ATV

Category: Lajme

  • Daçiq me infeksion në dy mushkëritë, Vuçiq: Jam i shqetësuar për gjendjen e tij, prisnim përmirësime

    Daçiq me infeksion në dy mushkëritë, Vuçiq: Jam i shqetësuar për gjendjen e tij, prisnim përmirësime

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha sot në Astana se është “shumë i shqetësuar” për gjendjen shëndetësore të ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, i cili është i shtruar në spital në Beograd për shkak të inflamacionit të të dy mushkërive.

    Vuçiç u tha gazetarëve nga Serbia që po e shoqërojnë gjatë vizitës së tij në Kazakistan se është “në kontakt të vazhdueshëm” me ministrin e Shëndetësisë Zlatibor Lonçar në lidhje me gjendjen shëndetësore të Daçiçit, shkruan Beta.

    “Sonte, sapo të kthehem në Beograd, do të shkoj në spital. Nuk ka ndryshime, gjendja është e qëndrueshme dhe kjo është mirë nga njëra anë, por prisnim ndryshime më të mira dhe më të shpejta”, tha ai.

    Ndihmësdrejtori i Klinikës për Pulmonologji të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Spasoje Popeviç, i cili është përgjegjës për trajtimin e Daçiçit, tha këtë mëngjes se gjendja e Daçiçit “nuk ka ndryshuar, për momentin është e qëndrueshme”, se ai “e kaloi natën i qetë” dhe se “masat intensive të trajtimit po vazhdojnë”.

    Të mërkurën, Daçiç u shtrua në Klinikën e Pulmonologjisë të Qendrës Klinike të Serbisë në gjendje të rëndë dhe u vu në ventilator për shkak të inflamacionit të të dy mushkërive.

  • Kosova përfiton mbi 10 milionë dollarë nga “Pandemic Fund”

    Kosova përfiton mbi 10 milionë dollarë nga “Pandemic Fund”

    Kosova ka përfituar mbi 10 milionë dollarë nga raundi i tretë i financimit të Pandemic Fund, një mekanizëm global që mbështet vendet në forcimin e kapaciteteve për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive.

    Kjo është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Më 12 shkurt 2026, Bordi Drejtues i Pandemic Fund ndau gjithsej 499.6 milionë dollarë për 20 projekte në mbarë botën, duke mobilizuar mbi 4 miliardë dollarë financim shtesë nga partnerë të ndryshëm. Kosova është një nga vendet përfituese përmes projektit MAKE READY”, shkroi Vitia në Facebook.

  • 30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

    30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Zhelko Jagodiqit dhe Mihajllo Mihajlloviqit.

    Kjo masë u mor në seancën e mbajtur në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit Zef Prendrecaj.

    Dy shtetasit serbë, u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria e Prishtinës për tjetërsim prone dhe vepra të tjera penale.

    Ata dyshohet se tentuan të shesin një pronë 2 milionëshe në Veternik.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se pas një hetimi disamujor, janë ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.M dhe Z.J. për dyshimin e kryerjes së mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtës së rreme.

    Në njoftim u tha se ky hetim lidhet me një pronë në Veternik me sipërfaqe 56 ari, ndërsa nga dyshuarit janë sekuestruar veturë, para, dokumente dhe telefona celularë.

    “Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

  • Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Pezullohet seanca në Hagë, mbrojtja do të shtrojë pyetje për dëshmitarin 07 të hënën

    Me masa mbrojtëse, në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi dëshminë dëshmitari i parë i Prokurorisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

    Identiteti i dëshmitarit është i ditur vetëm për ata që janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori, Matt Halling, i cili pyetjet fillestare i bëri në seancë private për publikun.

    Ndërsa, mbrojtësja e Thaçit, Sofi Menegon, kërkoi nga gjykatësit që mbrojtësit pyetjet për dëshmitarin t’i bëjnë të hënën, për shkak se nuk janë të gatshëm për pyetjet.

    “Do të kërkoja që të filloja pyetjet për dëshmitarin të hënën. Ju kishit thënë në dosjen tuaj f705 paragrafi tetë, se në qoftë se ne nuk jemi të gatshëm për të bërë pyetje mund të kërkojmë që të shtyhet ky afat dhe do të vlerësonim nëse do të na jepni kohë pak më të gjerë për të përmirësuar këtë proces’, tha Menegon.

    Gjykatësi Kristofer Gosnel pezulloi seancën për ditën e sotshme, e cila do vazhdoj të hënën.

    “ Atëherë do të pezullojmë seancën e ditës së sotme”, tha ai.

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë janë dhënë deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.

    Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

  • Zelensky: Paqja mund të arrihet deri në vjeshtë, para zgjedhjeve në SHBA

    Zelensky: Paqja mund të arrihet deri në vjeshtë, para zgjedhjeve në SHBA

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ekziston një mundësi reale që lufta të përfundojë deri në vjeshtë, nëse shfrytëzohet momenti aktual diplomatik dhe politik.

    Në një prononcim të fundit, ai theksoi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për fatin e konfliktit, duke e lidhur drejtpërdrejt zhvillimin e ngjarjeve me zgjedhjet e ndërmjetme që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Mendoj se tani kemi një shans. Sinqerisht, shumë gjëra vitin e ardhshëm do të varen nga këta muaj – nëse mund ta përfundojmë luftën deri në vjeshtë. Para zgjedhjeve, zgjedhjeve të rëndësishme dhe me ndikim në Shtetet e Bashkuara. Nëse paqja mund të arrihet, kjo është e mundur tani – ne e kemi këtë dritare mundësie”, është shprehur Zelensky, shkruan skynews.

    Sipas tij, mbështetja dhe dinamika politike në SHBA mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e konfliktit, duke e bërë periudhën aktuale një moment kyç për përpjekjet drejt armëpushimit apo një marrëveshjeje paqeje.

    Deklarata e presidentit ukrainas vjen në një kohë kur zhvillimet në terren dhe lëvizjet diplomatike ndërkombëtare mbeten intensive, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të kërkojë zgjidhje për t’i dhënë fund luftës.

    Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

  • Një gjykatë në Beograd dënon ish-pjesëtarin e UÇK-së në mungesë me 15 vjet burgim

    Një gjykatë në Beograd dënon ish-pjesëtarin e UÇK-së në mungesë me 15 vjet burgim

    Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.

    Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës, shkruan Rel.

    Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.

    Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.

    “Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.

    Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se “krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat”.

    Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.

    Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.

    Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se “ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin”.

    Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.

    Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

    “Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj.

  • Kurti takon kryetaren e ASHAK-ut, diskutojnë për progresin dhe sfidat në vend

    Kurti takon kryetaren e ASHAK-ut, diskutojnë për progresin dhe sfidat në vend

    Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mirëpriti Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula, së bashku me nënkryetarin e Akademisë, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretarin Shkencor, akademik Bardh Rugova.

    Shiroka-Pula e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e AShAK-ut. Ajo e njoftoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të AShAK-ut me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, përmes ekspertizës që ofron Akademia.

    Bëhet e ditur se Kurti gjithashtu e uroi kryetaren Shiroka Pula për detyrën e saj të re dhe i dëshiroi suksese në punë. Ai theksoi prioritetet e Qeverisë, ndër to arsimin dhe drejtësinë, si dhe rëndësinë e tyre për një hov të ri të zhvillimit të vendit, por edhe rolin që bashkëpunimi me AShAK-un mund të luajë në këtë drejtim.

    “Diskutuan për zhvillimet, progresin dhe sfidat në vend, dhe u pajtuan të mbajnë komunikim të rregullt për thellimin e bashkëpunimit”, thuhet në një njoftim të zyrës për media të kryeministrit.

  • Shqipëria pranon raketat Javelin të dërguara nga SHBA

    Shqipëria pranon raketat Javelin të dërguara nga SHBA

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Shqipërisë një sasi të konsiderueshme raketash antitank, Javelin, një prej sistemeve më të avancuar në botë.

    E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, tha se ky është një hap i rëndësishëm në partneritetin mes SHBA dhe Shqipërisë, për sigurinë. “Ky është një demonstrim për përkushtimin tonë për sigurinë rajonale. Sistemi Javelin është shumë i avancuar dhe përmbush objektivin e Shqipërisë për mbrojtjen kolektive”, tha VanHorn.

    “Mjedisi i sigurisë me të cilin përballemi të gjithë kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Jemi krenar që jemi partner në këto përpjekje”.

    VanHorn vlerësoi edhe punën e ministrit të Mbrojtjes në ikje, Pirro Vengu.

    “Ministri ka qenë partner i fortë i SHBA në muajt e fundit. Faleminderit për punën tuaj”, tha ajo.

  • Rusia gjobit me 176 milionë euro Google

    Rusia gjobit me 176 milionë euro Google

    Gjykata në Moskë e shpalli sot kompaninë Google fajtore për shkelje të legjislacionit rus dhe i vendosi një gjobë prej më shumë se 176 milionë eurosh

    “Gjoba administrative në shumën totale prej 16,017,368,387.00 rubla iu vendosën Google LLC”, njoftoi gjykata, raporton Interfax.

    Google u shpall fajtor për shmangie të ekzekutimit të një gjobe administrative. Gjykatat ruse e kanë ndëshkuar vazhdimisht Google për mosheqjen e përmbajtjes së ndaluar nga shërbimet e kompanisë, refuzimin për të lokalizuar të dhënat personale të përdoruesve nga Rusia, si dhe për shkelje të tjera.

    Që nga fundi i vitit 2021, kompania ka marrë dy herë të ashtuquajturat gjoba trafiku në Rusi, me një total prej më shumë se 29 miliardë rubla. Një pjesë e kësaj shume u mblodh nga Shërbimi Federal i Përmbaruesve./Indeksonline

  • U shkarkua si ministër, Pirro Vengu: Ishte kënaqësi ta udhëhiqja këtë post

    U shkarkua si ministër, Pirro Vengu: Ishte kënaqësi ta udhëhiqja këtë post

    Ministri shqiptar në largim i Mbrojtjes, Piro Vengu tha se ishte privilegj të mbante postin një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga kjo pozitë, duke e vendosur në vend të tij, Ermal Nufin.

    “Është vërtet kënaqësi që në këtë moment të tranzitimit të detyrës sime, të linim këtë shenj sot sëbashku me partnerët tanë amerikan. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh dhe pjesë e një bashkëpunimi të ngushte me SHBA. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qarëtësie strategjike”, tha ai, raporton Euronews.al.

    Vengu deklaroi mes tjerash se Shqipëria ka vendosur të investojë në ushtri në kohë paqeje.

    “ Dua të falënderoj partnerët amerikanë, që na japin një mbështetje domethënëse. Shqipëria ka vendosur që të investojë me plan buxhetor, ne po rrisim besueshmërinë, duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale. Shqipëria nuk armatoset për të sulmuar ndonjë vend, por për mbrojtjen e saj. Mbrojtja nuk është luks, por është kusht ekzistence për një shtet serioz, sidomos për procesin e integrimit europian”, u shpreh Vengu.