ATV

Category: SHOWBIZ

  • Gjesti në Shqipëri, dështon seanca dëgjimore në rastin ku akuzohet për tri vepra penale

    Gjesti në Shqipëri, dështon seanca dëgjimore në rastin ku akuzohet për tri vepra penale

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore në rastin ku këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, akuzohet për tri vepra penale “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Shkak u bë mungesa e të akuzuarit.

    Mbrojtësi i Kelmendit, avokati Burim Azemi tha se përmes mesazhit, këngëtari e ka njoftuar se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Rrethanat a janë objektive apo subjektive nuk i di për momentin, mirëpo më ka tregu që e ka të pamundur me prezantu sot”, tha Azemi.

    Ai shtoi se nuk ka pasur komunikim tjetër me të akuzuarin, duke theksuar se Gjesti ka qenë në Shqipëri për një koncert.

    Prezent në seancë ishte edhe prokurori Malart Kuçi. Ndërkaq, përveç Kelmendit mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Erkand Shabani, avokati Besnik Berisha.

    Gjykata konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës dëgjimore.

    Gjykatësja Edita Canta bëri të ditur se në rast se i akuzuari nuk paraqitet në seancën e radhës, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 mars 2026 njoftoi se këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, andaj me kërkesë të prokurorit, atij iu ndërpe masa e paraburgimit.

    “Ju njoftojmë se i pandehuri pasi që ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorin e Shtetit lidhur me veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndaj të njëjtit kanë pushuar arsyet ligjore për të cilën ka qenë nën masën e paraburgimit. Andaj, prokurori i shtetit pranë gjykates kompetente ka bërë kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tij”, kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 mars 2026 kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit nën dyshimin për tri vepra penale.

    “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 mars 2026, se e gjithë ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të studios “Onima”, e që shkak dyshohej të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, ku këngëtari me armë në dorë ka shkuar në zyrat e studios dhe kërkoi të dëmtuarin E.Sh., duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”.

  • Bujaka dhe Mimoza Ahmeti publikojnë projektin e ri muzikor “Lule Mimoza”

    Bujaka dhe Mimoza Ahmeti publikojnë projektin e ri muzikor “Lule Mimoza”

    Dy ish-konkurrentet e Ferma VIP 3, Bujaka dhe Mimoza Ahmeti, kanë bashkuar forcat për një projekt të ri muzikor me titull “Lule Mimoza”.

    Kënga e re vjen si një bashkëpunim mes dy artisteve, të cilat kanë punuar së bashku edhe për tekstin e saj.

    Projekti është realizuar nga Nasty Music dhe Alandy, ndërsa beat-i është krijuar nga Lucky FLP dhe Alandy.

    Videoklipi i këngës u realizua nga Spotlight Media, duke i dhënë projektit një pamje moderne dhe energjike.

    Bujaka dhe Mimoza, të njohur për publikun nga pjesëmarrja e tyre në Ferma VIP, tashmë po sjellin një tjetër surprizë për fansat e tyre përmes muzikës.

    “Lule Mimoza” është publikuar në platformat muzikore dhe pritet të marrë vëmendjen e publikut.

    Moza vlen të ceket se u shpall edhe fituese duke marrë plot 129 mijë euro.

  • Martohet ‘YouTuber’-i më i famshëm në botë, MrBeast

    Martohet ‘YouTuber’-i më i famshëm në botë, MrBeast

    Një nga YouTuber-at më të famshëm në botë, MrBeast, emri i vërtetë i të cilit është Jimmy Donaldson, është martuar me partneren e tij prej kohësh, Thea Booysen.

    Çifti u martua në një ceremoni intime të mbajtur në ishullin Necker, një ishull privat në pronësi të miliarderit britanik Richard Branson. Lajmi u konfirmua nga revista amerikane People, e cila publikoi detaje ekskluzive nga dasma.

    Ndryshe nga videot dhe sfidat spektakolare që i kanë fituar qindra miliona ndjekës, MrBeast vendosi ta mbante dasmën e tij larg syrit të publikut.

    Në ceremoni morën pjesë rreth 70 anëtarë të familjes dhe miqtë më të ngushtë, dhe festimi zgjati për disa ditë në një atmosferë të relaksuar.

    Nusja, Thea Booysen, mbante veshur një fustan nusërie nga stilistja Nicole Felicia, ndërsa dhëndri zgjodhi një smoking klasik nga shtëpia e modës Ralph Lauren. Pas shkëmbimit të zotimeve, të ftuarit shijuan një darkë të bollshme dhe muzikë.

    MrBeast dhe Thea u takuan në vitin 2022 në Afrikën e Jugut dhe shumë shpejt e bënë publike lidhjen e tyre. Çifti u fejua ditën e Krishtlindjeve të vitit 2024, pas së cilës ata deklaruan vazhdimisht se donin një dasmë të vogël dhe private, larg vëmendjes së medias.

  • Ministri shqiptar: Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro

    Ministri shqiptar: Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro

    Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blenxi Gonxhja, deklaroi se qeveria ka refuzuar zhvillimin e një koncerti në Shqipëri të këngëtares Jennifer Lopez, për shkak të garancisë së madhe financiare që ajo kërkoi.

    “Kemi refuzuar JLo se donte 2 milionë euro garanci nga protesta. Nëse do të ketë protesta donte garanci dhe ne nuk e pranuam”, deklaroi Gonxhja në Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku po diskutohet Akti Normativ i Qeverisë për dhënien e një financimi prej 4,2 milionë eurosh për zhvillimin e koncertit të Kanye West.

    Gonxhja mbrojti vendimin e qeverisë për dhënien e shumës për sigurimin e zhvillimit të koncertit, duke thënë se, sipas një vlerësimi paraprak, më së paku në arkat e shtetit janë kthyer 6,5 milionë euro.

  • Selin Bollati zbulon dhuratën e madhe nga DJ Gimbo – një makinë ‘Audi’ si surprizë

    Selin Bollati zbulon dhuratën e madhe nga DJ Gimbo – një makinë ‘Audi’ si surprizë

    Fituesja e Big Brother VIP Albania 5, Selin Bollati, ka ndarë një detaj të veçantë nga jeta e saj personale gjatë një interviste në emisionin “Prime Verë”, ku ishte e ftuar së bashku me DJ Gimbo.

    Gjatë bisedës, Selin tregoi se DJ Gimbo i kishte bërë një surprizë të veçantë duke i dhuruar një makinë të markës Audi.

    Ajo zbuloi se dhurata ishte bërë gjatë një fundjave ku ishin mbledhur familjarisht në një vilë, ku Gimbo kishte vendosur ta surprizonte duke i sjellë makinën.

    “Përpara disa ditësh ne ishim mbledhur familjarisht në një vilë, po kalonim një fundjavë atje dhe Gimbo vendos që të më dhurojë një makinë, duke ma sjellë si surprizë”, u shpreh Selin.

    Ajo shtoi se dhurata ishte pikërisht ajo që kishte dëshiruar, duke treguar emocionin për gjestin e bërë nga DJ Gimbo.

    Marrëdhënia dhe momentet e përbashkëta mes Selin Bollatit dhe DJ Gimbos kanë qenë shpesh në fokus të ndjekësve të tyre.

    Romanca e tyre nisi në Big Brother, por që po vazhdon të jetë akoma më e fortë edhe jashtë.

  • Kush është Ines Garcia, e dashura e Lamine Yamalit?

    Kush është Ines Garcia, e dashura e Lamine Yamalit?

    Ines Garcia është influencuesja spanjolle e modës dhe bukurisë, e cila ka marrë vëmendje të madhe publike si e dashura e yllit të futbollit, Lamine Yamal.

    Ajo ka qenë pranë futbollistit gjatë rrugëtimit të tij me kombëtaren e Spanjës dhe e ka mbështetur edhe gjatë Kupës së Botës, ku Spanja u shpall kampione.

    Garcia ka treguar për herë të parë për njohjen e saj me Yamalin përmes një videoje në TikTok, e cila më pas është fshirë.

    Ajo hodhi poshtë një histori që ishte bërë virale në rrjete sociale, sipas së cilës ata ishin takuar në një dyqan pasi kartela e saj nuk kishte funksionuar gjatë pagesës dhe Yamal kishte paguar për të.

    “Do të doja t’ju tregoja një histori shumë të çmendur, sikur e takova në aeroport apo rastësisht në rrugë, por jo. Jemi njohur në rrjete sociale”, kishte thënë Garcia duke treguar versionin e saj të vërtetë.

    Edhe pse lidhja e tyre u bë publike vetëm kohët e fundit, Garcia ka bërë të ditur se ajo dhe Yamal njihen prej rreth tre vitesh.

    Dyshimet për një lidhje mes tyre nisën pas disa paraqitjeve së bashku, përfshirë një udhëtim në Greqi.

    Gjatë Kupës së Botës, Garcia udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur Yamalin, pavarësisht se ka pranuar se ka frikë nga fluturimet.

    Ajo publikoi fotografi nga stadiumet dhe ndau mesazhe përkrahjeje për futbollistin, duke e quajtur në një postim “dashuria ime”.

    Ines ka një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale, me rreth 1.4 milion ndjekës në Instagram dhe 1.7 milion në TikTok.

    Ajo publikon përmbajtje që lidhet me modën, grimin, kujdesin për lëkurën, udhëtimet dhe stilin e jetesës.

    Në një intervistë për revistën “Woman Madame Figaro”, Garcia ka treguar se pjesa më e bukur e punës si influencuese janë mundësitë, bashkëpunimet me marka dhe pjesëmarrjet në evente të ndryshme.

    Ndërsa sfida më e madhe, sipas saj, është ekspozimi publik dhe kritikat nga njerëzit që komentojnë jetën e saj pa e njohur atë.

  • Rezart Veleshnja reagon pas nismës së Labit për djalin e Shpat Kasapit: Familja nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë publike

    Rezart Veleshnja reagon pas nismës së Labit për djalin e Shpat Kasapit: Familja nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë publike

    Vendimi i këngëtarit Labinot Tahiri për të ndarë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore ku performon për Roelin, djalin e të ndjerit Shpat Kasapi, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

    Pas njoftimit të Labit, ka reaguar aktori Rezart Veleshnja, i cili ishte mik i afërt i Shpatit.

    Përmes një postimi në InstaStory, ai ka bërë të ditur se mban kontakte të vazhdueshme me familjen e artistit të ndjerë.

    Sipas Veleshnjës, nëna e Shpatit, Gjylymsere Kasapi, dhe vëllai i tij, Albin Kasapi, nuk kanë kërkuar asnjëherë ndihmë publike, duke theksuar se dinjiteti i familjes nuk i lejon të ndërmarrin hapa të tillë.

    Ai shton se çdo ndihmë për Roelin është e mirëpritur, por nuk e konsideron të nevojshme që kontributet personale të shoqërohen me thirrje publike në emër të familjes.

    Megjithatë, aktori nënvizoi se djali i artistit meriton mbështetje dhe u bëri apel miqve, kolegëve dhe figurave publike që të kontribuojnë për të ardhmen e tij.

    Veleshnja theksoi se Roeli duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve, duke kujtuar se po rritet si djali i një artisti të dashur për publikun, i cili, sipas tij, nuk kërkoi kurrë ndihmë gjatë jetës.

    Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit – do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin

    Reagimi i tij vjen pasi iniciativa e Tahirit u prit me komente të shumta në rrjetet sociale, duke ndarë opinionin mes atyre që e vlerësojnë gjestin human dhe atyre që besojnë se ndihma për familjen duhet të ofrohet në mënyrë diskrete.

  • Bashkëshortja e Shpat Kasapit falënderon Labinot Tahirin për mbështetjen: Nuk kam fjalë sinqerisht

    Bashkëshortja e Shpat Kasapit falënderon Labinot Tahirin për mbështetjen: Nuk kam fjalë sinqerisht

    Bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka reaguar në rrjetet sociale pas ndihmës së ofruar nga këngëtari Labinot Tahiri për të dhe djalin e saj, Roelin.

    Në mesazhin e publikuar, ajo shprehu mirënjohjen për Labin, duke theksuar respektin dhe dashurinë që ai kishte treguar ndaj Shpatit gjatë kohës sa ai ishte gjallë.

    “Labinot Tahiri, të faleminderit shumë. Mirënjohëse pa fund që e ke dashur dhe respektuar Shpatin sa ishte gjallë dhe tani na mbështet mua dhe Roelin”, ka shkruar ajo.

    Ajo dukej e prekur nga gjesti i tij, teksa më pas u shpreh: “Nuk kam fjalë sinqerisht”.

    Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë pas bashkëshorten dhe djalin e tij, Roelin.

    Këngëtari nga Tetova ishte një nga emrat e njohur të skenës muzikore shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe shumë këngë të dashura për publikun.

    Nga ana tjetër, Labi premtoi se nga çdo aheng e mbrëmje do t’i ndajë nga 150 euro për Roelin.

  • Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit – do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin

    Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit – do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin

    Këngëtari i njohur shqiptar, Labinot Tahiri, ka bërë një deklaratë emocionuese përmes një postimi në Instagram, ku ka shprehur dashurinë dhe respektin për mikun dhe kolegun e tij të ndjerë, Shpat Kasapi.

    Tahiri ka bërë të ditur se ka vendosur të ndajë një pjesë të të ardhurave të tij nga mbrëmjet muzikore dhe dasmat për djalin e Shpatit, Roelin, duke theksuar se ky është një premtim që e ka mbajtur në zemër prej kohësh.

    Në postimin e tij, Labi shprehet se ndihma nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë, por të shndërrohet në vepra konkrete për familjen e artistit që vazhdon të jetojë në kujtimet e publikut.

    Postimi i plotë i Labit (pa ndërhyrje):

    “Për djalin e artistit që jeton përgjithmonë në zemrat tona, edhe pse sot nuk është më mes nesh, Shpat Kasapit.

    Shpatin e kam pasur shok e koleg, si shumë artistë të tjerë.

    Djalit të tij i kam ndihmuar edhe privatisht, por sot kam vendosur diçka që do ta bëj me zemër.

    Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore -muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij.

    Numri i mbremjeve te mia është i madh me shumë se 50 ne kete sezone , e si ne Kosove dhe në evrope e Amerike dhe numrin e dasmave dhe te mbremjeve e dimë ne si ekip, organizatoret e po ashtu edhe ATK-ja e Kosovës, sepse çdo gjë e deklaroj me rregull.

    Të hollat do t’i dërgohen zonjës Selvie, nënës së Roelit, e cila kujdeset për të me gjithë shpirt, bashkë me Zotin dhe njerëzit zemërmirë.

    Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Sa të jemi ne, nuk do të jeni vetëm.

    Këtë fjalë ia pata dhënë mikes sime, motrës sonë Big Mama, dhe shokut të Shpatit, Xenit, se një ditë do ta merrja këtë vendim. Sot po e mbaj atë premtim.

    Kolegë e kolege, e di që të gjithë e kemi dashur Shpatin.

    Ende ia këndojmë këngët, e kujtojmë me mall dhe flasim për të nëpër intervista, koncerte e mbrëmje.

    Por, përveç fjalëve, ta tregojmë dashurinë edhe me vepra.

    Ta ndihmojmë familjen e tij sa herë të kemi mundësi. Besoj se kjo është dhurata më e bukur që mund t’ia bëjmë kujtimit të Shpatit.

    E di që familjen e Shpatit për djalin Roelin do ta ndihmojnë edhe shumë artistë siq e kanë ndihmuar Ermal Fejzullahu, Big Mama, Burak Vehapi, Pandora, Labi Gashi i cili e ka perkah tere jeten Shpatin dhe shumë te tjere, se bashku me mergimtarë të cilët me kanë shenuar edhe privatisht.

    Ju falënderoj të gjithëve.Me dashuri për Roelin dhe familjen e po ashtu edhe për secilin nga ju,

    Labi, Kosovë e Shqipërisë”.

  • Drake humb miliona në bastin për Argjentinën

    Drake humb miliona në bastin për Argjentinën

    Kur miliona tifozë prisnin të shihnin ngritjen e trofeut më të rëndësishëm të futbollit, një tjetër “ndeshje” zhvillohej jashtë fushës. Në qendër të saj ishte Drake, basti i tij prej 1.28 milionë eurosh dhe një histori që prej vitesh ushqen debat në botën e sportit: a është vërtet i pafat reperi kanadez kur vendos zemrën dhe paratë në një skuadër?

    Artisti me emrin e vërtetë Aubrey Drake Graham kishte zgjedhur Argjentinën si favorite për finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës. Pak para sfidës së 19 korrikut në Nju Jork, ai publikoi në Instagram bastin e vendosur në platformën “Stake”, duke treguar bindjen se Lionel Messi dhe bashkëlojtarët e tij do të triumfonin.

    Nëse Argjentina do të ngrinte trofeun, Drake do të përfitonte më shumë se 4.36 milionë euro. Një fitore që do t’i shtonte jo vetëm miliona llogarisë së tij, por edhe një tjetër moment të paharrueshëm në koleksionin e basteve të mëdha.

    Por futbolli kishte një tjetër skenar të shkruar.

    Spanja arriti të fitojë finalen me rezultatin 1-0, duke i dhënë fund ëndrrës së Argjentinës dhe duke kthyer bastin e Drake në një tjetër humbje të bujshme. Reperi e kishte shoqëruar fotografinë e bastit me një koment me humor: “Cila ishte ajo shprehja? Më shumë fat herën tjetër…”, por këtë herë fati nuk ishte në anën e tij.

    Kjo nuk është hera e parë që Drake përfundon në qendër të vëmendjes për shkak të basteve sportive. Ai është bërë i njohur për shumat marramendëse që vendos në ndeshje të mëdha, por shumë prej këtyre parashikimeve kanë përfunduar me zhgënjim.

    Një nga humbjet më të përfolura ishte edhe ajo prej rreth 850 mijë eurosh, kur reperi parashikoi fitoren e Conor McGregor ndaj Max Holloway në një duel të UFC-së. Edhe atëherë, basti i tij nuk rezultoi i suksesshëm.

    Nga këto raste lindi edhe një nga teoritë më të përhapura në rrjetet sociale: “Mallkimi i Drake”. Sipas tifozëve, skuadrat, sportistët apo eventet që marrin mbështetjen publike të reperit shpesh përfundojnë duke humbur.

    Sigurisht, bëhet fjalë vetëm për një teori të krijuar nga tifozët, por statistikat e disa prej rasteve kanë bërë që ajo të mbetet një nga historitë më argëtuese të botës së sportit.

    Pas humbjes së Argjentinës në finalen e Botërorit, “mallkimi” është rikthyer sërish në diskutim. Dhe ndërsa tifozët vazhdojnë të debatojnë nëse Drake sjell fat të keq apo thjesht bën baste të guximshme, një gjë është e sigurt: çdo parashikim i tij kthehet menjëherë në spektakël më vete.