vazhdojnë të kërkojnë fitoren e parë të sezonit.

    Edhe Denver Nuggets regjistroi një fitore të rëndësishme, duke mposhtur New Orleans Pelicans me rezultat 141-135. Jamal Murray shkëlqeu me 42 pikë, ndërsa Nikola Jokic shtoi 35, duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit.

  • Lëndimet te Juventusi i hapin rrugë Zhegrovës për një vend në formacionin titullar

    Lëndimet te Juventusi i hapin rrugë Zhegrovës për një vend në formacionin titullar

    Edon Zhegrova mund të përfitojë nga problemet me lëndime te Juventusi për të fituar më shumë hapësira në skuadrën e trajnerit Luciano Spalletti.

    Në prag të ndeshjes ndaj Lecces në Serie A, Juventusi ka mbetur pa disa alternativa në repartin ofensiv. Pas Francisco Conceicaos, edhe Nico Gonzalez është lënduar dhe pritet të mungojë rreth një muaj, duke i krijuar mundësi futbollistit kosovar për të kërkuar një vend në formacionin startues.

    Sipas parashikimeve të “Gazzetta dello Sport”, Zhegrova është në garë me boshnjakun Kerim Alajbegovic për një vend në formacion, megjithëse ky i fundit shihet si favorit i lehtë.

    Deri më tani, reprezentuesi i Kosovës nuk ka arritur të sigurojë minutat e dëshiruara, ndërsa ndeshjet e Serie A mbeten mundësia kryesore për ta bindur Spallettin, pasi nuk është i regjistruar për garat e UEFA-s.

    Shanset e Zhegrovës do të varen edhe nga skema taktike që do të zgjedhë trajneri italian. Një formacion me dy sulmues mund t’ia vështirësojë rrugën drejt titullarizimit, ndërsa skema 3-4-2-1 mund t’i krijojë më shumë hapësirë në repartin ofensiv.

    Tashmë, mbetet të shihet nëse Zhegrova do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të fituar më shumë besimin e trajnerit dhe për të rritur rolin e tij te “Zonja e Vjetër”.

  • Goditje për Real Madridin para “El Clasicos”, Courtois mungon ndaj Barcelonës

    Goditje për Real Madridin para “El Clasicos”, Courtois mungon ndaj Barcelonës

    Real Madridi ka marrë një lajm të keq në prag të “El Clasicos” ndaj Barcelonës, pasi portieri Thibaut Courtois do të mungojë në këtë përballje për shkak të gripit.

    Portieri belg pritej të ishte titullar në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 10-të të La Ligës, por sëmundja e ka detyruar të mbetet jashtë planeve të madrilenëve.

    Për ta zëvendësuar atë, Real Madridi ka ftuar portierin ukrainas Ilya Voloshyn, ndërsa Andriy Lunin pritet ta nisë ndeshjen nga minuta e parë.

    Mungesa e Courtois është një goditje për skuadrën madrilene, pasi belgu është një nga lojtarët kryesorë të ekipit dhe një figurë e rëndësishme në repartin defensiv.

    Deri më tani, klubi nuk ka dhënë detaje të tjera për gjendjen e tij shëndetësore apo kohëzgjatjen e mungesës.

    Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit zhvillohet të dielën, nga ora 21:00, në “Camp Nou”, në një duel ku të dyja skuadrat synojnë fitoren në garën për kreun e La Ligës.