ATV

Category: Sport

  • Hansi Flick rinovon kontratën me Barcelonën deri në 2028

    Hansi Flick rinovon kontratën me Barcelonën deri në 2028

    Hansi Flick ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e re me Barcelonën, e cila do të zgjasë deri në vitin 2028.

    Marrëveshja mes klubit katalanas dhe trajnerit gjerman ishte arritur prej javësh, por finalizimi i saj u bë vetëm tani, teksa sezoni po shkon drejt fundit. Barcelona ka përfshirë gjithashtu një opsion për të vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër, deri në 2029, megjithëse Flick fillimisht kishte hezituar për një marrëveshje afatgjatë.

    Nën drejtimin e 61-vjeçarit, Barcelona fitoi edhe një tjetër titull në La Liga këtë sezon dhe ruajti një rekord perfekt në ndeshjet kampionale në shtëpi në “Camp Nou”.

    Flick kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2027 para se të pranonte zgjatjen e re me klubin katalanas.

  • Dani Carvajal largohet nga Real Madrid pas 23 sezoneve

    Dani Carvajal largohet nga Real Madrid pas 23 sezoneve

    Real Madridi ka konfirmuar se mbrojtësi Dani Carvajal nuk do të jetë pjesë e klubit për sezonin e ardhshëm.

    Kapitenit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni dhe është arritur marrëveshja që të ndajnë rrugët me klubin madrilen. Përmes një komunikate zyrtare, Reali falënderoi gjashtë herë fituesin e Ligës së Kampionëve për kontributin e tij.

    “Real Madridi dhe kapiteni ynë Dani Carvajal janë pajtuar t’i japin fund kësaj epoke të mrekullueshme në fundin e sezonit. Reali dëshiron ta falënderojë një nga legjendat më të mëdha të klubit dhe të futbollit botëror”, thuhet në komunikatë.

    Carvajal ka qenë pjesë e Real Madridit që nga viti 2002, duke mbrojtur fanellën e “galaktikëve” për 23 sezone dhe duke fituar gjithsej 27 tituj. Gjatë karrierës së tij me klubin, ai zhvilloi 450 ndeshje zyrtare dhe shënoi 14 gola.

  • Dy reprezentues të Kosovës në formacionin e sezonit në Superligën e Zvicrës

    Dy reprezentues të Kosovës në formacionin e sezonit në Superligën e Zvicrës

    Superliga e Zvicrës ka përfunduar me një sezon të jashtëzakonshëm, ku FC Thun ka shkruar histori duke u shpallur kampion për herë të parë në elitën e futbollit zviceran.

    Skuadra e rikthyer këtë sezon në Superligë arriti të kurorëzohet me titullin kampion, duke mbyllur një edicion të paharrueshëm.

    Ndërkohë, platforma “SofaScore” ka publikuar edhe formacionin më të mirë të sezonit në elitën zvicerane, ku janë përfshirë edhe dy futbollistë të Kombëtares së Kosovës.

    Në portë është përzgjedhur Amir Saipi, i cili ka zhvilluar një sezon fantastik me Luganon, duke e mbyllur kampionatin me notën mesatare 7.73.

    Në mbrojtje, pjesë e formacionit të sezonit është edhe Kreshnik Hajrizi, i cili ka qenë një nga shtyllat kryesore të Sionit. Hajrizi e mbylli sezonin me notën 7.19, duke u vlerësuar për paraqitjet e tij të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit.

  • Shai Gilgeous-Alexander shpallet MVP i NBA-së për të dytin vit radhazi

    Shai Gilgeous-Alexander shpallet MVP i NBA-së për të dytin vit radhazi

    Shai Gilgeous-Alexander është shpallur lojtari më i vlefshëm i sezonit në NBA për të dytin vit radhazi, duke hyrë në mesin e legjendave që e kanë fituar këtë çmim në sezone të njëpasnjëshme.

    Ylli i Oklahoma City Thunder vazhdoi dominimin në ligën më të fortë të basketbollit në botë, duke u bërë lojtari i 14-të në histori që fiton çmimin MVP dy vite me radhë.

    Kanadezi pati një sezon të jashtëzakonshëm, duke u bërë organizatori i parë në historinë e NBA-së që mesatarisht realizon mbi 30 pikë për ndeshje me më shumë se 55 për qind saktësi në gjuajtje.

    Gilgeous-Alexander e mbylli sezonin me mesatare prej 31.1 pikësh për ndeshje dhe ishte shënuesi i dytë më i mirë në ligë, menjëherë pas Luka Doncic.

    Në garën për çmimin MVP, ai la pas bindshëm Nikola Jokic, ndërsa në vendin e tretë u rendit Victor Wembanyama.

    Basketbollisti i Oklahoma City Thunder grumbulloi gjithsej 939 pikë në votim, plot 305 më shumë se Jokic dhe 370 më shumë se Wembanyama. Ai mori gjithashtu 83 nga 100 votat për vendin e parë.

    Ky çmim konfirmon edhe një herë dominimin e Shai Gilgeous-Alexander në NBA, pasi edhe sezonin e kaluar ishte shpallur lojtari më i vlefshëm i ligës

  • Michael Carrick rinovon kontratën me Manchester Unitedin

    Michael Carrick rinovon kontratën me Manchester Unitedin

    Michael Carrick ka nënshkruar kontratë të re me Manchester Unitedin, sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano.

    Sipas marrëveshjes së re, trajneri 44-vjeçar do të qëndrojë në “Old Trafford” deri në qershor të vitit 2028, me opsion për vazhdimin e kontratës edhe për një sezon tjetër, deri në vitin 2029.

    Po ashtu, edhe ndihmëstrajneri Steve Holland ka firmosur rinovimin me kushte të ngjashme dhe me të njëjtën kohëzgjatje.

    Carrick mori drejtimin e Manchester Unitedit në janar të vitit 2026, pas largimit të Ruben Amorim, dhe ka arritur të sjellë rezultate shumë pozitive në Ligën Premier.

    Në 16 ndeshje kampionale nën drejtimin e tij, Manchester United ka regjistruar 11 fitore, tri barazime dhe vetëm dy humbje.

    Aktualisht, “Djajtë e Kuq” ndodhen në vendin e tretë në tabelën e Ligës Premier dhe e kanë siguruar tashmë kualifikimin për sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.

  • Arianit Hasani shpallet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë

    Arianit Hasani shpallet “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i takon futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.

    Për javën e 34-t të këtij edicioni, ky vlerësim i është ndarë futbollistit të Llapit, Arianit Hasani, pas paraqitjes së shkëlqyer dhe kontributit të madh në fitoren e skuadrës së tij ndaj SC Gjilanit.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pas marrjes së çmimit, Hasani u shpreh i lumtur për suksesin e arritur dhe rëndësinë e fitores për skuadrën e tij.

    “E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e vështirë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë përballje dhe presioni ka qenë shumë i madh, por jam i lumtur që morëm tri pikë dhe dolëm faqebardhë”.

    “Ssynimet tona kanë qenë të jemi në top 3. Normalisht, renditja aktuale nuk është ajo që e dëshirojmë dhe shpresojmë t’i shmangemi edhe barazhit”.

    “E dimë që kemi ekip të mirë dhe nuk e meritojmë pozitën ku ndodhemi aktualisht. I falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerin, sepse pa ta nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme. Gjithashtu, jam shumë i lumtur edhe në aspektin personal për këtë vlerësim”, deklaroi Hasani për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Pep Guardiola: Duhet ta fitojmë ndeshjen ndaj Bournemouthit

    Pep Guardiola: Duhet ta fitojmë ndeshjen ndaj Bournemouthit

    Pas triumfit në FA Cup ndaj Chelseat, Pep Guardiola ka kthyer menjëherë fokusin te gara për titullin e Ligës Premier, ku Manchester City vazhdon ta ndjekë Arsenalin deri në javët e fundit të sezonit.

    City ndodhet dy pikë prapa Arsenalit me vetëm dy ndeshje të mbetura, ndërsa përballja e së martës ndaj Bournemouthit konsiderohet vendimtare në garën për titull.

    “Do të përpiqemi ta zgjasim sezonin. Do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen dhe të mbërrijmë kundër Aston Villës me një shans. Me letrat në tavolinë, ne e dimë saktësisht çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi Guardiola.

    Trajneri spanjoll vlerësoi maksimalisht Bournemouthin, skuadër që po lufton për një vend në garat evropiane.

    “Ata po luajnë për Evropën dhe nuk e di herën e fundit kur kanë humbur. Është një ekip i jashtëzakonshëm. Mënyra si bëjnë presion është ndoshta më energjikja në Ligën Premier”, shtoi ai.

    Bournemouth aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë dhe i mjafton vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit për ta siguruar pjesëmarrjen historike në garat evropiane.

    Guardiola foli edhe për lodhjen e skuadrës pas finales së FA Cup në Wembley, por theksoi se fitorja ndaj Chelseat ka ndikuar pozitivisht te ekipi.

    “Lodhja do të jetë e njëjtë, por energjia do të jetë ndryshe. Të shkoje në Bournemouth pas një humbjeje ndaj Chelseat do të ishte shumë më e vështirë”, u shpreh ai.

    Gara për titull mund të vendoset vetëm në javën e fundit, pasi diferenca në golavarazh është minimale. Manchester City ka +43, vetëm një gol më shumë se Arsenali që ka +42.

  • Robert Lewandowski përshëndetet me lot nga tifozët e Barcelonës

    Robert Lewandowski përshëndetet me lot nga tifozët e Barcelonës

    Një moment shumë emocional u pa në stadium gjatë ndeshjes mes Barcelonës dhe Real Betisit, ku Robert Lewandowski luajti ndeshjen e tij të fundit me fanellën e klubit katalanas.

    Sulmuesi polak nuk arriti të shënojë në mbrëmjen e lamtumirës, por rezultati kaloi plotësisht në plan të dytë, pasi e gjithë vëmendja ishte te përshëndetja e tij me tifozët.

    Në momentin kur numri i Lewandowskit u shfaq në tabelë dhe u krye zëvendësimi, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ta duartrokitur. Tifozët e Barcelonës e përshëndetën gjatë, duke vlerësuar kontributin e madh që dha gjatë katër viteve te klubi.

    Edhe bashkëlojtarët iu bashkuan momentit emocional, duke e përqafuar teksa ai largohej ngadalë nga fusha, dukshëm i prekur nga atmosfera në stadium.

    Kamerat kapën Lewandowskin pothuajse me lot në sy, ndërsa ai përshëndeti tribunat dhe shijoi për herë të fundit emocionet me fanellën blaugrane.

    Edhe pse nuk arriti të realizojë gol në ndeshjen e fundit, Robert Lewandowski largohet nga Barcelona duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë moderne të klubit.

  • Cleveland Cavaliers kualifikohen në finalen e Konferencës Lindore

    Cleveland Cavaliers kualifikohen në finalen e Konferencës Lindore

    Cleveland Cavaliers kanë siguruar kualifikimin në finalen e Konferencës Lindore në NBA, pasi mposhtën Detroit Pistons me rezultat bindës 125:94 në ndeshjen e shtatë të serisë së “play-off”-it.

    Ylli i Cavaliers, Donovan Mitchell, udhëhoqi ekipin me 26 pikë, ndërsa Jarrett Allen dhe Sam Merrill shtuan nga 23 pikë secili në fitoren e rëndësishme të Clevelandit.

    Një paraqitje të shkëlqyer pati edhe Evan Mobley, i cili e përfundoi ndeshjen me 21 pikë dhe 12 kërcime.

    Me këtë fitore, Cavaliers sigurojnë paraqitjen e parë në finalen e Konferencës Lindore që nga viti 2018 dhe të nëntën në historinë e klubit.

    Në fazën tjetër, Cleveland do të përballet me New York Knicks, ndërsa ndeshja e parë e serisë do të zhvillohet të martën në New York.

    Për Cavaliers, kjo është ecuria më e mirë në “play-off” që nga sezoni i fundit i LeBron James me klubin.

    Në anën tjetër, Detroit Pistons mbetën një fitore larg rikthimit në finalen e konferencës për herë të parë që nga viti 2008.

    Te Pistons, më efikasi ishte Daniss Jenkins me 17 pikë, ndërsa Cade Cunningham dhe Duncan Robinson realizuan nga 13 pikë secili.

  • Antonio Conte lë të hapur largimin nga Napoli në fund të sezonit

    Antonio Conte lë të hapur largimin nga Napoli në fund të sezonit

    Trajneri Antonio Conte ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga Napoli në fund të këtij sezoni, pavarësisht suksesit që ka arritur me skuadrën italiane.

    Napoli siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve pas fitores bindëse 3-0 në udhëtim ndaj Pisas. Ndeshja u vendos që në pjesën e parë me golat e hershëm, ndërsa Rasmus Hojlund vulosi triumfin në minutat shtesë.

    Pas ndeshjes, Conte foli për të ardhmen e tij dhe deklaratat e tij shtuan dyshimet për një largim të mundshëm nga klubi napolitan.

    “Kisha premtuar se, në momentin kur përvoja ime te Napoli të përfundonte, do të lija pas një grup solid dhe ambicioz”, deklaroi Conte.

    Tekniku italian theksoi edhe mentalitetin që ka tentuar t’ia transmetojë skuadrës gjatë periudhës së tij në krye të ekipit.

    “Mund të mos jemi ekipi më i fortë, por duhet të bëhemi më i vështiri. Napoli duhet t’u krijojë probleme çdo vit Juventusit, Milanit dhe Interit”, shtoi ai.

    Conte foli edhe për raportin me presidentin Aurelio De Laurentiis, duke lënë të kuptohet se vendimi për të ardhmen mund të merret së shpejti.

    “Presidenti i njeh mendimet e mia prej një muaji. Kemi folur për gjërat pozitive dhe për ato më pak pozitive”.

    “Do t’i jem gjithmonë mirënjohës që më është dhënë mundësia të drejtoj një klub si Napoli”, përfundoi trajneri italian.