ATV

Category: Sport

  • Finale historike në Kupën e Kosovës, Dukagjini dhe Ferizaj në kërkim të trofeut të parë dhe Evropës

    Finale historike në Kupën e Kosovës, Dukagjini dhe Ferizaj në kërkim të trofeut të parë dhe Evropës

    Finalja e Kupës së Kosovës për sezonin 2025/26 do të sjellë një përballje të veçantë mes Dukagjini dhe Ferizaj – dy skuadra që e njohin shijen e finales, por ende nuk e kanë prekur trofeun. Këtë herë, përveç kupës, në lojë është edhe një biletë për në UEFA Europa Conference League.

    Dukagjini siguroi finalen pas një tjetër paraqitjeje bindëse ndaj Ballkani, duke triumfuar 3-2 në ndeshjen e kthimit në stadiumin “18 Qershori”. Klinasit kishin hedhur themelet e kualifikimit që në takimin e parë me fitoren 3-0 si mysafir, duke kaluar me rezultat të përgjithshëm 6-2. Rruga e tyre drejt finales ishte e qëndrueshme: fillimisht kaluan Ramiz Sadiku, më pas Prishtina e Re dhe në çerekfinale dominuan ndaj Feronikeli 74.

    Kjo është finalja e katërt për Dukagjinin, që ende kërkon trofeun e parë në histori, pasi në tri përpjekjet e mëparshme ka mbetur vetëm një hap larg suksesit.

    Në anën tjetër, Ferizaj arriti të menaxhojë me kujdes avantazhin nga ndeshja e parë ndaj Llapi. Barazimi 0-0 në ndeshjen e kthimit mjaftoi për të vulosur kualifikimin, falë fitores 2-1 në “Zahir Pajaziti”. Gjatë këtij edicioni, Ferizaj eliminoi Tefik Qanga, më pas Drenica dhe në çerekfinale kaloi Vushtrria.

    Për Ferizajn, kjo është finalja e tretë në histori. Dy herët e kaluara, në sezonet 2011/12 dhe 2012/13, skuadra u ndal në prag të trofeut, fillimisht nga Trepça ’89 dhe më pas nga Prishtina.

    Kështu, gjithçka është gati për një finale ku njëra prej këtyre skuadrave do të shkruajë histori – duke ngritur për herë të parë Kupën e Kosovës dhe duke siguruar një vend në arenën evropiane.

  • Asllani “ndez” merkaton, Bayern Munich, Barcelona dhe Dortmund në garë për sulmuesin kosovar

    Asllani “ndez” merkaton, Bayern Munich, Barcelona dhe Dortmund në garë për sulmuesin kosovar

    Interesimi për Fisnik Asllani po rritet gjithnjë e më shumë në prag të afatit kalimtar të verës, me sulmuesin e Hoffenheim që ka hyrë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.

    Sipas gazetarit të njohur të Bild, Christian Falk, emri i Asllanit vazhdon të figurojë në listën e dëshirave të Bayern Munich. Megjithatë, Hoffenheimi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, duke mos pranuar oferta të ulëta.

    Forma e shkëlqyer e 23-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve si FC Barcelona dhe Borussia Dortmund, të cilat po monitorojnë nga afër zhvillimin e tij.

    Me 9 gola dhe 6 asistime në Bundesliga këtë sezon, Asllani është shndërruar në një pikë referimi për Hoffenheimin, duke kontribuar ndjeshëm në ambiciet e skuadrës për një vend në garat evropiane.

    Sulmuesi kosovar mbetet i lidhur me klubin gjerman deri në vitin 2029, çka i jep Hoffenheimit një pozicion të fortë në negociata, ndërsa vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.

  • Ferizaj kualifikohet në finalen e Kupës së Kosovës pas një ndeshjeje të tensionuar ndaj Llapit

    Ferizaj kualifikohet në finalen e Kupës së Kosovës pas një ndeshjeje të tensionuar ndaj Llapit

    Ferizaj ka siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës, duke ruajtur rezultatin në ndeshjen kthyese gjysmëfinale ndaj Llapit dhe duke përfituar nga fitorja e ndeshjes së parë.

    Ndeshja e kthimit, e zhvilluar në Ferizaj, u shoqërua me tensione dhe u ndërpre për më shumë se dhjetë minuta. Takimi u ndal në minutën e 55-të, pasi nga tribunat u hodhën sende në fushë. Nga gjuajtjet e tifozëve u godit mbrojtësi i Llapit, Ilir Blakqori. Në momentin e ndërprerjes, rezultati ishte 0-0.

    Ndeshja rifilloi vetëm pasi shikuesit u larguan plotësisht nga stadiumi. Pas 18 minutash shtesë, Ferizaj krijoi më shumë raste dhe ishte afër golit, por rezultati nuk ndryshoi.

    Ferizaj arriti të ruajë rezultatin deri në fund dhe, falë epërsisë nga ndeshja e parë (2-1), siguroi kalimin në finalen e madhe të Kupës së Kosovës.

  • Dukagjini mposht Ballkanin dhe siguron finalen e Kupës së Kosovës

    Dukagjini mposht Ballkanin dhe siguron finalen e Kupës së Kosovës

    Dukagjini ka shënuar fitore ndaj Ballkanit me rezultat 3-2 në stadiumin “18 Qershori”, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, duke siguruar kualifikimin në finale.

    Klinasit kishin fituar edhe ndeshjen e parë si mysafir bindshëm me rezultat 3-0, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 6-2.

    Elton Basri hapi serinë e golave në minutën e 25-të për Dukagjinin. Pas dhjetë minutash, Ballkani barazoi me golin e Bleart Tolajt. Në fillim të pjesës së dytë, Tolaj shënoi sërish për 2-1, duke i dhënë epërsinë Ballkanit.

    Dukagjini nuk u ndal dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 65-të përmes Mërgim Pefqelit. Në minutat e fundit, Dieni Isufi realizoi golin e fitores për 3-2, rezultat që mbeti deri në fund.

    Me këtë fitore, Dukagjini arrin finalen e Kupës së Kosovës për herë të katërt në histori dhe do të kërkojë ta fitojë këtë trofe për herë të parë.

  • Al-Nassr plan historik, Ronaldo Jr drejt ekipit të parë, gati të luajë krah Cristiano Ronaldos

    Al-Nassr plan historik, Ronaldo Jr drejt ekipit të parë, gati të luajë krah Cristiano Ronaldos

    Një kapitull i ri historik mund të jetë duke u shkruar në familjen e Cristiano Ronaldo, pasi Al-Nassr po shqyrton seriozisht mundësinë e promovimit të djalit të tij në ekipin e parë.

    Cristiano Ronaldo Jr, vetëm 15 vjeç, ka spikatur fuqishëm në akademinë e klubit dhe raportimet nga Al Weeam bëjnë të ditur se ai mund të bëhet pjesë e skuadrës së parë që në sezonin e ardhshëm. Një hap që, nëse realizohet, do t’i mundësonte atij të luajë krah për krah me babain e tij në nivel profesional.

    I riu ka ndjekur hapat e të atit në disa nga akademitë më të mëdha në botë, duke kaluar nga Real Madrid, te Juventus dhe Manchester United, përpara se të vendosej në Arabinë Saudite.

    Performancat e tij kanë tërhequr vëmendje të madhe, pasi ai ka treguar një instinkt të jashtëzakonshëm për gol. Statistikisht, Ronaldo Jr ka shënuar dhjetëra gola në nivelet e të rinjve, duke përfshirë 56 gola në 27 ndeshje me ekipin U-15 të Al-Nassr.

    Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të ndjekë objektivin e madh të 1,000 golave në karrierë, ndërsa ideja që djali i tij të jetë pjesë e këtij rrugëtimi po shihet si një skenar i jashtëzakonshëm dhe emocional për botën e futbollit.

    Klubi pritet të vlerësojë me kujdes zhvillimin dhe gatishmërinë e tij në fund të sezonit, përpara se të marrë një vendim përfundimtar për integrimin e tij në ekipin e parë.

    Nëse ky hap finalizohet, historia e familjes Ronaldo në futboll mund të marrë një dimension krejt tjetër – këtë herë, në të njëjtën fanellë dhe në të njëjtën fushë.

  • Pep Guardiola i përgjigjet kritikave të Wayne Rooneyt për festimet e Cityt

    Pep Guardiola i përgjigjet kritikave të Wayne Rooneyt për festimet e Cityt

    Pep Guardiola i është kundërpërgjigjur Wayne Rooneyt, pasi ish-sulmuesi i Manchester United vuri në pikëpyetje festimet e Manchester Cityt pas fitores së rëndësishme ndaj Arsenalit.

    Trajneri i Cityt mbrojti të drejtën e lojtarëve të tij për të shijuar momentin pas një dueli me peshë të madhe në “Etihad Stadium”, fitore që rriti shanset e tyre për titullin në Ligën Premier. Rooney kishte pretenduar se reagimi i lojtarëve dhe tifozëve pas fitores 2-1 ishte “paksa i tepruar”, ndërsa ish-mesfushori i Liverpoolit, Danny Murphy, sugjeroi se skenat dukeshin “paksa shumë”, pasi Gianluigi Donnarumma u hodh në tribuna për të festuar me tifozët.

    Guardiola i hodhi poshtë këto komente, duke theksuar se skuadra e tij e kuptonte rëndësinë e rezultatit në kontekstin e garës për titull. “Kur ata festuan, njerëzit mund të thonë çfarë të duan, edhe gjëra budallaqe, ata festuan sepse e dinë vlerën e kundërshtarit,” tha trajneri.

    Ai foli edhe për rolin e tifozëve të Cityt, të cilët shpalosën një pankartë ku shkruhej: “Panik në rrugët e Londrës.” “Ata e dinin që nëse nuk fitonim, do të ishte lamtumirë. Ata fituan dhe prapë ne jemi aty. Si të mos festojnë?” shtoi Guardiola.

    Trajneri theksoi se respekti për kundërshtarin dhe tifozët nuk pengon shprehjen e emocioneve. Ai refuzoi idenë se skuadrat duhet të presin për të shfaqur gëzimin deri në sigurimin e trofeut, duke nënvizuar se futbolli është për të jetuar momentin dhe për të njohur përpjekjen e madhe të ekipit për të mposhtur kundërshtarë të nivelit të lartë.

  • Elvis Rexhbeçaj rikthehet te Wolfsburgu pas katër vitesh

    Elvis Rexhbeçaj rikthehet te Wolfsburgu pas katër vitesh

    Wolfsburgu ka siguruar nënshkrimin e tij të parë për sezonin e ardhshëm. Reprezentuesi kosovar, Elvis Rexhbeçaj, kthehet te klubi gjerman si lojtar i lirë pas katër vitesh te Augsburgu.

    Mesfushori 28-vjeçar ka nënshkruar një kontratë me klubin e ri deri më 30 qershor 2030.

    “Me Elvisin, po rikthejmë një lojtar që ka lidhje të ngushta me Wolfsburgun dhe qytetin. Jemi të kënaqur që ai është i përkushtuar ndaj klubit gjatë kësaj periudhe sfiduese,” tha drejtori sportiv Pirmin Schwegler.

    “Përtej cilësive të tij futbollistike, ai zotëron një personalitet të fortë, i dukshëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai jep gjithçka nga vetja në çdo ndeshje dhe merr përgjegjësi. Jemi të bindur se Elvisi do të jetë një aset i madh për ekipin me këto cilësi dhe mezi presim kthimin e tij në verë.”

    Rexhbeçaj shprehu lumturinë për rikthimin:
    “Kthimi në Wolfsburg do të jetë shumë i veçantë për mua. U rrita këtu dhe e nisa karrierën time në Bundesligë. Do të jem gjithmonë mirënjohës për këtë.”

    Ai shtoi: “Kur më erdhi përsëri mundësia, e kuptova shpejt se doja ta bëja. Por një gjë është gjithashtu e qartë: Do të jap gjithçka për Augsburgun deri në ndeshjen e fundit.”

  • Pedro Martínez shkruan histori në EuroLeague, shpallet “Trajneri i Vitit” pas sezonit brilant me Valencian

    Pedro Martínez shkruan histori në EuroLeague, shpallet “Trajneri i Vitit” pas sezonit brilant me Valencian

    Në një sezon që mbajti firmën e tij, Pedro Martínez është kurorëzuar si “Trajneri i Vitit” në EuroLeague për edicionin 2025-2026, pas një ecurie mbresëlënëse me Valencia Basket.

    Tekniku spanjoll e udhëhoqi Valencian drejt 25 fitoreve dhe një vendi të dytë në sezonin e rregullt, duke shndërruar ekipin në një nga skuadrat më spektakolare të kompeticionit. Në vitin e tij të parë të plotë në këtë nivel, ai fitoi besimin dhe votat e kolegëve trajnerë, të cilët e vlerësuan më së shumti për punën e bërë gjatë sezonit.

    Nën drejtimin e Martinez, Valencia jo vetëm që ishte ndër ekipet me më shumë fitore, por dominoi edhe në aspektin ofensiv, duke udhëhequr ligën me mesatarisht 90.9 pikë për ndeshje dhe duke qenë konkurruese në pothuajse çdo kategori statistikore.

    Në garën për këtë çmim, pas tij u renditën Tomas Masiulis i Žalgiris Kaunas, si dhe emra të njohur si Georgios Bartzokas i Olympiacos dhe fituesi i sezonit të kaluar, Šarūnas Jasikevičius i Fenerbahçe Beko.

    Ky vlerësim mban emrin e legjendarit Alexander Gomelsky, një figurë ikonike e basketbollit europian, i cili udhëhoqi ekipe si ASK Riga dhe CSKA Moska drejt lavdisë kontinentale dhe fitoi medaljen e artë olimpike me Bashkimin Sovjetik në vitin 1988.

    Për Valencian, ky është një moment historik, pasi është hera e parë që një trajner i saj fiton këtë çmim prestigjioz. Ndërkohë, Martinez hyn në listën elitare të trajnerëve spanjollë që kanë lënë gjurmë në EuroLeague, përkrah emrave si Chus Mateo, Pablo Laso dhe Xavi Pascual.

  • Goditje e rëndë për Spurs, Wembanyama lëndohet

    Goditje e rëndë për Spurs, Wembanyama lëndohet

    Një mbrëmje dramatike në NBA u kthye në makth për San Antonio Spurs, të cilët u mposhtën ngushtë 106:103 nga Portland Trail Blazers, por humbja kaloi në plan të dytë për shkak të një momenti shqetësues në parket.

    Ylli i Spurs, Victor Wembanyama, pësoi një dëmtim të rëndë gjatë çerekut të dytë. Në përpjekje për të kaluar kundërshtarin Jrue Holiday, ai humbi ekuilibrin dhe u rrëzua me forcë në parket, duke goditur fytyrën. Skena ishte e rëndë: Wembanyama qëndroi për disa çaste i shtrirë, ndërsa kur u ngrit, mezi mbante ekuilibrin.

    Ai u largua menjëherë nga loja dhe nuk u rikthye më, ndërsa pas ndeshjes u konfirmua se kishte pësuar tronditje. Sipas protokolleve të ligës, një dëmtim i tillë e mban lojtarin jashtë parketit për të paktën 48 orë, duke e bërë të sigurt mungesën e tij në ndeshjen e tretë të serisë më 24 prill.

    Me serinë tashmë të barabartë 1:1, mungesa e francezit mund të peshojë rëndë për Spurs. Bazuar në rastet e mëparshme, rikuperimi nga një tronditje zgjat zakonisht nga shtatë deri në dhjetë ditë, çka lë të hapur mundësinë që Wembanyama të rikthehet vetëm në ndeshjen e pestë ose të gjashtë.

    Një goditje e fortë për Spurs në një moment kyç të sezonit, ku çdo ndeshje mund të vendosë fatin e serisë.

  • Muriqi në qendër të merkatos, interesim nga Barcelona dhe Fenerbahçe, Mallorca vendos çmimin 30 milionë euro

    Muriqi në qendër të merkatos, interesim nga Barcelona dhe Fenerbahçe, Mallorca vendos çmimin 30 milionë euro

    Edhe në një mbrëmje pa gol, Vedat Muriqi mbetet në qendër të vëmendjes në tregun e transferimeve, duke konfirmuar statusin e tij si një nga sulmuesit më të kërkuar të momentit.

    Pas zërave për interesim nga FC Barcelona, garës i është bashkuar fuqishëm edhe Fenerbahçe. Mediat turke raportojnë për një marrëveshje paraprake mes klubit nga Stambolli dhe sulmuesit kosovar, ndërsa pengesa kryesore mbetet arritja e akordit me RCD Mallorca.

    Klubi spanjoll nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtë nga ylli i tij. Sipas raportimeve nga “Ultima Hora”, Mallorca ka vendosur një çmim prej 30 milionë eurosh për kartonin e bomberit, një shifër që reflekton formën e tij mbresëlënëse këtë sezon.

    Prania e agjentit të tij, Utku Cenikli, në stadiumin “Son Moix” gjatë përballjes me Valencian ka shtuar edhe më shumë dyshimet për një lëvizje të afërt. Vizita e tij vjen në një moment kur interesimi nga klubet e mëdha po intensifikohet ndjeshëm.

    Muriqi po kalon një sezon fantastik, duke realizuar 21 gola në La Liga dhe duke hyrë në histori me fanellën e Mallorcas. Megjithatë, një transferim mbetet i ndërlikuar edhe për shkak të faktorëve financiarë, pasi SS Lazio, ish-klubi i tij, zotëron 45% të fitimit nga një shitje e ardhshme.

    Pavarësisht ofertave dhe interesimit në rritje, drejtuesit e Mallorcas synojnë ta mbajnë liderin e sulmit, dhe çdo largim do të konsiderohet vetëm nëse vjen një ofertë që përmbush kërkesat e tyre të larta. Kontrata e Muriqit mbetet e vlefshme edhe për tri vite të tjera, duke i dhënë klubit avantazh në negociata.