ATV

Category: Lajme

  • Çfarë parashohin amendamentet e propozuara për presidentin

    Çfarë parashohin amendamentet e propozuara për presidentin

    Amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani dhe të miratuara në Komisionin Parlamentar për Legjislacion parashohin të ndryshojnë mënyrën se si zgjidhet presidenti i Kosovës.

    Këto ndryshime parashohin të ndryshojnë në tërësi Nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Kosovës.

    Amendamentet parashohin që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes votimit, dhe që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se 6 muaj para se të përfundojë mandati i presidentit aktual.

    Sipas amendamenteve, nëse asnjëri nga kandidatët në rundin e parë të garës zgjedhore nuk arrin të marrë shumicë absolute prej më shumë se 50 për qind të votave të popullit, mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave herën e parë dhe kandidati që merr më së shumti vota në rundin e dytë zgjidhet president i Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, parashihet që të shtohet një nen i ri, i cili mundëson që mandati i presidentit aktual, që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, të vazhdojë derisa presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin.

    Amendamentet parashohin po ashtu mundësinë që të garojnë në zgjedhje presidenciale edhe ish-presidentët që kanë shërbyer para se të bëheshin këto ndryshime.

    Presidentin e zgjedhur nga populli nuk mund ta shkarkojë Kuvendi, por organi ligjvënës mund ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e tij, sipas amendamenteve./REL

  • Më pak se pesë orë afat, s’ka njoftim se është thirrë seancë për zgjedhjen e Presidentit

    Më pak se pesë orë afat, s’ka njoftim se është thirrë seancë për zgjedhjen e Presidentit

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se kandidati i tyre për President të ri është Glauk Konjufca, por teksa kanë mbetur me pak se 5 orë afat për zgjedhjen e Presidentit, nuk ka ndonjë njoftim se është thirrur seancë e re.

    Mbrëmë Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka thënë se pasi nuk ka kandidaturë të dytë nuk do të thërras seancë.

    Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar për sot pasdite zhvillime ndërsa kandidati i VV’së për President i ka kërkuar opozitës që ta propozojë dikë.

    Çështja e kandidaturës ka përplasur mbrëmë Presidenten Osmani e cila nuk është kandiduar nga Vetëvendosje.

    Partia e Kurtit ka thënë se ia ka ofruar asaj 30 nënshkrime për t’u futur në garë dhe kjo ka nxitur përplasje me Presidencën. Këshiltarët e Osmanit kanë thënë se shefja e shtetit hynë për t’u rizgjedhur e jo për formalitet pa i ofruar votë.

    Sot Osmani ka dërguar në Kuvend amendamente kushtetuese për zgjedhje direkte të Presidentit te cilat janë shqyrtur dhe miratuar nga Komisioni Legjislativ dhe ndërsa tani pritet të shqyrtohen në seancë plenare.

  • Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese për presidentin

    Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese për presidentin

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit në mbledhjen e sotme ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit direkt nga populli.

    Këto ndryshime do të shqyrtohen në seancë plenare. Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.

    Votimit i parapriu një përplasje e deputetëve të pushtetit me ata të opozitës.

    Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, e cilësoi rrëshqitje drejt autoritarizmit “ngutinë” për votimin e këtyre ndryshimeve. Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u shprehën se nuk ka rëndësi fakti që këto ndryshime janë që gati 15 vjet në sirtar, por po propozohen në ditën e fundit të afatit për të zgjedhur presidentin e ri.

    Me këto ndryshime të propozuara, presidenti i shtetit duhet të zgjidhet me votë direkt nga populli. Ato kanë qenë në sirtar që nga viti 2011, kur Gjykata Kushtetuese pati dhënë vendim duke rrëzuar disa propozime e duke miratuar të tjerat.

    Nuk është bërë e qartë se kur do të ftohet seanca për t’i shqyrtuar këto ndryshime kushtetuese. Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.

    Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.

    Ajo ka thënë se tash e tutje “le të flasë populli”.

    “Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka shkruar Osmani.

  • Amendamentet kushtetuese për zgjedhjen direkte të Presidentit-  Cakolli flet për procedurat

    Amendamentet kushtetuese për zgjedhjen direkte të Presidentit- Cakolli flet për procedurat

    Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e sheh të vështirë dhe të papërshtatshme mundësinë e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

    Ai ka shpjeguar procedurën e cila duhet të ndiqet që amendamentet të hyjnë në fuqi, duke theksuar se për miratimin e tyre duhet aprovimi i shumicës së dyfishtë:

    Amendamentet kushtetueses sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit janë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese në maj të viti 2012.

    Për këto amendamente, që janë 11 sosh, gjykata pati dhënë vlerësimin e saj në korrik të viti, prej tyre gjykata pati rrëzuar 8 prej neneve duke i lënë të tjerat në fuqi.

    Kjo nënkupton që procedura që kërkon përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese e që është më e gjata tashmë është përmbyllur.

    Në këtë rast, sipas rregullores të Kuvendit, nevojitet që komisioni për legjislacion t’ia paraqesë brenda një jave rekomandimet për amendamentet seancës plenare.

    Seanca plenare tashmë mund të thirret kurdo meqenëse është konsumuar afati javor që kur gjykata ka dhënë vlerësimin e sa.

    Amendamentet votohen veç e veç në mënyrë të hapur dhe hyjnë në fuqi menjëherë pas momentit në votimit në Kuvend.

    Sidoqoftë, në rastin e tanishëm, duhet të sillet në Kuvend edhe një ligj i ri që rregullon çështjen e zgjedhjes së presidentit. E ky i fundit, për tu miratuar do të merrte kohë deri në dy apo tre muaj, përveç nëse ka shmangie nga afatet për të cilat nevojiten 2/3 të votave të deputetëve të pranishëm.

    Në terma praktik, kjo situatë dhe skadimi i afatit e bënë jashtëzakonisht të vështirë e po aq edhe të papërshtatshme mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit aktual nga Kuvendi.

  • Juristi Fetahu për nismën e Osmanit: Amendamentet janë shpallur kundërkushtetuese, kjo është tallje

    Juristi Fetahu për nismën e Osmanit: Amendamentet janë shpallur kundërkushtetuese, kjo është tallje

    Juristi Faton Fetahu, ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, për të cilat tha se ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.

    Fetahu në deklarimin e tij për Gazetën Express, ka vlerësuar si të ‘’papërgjegjshme dhe juridikisht absurde’’, nismën e Osmanit për procedim dhe votimin e ‘’amendamenteve që janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën’’.

    ‘’Nisma për procedimin dhe votimin e amendamenteve që janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën është e papërgjegjshme dhe juridikisht absurde. Në aktgjykimin KO29/12 dhe KO48/12, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar qartë se Amendamenti 3, që ndryshon nenin 86 për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht paragrafi 3 që kufizon kandidimin vetëm për subjektet që kanë kaluar pragun zgjedhor, është në kundërshtim me Kapitullin II të Kushtetutës’’, ka thënë ai.

    Tutje, Fetahu, ka shtruar pyetjen se si ‘’mund të propozohet për votim një amendament që nuk e ka kaluar testin kushtetues?’’, duke shtuar se, ‘’kjo është mungesë elementare njohje të Kushtetutës’’.

    ‘’Si mund të propozohet për votim një amendament që nuk ka kaluar testin kushtetues? Për një juriste dhe asistente në fakultet, kjo është një mungesë elementare njohjeje të Kushtetutës dhe procedurës kushtetuese – më shumë se gabim, kjo është tallje me rendin kushtetues’’, ka thënë ai.

  • Amendamentet kushtetuese për presidentin dërgohen në komisionet përkatëse për shqyrtim

    Amendamentet kushtetuese për presidentin dërgohen në komisionet përkatëse për shqyrtim

    Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka njoftuar se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar komisionit të shqyrtojë amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.

    Sipas këtyre amendamenteve, presidenti/presidentja zgjidhen nga populli.

    Ai theksoi se këto amendamente mbështeten me arsyetimin se një model i tillë do të ndihmonte në eliminimin e ngërçeve politike që në të kaluarën kanë penguar funksionimin normal të institucioneve dhe kanë rrezikuar stabilitetin institucional.

    “Sapo u ngarkuam si Komision për Legjislacion nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, ka thënë Adnan Rrustemi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.

  • Haxhiu pas kërkesës së Osmanit: I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve

    Haxhiu pas kërkesës së Osmanit: I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese të proceduara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

    Përmes një njoftimi publik, Haxhiu ka theksuar se këto amendamente synojnë të shmangin ngërçet institucionale që lidhen me zgjedhjen e kreut të shtetit dhe të sigurojnë stabilitet më të madh institucional.

    “Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, thuhet në njoftimin e Haxhiut.

    Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

  • Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

    Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

    Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.

     

  • Shtyhet për 12 mars seanca paraprake për çështjen ndaj Ilir Metës

    Shtyhet për 12 mars seanca paraprake për çështjen ndaj Ilir Metës

    Seanca paraprake ndaj ish-presidentit të Shqipëria, Ilir Meta, është shtyrë për më 12 mars për shkak të mungesës së avokatëve të Pirro Xhixho.

    Në këtë proces janë të përfshirë edhe Monika Kryemadhi dhe disa të pandehur të tjerë. Në seancën e 26 shkurtit, Meta dhe Kryemadhi kishin kërkuar pushimin e çështjes.

    Sipas SPAK, ndaj tyre rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa hetimet kanë zbuluar disa skema të dyshuara korrupsioni dhe përdorim të pushtetit politik.

  • Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

    Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion gjatë një kontrolli në një shtëpi të braktisur në komunën e Leposaviqit, pas pranimit të një informacioni për praninë e tyre në atë lokacion.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut, ku njësitë policore kanë dalë në terren për të verifikuar informacionin e pranuar.

    Pas pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë, një kallash, një pistoletë me dy karikatorë të zbrazët dhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    “Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192”, thuhet në njoftim.