ATV

Category: Lajme

  • Kryekuvendarja Haxhiu uron Bajramin: Kjo festë na mëson si ta ndajmë me të tjerët mirësinë

    Kryekuvendarja Haxhiu uron Bajramin: Kjo festë na mëson si ta ndajmë me të tjerët mirësinë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka vizituar Myftiun Naim Tërnava, me ç’rast edhe ndau urimet e saja për festën e Fitër Bajramit.

    Ajo tha se kjo festë është shumë e rëndësishme dhe mëson se si të ndahen vlerat e mirësisë e durimit.

    “Në këtë ditë të Fitër Bajramit urova Myftiun Tërnava, sikurse edhe qytetarët e Kosovës të besimit islam, për festën që kurorëzon një muaj të sakrificës, përkushtimit dhe durimit. Festa e Fitër Bajramit është shumë e rëndësishme dhe shumë e vlefshme, muaji i Ramazanit na mëson mirësinë, ndërsa Fitër Bajrami na mëson se si ta ndajmë me të tjerët mirësinë”, tha Haxhiu.

  • Festa e Bajramit, Abdixhiku: Le të sjellë kjo ditë unitet, mirësi dhe shpresë për Kosovën tonë

    Festa e Bajramit, Abdixhiku: Le të sjellë kjo ditë unitet, mirësi dhe shpresë për Kosovën tonë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar festën e Fitër Bajramit.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se kjo festë rikujton vlerat që i bashkojnë: solidaritetin, faljen dhe kujdesin për njëri-tjetrin, sidomos për ata në nevojë.

    “Lutje dhe agjërim të pranuar për të gjithë besimtarët që, me përkushtim, durim dhe besim në Krijuesin, përmbyllën këtë muaj të shenjtë. Uroj që kjo ditë e bekuar të sjellë paqe, shëndet e begati në çdo familje, si dhe më shumë unitet, mirësi dhe shpresë për Kosovën tonë. Me fat Fitër Bajramin! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe vendin tonë”, ka shkruar ai.

  • Ipeshkvi Dodë Gjergji thirrje për bashkim kombëtar dhe paqe në mesazhin e tij për Fitër Bajrami

    Ipeshkvi Dodë Gjergji thirrje për bashkim kombëtar dhe paqe në mesazhin e tij për Fitër Bajrami

    Ipeshkvi Dodë Gjergji, në mesazhin e tij për Fitër Bajram, ka bërë thirrje për bashkim sa më të madh të kombit, sidomos në kohën për të cilën ai ka thënë se bota asnjëherë s’ka qenë më e rrezikuar.

    Në vizitën në Bashkësinë Islame të Kosovës, Gjergji ka thënë se ky është moment i mirë për të festuar bashkë.

    “Është një moment i mirë që të gjithë bashkë të festojmë. Edhe ne sikur katolikë jemi në kohën e kreshmës, në kohën e agjërimit, në kohën e reflektimit, në kohën e lutjes, në kohën e përmirësimit të marrëdhënies sonë me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Kështu që shfrytëzoj rastin t’ju uroj të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, pavarësisht besimit katolik apo mysliman, ortodoks apo diçka tjetër, ne të gjithë kemi paqen në radhë të parë në zemrat tona, harmoninë dhe lumturinë në familjet tona, mirëkuptimin, paqen dhe rendin e vlerave dhe rregullat në shoqërinë tonë. E mbi të gjitha, i ftoj të gjithë sa për t’u lutur për paqe në botë, sepse bota asnjëherë s’ka qenë më e rrezikuar sesa në këto momente kur ne edhe agjërojmë, edhe festojmë së bashku. Prandaj nuk më mbetet asgjë tjetër përveçse për ta thënë atë që e ka thënë i madhi Fishta: ‘Ne vërtet i festojmë Bajram e Pashkë secili sipas mënyrës së vet, por shqiptarinë e kemi bashkë dhe të ardhmen duhet ta ruajmë si të tillë”, ka thënë Gjergji para mediave.

  • Kapet duke kaluar ilegalisht kufirin, ndalohet shtetasi i Serbisë

    Kapet duke kaluar ilegalisht kufirin, ndalohet shtetasi i Serbisë

    Një shtetas i Serbisë është ndaluar të enjten në fshatin Qirkoviq të Leposaviqit, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht kufirin ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës.

    Rasti është iniciuar nga forcat e rendit si “kalim ilegal i kufirit”.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

  • Vritet zëdhënësi i Gardës Revolucionare të Iranit

    Vritet zëdhënësi i Gardës Revolucionare të Iranit

    Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) kanë njoftuar të premten se sulmet SHBA-Izrael kanë vrarë zëdhënësin e tyre Ali Mohammad Naini.

    IRGC tha në një deklaratë në faqen e tyre Sepah News se Naini “u martirizua në sulmin kriminal, frikacak dhe terrorist”.

    Para vdekjes së tij, Naini kishte lëshuar një deklaratë duke këmbëngulur se Teherani ende ishte në gjendje të ndërtonte raketa, pavarësisht sulmeve që po vinin nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

    Naini, i cili shërbeu si zëdhënës i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, e kishte marrë atë rol në  vitin 2024 dhe ishte gjithashtu profesor i shkencave shoqërore.

    Ky është një tjetër zyrtar i lartë midis zyrtarëve më të lartë të regjimit iranian që ka humbur jetën, mes konfliktit në rritje që ka shpërthyer pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

  • Dhunë në familje në Rahovec, vajza sulmohet nga babai dhe motra

    Dhunë në familje në Rahovec, vajza sulmohet nga babai dhe motra

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Rahovec, ku një vajzë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga babai dhe motra e saj.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar.

    Rasti në fjalë ka shkuar në procedurë të rregullt.

  • Falsifikim në tenderin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren: Kompania SCHAFBERGER JR.GMBH dorëzon dokumente të falsifikuara

    Falsifikim në tenderin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren: Kompania SCHAFBERGER JR.GMBH dorëzon dokumente të falsifikuara

    Nga ankesa në OSHP te përjashtimi për mashtrim, kështu u zbuluan dokumentet false në një nga tenderët më të mëdhenj të universitetit “Ukshin Hoti”.

    Një tender me vlerë rreth 650 mijë euro në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren është shndërruar në një rast tipik të dështimit të integritetit në prokurimin publik, pasi një kompani u kap duke aplikuar me dokumente të falsifikuara, ndërsa më pas dështoi edhe në përpjekjen për ta rrëzuar vendimin e autoriteteve.

    Bëhet fjalë për kompaninë “SCHAFBERGER JR. GMBH-Dega Kosovë”, e cila kishte synuar të fitojë kontratën për shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të universitetit, duke dorëzuar dokumente të pavlefshme, shkruan Demokracia.com.

    Më 3 mars 2026, Universiteti “Ukshin Hoti” mori vendim për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të prokurimit “Ofrimi i shërbimeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes së objekteve të Universitetit”, pasi grupi i operatorëve ekonomikë “SCHAFBERGER JR. GMBH” dhe “ERIK” SH.P.K. kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

    Sipas vendimit të nënshkruar nga udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit, Egzon Kryeziu, procedura u ndal deri në shqyrtimin e plotë të pretendimeve ankimore.

    Por, gjatë vlerësimit të dokumentacionit, autoriteti kontraktues zbuloi shkeljen kryesore.

    Universiteti konstatoi se kompania “SCHAFBERGER JR. GMBH – Dega Kosovë” kishte dorëzuar certifikatën ISO 45001 dhe dëshmi për trajnim të punëtorëve për rrezik në punë në formë të falsifikuar.

    Sipas njoftimit zyrtar, këto dokumente nuk ishin të lëshuara nga autoritetet përkatëse dhe nuk kishin vlefshmëri ligjore. Verifikimet u bënë edhe përmes burimeve zyrtare të kompanisë, duke konfirmuar se ato nuk ishin autentike.

    Si pasojë, kompania u përjashtua nga gara. Pas përjashtimit, kompania tentoi të rikthehej në garë.

    Më 18 shkurt 2026, “SCHAFBERGER JR. GMBH – Dega Kosovë” paraqiti kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar shkelje të disa dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik dhe Rregullores Nr.001/2022, përfshirë nenet 7, 52, 59, 60, 72 dhe 108/A.

    Megjithatë, kjo përpjekje nuk pati sukses.

    Autoriteti kontraktues refuzoi kërkesën për rishqyrtim dhe vërtetoi njoftimin B58 të datës 13 shkurt 2026, duke lënë në fuqi përjashtimin e kompanisë dhe duke hapur rrugën për vazhdimin e tenderit.

    Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është publikuar në platformën zyrtare të e-prokurimit.

    Tenderi me numër 208/91900-25-10811-2-1-1, parashikon shërbime të pastrimit dhe mirëmbajtjes për të gjitha objektet e universitetit, përfshirë:

    Fakultetin Ekonomik

    Fakultetin Juridik dhe të Shkencave

    Fakultetin e Edukimit

    Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit

    Rektoratin dhe amfiteatrin

    Hapësirat e brendshme dhe objektet përcjellëse

    Oborret dhe zonat e gjelbra

    Sipas njoftimit zyrtar të universitetit, ky veprim i kompanisë përbën shkelje të rregullave të tenderimit publik dhe cenon integritetin e procesit të prokurimit.

    Universiteti ka verifikuar gjithashtu informacionin përmes linkut zyrtar të kompanisë, duke konfirmuar se dokumentet e dorëzuara nuk ishin origjinale. /Demokracia.com/.

  • Pamjet nga Meka, miliona besimtarë festojnë Fitër Bajramin

    Pamjet nga Meka, miliona besimtarë festojnë Fitër Bajramin

    Sot, në ditën e festës së Bajramit, mijëra besimtarë myslimanë nga e gjithë bota janë mbledhur në Xhamia e Madhe në Mekë për të kryer faljen e Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Atmosfera në qytetin e shenjtë të Meka është karakterizuar nga përkushtimi dhe lutjet e besimtarëve, të cilët u bashkuan në një nga vendet më të shenjta të islamit për këtë moment të rëndësishëm fetar.

    Bajrami, një nga festat më të rëndësishme për myslimanët, shënon fundin e agjërimit njëmujor dhe nisjen e një periudhe reflektimi, solidariteti dhe bashkimi familjar.

  • Ipeshkvi Gjergji shkon për vizitë në BIK me rastin e festës së Bajramit

    Ipeshkvi Gjergji shkon për vizitë në BIK me rastin e festës së Bajramit

    Me rastin e festës së Fitër Bajramit, në ditën e parë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sipas traditës, po organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

    Në vizitë, pos presidentes Vjosa Osmani, Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij i shkoi edhe Ipeshkvi Dodë Gjergji.

    Nga atje, u përcollën mesazhet e urimeve për festën e Bajramit.

    “Urime të gjithëve. Lutem që ne të gjithë kemi paqe në radhë të parë në zemrat tona”, tha imzot Gjergji.

    Ndër të tjera ai bëri thirrje që njerëzit të luten për më shumë paqe në botë.

  • “Evropa në rrezik bërthamor nga Irani”, alarmon ish-këshilltari i sigurisë i Trumpit

    “Evropa në rrezik bërthamor nga Irani”, alarmon ish-këshilltari i sigurisë i Trumpit

    “ Qëndrimi i Evropës ndaj luftës në Iran rrezikon që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të tërhiqet nga konflikti në Ukrainë”, tha ish-këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, John Bolton, duke kritikuar reagimin e BE-së ndaj situatës në Lindjen e Mesme.

    Në një intervistë me Euronews, Bolton, i cili më parë shërbeu edhe si ambasador i SHBA-së në OKB, e quajti konfliktin e Iranit si “luftën e Evropës”.

    “Evropa është po aq shumë, nëse jo më shumë, në rrezik nga sulmet bërthamore nëse Irani pajiset me armë bërthamore”, tha Bolton.

    “ Ajo ka aftësinë raketore për të goditur Evropën Qendrore dhe Lindore – jo Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

    Gjithashtu, ai e quajti mungesën e vullnetit politik në të gjithë bllokun për të marrë pjesë në luftën kundër Iranit si një “gabim”.

    Komentet e tij erdhën ndërsa lufta SHBA-Izrael në Iran, e cila është përhapur në vende të tjera të Lindjes së Mesme, i afrohet javës së katërt.