ATV

Category: Sport

  • LA Lakers dhe Celtics marrin fitore vendimtare, Spurs rikthehen ndaj Portland

    LA Lakers dhe Celtics marrin fitore vendimtare, Spurs rikthehen ndaj Portland

    Lakers arritën sot një fitore të madhe në fushën e Houston Rockets me shifrat 112-108, duke udhëhequr 3-0 serinë e ndeshjeve të çerekfinaleve. Ishte një takim i vendosur në kohën shtesë, ku protagonist për kalifornianët ishte LeBron James, autor i 29 pikëve dhe 13 rebound. Për Rocktes u dallua Sengun me 33 pikë, por kjo nuk mjaftoi.

    Në Konferencën e Perëndimit, fitore arriti edhe skuadra e San Antonio, që triumfoi 120-108 në shtëpinë e Portland dhe tashmë udhëheq 2-1 serinë e ndeshjeve. Castle me 33 pikë dhe Harper me 27 pikë u dalluan për Spurs, ndërsa 29 pikët e Holiday për vendasit mbetën vetëm statistikë.

    Vetëm një ndeshje u luajt në Konferencën e Lindjes, ku ekipi i Boston mposhti 108-100 Philadelphia dhe tashmë udhëheq 2-1 serinë. Ishte një fitore e vështirë jashtë fushe për Celtics, ku Tatum dhe Brown realizuan nga 25 pikë secili. Për vendasit, Maxey shënoi 31 pikë, por nuk mjaftoi për të shmangur humbjen

  • Rivalitet i fortë në Superligë, sot luhen dy përballje të xhiros së 30-të

    Rivalitet i fortë në Superligë, sot luhen dy përballje të xhiros së 30-të

    Xhiroja e 30-të në Superligën e Kosovës premton spektakël dhe emocione, me disa ndeshje që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të sezonit.

    Fokusi kryesor i ditës së sotme është përballja mes Prishtinës dhe Gjilanit, e cila zhvillohet në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:20.

    Dy skuadrat vijnë me objektiva të qarta dhe një rivalitet të fortë, ndërsa çdo pikë në këtë fazë të kampionatit ka peshë të madhe. Prishtina synon të rrisë diferencën e pikëve me Gjilanin, ndërsa gjilanasit kërkojnë t’i rrëmbejnë pozitën e tretë.

    Para këtij dueli, në program është edhe sfida mes Prishtina e Re dhe KF Drenica, e cila luhet nga ora 15:00.

    Të dyja skuadrat janë në kërkim të pikëve për objektivin e mbijetesës, duke e bërë këtë takim mjaft të luftuar.

    Ndërkohë, e diela sjell edhe disa përballje të tjera të rëndësishme: Ballkani pret Ferizajn, Drita luan në shtëpi ndaj Llapit, ndërsa Dukagjini përballet me Malishevën. Të gjitha ndeshjet zhvillohen në të njëjtën orë dhe pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në tabelën e klasifikimit.

  • FIFA mund të lejojë zhvillimin e ndeshjeve të ligave europiane jashtë vendit nën kufizime strikte

    FIFA mund të lejojë zhvillimin e ndeshjeve të ligave europiane jashtë vendit nën kufizime strikte

    FIFA po shqyrton rregulla të reja që do t’u mundësojnë ligave europiane të zhvillojnë ndeshje jashtë vendit, por nën kufizime të rrepta.

    Sipas propozimit, çdo ligë elitare do të lejohet të zhvendosë një ndeshje të kampionatit të saj në një shtet tjetër për sezon. Ndërkaq, vendet pritëse do të kenë kufizime, pasi në territorin e tyre do të lejohen maksimumi pesë ndeshje të ligave të huaja në një sezon.

    Ky hap vjen pas përpjekjeve të dështuara të La Ligës dhe Serie A për të zhvilluar ndeshje jashtë vendit, përfshirë edhe disa përballje ku ishin të përfshira skuadra si Barcelona dhe Milan.

    Sipas kornizës së re, çdo ndeshje ndërkombëtare do të kërkojë miratim nga federatat kombëtare, konfederatat përkatëse dhe vetë FIFA, e cila do të ketë të drejtën e vetos.

    Në procesin e vendimmarrjes do të merren parasysh mirëqenia e lojtarëve, ngarkesa e udhëtimeve, ndikimi te ligat lokale, ndarja e të ardhurave dhe akomodimi i tifozëve të klubeve të përfshira.

    Propozimet janë ende në shqyrtim, por FIFA synon që sistemi të hyjë në fuqi nga sezoni i ardhshëm.

  • Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka shqiptuar dënim ndaj FC Drita

    Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka shqiptuar dënim ndaj FC Drita

    Pas incidenteve të regjistruara gjatë ndeshjes ndaj KF Drenica, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim ndaj klubit FC Drita.

    Sipas raportit zyrtar të delegatit të ndeshjes, në minutën e 48-të tifozët e Dritës, të njohur si “Intelektualët”, ndezën mjete piroteknike në tribuna, të cilat përfunduan në fushë. Si pasojë e tymit të krijuar, ndeshja u ndërpre për rreth dy minuta.

    Komisioni Disiplinor vlerësoi rastin sipas nenit 6, paragrafi 1, pika C, dhe nenit 18, paragrafi 2, pikat B dhe C të Rregullores Disiplinore, duke vendosur që klubi të dënohet me gjobë prej 1000 eurosh. Afati për pagesën e gjobës është 15 ditë nga momenti kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.

  • Vedat Muriqi i fokusuar te Mallorca për të shpëtuar klubin nga rënia i konfirmuar nga menaxheri Utku Cenikli

    Vedat Muriqi i fokusuar te Mallorca për të shpëtuar klubin nga rënia i konfirmuar nga menaxheri Utku Cenikli

    Ylli i Kosovës, Vedat Muriqi, po kërkohet nga disa klube, por aktualisht është i fokusuar te Mallorca, ka konfirmuar menaxheri i tij, Utku Cenikli.

    Qendërsulmuesi po kalon sezonin më të mirë të karrierës, duke shënuar 21 gola në La Liga, ndërsa synon ta ndihmojë Mallorcan të qëndrojë në elitën e futbollit spanjoll. Cenikli, në një intervistë për “AS”, ka konfirmuar interesimin për Muriqin, por ka refuzuar të flasë për detaje të një transferimi të mundshëm.

    “Isha në ndeshjen ndaj Valencias për ta parë Muriqin. E ka vizituar edhe në të kaluarën. Nuk ka zhvillime konkrete për një transferim të mundshëm,” tha Cenikli.

    “Vedati është lojtar i dëshmuar dhe shumë i pëlqyer në Mallorca. Synimi i tij është të përfundojë me sukses ndeshjet e mbetura dhe është besnik ndaj klubit. Ka interesim për të, po kalon një sezon të shkëlqyer, por është plotësisht i fokusuar te Mallorca për momentin,” shtoi ai.

    Në janar, Fenerbahce thuhet se provoi ta transferonte Muriqin, por Mallorca kërkoi 20 milionë euro për ta lënë të lirë. Kujtojmë se Muriqi, i cili pëlqehet edhe nga Barcelona, ka kontratë me Mallorca deri në vitin 2029, me një klauzolë lirimi prej 40 milionë euro.

  • UEFA pezullon Gianluca Prestianni për gjashtë ndeshje pas sjelljes diskriminuese ndaj Vinicius Junior

    UEFA pezullon Gianluca Prestianni për gjashtë ndeshje pas sjelljes diskriminuese ndaj Vinicius Junior

    UEFA ka marrë vendim zyrtar për pezullimin e Gianluca Prestianni, 20-vjeçarit argjentinas, pas sjelljes së dyshuar josportive gjatë ndeshjes së fazës së 1/8-tës së Ligës së Kampionëve midis Benficas dhe Real Madridit.

    Anësori i ri është pezulluar për gjashtë ndeshje në garat e UEFA-s për abuzim diskriminues, përfshirë komente homofobike drejtuar Vinicius Junior.

    Pavarësisht se Prestianni ka mohuar të ketë bërë komente raciste ndaj sulmuesit brazilian, ai do të humbasë të paktën dy ndeshje evropiane, pasi ka vuajtur tashmë një ndeshje nga pezullimi i tij. Tre nga gjashtë ndeshjet mbeten të pezulluara dhe mund të hiqen nëse lojtari shmang ndonjë shkelje të mëtejshme disiplinore gjatë dy viteve të ardhshme.

    Vendimi është marrë nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s, pas vërejtjeve të Vinicius Junior.

  • Leon Avdullahu rinovon kontratën me Hoffenheim deri në vitin 2031

    Leon Avdullahu rinovon kontratën me Hoffenheim deri në vitin 2031

    Mesfushori kosovar, Leon Avdullahu, ka nënshkruar kontratë të re me Hoffenheim, e cila do të zgjasë deri në vitin 2031. Kontrata e re përfshin një rritje page, ndërsa klubi gjerman nuk ka vendosur ndonjë klauzolë lirimi.

    Lajmin e ka konfirmuar gazetari Florian Plettenberg, duke theksuar se marrëveshja mes palëve është plotësisht e kompletuar.

    Megjithatë, Avdullahu vazhdon të jetë nën vëzhgim të afërt nga klubet e mëdha europiane, përfshirë Atletico Madrid dhe Atalanta, të cilat janë të interesuara për të ndjekur zhvillimin e tij.

    Kjo nënshkrim vjen pas vendimit të mbrojtësit Albian Hajdari për të rinovuar gjithashtu kontratën me Hoffenheim, duke treguar angazhimin e klubit për të ruajtur talentet e rinj kosovarë në ekip.

  • Pep Guardiola mund të marrë drejtimin e Kombëtares Italiane

    Pep Guardiola mund të marrë drejtimin e Kombëtares Italiane

    Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka lënë derën hapur për një aventurë të mundshme me kombëtaren italiane. Ai nuk ka fshehur kurrë simpatinë e tij për Italinë dhe ka thënë se nëse Federata Italiane e Futbollit e kontakton, do ta shqyrtojë propozimin me një “pse jo?”.

    Pas përfundimit të sezonit të Premier League më 24 maj, çdo ditë mund të jetë e përshtatshme për të nisur bisedimet. Guardiola ka kontratë edhe për një vit me Manchester City, por ka liri për të vendosur nëse do të qëndrojë apo do të largohet. Në rast të largimit, ai do të kërkonte një sfidë më pak stresuese dhe drejtimi i një kombëtareje i ofron këtë mundësi.

    Objektivi i tij fillestar ishte Anglia, por kontratat e trajnerëve aktualë e kanë bërë këtë të pamundur. Italia, përkundrazi, e tërheq Guardiolën jo për arsye ekonomike, por për pasion dhe përvojë personale. Ai ka drejtuar klube në Spanjë, Gjermani dhe Angli, dhe Italia do të ishte një sfidë e re në karrierën e tij.

    Futbolli italian përballet me vështirësi, dhe ardhja e Guardiolës mund të shërbejë si një impuls për rilindjen e kombëtares.

  • Rikthehet çmimi i madh i Turqisë në Formula 1-Gara do të zhvillohet në Stamboll për të paktën 5 vite

    Rikthehet çmimi i madh i Turqisë në Formula 1-Gara do të zhvillohet në Stamboll për të paktën 5 vite

    Stambolli do të presë sërish Çmimin e Madh të Turqisë në Formula 1, duke filluar nga viti 2027, për një periudhë të paktën pesëvjeçare. Lajmin e bëri të ditur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një eventi me temë garat e Formula 1.

    Formula 1 ishte zhvilluar më parë në Stamboll gjatë periudhës 2005–2011 dhe më pas në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 gara u zhvillua në pistën e Tuzlas, në periferi të qytetit. Erdogan e vlerësoi rikthimin e garës si një fitore për pasionin dhe besimin e Turqisë në sport, duke theksuar se ngjarjet në Istanbul Park jo vetëm që do të forcojnë pozicionin e qytetit në arenën ndërkombëtare, por do të tregojnë gjithashtu se vendi është një strehë e sigurt në rajon.

    Istanbul Park ka një gjatësi prej 5.338 metrash dhe njihet për kthesën e saj sfiduese, Kthesën 8. Në sezonin 2025, Formula 1 regjistroi 827 milionë teleshikues në mbi 180 vende, me mbi 6.7 milionë spektatorë në tribuna, dhe ishte eventi sportiv ndërkombëtar më i ndjekur në rrjetet sociale, me 2.3 miliardë përdorues

  • Prishtina-Gjilani derbi kryesor i kësaj fundjave në Albi Mall Superligë

    Prishtina-Gjilani derbi kryesor i kësaj fundjave në Albi Mall Superligë

    Albi Mall Superliga e Kosovës hyn në momentin vendimtar të sezonit, ndërsa xhiroja e 30-të pritet të sjellë përballje dramatike dhe emocione të forta për tifozët e futbollit vendor.

    E shtuna nis me ndeshjen Prishtina e Re – Drenica në orën 15:00, në Fushën Sintetike të Kampit Nacional në Hajvali. Pasditja vazhdon me derbin kryesor të javës, Prishtina – Gjilani, i cili nis në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë,ku të dyja skuadrat janë në luftë për pozitën e tretë e cila siguron garat evropiane sezonin tjetër

    E diela sjell tre përballje të tjera interesante. Ballkani – Ferizaj, Drita – Llapi dhe Dukagjini – Malisheva do të nisin të gjitha në orën 15:00, duke ofruar ndeshje paralelisht në Suharekë, Gjilan dhe Klina. Çdo takim ka rëndësinë e vet, pasi disa ekipe luftojnë për pozita në vendet e para, ndërsa të tjerët për mbijetesë në elitën e futbollit vendor.