ATV

Category: Lajme

  • Pamje nga vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja në Gjakovë

    Pamje nga vendi ku dyshohet se ndodhi vrasja në Gjakovë

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur. Këtë e konfirmoi për Reporteri.net Policia Rajonale e Gjakovës.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”.

    Sipas informacioneve fillestare viktima është R.B rreth 38 vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes.

  • Maqedonia e Veriut: 353 vetë në regjistrin e pedofilëve

    Maqedonia e Veriut: 353 vetë në regjistrin e pedofilëve

    Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në rajon që me qëllim parandalues u ka mundësuar qytetarëve qasje online në identitetet e personave të dënuar me vendim përfundimtar për vepra që lidhen me pedofilinë, përfshirë fotografitë e tyre, pseudonimet, adresat e vendbanimit dhe veprat për të cilat janë dënuar. Kushdo mund t’i shikojë këto të dhëna me vetëm disa klikime.

    Në regjistrin e pedofilëve, i cili tani për tani është i disponueshëm vetëm në gjuhën maqedone www.registarnapedofili.mk janë publikuar deri tani emrat e 353 personave, 14 prej të cilëve janë gra. Burime nga Ministria e Politikës Sociale thonë se po punojnë që faqja të jetë e qasshme edhe në gjuhën shqipe

    Krijimin e këtij regjistri e mundësoi Kuvendi i Maqedonisë me miratimin në vitin 2012 të një ligji të posaçëm që përcakton qartë 11 vepra penale që çojnë në përfshirje në regjistër.

    “Regjistri përditësohet rregullisht me të dhëna të reja. Personat e dënuar përfshihen në mënyrë të vazhdueshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga drejtoria kompetente për zbatim të sanksioneve, në përputhje me ligjin”, thanë për DW përfaqësues të Ministrisë së Politikës Sociale.

    Në regjistër përfshihen persona të dënuar për vepra penale seksuale ndaj të miturve, përfshirë sulmet seksuale, veprat që lidhen me pornografinë me fëmijë, prostitucionin e fëmijëve, joshjen e fëmijëve, incestin dhe trafikimin e të miturve.

    Megjashi: Hap i mirë por i pamjaftueshëm
    Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Megjashi”, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thonë se regjistri i pedofilëve është një hap i mirë, por jo i mjaftueshëm. Mbrojtja e fëmijëve sipas tyre nuk mund të mbështetet vetëm te regjistri dhe kërkon masa të tjera konkrete.

    “Regjistri i pedofilëve ka rol të caktuar parandalues dhe informues, por regjistra të tillë nuk duhet të shihen si zgjidhje e vetme, por vetëm si pjesë e një strategjie më të gjërë, serioze dhe të udhëhequr institucionalisht për parandalimin, sanksionimin dhe mbojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual. Pa një qasje sistemore, asnjë mjet i tillë nuk mund ta përmbushë qëllimin e vet” thonë përfaqësuesit e “Megjashit”, ambasada e parë e fëmijëve në botë

    Nevojitet edukim sistematik dhe i vazhdueshëm
    Sipas Megjashit ka një rritje serioze të rasteve të sulmeve seksuale ndaj fëmijëve. “Shifrat e larta të këtyre rasteve janë si rezultat i një dështimi serioz të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve. Të dhënat tregojnë qartë se shteti ende nuk po bën mjaftueshëm, veçanërisht në fushën e parandalimit. Nevojitet edukim sistematik dhe i vazhdueshëm, ndërhyrje e hershme, koordinim më i mirë dhe mbështetje për viktimat” thanë nga “Megjashi”.

    “Megjashi” prej vitesh mban të hapur linjën “Alo Bushavko”, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të kërkojnë ndihmë kur ndihen të rrezikuar ose u janë shkelur të drejtat.

    Në pesë vitet e fundit përmes kësaj linje janë regjistruar nëntë raste që lidhen me pornografi të miturish, dhunë online, hakerim profilesh dhe shfrytëzim seksual të të miturve.

    Rëndësia e parandalimit
    Sipas ekspertëve dhe statistikave personat e dënuar për abuzim seksual të fëmijëve, kanë tendencë të përsërisin veprën, prandaj parandalimi është i rëndësishëm.

    Sipas profesoreshës së të Drejtës Penale, Vedije Ratkoceri, këto krime njihen si “oportune”, pasi kryerësit shfrytëzojnë rrethana të favorshme pa planifikim paraprak. Andaj, sipas saj, regjistri luan rol kyç në parandalim.

    “Kur një prind ka dyshime ose dëshiron të verifikojë nëse personi me të cilin fëmija i tij është në kontakt, qoftë fqinj, mësues apo trajner, ka qenë më parë i dënuar për vepra që lidhen me abuzimin seksual apo trafikimin e të miturve, ai mund të konsultojë regjistrin dhe ta marrë këtë informacion në çdo kohë. Kjo pa dyshim do të ndihmonte për parandalimin e abuzimit të mundshëm ndaj fëmijëve”, tha Ratkoceri.

    Ndryshimi i ligjit shton numrin e denoncimeve

    Përfaqësues të Ministrisë për Punët e Brendshme thanë për DW se pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2021 deri në vitin 2025, janë denoncuar gjithsej 472 raste që lidhen me abuzim seksual të fëmijëve.

    Të dhënat tregojnë për një shtim të denoncimeve ndër vite: në vitin 2021 janë denoncuar 67 raste, në vitin 2022 u denoncuan 93 raste, ndërsa në vitin 2023 numri i tyre ka arritur në 116 raste. Në vitin 2024 janë regjistruar 91 raste, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 105 raste.

    Shtimi i denoncimeve lidhet edhe me ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023. Sipas tyre kufiri i moshës për përcaktimin e viktimës në këto vepra penale u rrit nga 14 në 15 vjeç, spese pjesa më e madhe e rasteve lidhen me sulm seksual ndaj fëmijëve që nuk kanë mbushur moshën 15 vjeç dhe bashkëjetesë me të mitura.

    Legjislacioni i Maqedonisë së Veriut e parashikon edhe mundësinë e kastrimit kimik për personat e dënuar për këto vepra penale, një masë që nënkupton trajtim hormonal me qëllim uljen e dëshirës seksuale.

  • Rinia e PDK-së mbanë sot aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës

    Rinia e PDK-së mbanë sot aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës

    Rinia Demokratike e Kosovës, do të mbaj sot një aksion simbolik.

    Ky aksion do të mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në ora 14:00.

    PDK ka ftuar mediat ta përcjellin këtë aktivitet.

  • Tronditet Gjakova: Vritet një person, plagoset një tjetër

    Tronditet Gjakova: Vritet një person, plagoset një tjetër

    Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

    Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë.

    Lidhur me rastin është deklaruar edhe policia, përmes zëdhënësit rajonal Sheremet Elezi.

    “Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij). Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaroi Elezaj.

  • Gërxhaliu: Atë që e ke blerë vitin e kaluar me 100 euro, sivjet e paguan me 140

    Gërxhaliu: Atë që e ke blerë vitin e kaluar me 100 euro, sivjet e paguan me 140

    Njohësi i ekonomisë në vend, Safet Gërxhaliu ka folur lidhur me rritjen e inflacionit mbi 6%, e ku tha se mungesa e stabilitetit politik dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, kanë ndikuar që çmimet të pësojnë dhe rritje.

    “Kosova nga viti në vit, po hyn në krizë dhe po bartin krizat pa u zgjedhur në këtë drejtim efektet e mungesës së stabilitetit politik ndër vite i kanë dhënë rezultatet e veta negative në aspektin ekonomik, sot Kosova është një shtet i varur nga importi, në vitin 2025 kemi pasur një import rekord mbi 7 miliardë euro, kemi tkurrje të eksporteve të produkteve ‘Made in Kosova’, kemi pak investime nga jashtë dhe e tëra kjo definitivisht po reflekton në rritje të inflacionit, një inflacion që në vitin 2026 e ka arrit një shkallë të lartë mbi 6%”, tha Gërxhaliu për EO.

    Gërxhaliu thekson se rritja e çmimeve ka vështirësuar edhe standardin e jetesës së qytetarëve.

    “Është e vërtetë që inflacioni është duke i goditur jo vetëm ekonominë në përgjithësi, po në veçanti fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës, atë që e ke blerë vitin e kaluar me 100 euro sivjet e paguan me 140 euro dhe kjo është vërtetë një pikë shqetësuese që çdo ditë e më tepër duke e varfëru qytetari. Pak kemi kujdes për ekonomi dhe për aspekt social, është një rrethanë e cila vërtetë po e vështirëson standardin e jetesës dhe besoj që është koha kur duhet të mendohet me tepër, që të kemi një dialog të mirëfilltë publiko-privat, të kemi një mbështetje për sektorin privat në veçanti atë prodhues dhe në mënyrë graduale ta ndërprejmë varshmërinë nga importi sepse vërtetë jemi të varur apo jemi shndërru si një shtet apo një shoqëri 100% e varur nga importi”, tha Gërxhaliu

    Ekonomisti Gërxhaliu ka potencuar se shtresa e mesme është zhdukur dhe Kosova është shndërruar në një shtet të varfër.

    “Keni më shumë se 30 mijë qytetarë që jetojnë në varfëri, kemi një pjesë të madhe të qytetarëve afër 51% të tyre nuk janë të gatshëm që të përballojnë çdo devijim apo çdo rritje të çmimeve për 200 euro brenda një muaji dhe kur e keni parasysh faktin tjetër që pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës janë në kredi në mënyrë të drejtpërdrejtë, kemi tërheqje të over-draftit dhe gjitha këto shkojnë për konsum, ishin që vërtetë situata aktuale është mjaft shqetësuese”, tha ai.

    Po ashtu rekomandimet ekonomike në këtë kontekst që jemi është problem me u japë.

    “Do të jetë një mjaft shqetësuese që të jepen rekomandime në këtë amulli politike që e ka kapluar Kosovën edhe vendet më të zhvilluara të Evropës, nuk mund ta kenë këtë lluks që brenda një viti kalendarik apo një vit e gjysmë kalendariktë kenë 4 apo 5 palë zgjedhje, të kenë masa apo sanksione nga Bashkimi Evropian, të mos punohet në aspektin e diplomacisë për të përmirësuar imazhin e saj, në këtë drejtim besoj më e para që duhet të ndodhë është stabiliteti politik, e dyta të kemi dialog të mirëfilltë të sektorit publiko-privat, dhe sektori privat të analizohet dhe vlerësohet si partner në zhvillim dhe jo si diçka për ta ndëshkuar”, shtoi tutje Gërxhaliu.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes një njoftimi ka informuar se inflacioni është rritur për 6%, ndërkaq produktet që kanë pësuar rritje janë lëndët djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (16,8%), pemët (16,4%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (15,1%), si dhe mishi (14,7%). Shtrenjtim kanë pësuar edhe pushimet e organizuara (13,2%), shërbimet ambulantore (9,6%), shërbimet hoteliere (9,5%), kafeja, çaji dhe kakao (9,3%), si dhe disa kategori të tjera ushqimore dhe shërbimesh. /EkonomiaOnline

  • Vdekja e të riut në Pejë, familja del me njoftim

    Vdekja e të riut në Pejë, familja del me njoftim

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pejës, ku një i ri 28-vjeçar është gjetur pa shenja jete.

    Bëhet fjalë për Isa Nikqi. E lidhur me këtë nga familja e të riut kanë dal me një njoftim.

    Sipas njoftimit varrimi i tij bëhet sot në ora 15:00 në varrezat e fshatit Zllapek.

    Postimi i plotë:

    Na e thave zemrën bre vlla,

    Sot u nda nga jeta vllau jone Isa Shaban Nikçi, ne moshën 29 vjeçare, varrimi i te ndjerit behet nesër ne orën 15:00 ne varrezat e fshatit Zllapek.

    Do te mbetesh përgjithmonë ne zemrat tona.

  • Pse nuk ka rrugë alternative ndaj Ngushticës së Hormuzit?

    Pse nuk ka rrugë alternative ndaj Ngushticës së Hormuzit?

    Për ditë të tëra, Irani ka bllokuar anijet tregtare që të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një pikë jetike për transportimin e naftës dhe gazit të nxjerrë nga vendet e Gjirit Persik në pjesën tjetër të botës.

    Ky është një problem i madh, sepse nëse një vend i Gjirit dëshiron të eksportojë naftë dhe gaz, pothuajse gjithmonë duhet të kalojë në Ngushticën e Hormuzit. Arsyet kanë të bëjnë si me gjeografinë, ashtu edhe me marrëdhëniet e ndërlikuara midis vetë vendeve të Gjirit.

    Nuk ka praktikisht asnjë alternativë, dhe megjithëse ka qenë gjithmonë e ditur se kjo pjesë e detit është një nga më kritiket në të gjithë rajonin, nuk është gjetur kurrë një mënyrë efektive për të anashkaluar ngushticën dhe për të transportuar sasi të mëdha gazi dhe nafte me mjete të tjera.

    Ngushtica e Hormuzit është vetëm 30 kilometra e gjerë, por thelbësore për transportin. Ajo ndan Gadishullin Arabik nga bregu i Iranit dhe është i vetmi kalim që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik.

    Përafërsisht një e pesta e të gjithë naftës së shitur në mbarë botën kalon nëpër të çdo vit. Bllokada e Ngushticës ka ndaluar eksportet e naftës nga vendet e Gjirit Persik, të cilat janë ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë, dhe ka shkaktuar një krizë globale energjetike, me pasoja të mëdha në çmimin e naftës, i cili në ditët e fundit ka tejkaluar 100 dollarë për fuçi, më i larti që nga muajt e parë të luftës në Ukrainë.

    Në fakt, e vetmja mënyrë për të eksportuar naftë dhe gaz pa kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit do të ishte përdorimi i tubacioneve të naftës dhe gazit. Arabia Saudite ka një tubacion që shkon nga Gjiri Persik në Detin e Kuq, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një nga Gjiri Persik deri në Gjirin e Omanit.

    Megjithatë, të dyja kanë kapacitet shumë të kufizuar, vetëm rreth 6 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa në Ngushticën e Hormuzit mund të kalojnë më shumë se 20 milionë fuçi në ditë. Për më tepër ndërtimi i këtyre infrastrukturave është një proces shumë i gjatë dhe i kushtueshëm.

    Ndërkohë transporti i gazit natyror të lëngshëm (LNG) është edhe më i ndërlikuar, pasi nuk ka tubacione që kalojnë nëpër vendet e Gjirit. E vetmja mënyrë për ta transportuar atë është të mbështeten te transportuesit e LNG-së që kalojnë nëpër atë pjesë të detit.

    Fakti që asnjë e tillë nuk është ndërtuar, është për shkak të arsyeve të shumta, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e ndërlikuara politike dhe tregtare midis vendeve të Gjirit. Vendi kryesor prodhues i gazit, Katari, kufizohet vetëm me Arabinë Saudite, dhe çdo tubacion do të duhej domosdoshmërisht të kalonte nëpër atë vend, me të cilin marrëdhëniet ishin shumë të tensionuara deri disa vite më parë.

    Në vitin 2017, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti akuzuan Katarin për mbështetjen e terrorizmit dhe grupeve islamike në rajon, si dhe për afërsinë e madhe me Iranin, dhe bllokuan të gjitha marrëdhëniet diplomatike me qeverinë e Katarit. Kriza u zgjidh vetëm në vitin 2021, por që atëherë nuk është bërë asnjë plan për ndërtimin e një tubacioni gazi apo nafte.

  • Izraeli mund të thërrasë 450 mijë rezervistë për një pushtim të mundshëm tokësor në Liban

    Izraeli mund të thërrasë 450 mijë rezervistë për një pushtim të mundshëm tokësor në Liban

    Izraeli së shpejti mund të miratojë mobilizimin e deri në 450,000 trupave rezervë si pjesë e përgatitjeve për një pushtim të mundshëm tokësor në Liban, raportuan mediat izraelite.

    Transmetuesi publik i Izraelit KAN tha se ka “mësuar” se mobilizimi i këtij numri personeli është pjesë e përgatitjeve ushtarake për luftë dhe mundësisë së një pushtimi tokësor në Liban.

    Megjithatë, transmetuesi nuk dha një burim për këtë informacion, shkruan TrtWorld.

    Sipas raportit, propozimi pritet t’u paraqitet së shpejti ministrave të qeverisë dhe Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knessetit për miratim.

    Transmetuesi tha se kufiri i autorizuar aktualisht për mobilizimin e rezervistëve është rreth 260,000 trupa, bazuar në një vendim qeveritar të lëshuar në janar, që do të thotë se kërkesa e re do ta zgjeronte ndjeshëm kufirin aktual.

    Raporti i medias vjen mes tensioneve në rritje me Libanin, ku ushtria izraelite po shqyrton opsionet për të zgjeruar agresionin e saj ushtarak, duke përfshirë mundësinë e nisjes së një pushtimi tokësor.

    Raporti tha gjithashtu se forcat izraelite kohët e fundit kanë synuar infrastrukturën në Libanin jugor, përfshirë një urë mbi lumin Litani, duke pretenduar se ajo ishte përdorur si një kalim për luftëtarët e Hezbollahut.

    Ai shtoi se Izraeli po shqyrton gjithashtu zgjerimin e zonës tampon në Libanin jugor, ndërsa konsultohet me SHBA-në mbi zhvillimet përgjatë kufirit verior.

    Që nga 28 shkurti, Izraeli dhe SHBA-të kanë nisur luftë kundër Iranit që vrau qindra njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem të atëhershëm të Iranit, Ali Khamenei, dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë.

    Irani është përgjigjur duke lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe duke synuar atë që e përshkruan si interesa amerikane në disa vende arabe, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile, të cilën shtetet e prekura e kanë dënuar.

    Më 2 mars, Hezbollahu filloi të synonte vendet ushtarake izraelite në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj Libanit pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga nëntori 2024 dhe vrasjes së Khameneit.

    Izraeli, në të njëjtën ditë, zgjeroi sulmet e tij në periferitë jugore të Bejrutit dhe zonat në Libanin jugor dhe lindor përpara se të niste një ndërhyrje tokësore në Libanin jugor më 3 mars. /Telegrafi/

  • Zyrtari amerikan thotë se sulmet ndaj Iranit deri më tani kanë kushtuar 12 miliardë dollarë

    Zyrtari amerikan thotë se sulmet ndaj Iranit deri më tani kanë kushtuar 12 miliardë dollarë

    Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar afërsisht 12 miliardë dollarë në ofensivën e tyre ushtarake kundër Iranit, tha të dielën një këshilltar i lartë ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa administrata u përpoq të siguronte amerikanët për koston financiare në rritje të luftës.

    Duke folur për CBS News, Kevin Hassett, një këshilltar i lartë i Donald Trump, tha se shifra pasqyron atë që SHBA-të kanë shpenzuar deri më tani që nga nisja e sulmeve të përbashkëta me Izraelin, shkruan TrtWorld.

    “12 miliardë dollarët ishin ato që u informova se janë shpenzuar deri më tani”, citohet të ketë thënë Hassett, duke shtuar se shuma nuk përfaqëson koston totale të një ofensive të plotë që pritet të zgjasë disa javë.

    Komentet vijnë ndërsa Uashingtoni përpiqet të sigurojë publikun se konflikti nuk do ta tendosë ndjeshëm ekonominë amerikane ose nuk do të kërkojë fonde emergjente nga Kongresi.

    Po sipas TrtWorld, vlerësimet e Pentagonit më parë treguan se kostoja e luftës tejkaloi 11.3 miliardë dollarë brenda gjashtë ditëve të para, kryesisht për shkak të përdorimit të rëndë të municioneve të drejtuara me precizion dhe sulmeve ajrore.

    Hassett tha se administrata nuk pret t’u kërkojë ligjvënësve fonde shtesë, duke argumentuar se rezervat ekzistuese ushtarake janë të mjaftueshme për të mbështetur sulmet.

    Zyrtarët e mbrojtjes besojnë se ofensiva — e cila filloi më 28 shkurt — mund të zgjasë katër deri në gjashtë javë, me Hassett që pretendon se ushtria është tashmë përpara afatit.

    Sekretari i Energjisë Chris Wright parashikoi gjithashtu se lufta mund të përfundojë brenda disa javësh, ndërsa zyrtarët e administratës u përpoqën të qetësonin frikën e pasojave ekonomike nga konflikti.

    Ofensiva SHBA-Izrael tashmë ka shkaktuar humbje të mëdha. Raportet vlerësojnë se afërsisht 1,200 njerëz janë vrarë në Iran që nga fillimi i sulmeve, përfshirë ish-udhëheqësin suprem të vendit Ali Khamenei, ndërsa 14 anëtarë të shërbimit amerikan kanë vdekur gjatë operacionit.

  • Këshilltari i Kurtit pas dakordimit me BE-në për serbët: Tani radha e arsimit dhe shëndetësisë

    Këshilltari i Kurtit pas dakordimit me BE-në për serbët: Tani radha e arsimit dhe shëndetësisë

    Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se gjatë një mandati të qeverisë janë mbyllur strukturat paralele serbe që kanë funksionuar në Kosovë për rreth dy dekada.

    Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj theksoi se tani ka nisur procesi i integrimit të sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës.

    Sipas tij, procesi do të fillojë me evidentimin e institucioneve për të vazhduar drejt legalizimit dhe përfshirjes së plotë në sistemin ligjor të Kosovës.

    “ Strukturat paralele të Serbisë që funksionuan për 20 vite në Kosovë, përfshirë 12 vite pas pavarësisë, u mbyllën në një mandat të Qeverisë Kurti. Tani ka nisur procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës. Ky proces fillon nga nesër përmes evidentimit drejt legalizimit dhe përfshirjes së plotë në sistemin legal të Kosovës”, ka shkruar ai.

    “E ata që për 20 vite ruajtën status quo-në e strukturave paralele, le t’i ruajnë edhe statuset nga dje dhe sot. Do t’u duhen më vonë”, ka shkruar tutje ai.

    Deklarata vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, gjëra që do t’i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet.