ATV

Category: Sport

  • Liverpooli i vendos ultimatum të fortë Arne Slot pas rezultateve të dobëta

    Liverpooli i vendos ultimatum të fortë Arne Slot pas rezultateve të dobëta

    Tensionet në zyrat e Liverpoolit kanë arritur kulmin këtë javë, teksa durimi i bordit drejtues duket se ka arritur limitin. Klubi nga Merseyside ka marrë një vendim drastik për të ardhmen e menjëhershme të trajnerit Arne Slot, pas rezultateve të paqëndrueshme në sezonin aktual.

    Slot ka marrë një mesazh të qartë: lufta për titullin e Ligës Premier ka rënë në plan të dytë për drejtuesit e klubit. Prioriteti i vetëm tani është fitimi i Ligës së Kampionëve ose i Kupës FA, që të shpëtojë vendin e tij si trajner.

    Liverpooli nuk është i gatshëm të pranojë një tjetër sezon pa trofe prestigjioze, sidomos pas shpenzimeve të mëdha të bëra gjatë afatit të fundit të transferimeve. Investimet e bëra tani e detyrojnë trajnerin holandez të sjellë rezultate konkrete para përfundimit të sezonit.

    Menaxhmenti i klubit ka bërë një shpenzim historik për të sjellë yje si Florian Wirtz dhe Alexander Isak, të cilët, së bashku me Hugo Ekitike, Jeremie Frimpong dhe Milos Kerkez, kanë ngritur pritshmëritë e tifozëve në nivele të papara.

    Megjithatë, Slot nuk ka arritur të organizojë këta yje në një formacion të qëndrueshëm në Ligën Premier, një kampionat gjithmonë i kërkuar dhe i vështirë. Mungesa e rrjedhshmërisë dhe lojës kolektive ka ngjallur dyshime rreth aftësisë së tij për të drejtuar këtë projekt ambicioz.

    Aktualisht, Liverpooli ndodhet në vendin e gjashtë me 42 pikë, vetëm dy pikë më poshtë se Chelsea dhe tri pikë më pak se Manchester United, një situatë që ka ndezur kambanat e alarmit brenda klubit. Mungesa e kualifikimit në garat evropiane për klubet do të ishte një katastrofë financiare që drejtuesit nuk janë të gatshëm ta lejojnë.

    Nëse Slot nuk fiton të paktën një kupë këtë sezon, largimi i tij në qershor duket i pashmangshëm. Hierarkia e Liverpoolit ka identifikuar tashmë kandidatin e mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës: Xabi Alonso. Spanjolli shihet si zgjedhja ideale, si për tifozët ashtu edhe për drejtuesit, që presin ta shohin idhullin e tyre të ri në stol.

    Çdo ndeshje e Kupës FA dhe Ligës së Kampionëve tani do të trajtohet si një finale për Arne Slot, pasi çdo humbje mund të vendosë fatin e tij në Anfield.

  • Kiana Kryeziu garon sot në pistën olimpike të Milanos

    Kiana Kryeziu garon sot në pistën olimpike të Milanos

    Skitarja kosovare, Kiana Kryeziu, do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina”, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj.

    Ajo ka siguruar për herë të dytë normën olimpike, duke u kualifikuar në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super-sllallom të madh. Kësisoj, Kryeziu do të garojë në arenën më prestigjioze të sporteve dimërore në botë.

    Sot, nga ora 11:30, ajo do të zbresë në pistë në disiplinën Super-G (Super Giant Slalom), me synimin për të realizuar një paraqitje sa më të suksesshme përballë elitës botërore të skijimit alpin.

  • Shorti i Ligës së Kombeve: Kosova mëson sot kundërshtarët në Ligën B

    Shorti i Ligës së Kombeve: Kosova mëson sot kundërshtarët në Ligën B

    Shorti për sezonin e ri të Ligës së Kombeve do të hidhet sot (e enjte) në orën 18:00 në Bruksel, ku kombëtarja e Kosovës do të mësojë kundërshtarët e saj në Ligën B.

    “Dardanët” ndodhen në vazon e katërt në Ligën B së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut, ndërsa kundërshtarët e mundshëm janë të ndarë si më poshtë:

    Vazo 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli

    Vazo 2: Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Austria, Ukraina

    Vazo 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës, Rumania

    Vazo 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Kosova

    Për shkak të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA, Kosova nuk mund të shortohet në të njëjtin grup me Bosnjën dhe Hercegovinën, çka do të thotë se përfaqësuesja jonë nga vazo e dytë mund të përballet vetëm me Zvicrën, Austrinë ose Ukrainën.

    Ndeshjet e para janë planifikuar nga 24 deri më 26 shtator 2026, ndërsa raundi i fundit i fazës së grupeve do të zhvillohet nga 15 deri më 17 nëntor 2026. Fituesit e secilit grup në Ligën B do të sigurojnë ngjitjen në Ligën A për sezonin pasardhës, ndërsa kombëtarja e vendit të fundit do të bie në Ligën C.

    Përveç kësaj, përzgjedhjet e vendeve të dyta dhe të treta nga secili grup do të avancojnë në play-off-et e ngjitjes/rënies nga kategoria, të cilat luhen në dy ndeshje, në shtëpi dhe jashtë. Vendet e dyta nga Liga B do të përballen me vendet e treta nga Liga A për ngjitje, ndërsa vendet e treta nga Liga B do të luajnë për mbijetesë kundër vendeve të dyta nga Liga C.

    Këto ndeshje do të zhvillohen në mars të vitit 2027. Në fazën eliminatore, ekipet nga ligat më të larta do të presin ndeshjet e kthimit, pas të cilave fituesit do të sigurojnë pjesëmarrjen në ligën më të lartë për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

    Një ditë pas shortit, UEFA do të përcaktojë edhe orarin zyrtar të ndeshjeve të Kosovës në sezonin e ri.

  • Kosova mëson sot rivalët në Ligën B të Ligës së Kombeve

    Kosova mëson sot rivalët në Ligën B të Ligës së Kombeve

    Kosova do të zbulojë sot kundërshtarët për edicionin 2026/2027 të Ligës së Kombeve, ku për herë të parë do të garojë në Ligën B, niveli i dytë i kësaj gare evropiane për kombëtare. Shorti do të tërhiqet në Bruksel duke nisur nga ora 18:00, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për “Dardanët” në skenën ndërkombëtare.

    Pas rrugëtimit që filloi në Ligën D dhe vazhdoi me tri edicione në Ligën C, Kosova ka arritur të sigurojë promovimin në Ligën B. Në short, përfaqësuesja jonë bën pjesë në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut – skuadra me të cilat nuk mund të përballet në fazën e grupeve.

    Nga vazoja e parë, kundërshtarë të mundshëm janë Skocia, Hungaria, Polonia ose Izraeli. Në vazon e dytë gjenden Zvicra, Austria, Ukraina dhe Bosnjë-Hercegovina, ndërsa nga vazoja e tretë mund të shortohet me Slloveninë, Gjeorgjinë, Irlandën ose Rumaninë.

    Ndërkohë, vëmendja e përfaqësueses mbetet te ndeshja gjysmëfinale e plejofit për Botërorin 2026 kundër Sllovakisë, e cila do të zhvillohet më 26 mars në Bratislavë. Ndeshjet e fazës grupore të Ligës së Kombeve janë planifikuar të luhen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor.

  • “Thjesht nuk mund të bëjmë pa të”, Guardiola zbulon lojtarin e pazëvendësueshëm të Man Cityt

    “Thjesht nuk mund të bëjmë pa të”, Guardiola zbulon lojtarin e pazëvendësueshëm të Man Cityt

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka zbuluar lojtarin e vetëm të pazëvendësueshëm në ekip, emër i cili mund të befasojë shumë kë.

    Manchester City mundi Fulhamin me rezultat 3-0 në shtëpi në ndeshjen e xhiros së 26-të të Ligës Premier, duke e mbajtur nën presion liderin, Arsenalin.

    Liderët janë tre pikë përpara dhe kanë një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Cityt. Antoine Semenyo, Nico O’Reilly dhe Erling Haaland shënuan golat në këtë fitore.

    Pas ndeshjes, Pep Guardiola e lavdëroi lojtarit që zëvendësoi në minutën e 60-të, duke e cilësuar si të pazëvendësueshëm.

    “Bernardo Silva është i pazëvendësueshëm. Kur ai nuk është në ekip, ne duhet të luajmë një sistem tjetër. Thjesht nuk mund të bëjmë pa të. Ai është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Guardiola.

    Mesfushori sulmues portugez luan në të majtë të mesfushës në një sistem 4-3-3 dhe është kapiteni i ekipit, duke qenë pikë referuese e të gjitha skemave të trajnerit.

    Nga 26 ndeshjet e ligës këtë sezon, Bernardo ka filluar 22 prej tyre, ndërsa në katër prej tyre ka hyrë nga stoli. Në Ligën e Kampionëve, ai ka filluar pesë nga tetë ndeshjet, duke hyrë nga stoli në njërën prej tyre.

    City e bleu atë nga Monaco në verën e vitit 2017 për 50 milionë euro. Ai luajti 442 ndeshje për Cityn, duke shënuar 74 gola dhe duke dhënë 78 asistime. Ai fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh, dy Kupa FA dhe katër Kupa të Ligës.

  • Vazhdon aksioni në Kupën e Kosovës, sot tre duele të tjera

    Vazhdon aksioni në Kupën e Kosovës, sot tre duele të tjera

    Kupa e Kosovës vazhdon me ndeshjet e fazës së 1/8 së finales, ku sot priten tre duele tepër interesante.

    Takimet e planifikuara do të zhvillohen në qytetet e Gjilanit, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

    Sfida kryesore e ditës luhet në qytetin e Gjilanit, me Gjilanin që është nikoqir i Lirisë së Prizrenit.

    Duel tejet interesant pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’ me Trepçën ’89 që pret Malishevën.

    Dy skuadra nga Liga e Parë, Vushtrria dhe Vëllaznimi do të përballen në stadiumin ‘Ferki Aliu’, ku qëllimi është kalimi në çerekfinale.

    Të gjitha tre ndeshjet e ditës së sotme fillojnë nga ora 13:00.

  • Pa kaluar një minutë, Prishtina i shënon Ballkanit

    Pa kaluar një minutë, Prishtina i shënon Ballkanit

    Prishtina ka kaluar në avantazh në duel me Ballkanin, ndeshje kjo e cila i siguron fituesit çerekfinalen në Kupën e Kosovës.

    Realizimi i kryeqytetaseve erdhi pa kaluar as 60 sekonda lojë.

  • Real Madrid njofton tërheqjen nga Superliga Evropiane-UEFA e mirwpret vendimin

    Real Madrid njofton tërheqjen nga Superliga Evropiane-UEFA e mirwpret vendimin

    Klubi mbretëror spanjoll Real Madrid ka konfirmuar tërheqjen nga Superliga Evropiane,duke konfirmuar projektin kontravers si të “dështuar’.

    Klubi ka bërë të ditur se ky vendim u morr për të mirën e futbollit evropian,dhe se në vazhdim do të punojnë që futbolli të funksionojë në mënyrë të shëndetshme.

    Përndryshe UEFA e ka mirëpritur këtë vendim të Real Madridi-it,duke theksuar se është arritur marrëveshja për të përmirësuar gjërat që kanë të bëjnë me sportin më të popullarizuar në botë.

    “UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madridi kanë arritur një marrëveshje për të mirën e futbollit evropian të klubeve”

     

    “Pas disa muajsh bisedimesh të zhvilluara në dobi të futbollit evropian, UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madrid CF njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje në parim për të mirën e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive dhe duke theksuar qëndrueshmërinë afatgjatë të klubeve dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë”.

     

    “Kjo marrëveshje parimore do të shërbejë gjithashtu për të zgjidhur mosmarrëveshjet ligjore që lidhen me Superligën Evropiane, sapo të zbatohet një marrëveshje përfundimtare”, thuhet në njoftimin zyrtare të Los Blancos

  • Nga krenaria në turp! – Fituesi i medaljes së bronztë deklaron publikisht tradhti bashkshortore

    Nga krenaria në turp! – Fituesi i medaljes së bronztë deklaron publikisht tradhti bashkshortore

    Ajo që duhej të ishte një festë për medaljen e bronztë u kthye në një nga momentet më tronditëse live të Lojërave Olimpike Dimërore 2026.

    Ylli norvegjez i biatlonit (kombinim i skijimit dhe gjuajtjes me pushkë) Sturla Holm Lægreid, 28 vjeç, habiti shikuesit kur përdori intervistën pas garës për të pranuar se kishte tradhtuar partneren e tij disa muaj para Lojërave.

    Me lot në sy, Lægreid rrëfeu se tradhtia kishte ndodhur tre muaj më parë dhe se të vërtetën ia kishte pranuar asaj vetëm pak para nisjes së Olimpiadës, duke e quajtur këtë “javën më të keqe të jetës sime.”

    Rrëfimi emocional u bë menjëherë viral, duke lënë në hije edhe vetë medaljen. Reagimet ishin të ndara, disa e vlerësuan për sinqeritetin dhe guximin, ndërsa të tjerë u shprehën se çështje kaq personale nuk duhej të bëheshin publike në skenën olimpike.

    Kjo nuk ishte thjesht një fitore sportive, ishte një moment që do të mbahet mend gjatë, se si tradhtia prekë shumë njerëz njëkohësish dhe se duhet menduar shumë për pasojat që ajo sjell.

  • Dukagjini eliminon Prishtinën e Re dhe kalon në çerekfinale të Kupës së Kosovës

    Dukagjini eliminon Prishtinën e Re dhe kalon në çerekfinale të Kupës së Kosovës

    Skuadra e Dukagjinit ka siguruar kalimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës,duke eliminuar Prishtinën e Re me rezultat minimal 1:0.

    Pjesa e parë nuk solli gola përkundër rasteve të krijuara,duke bërë që 45 minutave të parë të përfundojë pa gola 0:0.

    Në pjesën e dytë vendasit ishin më konkretë në raste,dhe në minutën e 58-të Albert Berisha shënoi për epërsinë e Dukagjinit në 1:0.

    Deri në fund të ndeshjes mysafirët u munduan të gjenin golin që ta dërgonte ndeshjen në vazhdime,por në fund vendasit festuan kalimin në çerekfinale të Kupës ku do të presin kundërshtarin nga shorti që do të hidhet pas disa ditësh.

    Kujtojmë që dje kalimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës e siguruan Llapi dhe Ferizaj.