ATV

Category: Lajme

  • Kryediplomatja shqiptare viziton sot Kosovën, pritet nga krerët e shtetit

    Kryediplomatja shqiptare viziton sot Kosovën, pritet nga krerët e shtetit

    Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me krerët më të lartë të institucioneve shtetërore.

    Vizita nis në orën 10:00 me një takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë. Pas përfundimit të takimit, palët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

    Më pas, në orën 12:00, ministrja Spiropali do të pritet në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në kabinetin e kryetares.

    Në vazhdim të agjendës, në orën 12:30, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do ta presë ministren shqiptare.

    Kjo vizitë pritet të thellojë më tej bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me fokus në koordinimin e politikës së jashtme, proceset integruese evropiane dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

  • Mblidhet KQZ-ja, pritet të ndahen qindra-mijëra euro për partitë parlamentare

    Mblidhet KQZ-ja, pritet të ndahen qindra-mijëra euro për partitë parlamentare

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Në mbledhjet e kaluara, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, ndarja e këtyre mjeteve ishte bërë problem në këtë institucion, pasi që pjesë e vendimit për përfitim të qindra-mijëra eurove ishte edhe Lista Serbe.

    Në pikat tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i rekomandimeve nga mësimet e nxëna për zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet parlamentare 2025.

  • OVL-UÇK mban sot konferencë për media

    OVL-UÇK mban sot konferencë për media

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirru për sot një konferencë për media.

    Sipas njoftimi, konferenca do të mbahet të mërkurën prej orës 11:00, në zyrat e OVL UÇK-së në Prishtinë.

    Kjo organizatë ka bojkotuar pjesëmarrjen në Këshillin Organizativ për Epopenë e UÇK-së

    Në Këshillin Shtetëror për 28 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, i mbajtur të martën, është propozuar që të enjten në mbledhjen e radhës t’u dërgohet edhe një ftesë shoqatave të dala nga lufta, pasi që është ngritur si çështje nga nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    Rreth kësaj ftese të dytë për OVL-UÇK-në, nënkryetari i saj, Gazmend Syla tha për KosovaPress se nuk do të marrin pjesë për shkak se qasja që kanë pasur, nuk ka lënë rrugë për bashkëpunim.

  • Mot kryesisht me diell sot

    Mot kryesisht me diell sot

    Ditën e mërkurë në vend parashihet të mbretëroj mot më stabil, me intervale më të shpesha dhe më të gjata me diell.

    Pasdite priten zhvillime të vransirave lokale, por se nuk paraqiten mundësi për të reshura. Temperaturat minimale në mëngjes zbresin në -1C e 2C, derisa ato maksimale shkojnë deri në 10C e 12C.

    Frynë erë veriperëndimore e lehtë dhe mesatare 3-8m/s.

    Mot kryesisht me kthjellime e diell parashihet ditëve vijuese, përgjatë së enjtes dhe nga fundjava. Temperaturat minimale zbresin në 0C e -1C, derisa maksimalet shkojnë deri në 9C e 10C, të enjten, e më pas shënojnë rritje deri në 13C e 15C, deri në fundjavë.

    Ditën e diel kalojnë më shpesh vransira, por ende nuk priten mundësi për të reshura. Të enjten frynë erë verilindore, e lehtë dhe mesatare 3-8m/s. Nga dita e premtë frynë erë kryesisht jugore e jugperëndimore.

  • Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës do të gjykohet edhe në Bosnje

    Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës do të gjykohet edhe në Bosnje

    Pas 28 vjetësh burg në Gjermani, krimineli serb i luftës do të gjykohet edhe në Bosnje
    I dënuari nga Haga, serbi nga Bosnja dhe Hercegovina, Dragoljub Kunarac, është dorëzuar para autoriteteve të Bosnjë e Hercegovinës, ku do të gjykohet sërish për krime lufte ndaj civilëve boshnjakë në Bosnjën Lindore, pasi sapo ka përfunduar dënimin që i ishte shqiptuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal.

    Ai ka vuajtur dënimin prej 28 vjetësh burg në Gjermani për disa raste të përdhunimeve në vitin 1992, të cilat i kishte dënuar Tribunali i Hagës.

    Kunarac do të përballet me gjykim para organeve të drejtësisë së BeH për akuza të reja lidhur me krime lufte të kryera në pjesën lindore të vendit. Prokuroria e BeH e akuzon Kunaracin për krime lufte të kryera në vitin 1992 në rajonin e Foçës, duke përfshirë vrasjen e të paktën gjashtë civilëve të kombësisë boshnjake, për të cilat nuk ka përgjigjur para Tribunalit të Hagës.

    Ai gjithashtu akuzohet për tortura, deportim të civilëve boshnjakë dhe shkatërrim prone, përfshirë djegien e shtëpive, shkruan index.hr.

    Krimet u kryen si pjesë e persekutimit dhe pastrimit etnik të popullsisë boshnjake dhe Kunarac ishte komandant i njësisë speciale “Zhaga” të Ushtrisë së Republikës Serbe.

    Kunarac, në fakt, ishte dënuar në vitin 2002 para Tribunalit të Hagës me 28 vjet burg për krimet e kryera në Foçë në vitin 1992, kur si komandant i njësisë speciale të Ushtrisë së Republikës Serbe mori pjesë në shumë krime ndaj popullsisë civile boshnjake. Kunarac u bë i pari i akuzuari i dënuar nga Tribunali i Hagës për përdhunim dhe torturim të grave boshnjake.

    Përveç përdhunimit, Kunarac ishte përgjegjës edhe për krime të tjera në Foçë, duke përfshirë djegien e shtëpive dhe pronave, si dhe deportimin e popullsisë boshnjake.

    Sipas aktakuzës, njësia e tij ishte kyçe në kryerjen e veprimeve kriminale në këtë rajon, dhe shumë viktima ishin civilë që u torturuan, përdhunuan dhe u vranë në mënyrë brutale.

  • Prisheni agjërimin me hurma, OBSH jep këshilla se si të shmangni urthin në iftar

    Prisheni agjërimin me hurma, OBSH jep këshilla se si të shmangni urthin në iftar

    Ramazani është një muaj i shenjtë gjatë të cilit njerëzit agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, dhe një ditë e gjatë pa ushqim apo ujë mund t’ju bëjë natyrshëm shumë të uritur në iftar.

    Për sa i përket agjërimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ndarë disa këshilla të thjeshta, për ata që agjërojnë, dhe në veçanti se si ta shmangni urthin gjatë iftarit.

    Përmes një postimi në Instagram, ata renditen këto këshilla, të cilat do të mund t’ju ndihmojnë.

    -Prisheni agjërimin me ushqime që treten lehtë, si hurmat, dhe më pas bëni një pushim prej 10 minutash.

    -Mos e teproni me ushqimin;

    Shmangni ushqimet e skuqura thellë, me shumë vaj dhe me yndyrë, pasi mund të shkaktojnë refluks acid dhe simptoma të tretjes së keqe.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by World Health Organization (@who)

  • Pas Iftarit, Eman Rrahmani përsërit qëndrimin e tij për Kodin Civil!

    Pas Iftarit, Eman Rrahmani përsërit qëndrimin e tij për Kodin Civil!

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se është pranuar agjenda legjislative nga Qeveria, ku mes të tjerash parashihet të votohet projekt kodi civil, projektligji për gjendjen civile, si dhe ai për shëndetin riprodhues.

    “ Këto janë ligjet që ua kthyem mbrapsht në legjislaturën e kaluar.

    Sot, po rikthehen sërish në agjendën legjislative të vitit 2026.

    Pra, prioritet kryesor i Qeverisë Kurti III për vitin 2026 janë pikërisht ligjet që u kundërshtuan më parë dhe që nuk kaluan në Kuvend” shkroi Rrahmani.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Kodi Civil!

    Si deputetë, sot kemi pranuar Agjendën Legjislative nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Këto janë prioritetet e Qeverisë Kurti III për vitin 2026:

    1. Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës, ku parashihet martesa burrë me burrë dhe grua me grua, pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.10.2026.

    2. Projektligji për Gjendjen Civile, ku parashihet ndryshimi i gjinisë çdo 10 vjet – pra 10 vjet bëhesh grua, 10 vjet bëhesh burrë dhe kështu me radhë – pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.06.2026.

    3. Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, ku parashihet që gratë të lindin pa burra dhe këtyre fëmijëve t’u ndalohet të dinë kë e kanë baba, pritet të vijë në Kuvend për votim më 01.10.2026.

    Këto janë ligjet që ua kthyem mbrapsht në legjislaturën e kaluar.

    Sot, po rikthehen sërish në agjendën legjislative të vitit 2026.

    Pra, prioritet kryesor i Qeverisë Kurti III për vitin 2026 janë pikërisht ligjet që u kundërshtuan më parë dhe që nuk kaluan në Kuvend.

  • “I mëshoi thikë pas shpine”, dëshmitari tregon çfarë pa ditën kur ndodhi vrasja në Zllakuqan

    “I mëshoi thikë pas shpine”, dëshmitari tregon çfarë pa ditën kur ndodhi vrasja në Zllakuqan

    Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Krasniqi për vrasjen e F.Z., u dëgjua dëshmitari Ilir Zani, i cili tha se nuk kishin probleme me të akuzuarin, ndërkaq tregoi se si kishte ndodhur ngjarja në ditën kritike.

    Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Menduhi Kastrati, dëshmitari deklaroi se kishte qenë bashkë me tani të ndjerin kur kishte ndodhur ngjarja.

    Sipas Zanit, me tani të ndjerin kishin shkuar tek shtëpia e të akuzuarit për të lajmëruar se djali i tij T., kishte therur me thikë djalin e tani të ndjerit F.Z., ndërsa i akuzuari ishte përgjigjur se nuk dinte asgjë.

    “ I kemi thënë që T., e ka therë A., ky tha s’di kurgja edhe jemi nisë teposhtë”, tha dëshmitari Zani.

    Lidhur me momentin kritik, dëshmitari tha se me viktimën ishte në distancë rreth dhjetë metra, ndërsa e kishte parë të akuzuarin duke e goditur me thikë.

    “Edhe veç e kam pa që ky, i ka mëshu thikë mas shpine, pa i pas borxh, pa pas kurgjo”, tha Ilir Zani.

    Dëshmitari Zani theksoi se ishte nisur në shtëpi ku kishte marrë kamionetën dhe bashkë me D.K., i cili i kishte ndihmuar, e kishin dërguar të ndjerin në ambulantë në Magure.

    Sipas planifikimit të Gjykatës, në këtë seancë pritej të dëgjohen edhe dëshmitarët Beqir Krasniqi dhe Krenare Krasniqi, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit të punës së kësaj Gjykate, seanca e sotme u ndërpre.

    Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

    Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

    Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

    Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

    Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Kurti i mbledh në takim ambasadorët e huaj, i njofton për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete

    Kurti i mbledh në takim ambasadorët e huaj, i njofton për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete

    Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur sot në një takim të përbashkët ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, shkruan Reporteri.net.

    Kurti i ka informuar ata mbi fushatën e MPB’së rreth këtyre ligjeve.

    Në njoftimin e ZKM’së thuhet se Kurti i njoftoi ata me punën e Ministrisë së Brendshme “në informimin sa më të drejtë të të gjithë qytetarëve, fushatës, dhe aktiviteteve tjera të ndërmarra në këtë drejtim në mënyrë që zbatimi i plotë, i cili fillon me datën 15 mars 2026, të ketë paraprakisht informimin e drejtë, të saktë dhe të duhur për çdo të huaj ashtu që ata të jenë të njohur me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre”.

    Ky është takimi i dytë i këtij formati prej se ka filluar zbatimi gradual i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.

    Faza e parë e zbatimit të këtyre ligjeve ka nisur me 16 janar. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë.

    Pas hyrjes në fuqi të Ligjit, Ministria e Punëve të Brendshme kishte dalë më një njoftim lidhur me shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë.

    MPB kishte thënë se me rastin e hyrjes në Kosovë, të huajt duhet të posedojnë dokument të vlefshëm udhëtimi, të posedojnë vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojnë qëllimin apo afatin e qëndrimit, të lajmërojnë adresën e qëndrimit në afat prej ditës nga dita e hyrjes dhe të kenë mjete të mjaftueshme për jetesë.

    Me rast të qëndrimit afatshkurtër, Ministria ka sqaruar se të huajt mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda periudhës 180 ditësh pa vizë dhe se nuk lejohet puna gjatë kësaj periudhe pa leje.

    “Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim”, thuhet në njoftim.

    Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi, MPB ka bërë me dije se kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;

    “Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë”, duke theksuar se puna pa leje është e ndaluar.

    Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.

    Sa i përket qëndrimit për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.

    “Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë”, thuhet në njoftim.

    Ministria ka paralajmëruar pasoja në rast shkeljeje, si:

    – anulimin e lejeqëndrimit,

    – shqiptimin e gjobës,– urdhërimin e largimit dhe

    – ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, ishte theksuar në njoftim.

  • Shefi i NATO-s: Nuk ka paqe në Evropë pa paqe të vërtetë në Ukrainë

    Shefi i NATO-s: Nuk ka paqe në Evropë pa paqe të vërtetë në Ukrainë

    NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjatë një fjalimi me rastin e përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

    “Jemi mbledhur këtë mëngjes për të shënuar një tjetër përvjetor të tmerrshëm. Katër vite lufte të pamëshirshme. Sot dhe çdo ditë kujtojmë çfarë ka përballuar Ukraina. Por ndërsa u bëjmë nder të humburve dhe atyre që vuajnë, ne gjithashtu qëndrojmë me shpresë. Frymëzuar nga katër vite rezistence e pathyer. Katër vite vendosmërie të palëkundur,” tha ai sipas Ukrinform.

    Rutte gjatë fjalës së tij theksoi se kjo luftë është një betejë për të drejtën e një populli për të zgjedhur rrugën e tij dhe lirinë, “tuajën dhe tonën.”

    Ai shtoi: “Kjo mbetet e vërtetë edhe sot. NATO ka qenë me Ukrainën që nga fillimi. Jemi me ju sot, dhe do të jemi me ju gjatë gjithë sfidave që vijnë.”

    Duke kujtuar vizitën e tij të fundit në Ukrainë, ku pa pasojat e sulmeve ruse, Rutte shtoi rëndësinë e vijimit të dhënies së ndihmës për Ukrainën. Ai vuri në dukje nevojën urgjente të Ukrainës për municione, duke theksuar se do të jenë të nevojshme për aq kohë sa të vazhdojë lufta.

    “Ukraina vazhdon të zbusë agresionin e Rusisë dhe pavarësisht sjelljes së Putinit, Rusia nuk ka arritur të përmbushë ambiciet e saj në fushëbetejë,” tha Rutte, duke shtuar se është Putini ai që duhet të tregojë nëse është serioz për paqen.

    “Populli ukrainas meriton një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Siguria e tyre është siguria jonë. Nuk mund të ketë paqe të vërtetë në Evropë pa paqe reale në Ukrainë. Kur luftimet të ndalen, paqja duhet të qëndrojë, me forca të forta ukrainase të gatshme për të penguar dhe mbrojtur, si dhe me garanci efektive sigurie nga partnerët e Ukrainës, Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar se kjo do të sigurojë stabilitet për rindërtimin e Ukrainës dhe do të formojë bazën e prosperitetit të saj.

    Rutte me këtë fjalim tregoi se Bashkimi Evropian qëndron i palëkundur në mbështetjen ndaj Ukrainës, dhe synon të vazhdojë ndihmën politike, ushtarake, financiare dhe humanitare.