ATV

Category: Sport

  • Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi pas më shumë se një dekade

    Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi pas më shumë se një dekade

    Jose Mourinho ka arritur marrëveshje me Real Madridin dhe shumë shpejt pritet të rikthehet në stolin e gjigantit spanjoll.

    Sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, gjithçka është dakorduar në parim, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe nënshkrimet zyrtare të kontratës. Trajneri portugez pritet të firmosë marrëveshje dyvjeçare me klubin madrilen.

    “Jose Mourinho te Real Madridi, marrëveshja është kryer. Të gjitha palët kanë arritur dakordim, ndërsa priten vetëm nënshkrimet”, ka raportuar Romano.

    Po ashtu bëhet e ditur se Mourinho do të udhëtojë drejt Madridit pas ndeshjes mes Real Madridit dhe Athletic Bilbaos.

    “Special One” rikthehet te Real Madridi pas më shumë se një dekade, pasi më parë kishte drejtuar klubin nga viti 2010 deri në vitin 2013.

    Ndërkohë, Real Madridi pritet të jetë shumë aktiv gjatë afatit kalimtar veror, ku synon rindërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

  • Ballkani fiton me rikthim ndaj Prishtinës së Re – Kryeqytetasit bien nga Albi Mall Superliga

    Ballkani fiton me rikthim ndaj Prishtinës së Re – Kryeqytetasit bien nga Albi Mall Superliga

    FC Ballkani ka shënuar fitore dramatike me rezultat 3-2 ndaj FC Prishtina e Re në kuadër të javës së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e shtatë, kur Nedim Mekić realizoi për 1-0 në rastin e parë serioz të ndeshjes.

    Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Prishtinës së Re, ndërsa fraksioni i dytë solli pesë gola dhe shumë emocione.

    Giovanni barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 50-të, por vetëm pesë minuta më vonë Mekić realizoi sërish për 2-1, duke ia rikthyer epërsinë mysafirëve.

    Ballkani reagoi fuqishëm pas golit të pranuar dhe arriti të barazojë në 2-2 me anë të Anel Sabanadzović në minutën e 69-të.

    Tri pikët për skuadrën nga Suhareka i siguroi Almir Kryeziu, i cili realizoi golin e fitores në minutat e fundit për rezultatin përfundimtar 3-2.

    Pas kësaj fitoreje, Ballkani mbetet në pozitën e dytë në tabelë, ndërsa Prishtina e Re sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.

  • Prishtina siguron barazimin në fund të ndeshjes – Ferizaj bie nga Albi Mall Superliga

    Prishtina siguron barazimin në fund të ndeshjes – Ferizaj bie nga Albi Mall Superliga

    FC Prishtina ka barazuar 3-3 ndaj KF Ferizaj në ndeshjen e javës së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës, rezultat që konfirmon rënien e ferizajasve nga elita e futbollit kosovar.

    Prishtina kaloi e para në epërsi në minutën e 14-të, kur Albin Krasniqi realizoi për 1-0.

    Megjithatë, Ferizaj reagoi shpejt dhe Ruben Silva-Richards barazoi shifrat nga pika e bardhë. Më pas, Rin Ahmeti riktheu epërsinë për prishtinasit, duke dribluar edhe portierin për golin e 2-1.

    Skuadra mysafire nuk u dorëzua dhe Betim Haxhimusa realizoi për 2-2 në minutën e 57-të.

    Përmbysja e Ferizajt u kompletua nga Ade Oguns, i cili shënoi për 3-2 në minutën e 66-të.

    Kur u mendua se Ferizaj do të merrte tri pikët, Prishtina arriti të shmangë humbjen në fund të takimit falë golit të dytë personal të Rin Ahmetit për rezultatin përfundimtar 3-3.

    Pas këtij barazimi, Prishtina mban pozitën e katërt me 46 pikë, vetëm tri më pak se Llapi që ndodhet në zonën e barazhit.

  • Dukagjini mposht kampionin aktual Drita para pulbikut vendas

    Dukagjini mposht kampionin aktual Drita para pulbikut vendas

    Dukagjini ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj FC Drita me rezultat 2-0, në kuadër të javës së 34-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Skuadra nga Klina e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e pikëve në fazën përfundimtare të kampionatit.

    Goli i parë erdhi në minutën e 20-të, kur Besir Iseni realizoi pas asistimit të Erlis Xhemajli për epërsinë 1-0.

    Pak para përfundimit të pjesës së parë, Altin Merlaku shënoi edhe golin e dytë për Dukagjinin, pasi u asistua nga Hekuran Berisha.

    Në pjesën e dytë, Drita arriti ta dërgojë topin në rrjetë, por goli u anulua pas rishikimit në VAR.

    Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ngjitet në pjesën e epërme të tabelës me 45 pikë, ndërsa Drita, e cila tashmë është shpallur kampione, mbetet me 66 pikë.

  • Llapi triumfon ndaj Gjilanit dhe siguron së paku barazhin në Albi Mall Superligën e Kosovës

    Llapi triumfon ndaj Gjilanit dhe siguron së paku barazhin në Albi Mall Superligën e Kosovës

    KF Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj SC Gjilani me rezultat 2-1, në kuadër të xhiros së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, kur Arianit Hasani realizoi një gol të bukur për epërsinë 0-1 pas vetëm tetë minutash lojë.

    Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe barazuan rezultatin në minutën e 16-të falë një supergoli nga gjuajtja e lirë të Armend Thaqi.

    Pavarësisht përpjekjeve të të dy skuadrave, ishte sërish Hasani ai që doli në skenë, duke realizuar golin e dytë personal dhe të fitores për Llapin vetëm gjashtë minuta më vonë.

    Me këtë triumf, Llapi siguron së paku pozitën që dërgon në barazh dhe renditet i teti me 43 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e gjashtë me 45 pikë.

  • Malisheva mposht bindshëm Drenicën 4:1 në shtëpi

    Malisheva mposht bindshëm Drenicën 4:1 në shtëpi

    FC Malisheva ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj KF Drenica me rezultat 4-1, në kuadër të xhiros së 34-të të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Pas një pjese të parë pa gola, vendasit dominuan plotësisht në fraksionin e dytë të lojës. Golin e epërsisë për Malishevën e realizoi Assane Diatta në minutën e 55-të, me një goditje të bukur.

    Vështirësitë për Drenicën u shtuan pasi Indrit Prodani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

    Me një lojtar më shumë në fushë, Malisheva vazhdoi dominimin. Arlind Veliu realizoi golin e dytë në minutën e 78-të, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Diatta shënoi edhe golin e tij të dytë personal për 3-0.

    Në minutën e 82-të, Xhemail Ibishi vulosi fitoren me golin e katërt për vendasit. Drenica arriti të shënojë vetëm golin e nderit në minutat shtesë të takimit.

    Pas kësaj fitoreje, Malisheva mbetet në vendin e tretë me 56 pikë, ndërsa Drenica renditet në pozitën e shtatë me 44 pikë.

  • Roma fiton derbin ndaj Lazio dhe rikthehet në top katërshe

    Roma fiton derbin ndaj Lazio dhe rikthehet në top katërshe

    Roma ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, duke mposhtur Lazion me rezultat 2-0 në një ndeshje vendimtare për garën në Serie A.

    “Gjallorosët” e nisën ndeshjen më kërkues dhe më të organizuar, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, por goli i parë erdhi vetëm në minutën e 40-të. Pas një krosimi të saktë nga këndi i Niccolò Pisilli, Gianluca Mancini u ngrit më së larti dhe realizoi me kokë për 1-0.

    Me epërsinë minimale të Romës u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

    Në pjesën e dytë, skuadra e Gian Piero Gasperini vazhdoi dominimin dhe në minutën e 66-të dyfishoi rezultatin. Sërish protagonist ishte Mancini, i cili këtë herë shënoi pas një asistimi të Paulo Dybala, duke kompletuar dopietën personale.

    Pak minuta më vonë, ndeshja u tensionua pas një përplasjeje mes lojtarëve të të dy skuadrave, ku Wesley nga Roma dhe Nicolo Rovella nga Lazio u ndëshkuan me kartonë të kuq.

    Deri në fund të takimit, Roma krijoi edhe disa raste të tjera, por pa arritur të thellojë rezultatin.

    Me këtë fitore, Roma ngjitet sërish në zonën e top katërshe me 70 pikë dhe vazhdon luftën për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa në ndeshjen e radhës përballet me Veronën.

  • Juventus tronditet në shtëpi-humb 0-2 nga Fiorentina dhe vë në rrezik Ligën e Kampionëve

    Juventus tronditet në shtëpi-humb 0-2 nga Fiorentina dhe vë në rrezik Ligën e Kampionëve

    Juventusi ka pësuar një humbje të rëndë në “Allianz Stadium”, duke u mposhtur 0-2 nga Fiorentina në një ndeshje shumë të rëndësishme për garën drejt Ligës së Kampionëve.

    “Zonja e Vjetër” e nisi ndeshjen me presion dhe tentoi të dominojë lojën që në minutat e para, por ishte skuadra mysafire ajo që shfrytëzoi më mirë rastet.

    Fiorentina kaloi në epërsi në minutën e 34-të me golin e Cheick Ndour, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazh minimal 0-1.

    Në pjesën e dytë, Juventusi u hodh i tëri në sulm në kërkim të barazimit, madje shënoi edhe me Dušan Vlahović pas një asistimi të Edon Zhegrova, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

    Kur pritej reagimi i vendasve, Fiorentina goditi sërish. Rolando Mandragora realizoi një gol spektakolar për ta dyfishuar epërsinë në 0-2.

    Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim rezultati, duke e lënë Juventusin pa pikë në një ndeshje shumë të rëndësishme për objektivin e tyre sezonal.

    Me këtë humbje, Juventusi zbret në pozitën e gjashtë me 68 pikë, duke komplikuar seriozisht garën për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa diferenca me rivalët direktë është ngushtuar ndjeshëm në javët e fundit të sezonit.

  • AC Milan rikthehet te fitorja-Mposhtë Genoan dhe i afrohet Ligës së Kampionëve

    AC Milan ka arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 37-të në Serie A, pasi triumfoi ndaj Genoas me rezultat 1-2.

    “Rossonerët”, që po kalonin një periudhë të vështirë rezultatesh, reaguan në momentin më të rëndësishëm të sezonit dhe mbetën në garë për sigurimin e një vendi në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.

    Genoa ishte skuadra më e rrezikshme në pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi, por vendasit nuk arritën t’i konkretizonin ato para portës së Milanit.

    Skuadra mysafire kaloi në epërsi në minutën e 50-të falë Christopher Nkunku, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë për rezultatin 0-1.

    Milani vazhdoi të kontrollonte lojën edhe në vazhdim, ndërsa goli i qetësisë erdhi në minutën e 81-të. Pas asistimit të Athekame, Christian Pulisic shënoi nga afërsia për ta dyfishuar epërsinë e “Rossonerëve”.

    Genoa arriti vetëm ta ngushtojë rezultatin në fund të takimit me golin e Johan Vásquez në minutën e 87-të, por pa arritur të shmangte humbjen.

    Me këtë fitore, Milani shkon në kuotën e 70 pikëve dhe mban gjallë shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ndërsa vazhdon garën e ngushtë me skuadrat rivale në tabelë.

  • Amir Rrahmani shkëlqen me gol dhe paraqitje fantastike në fitoren e Napolit

    Amir Rrahmani shkëlqen me gol dhe paraqitje fantastike në fitoren e Napolit

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ishte një nga lojtarët më të dalluar në fitoren e Napolit ndaj Pisas, duke realizuar gol dhe duke zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme në repartin defensiv.

    Mbrojtësi dardan shënoi me kokë në minutën e 27-të pas asistimit të Eljif Elmas, për ta dyfishuar epërsinë e Napolit në rezultatin 0-2.

    Përveç golit, Rrahmani dominoi edhe në mbrojtje, duke qenë praktikisht i pakalueshëm gjatë gjithë takimit. Paraqitja e tij u vlerësua lart edhe nga platforma e statistikave “SofaScore”, e cila e notoi me 9.3 — nota më e lartë në ndeshje.

    Sipas statistikave, reprezentuesi kosovar rikuperoi topin gjashtë herë, fitoi dy duele të rëndësishme dhe tregoi saktësi të jashtëzakonshme në organizimin e lojës nga mbrojtja.

    Rrahmani kompletoi plot 141 pasime nga 144 tentativa, duke dëshmuar qetësi, siguri dhe nivel të lartë në ndërtimin e aksioneve të Napolit.

    Paraqitja e tij konfirmon edhe një herë rëndësinë që ka në skuadrën italiane, ku vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së kampionëve italianë.