ATV

Category: Sport

  • Malisheva fiton në minutën e fundit ndaj Dukagjinit

    Malisheva fiton në minutën e fundit ndaj Dukagjinit

    Malisheva u gëzua për një fitore të madhe në minutën e fundit të kohës shtesë ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës.

    Ndeshja mes dy skuadrave ishte dramatike që nga fillimi, me raste nga të dyja palët, por epilogu përfundimtar ishte 0-1. Në pjesën e dytë, përballja u ashpërsua edhe më shumë, sidomos pas kartonit të kuq për Malishevën, që ndryshoi ekuilibrat në fushë. Dukagjini pati rastin më të madh me Meris Maliqin, i cili doli i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij u ndal në momentin vendimtar, duke mos e zhbllokuar rezultatin.

    Nga ana tjetër, Malisheva rrezikoi seriozisht me Mevlan Zekën, por gjuajtja e tij u bllokua në mënyrë heroike nga Tun Bardhoku, duke shpëtuar Dukagjinin nga pësimi i golit. Këto dy momente ishin vendimtare për fatin e ndeshjes.

    Ndeshja mori dramë në fund, kur në një kundërsulm të shpejtë, Ibishi shënoi golin e fitores për Malishevën, duke vendosur rezultatin final 0-1. Mysafirët largohen me tre pikë të arta, ndërsa Dukagjini mbetet pa shpërblim për angazhimin në një ndeshje shumë të luftuar.

    Malisheva ngjitet në pozitën e katërt me 46 pikë, ndërsa Dukagjini zë vendin e gjashtë me 38 sosh

  • Drita fiton bindshëm 3-0 ndaj Llapit dhe marshon drejt titullit të kampionit

    Drita fiton bindshëm 3-0 ndaj Llapit dhe marshon drejt titullit të kampionit

    Drita ka regjistruar një fitore të rëndësishme, duke i shkaktuar edhe më shumë vështirësi Llapit në luftën për mbijetesë.

    Skuadra nga Gjilani arkëtoi pikët e plota me rezultat 3-0, duke dominuar ndeshjen në të gjitha aspektet. Besnik Krasniqi shënoi golin e parë për Dritën pas 21 minutash lojë, duke i dhënë ekipit epërsinë.

    Në fillim të pjesës së dytë, Abdoul Dante realizoi golin e dytë në minutën e 47-të, ndërsa fitoren e vulosi Veton Tusha me golin e tij në minutën e 73-të.

    Me këtë fitore, Drita ngjitet në kuotën e 57 pikëve, ndërsa Llapi bie në vendin e nëntë me 33 pikë, duke e rrezikuar seriozisht mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.

  • Ballkani fiton 3-0 ndaj Ferizajt dhe mbetet në garën për titull

    Ballkani fiton 3-0 ndaj Ferizajt dhe mbetet në garën për titull

    Ballkani ka marrë një fitore të madhe për të mbetur ende në garën për titull, duke mposhtur në shtëpi Ferizajn.

    Skuadra nga Suhareka triumfoi me rezultat komod 3-0. Ballkani ishte më dominues gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, duke krijuar raste të njëpasnjëshme që nga minuta e parë.

    Giovanni hapi epërsinë me një gol të bukur me kokë pas një harkimi (22’). Ferizaj në fakt shënoi një gol të barazimit, por ai u anulua për pozitë jashtë loje.

    Golët e tjerë u shënuan nga Valentin Serebe pas një topi të kthyer (80’) dhe Diar Vokrri në minutën e 88-të, duke vulosur fitoren.

    Me këtë fitore, Ballkani arrin në kuotën e 52 pikëve, ndërsa Ferizaj renditet i tetë me 33 pikë.

  • Peja-Trepça: Dueli vendimtar sonte në gjysmëfinale

    Peja-Trepça: Dueli vendimtar sonte në gjysmëfinale

    Sonte zhvillohet ndeshja e gjysmëfinales së play-offit në basketboll mes Pejës dhe kampionit në fuqi, Trepçës.

    Ndeshja zhvillohet në palestrën “Karagaç”, me fillim nga ora 19:30, dhe pritet të jetë shumë e fortë dhe vendimtare për të dyja skuadrat.

    Në përballjen e parë, zhvilluar në palestrën “Minatori”, Trepça fitoi 86-78, duke marrë epërsinë në serinë gjysmëfinale.

    Peja synon ta barazojë serinë para tifozëve të saj, ndërsa Trepça kërkon një tjetër fitore për t’u afruar drejt finales.

    Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me tifozët vendas që do të japin mbështetjen maksimale për ekipin e tyre në këtë sfidë vendimtare.

  • Mohamed Salah do të humbasë pjesën tjetër të sezonit për shkak të dëmtimit

    Mohamed Salah do të humbasë pjesën tjetër të sezonit për shkak të dëmtimit

    Anësori i Liverpoolit, Mohamed Salah, do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit pas një dëmtimi në kofshë gjatë fitores 3-1 ndaj Crystal Palace, njoftoi dje trajneri i ekipit kombëtar të Egjiptit, Ibrahim Hassan.

    Liverpooli ende nuk ka bërë komente zyrtare mbi gjendjen e Salahut, megjithatë Hassan deklaroi se lojtari ndërkombëtar egjiptian ka luajtur ndeshjen e tij të fundit për Reds. “Ai ka pësuar një këputje të tendinit dhe do të duhen katër javë për t’u rikuperuar,” tha Hassan për Reuters.

    Salah do të largohet nga klubi në fund të sezonit pas nëntë vitesh në Anfield. Lamtumira e tij do të shënohet me fjalë dhe jo me gola, pasi ai do t’u drejtohet tifozëve pas ndeshjes së fundit kundër Brentford. Liverpooli do të luajë edhe katër ndeshje deri në fund të sezonit: dy në shtëpi kundër Chelseat dhe Brentfordit, dhe dy jashtë fushe kundër Manchester United dhe Aston Villa.

    Salah, golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Liverpoolit, ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 9 asistime në të gjitha garat këtë sezon.

    Hassan shtoi se Salah do të jetë gati për Kupën e Botës 2026, ku Egjipti do të përballet me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Iranin në Grupin G.

  • Bayern Munich vendos të mos e blejë kartonin e Nicolas Jackson

    Bayern Munich vendos të mos e blejë kartonin e Nicolas Jackson

    Bayern Munich ka vendosur të mos aktivizojë opsionin e blerjes për sulmuesin Nicolas Jackson, i cili është i huazuar nga Chelsea, në fund të sezonit aktual.

    Jackson u bashkua me Bayern Munich në huazim në fillim të këtij sezoni në përpjekje për të forcuar linjën sulmuese, duke synuar të dëshmojë veten si një alternativë për sulmuesin Harry Kane. Megjithatë, ai nuk arriti të ofrojë performancën e pritur.

    Sky Sports bëri me dije se drejtuesit e Bayern Munich nuk kanë ndërmend të zgjasin as huazimin e lojtarit, që do të thotë se ai do të kthehet te Chelsea në fund të sezonit, ndërkohë që do të kërkojë të sigurojë një vend në formacionin e ekipit londinez ose të kërkojë një destinacion të ri në periudhën e ardhshme.

    Jackson ka luajtur 29 ndeshje për Bayern Munich nëpërmjet konkurrimeve të ndryshme këtë sezon, duke grumbulluar gjithsej 1,151 minuta lojë, gjatë të cilave ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 4 asistime

  • Real Madrid rikthen Nico Paz për të forcuar mesfushën

    Real Madrid rikthen Nico Paz për të forcuar mesfushën

    Real Madrid ka vendosur të ushtrojë opsionin e riblerjes për mesfushorin e ri Nico Paz, i cili skadon më 30 maj. Klubi madrilen kërkon të përforcojë mesfushën, një repart që ka treguar mungesë thellësie dhe formë të paqëndrueshme këtë sezon.

    21-vjeçari u largua nga Real Madrid në verën e vitit 2024 për t’iu bashkuar Como 1907, ku ka pasur paraqitje shumë të mira. Opsioni i riblerjes është caktuar në 9 milionë euro dhe pritet të finalizohet para përfundimit të majit.

    Marrëdhëniet mes Real Madrid dhe Como mbeten të mira, dhe pritet që bashkëpunimi të vazhdojë me mundësi huazimesh të tjera për lojtarë të rinj si Jesus Fortea dhe Daniel Yanez.

  • Minnesota Timberwolves fitojnë ndaj Denver Nuggets-Atlanta Hawks barazon serinë ndaj New York Knicks

    Minnesota Timberwolves fitojnë ndaj Denver Nuggets-Atlanta Hawks barazon serinë ndaj New York Knicks

    Minnesota Timberwolves mposhtën mbrëmë në shtëpi Denver Nuggets me rezultatin 112-96 dhe morën epërsinë 3-1 në serinë e raundit të parë të Play-Off të Konferencës Perëndimore.

    Ayo Dosunmu luajti një ndeshje të paharrueshme në karrierën e tij, duke shënuar 43 pikë dhe duke e çuar Minnesotën një hap më afër avancimit. Denveri kishte avantazhin në dy çerekët e parë, por vendasit përmbysën rezultatin në çerekun e tretë dhe e mbyllën me një avantazh +4. Avantazhi u rrit dhe ndeshja u vendos në mes të çerekut të fundit. Për Nuggets, më të mirët ishin Jamal Murray me 30 pikë dhe Nikola Jokic që shtoi 24 të tjera.

    Një ndeshje spektakolare zhvilluar edhe mes Atlanta Hawks dhe New York Knicks, ku mysafirët fituan me rezultatin 98-114,ku CJ McCollum me 17 pikë ishte efikas tek Hawks kurse tek Knikcs ishte OG Anunoby me 22 pikë e 10 kërcime. Pas kësaj fitoreje, rezultati i serisë është i barabartë 2-2.

  • Amir Rrahmani rinovon me Napolin deri në vitin 2029

    Amir Rrahmani rinovon me Napolin deri në vitin 2029

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, do të jetë pjesë e Napolit edhe për disa vite të tjera. Lojtari është pjesë e gjigantit italian që nga viti 2020 dhe ka nënshkruar një kontratë të re deri në vitin 2029.

    Kontrata aktuale e Rrahmanit me Napolin skadonte në vitin 2027, por ai ka refuzuar oferta nga Fenerbahce dhe klube arabe për t’i qëndruar besnik skuadrës bardhekaltër. Sipas gazetarit Nicolo Schira, marrëveshja është arritur dhe tashmë është nënshkruar, ndërsa Rrahmani do të përfitojë një pagë prej 3,8 milionë euro në sezon, nga 2,5 milionë sa fitonte më parë.

    32-vjeçari do të qëndrojë kështu besnik Napolit dhe pritet që deri në fund të kontratës të shënojë 9 vjet të qëndrueshme te klubi italian.

  • Barcelona bën një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit duke mposhtur Getafen 2-0

    Barcelona bën një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit duke mposhtur Getafen 2-0

    Barcelona ka bërë një tjetër hap pozitiv drejt titullit kampion, duke e mposhtur Getafen 0-2 në udhëtim. Katalanasit zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer, pavarësisht mungesave, dhe arritën të sigurojnë tri pikët e plota.

    Roony Bardghji tentoi të zhbllokonte rezultatin, por goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtar. Ishte Pedri që dhuroi një asistim magjik për Fermin Lopez, i cili nuk dështoi nga afërsia dhe e kaloi Barcelonën në epërsi (45’).

    Pas një kundëraksioni të shpejtë, Marcus Rashford mori një top të gjatë dhe dyfishoi epërsinë për Barcelonën (74’). Gjatë pjesës së dytë, Barcelona pati një mundësi të artë për të shënuar edhe golin e tretë, por Casado dështoi nga afërsia.

    Me këtë fitore, Barcelona arrin në 85 pikë në La Liga, ndërsa Getafe qëndron në vendin e gjashtë me 44 pikë.