ATV

Category: Lajme

  • Garda Revolucionare Islamike: Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, s’ka nevojë për mina!

    Garda Revolucionare Islamike: Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, s’ka nevojë për mina!

    Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ebrahim Zolfaghari deklaroi se Irani mban kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se fuqitë e huaja nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në rajon.

    Në një deklaratë të fundit, ai theksoi se Iran ka autoritet të plotë dhe mban iniciativën në Persian Gulf, si dhe në ujërat territoriale të Oman, duke ushtruar kontroll mbi ngushticën përmes “inteligjencës dhe fuqisë së jashtëzakonshme”.

    Zolfaghari shtoi se, për shkak të këtij sovraniteti dhe kapaciteteve ushtarake, Teherani nuk e sheh të nevojshme vendosjen e minave detare në Gjirin Persik. “Nëse është e nevojshme, ne do të përdorim çdo mjet për të garantuar sigurinë”, deklaroi ai.

    Sipas tij, forcat e armatosura iraniane, në bashkëpunim me vendet e rajonit, janë të afta të sigurojnë stabilitetin dhe sigurinë në zonë, ndërsa kritikoi praninë e aktorëve jashtë rajonit, duke theksuar se ata “nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë”.

    Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

  • Hoxhaj kujton ndërhyrjen e NATO-s: Ky duhet të jetë përvjetori i fundit pa krerët e UÇK-së në Kosovë

    Hoxhaj kujton ndërhyrjen e NATO-s: Ky duhet të jetë përvjetori i fundit pa krerët e UÇK-së në Kosovë

    Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, Enver Hoxhaj ka kujtuar këtë ngjarje si momentin vendimtar që ndali gjenocidin në Kosovë dhe hapi rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

    Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka treguar edhe për një vizitë të tij në një bazë ushtarake të NATO-s në vendet baltike, ku kishte parë nga afër një nga aeroplanët që kishte marrë pjesë në bombardimet mbi Serbi në vitin 1999.

    “Para 27 vitesh, bota u bashkua për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Sot kujtojmë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një moment vendimtar që i dha fund dhunës dhe na dha lirinë që kemi sot,” ka thënë Hoxhaj.

    Ai ka shtuar se gjatë një vizite në një bazë të NATO-s në Baltik, afër Rusisë, kishte parë një nga aeroplanët që hodhi më së shumti bomba mbi Serbi.

    “Ky aeroplan nuk është vetëm një pjesë e historisë, por një kujtim i përjetshëm i lirisë dhe drejtësisë që kemi sot,” është shprehur ai.

    Hoxhaj ka shprehur mirënjohje të përhershme ndaj aleatëve perëndimorë për rolin e tyre në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

    “Falënderues përherë ndaj ShBA-së, BE-së dhe Perëndimit për mbështetjen e tyre në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,” ka deklaruar ai.

    Në fund, ai ka theksuar se beson që ky është përvjetori i fundit i ndërhyrjes së NATO-s pa ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë, duke përmendur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ndërhyrja e NATO kundër Serbisë filloi më 24 mars 1999 dhe konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, pasi i dha fund luftës dhe çoi drejt çlirimit të vendit.

  • PDK thërret konferencë për media

    PDK thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Në njoftimin dërguar media nuk bëhet e ditur arsyeja e mbajtjes së kësaj konference.

    Konferenca do të mbahet në ora 14:00 në selinë qendrore të partisë.

  • Greqia do të subvencionojë karburantin dhe plehrat kimike

    Greqia do të subvencionojë karburantin dhe plehrat kimike

    Greqia miraton një paketë prej 300 milion eurosh për të subvencionuar karburantet dhe plehrat, në përpjekje për të zbutur rritjen e çmimeve dhe ndikimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga lufta në Iran.

    Qeveria greke ka njoftuar disa masa për të përballuar pasojat ekonomike të luftës në Iran, e cila ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë në mbarë botën. Rritja e çmimeve është reflektuar edhe në tregun grek, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e karburanteve dhe të plehrave kimike.

    Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur një paketë subvencionesh me vlerë të përgjithshme prej 300 milionë eurosh, e cila synon të lehtësojë barrën financiare për qytetarët dhe fermerët. Sipas tij gjatë muajve prill dhe maj do të aplikohen subvencione për karburantet e automjeteve, transportin detar dhe plehrat bujqësore.

    Kufizim çmimesh për karburantet

    Mbështetja për karburantet pritet të arrijë në rreth 36 cent për litër benzine, ndërsa fermerët do të përfitojnë subvencione deri në 15 për qind të kostos së plehrave kimikë, për të përballuar rritjet e forta të çmimeve.

    Paralelisht autoritetet greke kanë vendosur edhe masa të tjera si kufizimi i çmimeve dhe i marzheve të fitimit për karburantet, për të parandaluar abuzimet dhe spekulimet në treg.

    Me këto ndërhyrje qeveria greke synon të zbusë ndikimet e krizës ndërkombëtare të energjisë, të mbrojë konsumatorët dhe të ruajë stabilitetin ekonomik në vend./DW/

  • Një ditë para bombardimit të NATO-s mbi caqet serbe, çka tha Holbrooke dhe Solana?

    Një ditë para bombardimit të NATO-s mbi caqet serbe, çka tha Holbrooke dhe Solana?

    Më 23 mars 1999, një ditë para nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për çështjen e Kosovës, Richard Holbrooke kishte kërkuar nga Sllobodan Millosheviqin, në Beograd, që t’i tërhiqnin forcat nga Kosova, gjë që ky i fundit e kishte refuzuar.

    Millosheviqi i kishte thënë Holbrooke se Jugosllavia e Serbia nuk pranojnë atë që e quajti ultimatum të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për t’i tërhequr forcat nga Kosova, e i cili, në fakt, nga ndërkombëtarët quhej plan i paqes.

    Përmes një video incizimi në atë kohë, Holbrooke kishte thënë: “Kemi zhvilluar dy ditë bisedime intensive me presidentin Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij. Theksuam dy çështje. Së pari, kërkuam dëshmi se do të ketë armëpushim të operacioneve ushtarake që po zhvillohen në Kosovë, dhe së dyti, gatishmëri për të ndërmarrë veprime të menjëhershme që do të çonin shpejt në vendosjen e një force të udhëhequr nga NATO në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e Rambujesë. Një forcë, dua ta theksoj, që nuk do të ishte as pro dhe as kundër ndonjë grupi etnik, por në favor të paqes në rajon. Siç i kemi raportuar Presidentit Klinton dhe Sekretares Ollbrajt, nuk pati zotime nga autoritetet jugosllave për asnjërën nga këto çështje. Prandaj, jemi udhëzuar të shkojmë tani në Bruksel dhe t’u raportojmë aleatëve tanë në NATO, e më pas të kthehemi në Uashington”, pati deklaruar Holbrooke, pas këtij takimi, sipas raportit të AP-së të kësaj dite.

     

    – YouTube www.youtube.com

    Pasi e përfundoi takimin me Millosheviq dhe komunikimin me mediet në Beograd, Holbrooke u nis menjëherë në Bruksel.

    Këtu, sekretarit të përgjithshme të NATO-s, Havier Solana ia dha lajmin që Millosheviq nuk pranoi planin e paqes.

    “Dje, me mbështetjen tuaj, na dërguat në Beograd për të tentuar t’i bindnim autoritetet jugosllave se paqja është më e mirë se alternativat me të cilat po përballemi tani. Ne u përpoqëm, pa ndonjë sukses të dukshëm, të paktën deri në këtë moment, të bëjmë të qartë se një forcë e udhëhequr nga NATO, e ftuar në Kosovë, nën udhëheqjen tuaj dhe përgjegjëse ndaj NATO-s, ishte mënyra më e mirë për të parandaluar që shqiptarët dhe serbët të vrasin njëri-tjetrin”, tha ai, në prani të Solanas, që ishte parë goxha i “mërzitur” në këtë dalje të përbashkët për medie.

    Holbrooke tha se politikanët dhe mediet në Jugosllavi e Serbi e keqinterpretuan, qëllimisht, pozicionin e NATO-s, duke e shitur atë në publik, te populli, sikur plani i Aleancës është pro shqiptarëve të Kosovës e kundër serbëve, transmeton Kp.

    “Duhet t’ju them juve dhe mediave këtu se në Jugosllavi dhe Serbi sonte, pozicioni ynë është keqinterpretuar plotësisht dhe paraqitet si një forcë që do të kishte mbajtur anë. Në këtë drejtim, populli serb është dezinformuar nga mediat e tyre dhe nga deklaratat e zyrtarëve të lartë, të cilët kanë keqinterpretuar marrëveshjet e Rambujesë dhe kanë keqkuptuar atë që ju dhe NATO po ofronit. Si pasojë e këtij keqkuptimi, kuvendi serb e refuzoi sot atë ofertë, ndërsa udhëheqja jugosllave dhe Presidenti Millosheviq gjithashtu e hodhën poshtë”, tha Holbrooke, në Bruksel, një ditë para se NATO të niste sulmet ajrore kundër forcave serbo-jugosllave.

    Holbrooke shtoi se pas dështimit në Beograd përpjekjet diplomatike, kanë marrë fund, ani se ato mund të ngjallen, nëse ka interes nga Millosheviq. Tani, sipas tij, çështja tani kalon plotësisht te NATO.

    “Tani, procesi ju është kthyer juve, si simbolikisht ashtu edhe formalisht. Kjo tashmë është çështje e NATO-s. Unë do të shtoja vetëm se kanalet diplomatike do të mbeten gjithmonë të hapura, por misioni ynë, të cilin e përfunduam disa orë më parë, sipas vlerësimit tonë, nuk kishte gjasa të sillte ndonjë përparim të mëtejshëm edhe nëse do të qëndronim më gjatë, dhe kjo është arsyeja pse Presidenti Clinton na kërkoi të kthehemi”, i tha ai Solanës.

    Ky i fundit, nuk e tha asnjë fjalë, në këtë paraqitje. Ai foli të nesërmen, kur urdhëroi nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s, kundër forcave serbo-jugosllave.

    Ato zgjatën 78 ditë. Më 10 qershor, Millosheviq pranoi kapitullimin. Ai dhe Serbia përgjithmonë e humbën Kosovën, në të cilën, dy ditë më vonë, hynë trupat e NATO-s, duke e çliruar atë, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

  • Nëse i ke 30 vjet dhe s’je martu, s’ke kerr, s’ke banesë, s’ke punë… A je i/e dështuar?

    Nëse i ke 30 vjet dhe s’je martu, s’ke kerr, s’ke banesë, s’ke punë… A je i/e dështuar?

    Në një shoqëri ku pritshmëritë për sukses shpesh lidhen me moshën, shumë të rinj përballen me pyetjen: nëse në të 30-at nuk je martuar, nuk ke shtëpi, makinë apo një punë të qëndrueshme (ose  nuk je shkolluar) – a do të thotë kjo që ke dështuar?

    Kjo çështje u diskutua në emisionin “LIBERO” dhe sociologu Genc Xerxa theksoi se perceptimi i suksesit lidhet me disa “ora” që ndikojnë në jetën tonë.
    “…Këtu duhet me i inkorporu orat; në qoftë se ora individuale është në rehati me mirëqenien tonë dhe ora psikologjike është e mirë, kjo nuk krijon kurrfarë problemi. Por në anën tjetër, ora sociale i krijon ato rregullat, ta kërkon miratimin – ‘t’ka ik koha’, ‘s’je martu’…Megjithatë njeriu duhet të vazhdojë ta udhëheqë orën e vet individuale”, shprehet ai.

    Nga ana tjetër, psikologia Ibelinda Halili për ta shmangur këtë presion e vuri theksin te rëndësia e objektivave personale.
    “…Janë shumë të rëndësishme objektivat që ia vendos vetes përgjatë rritjes dhe zhvillimit tënd. Objektivat janë gjërat kryesore të cilat neve pastaj na lënë të ndikohemi ose na ndihmojnë nga ata të cilët po tentojnë të na ndikojnë…”, potencoi ajo.

    Studimet moderne, përfshirë ato të publikuara nga National Library of Medicine, nuk mbështesin idenë e një “afati universal” për sukses. Sipas tyre, perspektiva ndaj kohës është fleksibile dhe ndryshon gjatë jetës, duke u ndikuar nga faktorë si kultura, familja, rrjetet sociale dhe krahasimi me të tjerët.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kancelari austriak uron Kurtin për mandatin e ri qeverisës dhe për ditëlindje

    Kancelari austriak uron Kurtin për mandatin e ri qeverisës dhe për ditëlindje

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranoi një letër urimi për mandatin e ri qeverisës nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.

    Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se kancelari Stocker theksoi se në kohë gjeopolitikisht të trazuara, marrëdhëniet e forta ndërmjet vendeve dhe popujve janë më të rëndësishme se kurrë.

    “Dua gjithashtu t’ju përgëzoj për formimin e qeverisë suaj të re dhe t’ju uroj suksese në legjislaturën e re, veçanërisht lidhur me përparimin e vazhdueshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Austria ka qenë mbështetëse e Republikë së Kosovës që nga themelimi i saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane”, thuhet në letrën e kancelarit Stocker.

    Ai e vlerësoi lartë rolin aktiv të diasporës kosovare në Austri dhe bashkëpunimin e ngushtë ekonomik ndërmjet dy shteteve, ndërsa theksoi se mezi pret të takohet sërish me kryeministrin Kurti.

    Kancelari Stocker, poashtu e uroi kryeministrin Kurti me rastin e ditëlindjes së tij. /Telegrafi/

  • Dita Botërore e Ujit: Gratë fermere në qendër të diskutimit mbi menaxhimin e ujërave në Kosovë

    Dita Botërore e Ujit: Gratë fermere në qendër të diskutimit mbi menaxhimin e ujërave në Kosovë

    Me rastin e Ditës Botërore të Ujit 2026, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ambasada e Zvicrës, përmes Programit IWRM-K, shënuan këtë ditë të rëndësishme duke mbledhur përfaqësuese institucionale, gra fermere dhe OJQ, në një dialog dinamik dhe frymëzues nën temën globale: “Aty ku rrjedh uji, rritet barazia.”

    Aktiviteti u zhvillua në kuadër të temës globale të OKB-së për vitin 2026, e cila vendosi gratë dhe vajzat në qendër të diskutimit global mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujit, duke i dhënë zë sfidave konkrete me të cilat përballen çdo ditë gratë fermere në Kosovë.

    Ngjarja mblodhi përfaqësuese nga institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, akademia dhe gratë fermere nga e gjithë Kosova, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në sigurimin e qasjes së barabartë në resurset ujore.

    Në fjalën hyrëse, Znj. Fitore Pacolli Dalipi, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nënvizoi se qasja e drejtë dhe e barabartë në ujë nuk është vetëm nevojë njerëzore, por edhe çështje drejtësie sociale dhe zhvillimi të qëndrueshëm. Ajo theksoi se se kur gratë dhe vajzat përfshihen në vendimmarrje dhe në praktikat e përditshme të menaxhimit të ujit, ato jo vetëm ruajnë resurset natyrore, por kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të familjeve dhe komuniteteve. Ministrja rikujtoi angazhimin e Kosovës ndaj Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 6: siguria e ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura për të gjithë deri në vitin 2030, dhe bëri thirrje për politika dhe praktika që fuqizojnë gratë si aktorë kyç në menaxhimin e ujit.

    Nga perspektiva ndërkombëtare dhe njëkohësisht donator i Programit IWRM-K, znj. Beate K. Elsasser, Shefe e Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme për iniciativa që lidhin menaxhimin e qëndrueshëm të ujit me barazinë gjinore dhe zhvillimin rural. “Uji nuk është vetëm burimi më i çmueshëm natyror – qasja në ujë është e drejtë themelore njerëzore dhe shtylla kyçe e zhvillimit të qëndrueshëm. Zvicra ka qenë partner i përkushtuar në këtë rrugëtim, me angazhim afatgjatë në mbështetjen e menaxhimit të ujit dhe forcimin e institucioneve që ofrojnë shërbime cilësore” – potencoi znj. Elsasser.

    Diskutimi solli në qendër përvojat reale të grave fermere dhe aktoreve të sektorit, duke reflektuar mbi lidhjen ndërmjet planifikimit, mbrojtjes së resurseve ujore dhe barazisë gjinore si dhe rëndësinë e koordinimit institucional për një menaxhim më të drejtë dhe të qëndrueshëm.

    Panelistet ndanë shembuj praktikë nga terreni, duke theksuar se mungesa e qasjes së qëndrueshme në ujë mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin e fermave të drejtuara nga gratë, ndërsa bashkëpunimi, trajnimi dhe shkëmbimi i njohurive janë kyç për përmirësimin e situatës. Nga diskutimi u potencua se për t’u prodhuar një litër qumësht, duhen 3 deri në 4 litra ujë, kurse Kosova përpunon rreth 100.000 tonë qumësht në vit në të gjithë zinxhirin e vlerës. Në fokus të diskutimit ishin sfidat në qasjen në ujë dhe infrastrukturën e ujitjes në zonat rurale, roli i shoqërisë civile në fuqizimin e komuniteteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe praktikat konkrete në bujqësi dhe bletari, që tregojnë se menaxhimi i qëndrueshëm i ujit ndikon drejtpërdrejt në prodhim, biodiversitet dhe mirëqenie ekonomike.

    “Aty ku rrjedh uji, rritet barazia” nuk është vetëm një mesazh simbolik, por një qasje konkrete për zhvillim të qëndrueshëm, fuqizim të grave dhe përmirësim të jetës në komunitetet rurale.

    Ngjarja përfundoi me një ekspozitë të fotografit ambientalist Arian Mavriqi si dhe diskutim të hapur dhe rrjetëzim mes pjesëmarrëseve, duke synuar forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, donatorëve dhe komuniteteve për politika dhe praktika më gjithëpërfshirëse në sektorin e ujit.

    Rreth IWRM-K
    Programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K) është një iniciativë transformuese 12-vjeçare e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Kosovës i cili synon forcimin e qeverisjes së ujit, përmirësimin e qasjes në shërbime ujore dhe nxitjen e barazisë gjinore në menaxhimin e resurseve natyrore në Kosovë. Programi implementohet nga SKAT Zvicër dhe Agjencia Austriake e Mjedisit

  • A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë apo është thjesht një presion shoqëror?

    A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë apo është thjesht një presion shoqëror?

    Ndjenja se “po na ik koha” është gjithnjë e më e përhapur, sidomos te të rinjtë dhe të rriturit në faza kyçe të jetës. Por a ekziston përnjëmend një afat i duhur për arritje?

    Sipas një studimi të fundit nga Springer Nature “Chronic time pressure as a predictor of symptoms of depression, anxiety and stress”, presioni i vazhdueshëm për kohën lidhet drejtpërdrejt me rritjen e stresit, ankthit dhe depresionit. Ky fenomen shpjegohet përmes disa faktorëve kryesorë:

    1. Krahasimi social – Duke parë arritjet e të tjerëve, krijojmë ndjesinë se jemi “mbrapa”.
    2. Narrativat kulturore – Ideja se duhet të kemi jetën “në rregull” deri në një moshë të caktuar, si 30 vjeç.
    3. Ekonomia e kohës moderne – Produktiviteti shpesh barazohet me vlerën personale.
    4. Teknologjia – Ritmi i shpejtë i jetës digjitale rrit ndjesinë se koha nuk mjafton.

    Në emisionin “LIBERO” u diskutua kjo temë dhe e ftuara (psikologia) Ibelinda Halili e lidhi këtë ndjesi me një fenomen të njohur si “novelty effect”. Sipas saj, me kalimin e moshës – KOHA duket sikur përshpejtohet.

    “…Është një efekt psikologjik që njihet si ‘the novelty effect’, që me kalimin e moshës koha përshpejtohet te ne (ecën më shpejt), në kuptimin e përjetimit, jo në kuptimin e njësimit… është përjetim (ne e përjetojmë se koha po na ikën shumë shpejt)… kjo i bie që truri, si organ i cili maturohet gjatë gjithë jetës, kur e arrin një pjekuri të caktuar, bën sintetizimin e informacioneve në mënyrë shumë më të shpejtë dhe prandaj, e ka ndjesinë (na transmeton neve) që koha po përllogaritet shumë shpejt…”– deklaroi Halili.

    Nga ana tjetër, doktoresha Merita Emini Sadiku, e sheh çështjen nga perspektiva biologjike. Ajo theksoi se përveç “kohës sociale”, ekziston edhe “koha biologjike”, e cila vendos kufizime natyrore, sidomos në aspektin riprodhues. Sipas saj, edhe pse njerëzit mund të shtyjnë plane të caktuara, biologjia shpesh vendos limite që nuk varen nga dëshira individuale.

    Ndërkohë, sociologu Genc Xërxa e shpjegoi dallimin mes “orës sociale” dhe “orës individuale” duke potencuar se në shoqëritë në zhvillim, presioni social është më i madh dhe ndikon në vendimet për arsim, martesë dhe krijim familjeje. Këto janë norma të pashkruara që shoqëria i imponon individit, duke krijuar afate të padukshme për arritje jetësore.

    Vlen ta përmendim një studim nga ResearchGate që tregon se vendimet e marra nën presion kohe janë shpesh më impulsive dhe më të rrezikshme. Kur dominohemi nga ideja “duhet tani”, cilësia e zgjedhjeve bie, duke ndikuar edhe në vendime të rëndësishme jetësore.

    Ndjenja e mungesës së kohës nuk është vetëm reale, por edhe e ndërtuar nga faktorë socialë, psikologjikë dhe biologjikë. Pyetja është: a duhet t’i nënshtrohemi këtij ritmi, apo të krijojmë një “orë personale” që i përshtatet jetës sonë?

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Irani lëshoi shtatë valë raketash drejt Izraelit brenda më pak se 10 orësh

    Irani lëshoi shtatë valë raketash drejt Izraelit brenda më pak se 10 orësh

    Irani ka kryer sulme me breshëri raketash ndaj Izraelit gjatë natës deri të martën, duke lëshuar shtatë valë që nga mesnata, sipas autoriteteve izraelite.

    Në valën më të fundit, sirenat ranë në Dimona, një qytet jugor në shkretëtirë pranë Qendrës Kërkimore Bërthamore në Negev, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dërguan ekipe kërkim-shpëtimi në “disa vende” të goditura në Izraelin qendror – të paktën katër herë gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës.

    Në një valë të mëhershme, u raportuan goditje në Tel Aviv, qyteti i dytë më i madh i Izraelit. Pamjet nga qyteti treguan ndërtesa të dëmtuara, flakë dhe tym të zi ndërsa ekipet e emergjencës punonin në vendngjarje.

    Ndërkohë, Izraeli po vazhdon gjithashtu sulmet ndaj Iranit – me Forcat Ajrore izraelite që kanë goditur më shumë se 50 objektiva gjatë natës deri të martën, përfshirë vende lëshimi raketash dhe objekte të tjera ushtarake.

    Sipas IDF-së, Izraeli ka goditur më shumë se 3,000 objektiva në Iran që nga fillimi i luftës.