ATV

Category: Sport

  • Sonte luhen ndeshjet e para të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve

    Sonte luhen ndeshjet e para të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve

    Faza e 1/8 së finales në UEFA Champions League nis sonte me katër përballje interesante që do të zhvillohen në stadiume të ndryshme evropiane.

    Ndeshja e parë e mbrëmjes do të luhet nga ora 18:45, ku Galatasaray pret në shtëpi Liverpool. Skuadra turke vjen e motivuar pas kualifikimit në këtë fazë përmes ndeshjeve eliminatore kundër Juventus, ndërsa anglezët synojnë të tregojnë stabilitet pas një sezoni me luhatje, pavarësisht se e mbyllën fazën e ligës në pozitën e tretë.

    Një tjetër ndeshje shumë interesante do të zhvillohet në stadiumin St James’ Park, ku nga ora 21:00 Newcastle United përballet me FC Barcelona. Skuadra katalanase e përfundoi fazën e ligës në vendin e pestë dhe vjen si favorite në këtë duel.

    Dy ekipet janë përballur edhe më herët këtë sezon, kur Barcelona arriti fitore 2-1 në udhëtim falë golave të Marcus Rashford.

    Në një tjetër përballje, një nga pretendentët kryesorë për trofeun, Bayern Munich, do të jetë mysafir i Atalanta. Bavarezët po kalojnë një sezon shumë të mirë, duke qenë pranë titullit në kampionatin gjerman dhe duke përfunduar fazën e ligës në vendin e dytë me vetëm një humbje.

    Ndërkohë, në Londër, Tottenham Hotspur përballet me Atlético Madrid. Skuadra londineze nuk po kalon një periudhë të mirë të rezultateve edhe pas ardhjes së trajnerit Igor Tudor, ndërsa ekipi spanjoll hyn në këtë përballje si favorit në letër.

  • Presidenti i FIFA-s jep shifra të frikshme për Botërorin: Kemi 500 milionë aplikime për 7 milionë bileta në dispozicion

    Presidenti i FIFA-s jep shifra të frikshme për Botërorin: Kemi 500 milionë aplikime për 7 milionë bileta në dispozicion

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dhënë një përditësim madhor mbi përgatitjet e Botërorit 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada, duke theksuar një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për bileta.

    “Botërori do të jetë fantastik, fenomenal. Nuk kemi parë kurrë një entuziazëm të tillë në SHBA, Meksikë dhe Kanada më parë. Vetëm në katër javë, kemi marrë mbi 500 milionë aplikime për bileta”.

    “Është e pabesueshme. Kemi afërsisht 7 milionë bileta të disponueshme, por 500 milionë kërkesa, kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e FIFA-s apo ndonjë organizate tjetër”.

    Infantino theksoi se 77 nga 104 ndeshjet kanë marrë tashmë mbi një milion aplikime secila, ndërsa pjesa tjetër i ndjek ngushtë.

    “Po mbajmë disa bileta në rezervë për shpërndarje gjatë turneut dhe ditëve finale. Çdo stadium do të jetë i mbushur, do të jetë një festë absolute”.

    “Njerëzit dikur thoshin se futbolli nuk ishte popullor në SHBA, por gjithçka ka ndryshuar. Ky turne do të jetë një sukses”.

    “Me 48 ekipe, 104 ndeshje, në 16 qytete në tre vende… po flasim për diçka kolosale. Nuk është vetëm një turne; është një fenomen social që do të ndalë botën”, ka deklaruar shefi i FIFA-s.

  • Shiten biletat për duelin Sllovaki – Kosovë

    Shiten biletat për duelin Sllovaki – Kosovë

    Tifogrupi “Dardanët” ka njoftuar se nuk ka mbetur asnjë biletë në dispozicion për ndeshjen historike të Kosovës ndaj Sllovakisë, në kuadër të “play-off” për kualifikim në Botërorin 2026.

    Ndeshja e 26 marsit ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Rreth 1100 bileta i ishin dhënë Federatës së Futbollit të Kosovës e tash kur kanë mbetur më shumë se dy javë, nuk ka më në dispozicion.

    Është pritur interesim i madh për këtë përballje që luhet në Bratisllavë pas rezultateve pozitive të Kosovës, pasi pati përkrahje të madhe edhe në Lubjanë, Goteborg e Basel.

    Federata e Futbollit e Sllovakisë mori masa që biletat e saj të mos përfundojnë te tifozët e Kosovës.

    Stadiumi Nacional në Bratisllavë ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve, ku pesë për qind të biletave u takojnë tifozëve të Kosovës.

    Nëse Kosova fiton ndaj Sllovakisë, atëherë finalen e plejofit e luan më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë apo Rumanisë.

  • Moment epik nga Superliga e Çekisë: Portieri godet dritaret e një banese në Pragë

    Moment epik nga Superliga e Çekisë: Portieri godet dritaret e një banese në Pragë

    Një moment i pazakonshëm ndodhi në ndeshjen e raundit të 25-të të kampionatit çek mes Bohemians 1905 dhe Slovan Liberec, e cila përfundoi pa gola (0:0) në stadiumin Dolícek Stadium në Pragë.

    Portieri i mysafirëve, Tomas Koubek, në përpjekje për të larguar rrezikun dhe për të shmangur një goditje nga këndi, e goditi topin me forcë të madhe. Topi fluturoi shumë lart mbi tribunat e stadiumit dhe përfundoi në ballkonin e një apartamenti në ndërtesat që ndodhen pranë fushës. Fatmirësisht dritarja e asaj banese shpëtoi pa u thyer.

    Goditja e Koubek habiti si lojtarët në fushë ashtu edhe tifozët në tribuna. Pamjet e këtij momenti u përhapën shpejt në rrjetet sociale dhe u bënë një nga skenat më të veçanta të këtij sezoni në ligën çeke.

    Stadiumi Dolícek, shtëpia e klubit Bohemians 1905, njihet për arkitekturën e tij të veçantë. Ndërtesat e banimit ndodhen shumë pranë stadiumit dhe ballkonet e tyre shpesh shërbejnë si vende nga ku banorët mund të ndjekin ndeshjet.

    Stadiumi u hap në vitin 1932, kur Bohemians 1905 priti Sparta Pragën, dhe u projektua nga arkitekti Alois Vejvoda. Ai është rinovuar në vitet 2003 dhe 2007 dhe sot ka një kapacitet prej rreth 6300 spektatorësh.

  • Shkëlqeu me dy gola ndaj Osasunas – Vedat Muriqi, pjesë e formacionit të javës në La Liga

    Shkëlqeu me dy gola ndaj Osasunas – Vedat Muriqi, pjesë e formacionit të javës në La Liga

    Vedat Muriqi është bërë pjesë e formacionit më të mirë të javës në La Liga për xhiron e 27-të.

    Kjo pas paraqitjes së tij fantastike vikendin që lamë pas, me sulmuesin dardan që ishte autor i dy golave të realizuar ndaj Osasunas.

    Mallorca luajti baras me rezultat 2-2 në udhëtim, një ndeshje të cilën e lëshoi nga duart vetëm në minutat e fundit të saj.

    Muriqi në atë përballje ishte vlerësuar si ‘Lojtari më i Mirë’ duke marrë notën 8.6 nga Sofascore dhe tashmë është bërë pjesë edhe e 11-shes më të mirë të javës.

    31-vjeçari rreshtohet në fazën ofanzive së bashku me emra si Ante Budimir (Osasuna) dhe Lucas Boye (Alaves).

    Për Muriqin paraqitja ndaj Osasunas ishte e 26-ta për të këtë edicion në kampionat spanjoll.

    Kujtojmë se sulmuesi shtatgjatë po luan këtë sezon me shifra të jashtëzakonshme, teksa deri në këtë fazë të sezonit numëron 18 gola të realizuar, ndërsa ka edhe një asistim.

  • Shkëlqeu ndaj Prishtinës me dy gola, Laurent Xhylani është ylli i javës së 23-të

    Shkëlqeu ndaj Prishtinës me dy gola, Laurent Xhylani është ylli i javës së 23-të

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

    Për javën e njëzet e tretë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Laurent Xhylani, i cili shënoi dy gola në ndeshjen kundër FC Prishtina, e cila përfundoi me rezultat 3:0.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pasi mori këtë çmim, Xhylani u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

    “Ka qenë një ndeshje e vështirë, të cilën e kemi përgatitur shumë mirë, duke i analizuar të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të FC Prishtinës dhe në fund arritëm një fitore të rëndësishme”.

    “Në ekip kemi një atmosferë shumë të mirë, sidomos me ardhjen e stafit të trajnerëve. Vazhdojmë të kemi të njëjtin synim: daljen në Evropë apo titullin kampion. Jam shumë i gëzuar për këtë çmim, i falënderoj bashkëlojtarët e mi dhe këtë çmim ia dedikoj nënës time”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Ish-lojtari i Man Cityt merr dënim të përjetshëm pas përfshirjes në skandalin e basteve

    Ish-lojtari i Man Cityt merr dënim të përjetshëm pas përfshirjes në skandalin e basteve

    Dy lojtarë janë përjashtuar përgjithmonë nga MLS pas shkeljeve “të gjera” që lidhen me bixhozin.

    Të hënën, MLS, niveli më i lartë i futbollit në Shtetet e Bashkuara, njoftoi se Derrick Jones dhe Yaw Yeboah ishin subjekt i dënimit më të ashpër të mundshëm.

    Liga u njoftua për “sinjale të dyshimta bixhozi” dhe hapi një hetim me ndihmën e një firme ligjore.

    Të dy lojtarët, të cilët kishin qenë bashkëlojtarë te Columbus Crew për një sezon, u vendosën në pushim administrativ në tetor 2025 dhe, deri në përfundimin e hetimeve, asnjëri nuk po luante më në MLS.

    Në një deklaratë, MLS konkludoi se dyshja “mori pjesë në bixhoz të gjerë mbi futbollin, duke përfshirë edhe ndeshjet e ekipeve të tyre, gjatë sezoneve 2024 dhe 2025”.

    Ata shtuan se të dy kishin vendosur të njëjtën bast, që Jones të merrte karton të verdhë në një fitore 3-2 ndaj New York Red Bulls, gjë që ndodhi më pas.

    Yaw Yeboah, i cili u rrit në akademinë Right to Dream dhe iu bashkua Manchester City në 2014, transferohej në MLS në 2022 pas një serie huazimesh dhe periudhash te Numancia dhe Wisla Krakow.

    Ai luajti 91 ndeshje për Crew, dhe pasi kontrata e tij nuk u rinovua, Yeboah nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me Los Angeles në janar 2025, duke luajtur 17 ndeshje.

    28-vjeçari e pa kontratën e tij të përfundojë me marrëveshje të përbashkët më herët gjatë këtij viti dhe më pas iu bashkua Qingdao Hainiu në Superligën e Kinës, të cilët u penalizuan me shtatë pikë në fillim të sezonit të ri si pjesë e një hetimi të madh mbi manipulimin e ndeshjeve, bixhozin dhe korrupsionin në futbollin kinez.

    Dënimi nuk duket se aplikohet për futboll jashtë MLS, pasi nuk është një ndalim i vendosur nga FIFA. Aktualisht, reprezentuesi nga Gana, Yaw Yeboah, ende është i kualifikuar të luajë në Botërorin e vitit 2026 në Amerikën e Veriut.

  • KB Sigal Prishtina tërhiqet nga ENBL për shkak të obligimeve financiare të trashëguara

    KB Sigal Prishtina tërhiqet nga ENBL për shkak të obligimeve financiare të trashëguara

    KB Sigal Prishtina ka njoftuar se është detyruar të tërhiqet nga garat e European North Basketball League për sezonin aktual.

    Sipas njoftimit të klubit, ky vendim është marrë për shkak të obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj ligës, të cilat janë trashëguar nga drejtuesit e mëparshëm të klubit. Megjithëse kryesia aktuale ka bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje dhe për të vazhduar pjesëmarrjen në këtë garë ndërkombëtare, borxhet e mbetura nga e kaluara e kanë bërë të pamundur vazhdimin e garimit në këtë fazë.

    Klubi thekson se, duke marrë parasysh edhe situatën sportive dhe rezultatet e fundit të ekipit, është vendosur që përkohësisht fokusi të zhvendoset te garat vendore dhe te stabilizimi i skuadrës.

    KB Sigal Prishtina rithekson përkushtimin për rikthimin e stabilitetit financiar dhe organizativ, me synimin që në të ardhmen të arrihen rezultate në përputhje me historinë dhe traditën e klubit.

    Në fund të njoftimit, klubi shpreh falënderim për drejtuesit dhe zyrtarët e European North Basketball League për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar.

  • Xabi Alonso drejt rikthimit te Liverpool- Raportohet për marrëveshje verbale me “Reds”

    Xabi Alonso drejt rikthimit te Liverpool- Raportohet për marrëveshje verbale me “Reds”

    Trajneri spanjoll Xabi Alonso mund të rikthehet në mënyrë sensacionale te gjiganti anglez Liverpool në rolin e trajnerit.

    Sipas raportimeve të medias spanjolle OK Diario, Alonso ka arritur një marrëveshje verbale me klubin nga “Anfield” për të marrë drejtimin e skuadrës duke filluar nga sezoni 2026/27.

    Raporti thekson se marrëveshja e parashikuar është një kontratë trevjeçare, megjithatë aktivizimi i saj lidhet drejtpërdrejt me performancën e trajnerit aktual të Liverpoolit, Arne Slot. Nëse tekniku holandez arrin të udhëheqë skuadrën drejt triumfit në Ligën e Kampionëve këtë sezon, marrëveshja me Alonson mund të anulohet.

    Sipas burimeve, kontaktet e para joformale mes palëve kanë ndodhur në fund të muajit nëntor, në një periudhë kur Alonso po përballej me presion te klubi i tij aktual. Në atë kohë, drejtuesit e Liverpoolit nisën të shqyrtonin seriozisht mundësinë për ta rikthyer ish-mesfushorin e tyre në bankinën e ekipit duke filluar nga vera e ardhshme.

    Interesimi i Liverpoolit për Alonson nuk është diçka e re. Në verën e vitit 2024, ai ishte një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e klubit, ndërsa në garë për shërbimet e tij ishte edhe Bayern Munich. Kjo erdhi pas suksesit të madh që ai arriti në Gjermani, ku udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion dhe Kupës, duke përfunduar sezonin në kampionat pa asnjë humbje.

    Megjithatë, në atë periudhë 44-vjeçari vendosi të qëndrojë te klubi i tij dhe refuzoi ofertat e gjigantëve evropianë. Tashmë mbetet të shihet nëse rikthimi i tij në “Anfield” do të realizohet në të ardhmen e afërt.

  • Llapi fiton derbin ndaj Ballkanit-Prishtina futet në krizë të rezultateve-gjilani fiton në udhëtim kundër ferizajt

    Llapi fiton derbin ndaj Ballkanit-Prishtina futet në krizë të rezultateve-gjilani fiton në udhëtim kundër ferizajt

    Kanë përfunduar tre ndeshjet e ditës së hënë në kuadër të xhiros së 23-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

    Llapi i është rikthyer fitoreve duke mposhtur me rezultat 2:0 Ballkanin,në derbin e kësaj fundjave.

    Muhamet Hyseni në minutën e 17-të dhe Edon Sadriu në fund të pjesës së parë shënuan për fitoren e ekipit të Tahir Batatinës e cila tani ka 26 pikë në pozitën e 7-të,kurse Ballkani edhe përkundër humbjes mbetet e dyta  me 39 pikë.

    Malisheva në anën tjetër shënoi fitore kundër Prishtinës me rezultat 3:0,ku golat për vendasit i shënuan Etink Brruti dhe Laurent Xhylani nga penalltia,teksa i njëjti futbollist shënoi edhe në minutën e 73-të,dhe vlen të përmendet që kryeqytetasit mbetën me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ardian Limanit.

    Malisheva gjendet në pozitën e 4-të me 37 pikë,njëjtë sikurse Prishtina që gjendet një pozitë më lartë.

    Gjilani ndërkohë vazhdoi serinë e fitoreve duke mposhtur Ferizajn në udhëtim 2:1.

    Armend Thaqi dhe Senad Jarovic realizuan për mysafirët,teksa për vendasit shënoi Oguns.

    Gjilani pozicionohet në pozitën e 5-të me 36 pikë,kurse Ferizaj është e 8-ta me 23 pikë të grumbulluara.