ATV

Category: Sport

  • Real Madridi synon Jon Martin për të përforcuar mbrojtjen në verë

    Real Madridi synon Jon Martin për të përforcuar mbrojtjen në verë

    Planet e Real Madrid për afatin kalimtar të verës kanë nisur të marrin formë.Mes ideve për përforcimin e repartit defensiv, emri i Jon Martin është shfaqur si një nga prioritetet kryesore.

    Qendërmbrojtësi 19-vjeçar i Real Sociedad po kalon një sezon mbresëlënës, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane. Depërtimi i tij në elitë ka qenë i shpejtë dhe bindës, aq sa drejtuesit madrilenë e konsiderojnë si një investim strategjik si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.

    Martin ka dëshmuar se zotëron cilësitë e nevojshme për të konkurruar në nivelet më të larta. Ai spikat për forcën në duele, aftësinë për të lexuar lojën dhe dominimin në ajër. Po ashtu, qetësia e tij me topin dhe aftësia për të ndërtuar aksione nga prapavija përputhen me stilin e një skuadre që synon të dominojë përmes posedimit.

    Te Real Sociedad, ai ka gjetur ambientin ideal për t’u zhvilluar. Klubi nga San Sebastiani ka besuar te talenti i tij, duke i dhënë minuta në ndeshje të rëndësishme, çka ka përshpejtuar rritjen e tij dhe e ka shndërruar në një nga premtimet më të mëdha të futbollit spanjoll.

    Pengesa kryesore për Real Madridin mbetet çmimi i lojtarit. Jon Martin ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh, një shumë e konsiderueshme për një futbollist kaq të ri, por që reflekton potencialin e tij të madh. Nga ana tjetër, Real Sociedad nuk është i gatshëm të negociojë nën këtë shifër dhe e konsideron mbrojtësin pjesë kyçe të projektit të tyre.

    Në këtë situatë, Real Madridi po shqyrton disa opsione: pagesën e plotë të klauzolës ose gjetjen e formulave alternative, si bonuse të lidhura me performancën apo kushte më fleksibile pagese, për të realizuar transferimin.

  • Hakimi flet për përplasjen me Endrick: Nuk ishte futbolli problemi, por sjellja ndaj tifozëve

    Hakimi flet për përplasjen me Endrick: Nuk ishte futbolli problemi, por sjellja ndaj tifozëve

    Mbrojtësi i Paris Saint-Germain dhe përfaqësuesi i Marokut, Achraf Hakimi, ka sqaruar deklaratat e tij të fundit lidhur me sulmuesin e ri brazilian Endrick, duke theksuar se pakënaqësia e tij nuk lidhej me aspektin sportiv.

    Hakimi u shpreh se reagimi i tij i ashpër gjatë ndeshjes kishte të bënte me sjelljen e Endrick ndaj tifozëve, dhe jo me lojën e tij në fushë.

    “Pse isha i zemëruar me të? Doja që të ndalonte së bëri gjëra kundër tifozëve tanë,” tha Hakimi.

    Ai shtoi se e vlerëson talentin e sulmuesit të ri: “Ai është një lojtar i mirë dhe duhet të fokusohet vetëm në futboll. Kur bën gjëra që nuk kanë lidhje me lojën, kjo mund të më nervozojë, sidomos kur ndeshja ishte në një moment shumë të vështirë për ne.”

    Deklaratat e Hakimit kanë ngjallur reagime të ndryshme në media dhe rrjete sociale, duke e bërë këtë episod një nga temat më të diskutuara të ditës në futbollin evropian.

  • Jose Mourinho i hapur për rikthim te Real Madrid

    Jose Mourinho i hapur për rikthim te Real Madrid

    Trajneri portugez José Mourinho thuhet se do të mirëpriste një rikthim në pankinën e Real Madridit për sezonin e ardhshëm, raportojnë mediat spanjolle.

    Sipas “Cadena SER”, Mourinho është i hapur dhe madje i interesuar për të marrë drejtimin e klubit madrilen nëse krijohet mundësia për një ndryshim në stafin teknik gjatë verës.

    Portugezi ka një histori të fortë me Real Madridin, ku ka drejtuar ekipin nga viti 2010 deri në 2013, periudhë në të cilën fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubi apo vetë trajneri, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende në kuadër të spekulimeve mediatike.

    Rikthimi i mundshëm i Mourinhos në “Santiago Bernabéu” po shihet si një nga temat më të nxehta të merkatos së trajnerëve për verën e ardhshme.

  • KB Drita shpallet kampione dhe rikthehet në Superligën e Kosovës pas 4 vitesh

    KB Drita shpallet kampione dhe rikthehet në Superligën e Kosovës pas 4 vitesh

    KB Drita ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampione e Ligës së Parë dhe duke siguruar rikthimin në elitën e basketbollit kosovar pas katër vitesh mungesë.

    Skuadra nga Gjilani konfirmoi dominimin edhe në finalen e dytë ndaj Proton Cable Prizreni, ku triumfoi me rezultat dramatik 92:91, duke e mbyllur serinë me dy fitore të pastra.

    Ndeshja vendimtare ishte një betejë e vërtetë deri në sekondat e fundit, kur Eris Zeneli realizoi pikët që vulosën titullin. Gjatë takimit u dalluan edhe Jay Walker me 20 pikë dhe Adhurim Alijaj me 19, ndërsa te prizrenasit më efikasi ishte Rron Dahsyla me 23 pikë.

    Çmimi MVP i finales i takoi Adrian Ibishi, i cili kontribuoi me 18 pikë dhe 12 kërcime, duke qenë një nga shtyllat kryesore të suksesit.

    Ky triumf vetëm sa vulos një edicion perfekt për “bardhekaltërit”, të cilët më herët fituan edhe Kupën e Ligës së Parë, pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar në finale.

    Me këtë sukses të madh, Drita rikthehet fuqishëm në Superligën e Kosovës, duke paralajmëruar një kapitull të ri ambicioz në skenën kryesore të basketbollit vendor.

  • Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

    Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

    Rubin Kazan ka inauguruar dyqanin e tretë zyrtar në zemër të qytetit, por ajo që duhej të ishte një ceremoni e zakonshme u kthye në një spektakël të vërtetë falë entuziazmit për sulmuesin shqiptar Mirlind Daku.

    Në këtë event morën pjesë edhe Daku së bashku me Igor Vujačić, megjithatë vëmendja ishte e gjitha tek reprezentuesi kuqezi. Sipas raportimeve të medias ruse “Sport”, tifozët nisën të mblidhen që dy orë para hapjes, duke krijuar radhë të gjata që shtriheshin deri në rrugë.

    Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, fanella më e kërkuar ishte ajo me numrin 10 e Dakut, ndërsa shumë prej të pranishmëve kishin ardhur vetëm për ta parë nga afër idhullin e tyre. Një moment prekës u shënua kur një fëmijë, i zhgënjyer që nuk e pa menjëherë Dakun, deshi të largohej, por vendosi të priste pasi u informua se ai do të mbërrinte më vonë.

    Me ardhjen e Dakut, atmosfera shpërtheu. Thirrjet e tifozëve pushtuan zonën, ndërsa turma u shty nga dëshira për autografe dhe fotografi. Sulmuesi shqiptar kaloi kohë të gjatë duke u përshëndetur me tifozët, duke nënshkruar fanella dhe duke bashkëbiseduar me ta për formën dhe synimet e sezonit.

    Edhe në përfundim të aktivitetit, ai nuk u largua pa dhënë edhe autografin e fundit, mes ovacioneve të vazhdueshme.

    Daku është rikthyer së fundmi në fushë pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak dëmtimi. Para lëndimit, ai kishte lënë gjurmë me nëntë gola të shënuar për Rubin Kazanin, duke u kthyer tashmë edhe më i motivuar për vazhdimin e sezonit.

  • Spektakël në NBA, Fitore të mëdha dhe seri të barabarta në Play-Off

    Spektakël në NBA, Fitore të mëdha dhe seri të barabarta në Play-Off

    Mbrëmje plot dramë dhe emocione në NBA, ku ndeshjet e Play-Off-it sollën spektakël dhe rezultate që mbajtën tifozët në ankth deri në fund.

    Në Konferencën Lindore, Cleveland Cavaliers vazhduan formën e shkëlqyer duke mposhtur Toronto Raptors me rezultatin 115:105. Cavaliers dominuan që nga fillimi, duke ndërtuar epërsi graduale në çdo çerek dhe duke kaluar në avantazh 2-0 në seri.

    Figura kryesore të kësaj fitoreje ishin Donovan Mitchell me 30 pikë, 7 kërcime e 5 asistime, si dhe James Harden që kontribuoi me 28 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime.

     

    Ndërkohë në Perëndim, Minnesota Timberwolves arritën një fitore të rëndësishme si mysafir ndaj Denver Nuggets me shifrat 119:114, duke barazuar serinë në 1-1.

    Po aq dramatik ishte edhe dueli në “Madison Square Garden”, ku Atlanta Hawks triumfuan ngushtë 107:106 ndaj New York Knicks, duke rikthyer ekuilibrin në seri me rezultat 1-1.

    Play-Off-i i NBA-së po hyn në një fazë gjithnjë e më intensive, ku çdo ndeshje po sjell histori të reja dhe beteja të forta për një vend në rundet e ardhshme.

  • Ylber Ramadani shkëlqen në Serie A dhe futet në formacionin e javës

    Ylber Ramadani shkëlqen në Serie A dhe futet në formacionin e javës

    Xhiroja e 33-të në elitën e futbollit italian, Serie A, ka sjellë emocione dhe paraqitje të jashtëzakonshme nga shumë lojtarë.

    Një ndër emrat që shkëlqeu ishte mesfushori shqiptar Ylber Ramadani, i cili zhvilloi një ndeshje mbresëlënëse në përballjen ndaj Fiorentina. Takimi përfundoi 1-1, por performanca e tij ishte vendimtare për Lecce që siguroi një pikë me shumë peshë.

    Ramadani dominoi mesfushën dhe u dallua si lojtari më i mirë në fushë, duke marrë vlerësime të larta për paraqitjen e tij. Forma e tij e shkëlqyer nuk kaloi pa u vënë re, pasi ai u përfshi në formacionin më të mirë të javës nga SofaScore.

    Me notën 8.0, ai ishte një nga mesfushorët më të vlerësuar, përkrah emrave si Nicolò Barella, Adrien Rabiot dhe të tjerë që spikatën në këtë xhiro.

    Në repartin ofensiv u përzgjodh M’Bala Nzola, ndërsa në mbrojtje vendin e siguruan Mario Hermoso, Stefan de Vrij dhe Lloyd Kelly.

  • Kosova ngjitet në pozitën më të mirë historike në ranglistën e FIFA-s

    Kosova ngjitet në pozitën më të mirë historike në ranglistën e FIFA-s

    Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra ka shënuar një ngritje të jashtëzakonshme në ranglistën e FIFA, duke regjistruar rritjen më të madhe të pikëve në nivel global për këtë periudhë.

    Falë fitoreve ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, si dhe dy triumfeve radhazi ndaj Bullgarisë, Kosova ka grumbulluar plot 58.33 pikë duke e pasur rritjen më të lartë nga të gjitha përfaqësueset që prej publikimit të fundit të renditjes më 11 dhjetor 2025.

    Në ranglistën e re të publikuar të martën nga FIFA, Kosova renditet në pozitën e 81-të, duke u ngjitur për 11 vende krahasuar me renditjen paraprake. Kjo është njëkohësisht pozita më e mirë historike për “Dardanet”.

    Të gjitha këto rezultate pozitive janë arritur në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, duke dëshmuar formën në rritje dhe progresin e vazhdueshëm të përfaqësueses.

    Deri më tani, pozita më e mirë e Kosovës kishte qenë ajo e 91-të, e arritur në mars të vitit 2024, ndërsa më e dobëta ishte vendi i 126-të. Mesatarja e renditjes së Kosovës ndër vite ka qenë pozita e 108-të.

  • FSHF merr vendim për stadiumin “Air Albania”

    FSHF merr vendim për stadiumin “Air Albania”

    Një nga vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbledhjen e fundit lidhet me investimet në infrastrukturë, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Evropian U-21 2027, që do të zhvillohen në Shqipëri.

    Sipas njoftimit zyrtar, Komiteti Ekzekutiv miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Air Albania”, si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni.

    Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor.

    “Në bashkëpunim me klubin, FSHF do të realizojë investimin për të transformuar tapetin e fushës nga bar artificial në bar natyral, duke garantuar kushte optimale loje. Gjithashtu, një prej dy fushave të reja në kompleksin Partizani do të jetë me bar natyral, e dedikuar për seancat stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse gjatë turneut dhe tjetra me tapet artificial”.

    Punimet pritet të nisin së shpejti, me objektivin për përfundimin në kohë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA.

  • E konfirmon mediumi turk: Muriqi arrin marrëveshje personale me skuadrën e re

    E konfirmon mediumi turk: Muriqi arrin marrëveshje personale me skuadrën e re

    Fenerbahçe ka nisur lëvizjet për sezonin e ardhshëm dhe ka arritur një marrëveshje paraprake me sulmuesin kosovar Vedat Muriqi për një rikthim të mundshëm në Stamboll.

    Klubi verdhë-blu, që aktualisht ka mungesë opsionesh në repartin ofensivë përveç të riut Sidiki Cherif, e sheh Muriqin si zgjedhjen ideale për të udhëhequr sulmin në sezonin e ri.

    Drejtuesit kanë vepruar shpejt, duke mos pritur hapjen zyrtare të merkatos së verës.

    Mediumi turk Sabah ka raportuar se Fenerbahce tanimë ka arritur marrëveshje personale me sulmuesin kosovar.

    Sulmuesi 30-vjeçar, i cili është aktualisht pjesë e Mallorca, është i hapur për t’u rikthyer te ish-klubi i tij, ku ka luajtur gjatë sezonit 2019-2020.

    Fenerbahçe pritet të nisë së shpejti negociatat me klubin spanjoll për të finalizuar transferimin. Sipas raportimeve, Mallorca do të kërkojë rreth 10 milionë euro për kartonin e lojtarit.

    Muriqi po kalon një sezon të shkëlqyer në La Liga, ku ka shënuar 21 gola dhe renditet i dyti në garën për “Pichichi”, pas Kylian Mbappé të Real Madrid.

    Me 30 paraqitje zyrtare këtë sezon, nga të cilat 29 si titullar, Muriqi mbetet një nga sulmuesit më në formë në Evropë, duke e bërë rikthimin e tij një prioritet për Fenerbahçen.