ATV

Category: Lajme

  • Irani lëshon raketa drejt Izraelit dhe Kuvajtit, pavarësisht raportimeve për përpjekje diplomatike

    Irani lëshon raketa drejt Izraelit dhe Kuvajtit, pavarësisht raportimeve për përpjekje diplomatike

    Irani ka kryer sulme kundër Izraelit dhe Kuvajtit të martën, rreth një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi për bisedime “shumë të mira dhe frytdhënëse” drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Teheranin, e cila tashmë ka hyrë në javën e katërt.

    Të paktën gjashtë njerëz janë plagosur si pasojë e sulmeve në katër lokacione në qytetin e Tel Avivit të martën. Zyrtarët vendës thanë se janë shkaktuar dëme nga mbetjet e raketave dhe dronëve iranianë të rrëzuar në ajër.

    Ndërkohë, Kuvajti tha se mbrojtja ajrore iu përgjigj “sulmeve me raketa dhe dronë” dhe se zhurmat e shpërthimeve të raportuara u shkaktuan nga ndërhyrja dhe neutralizimi i këtyre kërcënimeve.

    Teherani lëshoi raketa dhe dronë drejt caqeve në gjithë Lindjen e Mesme, mes raportimeve kontradiktore nëse po zhvilloheshin bisedime për të arritur një armëpushim në luftimet që nisën me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

    Trump tha të hënën se bisedimet e fundjavës me një zyrtar “të lartë” iranian ishin mjaftueshëm domethënëse për ta shtyrë për pesë ditë mundësinë e sulmeve ndaj centraleve energjetike të Iranit, nëse ky i fundit nuk do ta rihapte Ngushticën e Hormuzit.

    Irani e ka mohuar vazhdimisht se ka pasur bisedime të drejtpërdrejta, megjithëse disa raportime mediatike, duke cituar burime anonime, thanë se ndërmjetës kishin qenë të përfshirë në përcjelljen e mesazheve mes dy palëve.

    Kenneth Pollack, ish-analist i Shtëpisë së Bardhë dhe CIA-s, tani në Institutin për Lindjen e Mesme (MEI), tha se ka pak prova që mbështesin pretendimet për përparim të afërt diplomatik, pavarësisht përpjekjeve të disa vendeve për të ndërmjetësuar bisedime.

    “Siç e kuptoj unë, iranianët janë përgjigjur me kushte shumë të forta paraprake: që SHBA-ja të paguajë dëmshpërblime dhe t’i tërheqë të gjitha forcat nga rajoni, gjëra që janë të papranueshme për Trumpin”, tha Pollack për Radion Evropa e Lirë në Uashington.

    “Deklaratat e Trumpit duket se kanë më shumë të bëjnë me qetësimin e tregjeve sesa me një përparim të vërtetë dhe të afërt”, theksoi ai.

    Shpërthimi i konfliktit ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm, veçanërisht meqë transporti është ndalur pothuajse plotësisht në Ngushticën e Hormuzit, pikën kyç për transportin detar nëpër të cilën kalon rreth një të pestën e naftës dhe gazit botëror.

    Konflikti ka tronditur tregjet e energjisë dhe ato financiare, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe Perëndimin, duke shtuar shqetësimet se luftimet mund të përhapen dhe ta përfshijnë të gjithë rajonin.

    Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka ngjallur frikë për ndërprerje masive të desalinizimit të ujit të pijshëm dhe ka tronditur më tej tregjet e naftës.

    Komentet e Trumpit për bisedimet ndihmuan që çmimi i naftës Brent të bjerë rreth 10 për qind të hënën, megjithëse sulmet në gjithë Lindjen e Mesme të martën e rritën sërish atë me rreth 3 për qind, në më shumë se 102.84 dollarë për fuçi./REL/

  • Shtrenjtimi i karburanteve, qytetarët: I papërballueshëm për kushtet në Kosovë

    Shtrenjtimi i karburanteve, qytetarët: I papërballueshëm për kushtet në Kosovë

    Rritja e çmimeve të derivateve të naftës po ndryshon nga momenti në moment.

    Kjo rritje po ndodhë si pasojë e luftës që po zhvillohet në Lindjen e Mesme.

    E, kësaj rritje nuk i ka shpëtuar as Kosova, shkruan Ekonomia Online.

    Një litër naftë në orët e pasditës po kushton deri ne 1.79 euro.

    Qytetarët e pyetur nga Ekonomia Online po theksojnë se rritja e çmimit të derivateve është e papërballueshme për standardin e Kosovës.

    Diana Demaj, qytetare nga Prishtina tha për Ekonomia Online se rritja e çmimit nuk është konform pagës së qytetarëve në Kosovë dhe se është vështirë të jetohet.

    “Kjo rritje e naftës dhe benzinit nuk është e mirëseardhur tek ne, mbasi edhe rrogat nuk janë që po rriten, do të thotë çmimet edhe ushqimi edhe nafta, benzini të gjitha po ngriten mirëpo rrogat po mbesin njëjtë, do të thotë vështirë që janë të përballueshme, do të thotë çdo familje tash ka ankesa është vështirë për me jetu, plus kur e dimë që rrogat nuk janë edhe aq të mira në Kosovë, nuk po vlerësohemi shkurt e shqip. Si do të ja bëjmë nuk e di”, tha Demaj.

    Demaj, deklaroi se  për t’u zgjidhur ky problem duhet të shikohet niveli i çmimeve dhe jo të ketë çmime si në Evropë edhe në Kosovë.

    “Paj zgjidhja duhet pak t’i shikojnë edhe nivelizimin e çmimeve, edhe une e di që edhe tregu do të thotë luan rol në tregun botëror edhe tek ne, mirëpo ata duhet ta dinë si e kemi ne standardin, ne nuk mund të krahasohemi me evropianët edhe me shtetet që do të thotë janë më të forta se ne”, tha Demaj.

    Njëjtë mendon edhe qytetari tjetër Rexhep Selimi i cili konsideron që çmimi është shumë i lartë dhe sugjeron uljen e TVSh-së.

    “Tregu botëror e rregullon atë besoj, tanaj po ndikon edhe tek ne, qeshtu shkon zingjir. Valla sosht e përballueshme, për kushtet tona këtu në Kosovë është e lartë. Besoj që duhet me i liru duhet me marrë masa shteti diçka, me ulë TVSh-në a çka po di ato, me ndiku diçka se për besë shumë shtrenjtë, shtrenjtë është, për standard tonin është shumë”, tha Selimi për EO.

    Për ngritjen e çmimit të derivateve të naftës sot ka reaguar edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

    Rukiqi, ka shkruar se me një vendim të vetëm, çmimi i naftës bie në 1.35 euro.

  • Abdixhiku takohet ambasadorin francez Guerot, çështja e presidentit temë diskutimi

    Abdixhiku takohet ambasadorin francez Guerot, çështja e presidentit temë diskutimi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Oliver Guerot.

    Abdixhiku përmes një njoftimi në facebook pohoi se u diskutua edhe situata rreth çështjes së presidentit dhe stabilitetit institucional.

    Postimi i plotë:

    Kam pritur sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot.

    Gjatë takimit diskutuam gjerësisht për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit institucional dhe në situatën e krijuar rreth çështjes së Presidentit. Vlerësova se në momente të tilla, respektimi i rendit kushtetues dhe maturia politike mbeten parakushte thelbësore për funksionimin demokratik të vendit.

    Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit tonë. Po ashtu, theksova rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në ekonomi, zhvillim dhe integrim evropian.

    Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euro-atlantike, dhe partneriteti me shtetet mike si Franca është thelbësor për këtë rrugëtim.

  • Fier: Burri vret gruan më pas dhe veten

    Fier: Burri vret gruan më pas dhe veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Kuman, në Roskovec, ku një çift të moshuarish ka humbur jetën në rrethana tragjike.

    Sipas informacionit paraprak nga policia, rreth orës 14:30, shtetasi me iniciale Sh. Rr., rreth 80-vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri (pushkë) bashkëshorten e tij, D. Rr., rreth 75-vjeçe, brenda banesës së tyre.

    Pas krimit, i moshuari dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

    Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

    Ende nuk dihen shkaqet që çuan në këtë akt ekstrem, ndërsa hetimet vijojnë.

  • Dy cisterna gazi me flamur indian kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa incidente

    Dy cisterna gazi me flamur indian kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa incidente

    Anijet transportuese të LPG-së Pine Gas dhe Jag Vasant kaluan Ngushticën e Hormuzit pa incidente të hënën vonë, tha të martën Rajesh Kumar Sinha, sekretar special në Ministrinë e Porteve, Transportit Detar dhe Rrugëve Ujore.

    Dy tankerët pritet të arrijnë në brigjet indiane më vonë këtë javë.

    Mediat indiane raportuan se anijet lundruan afër njëra-tjetrës dhe ndoqën një rrugë të miratuar nga Irani që shkon shumë pranë vijës bregdetare të vendit.

    Irani vazhdon të mbajë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, e cila të çon nga Gjiri Persik drejt oqeanit të hapur dhe përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës botërore dhe mallrave të tjera të rëndësishme.

  • Epopeja e Dukagjinit dhe ndërhyrja e ShBA-së, Haradinaj: NATO në qiell e UÇK në tokë!

    Epopeja e Dukagjinit dhe ndërhyrja e ShBA-së, Haradinaj: NATO në qiell e UÇK në tokë!

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se 24 marsi nderohet shumëfish, nga Epopeja e Dukagjinit më 1998 deri te intervenimi i NATO-s një vit më vonë.

    “Më 24 mars 1998 ranë Hima, Gazmendi e Agroni, por nuk u thyem. Flijimi i tyre u bë frymëzim për të vazhduar deri në momentin kulmor, kur NATO, në krye me SHBA-në, dha sinjalin e çlirimit të Kosovës”.

    “Sot nderojmë të rënët, nderojmë miqtë tanë dhe kujtojmë se NATO në qiell e UÇK në tokë i dhanë fund regjimit të Millosheviqit dhe e kurorëzuan Kosovën me liri e pavarësi. Lavdi!”, ka shkruar ish-komandanti i UÇK-së.

  • Problemi me mbeturina, Komuna e Prishtinës ndan rreth 1 milion euro për ndërtimin e kontejnerëve nën dhe mbitokësorë

    Problemi me mbeturina, Komuna e Prishtinës ndan rreth 1 milion euro për ndërtimin e kontejnerëve nën dhe mbitokësorë

    Ka vite që kryeqyteti i Kosovës është duke u përballur me problemin e mbeturinave.

    Hedhja e tyre vend e pa vend, mungesa e kontejnerëve, mosshtimi i hapësirave për vendosjen e tyre, ka krijuar një pamje të shëmtuar për kryeqendrën kosovare.

    Mbase, për t’i dhënë fund situatës së rënduar, Komuna e Prishtinës ka hapur “kuletën”, duke ndarë rreth një milion euro.

    Me këto mjete, komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama, ka paraparë ndërtimin e disa kontejnerëve në disa lagje të kryeqytetit, për çka ka hapur edhe tenderin.

    Sipas dosjes së tenderit, do të bëhet ndërtimi i kontejnerëve mbitokësorë dhe nëntokësorë, si dhe të bëhet furnizimi e zgjerimi i tyre.

    “Ndërtimi i kontejnerëve mbitokësor dhe nëntokësor, furnizimi dhe zgjermi Zona1 Qendra- Tophane , Dodona, Bregu i Diellit , Ulpiana , Dardania , Lakërishta dhe Zona 2 Kodra e Trimave , Bernicë e Epërme”, thuhet në dosjen e kontratës, e cila kap vlerën e 950 mijë eurove.

    Në të njëjtën ditë, Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe 550 mijë euro të tjera për mirëmbajtjen e kryeqytetit. /Klankosova

  • Kurti feston 51-vjetorin në Mitrovicë, surprizohet me tortë në formë zemre me portretin e tij

    Kurti feston 51-vjetorin në Mitrovicë, surprizohet me tortë në formë zemre me portretin e tij

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi që ditëlindjen e tij të 51-të ta shënojë në Mitrovicë.

    Gjatë vizitës së tij atje, bashkëpunëtorët u përkujdesën për një surprizë të veçantë, duke i përgatitur një tortë festive. Torta ishte në formë zemre dhe mbante të vendosur edhe fytyrën e kryeministrit, si dhe numrin 51.

    Bashkë me Kurtin, festuan edhe bashkëpunëtorët e tij.

  • Kurti: Fushata e bombardimeve të NATO-s ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik që po kryente Serbia në Kosovë

    Kurti: Fushata e bombardimeve të NATO-s ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik që po kryente Serbia në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se fushata e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik që Serbia po kryente në Kosovë.

    Në 27 vjetorin e nisjes së bombardimeve, Kurti ka thënë se ato nisën pas një viti të luftës në Kosovë dhe një ditë pasi u bë e qartë që Serbia e drejtuar nga Sllobondan Millosheviqi nuk do të pranonte për të ndalaur vrasjet kundër popullsisë civile në Kosovë.

    “Kjo fushatë erdhi më shumë se një vit pas fillimit të luftës në Kosovë dhe një ditë pasi u bë e qartë përfundimisht, që Serbia e drejtuar nga Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, nuk do të pranonte asnjë ultimatum për të ndaluar operacionet ushtarake dhe policore në Kosovë kundër popullsisë civile dhe për të tërhqeur forcat nga Kosova dhe se nuk do të pranonte asgjë nga ofertat diplomatike për zgjidhje politike të çështjes së Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Kurti ka thënë se hyrja në Kosovë e trupave të NATO-s solli lirinë dhe hapi rrugë për ndërtim e shtetit demokratik.

    “Duke e pasuar luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi dhe hyrja e trupave të saj pastaj në Kosovë në qershor të vitit 1999, e solli lirinë e Kosovës. Kjo i hapi rrugë ndërtimit të demokracisë dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Andaj ne e kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të të gjitha vendeve të NATO-s dhe nderojmë veçanërisht rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën e popullit të Kosovës për liri me demokraci dhe shtetndërtim me integrim”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.

  • Ky është numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë deri tani

    Ky është numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë deri tani

    Qe prej kur ka filluar procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, vetëm 3 mijë e 915 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë e tyre, derisa 4 mijë e 404 zyrtarë ende nuk e kanë nisur këtë proces.

    Ky proces ka filluar, më 1 mars të këtij viti dhe do të zgjasë deri në fund të këtij muaji, 31 mars, raporton Indeksonline.

    ”Deri tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë apo 37.82% e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34 apo 19.65% të tjerë e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë. Njëkohësisht, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, përkatësisht 4 mijë e 404 apo 42.54% ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit”, thuhet në një përgjigje për Indeksonlinen nga APK-ja.

    Por Cilat janë masat që ndërmerren ndaj zyrtarëve që nuk e deklarojnë pasurinë ose e deklarojnë në mënyrë të pasaktë?

    ”Mosdeklarimi brenda afatit, vonesa në deklarim apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të obligimeve ligjore dhe sanksionohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë gjoba mandatore prej 30% të pagës mujore për vonesa brenda afatit të përcaktuar, ndërsa varësisht nga natyra e shkeljes mund të merren edhe masa të tjera ligjore, përfshirë edhe ngritjen e kallëzimeve penale. Në raste të caktuara, organet kompetente mund të shqiptojnë edhe dënime me burgim, si edhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar”, thuhet në përgjigjen e APK-së.

    Deklarimit të rregullt vjetor i pasurisë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.