ATV

Category: Lajme

  • Ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike në kohën e luftës: Nuk dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO

    Ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike në kohën e luftës: Nuk dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO

    Ish-zëdhënësi i NATO’s, Jamie Shea, ka thënë se nuk dëshiron të vdesë pa e parë Kosovën si pjesë të aleancës veriatlantike.

    27 vite pas ndërhyrjes së NATO-s, ai theksoi se është shumë i lumtur që NATO-ja e bëri atë fushatë ajrore.

    “Nuk ka qenë e lehtë as të arrihej konsensusi për ta bërë një gjë të tillë dhe operacioni ushtarak ka qenë i vështirë dhe i komplikuar siç e din secili në Kosovë. Por 27 vjet më vonë, unë mendoj se ishte gjëja e duhur për ta bërë. Ishte e nevojshme…”, ka deklaruar Shea në KTV.

    Sipas Shea, nuk duhet lejuar që mosnjohja nga disa shtete, ta bllokojë këtë proces.

    Ai tha se nuk ka ndonjë arsye që Kosova mos të jetë anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe.

    “Do të isha sigurisht shumë i irrituar nëse e lë këtë botë pa e parë Kosovën si pjesë të NATO-s dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Mendoj se Aleancës së NATO-s i duhet më shumë imagjinatë kur bëhet fjalë për Kosovën. Nuk mund të lejojmë që çështja e mosnjohjes nga disa aleatë tanë që ta bllokojë progresin. Në vështrimin tim, nuk ka ndonjë arsye që Kosova mos të jetë anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe”, tha Shea.

  • Irani kërkon tarifë tranziti prej 2 milionë dollarësh nga anijet që kalojnë Ngushticën e Hormuzit

    Irani kërkon tarifë tranziti prej 2 milionë dollarësh nga anijet që kalojnë Ngushticën e Hormuzit

    Irani ka filluar të ngarkojë tarifa joformale tranziti për disa anije tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas njerëzve të njohur me çështjen, të cituar nga “Bloomberg”.

    Sipas medias në fjalë, kërkesat e Teheranit variojnë deri në 2 milionë dollarë për udhëtim dhe vendosen rast pas rasti, duke krijuar në mënyrë efektive një “taksë” jozyrtare në një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë.

    Disa anije i kanë paguar tashmë tarifat, thanë burimet, por nuk është e qartë se si ose në çfarë monedhe janë paguar ato, dhe ende nuk duket të ketë një sistem plotësisht të organizuar ose universal për mbledhjen e tarifave.

    Transaksionet thuhet se po kryhen në mënyrë diskrete, duke rritur pasigurinë se cilat anije mund të jenë në shënjestër. Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe për tregun global të energjisë, me rreth një të pestën e prodhimit botëror të naftës dhe gazit, si dhe sasi të mëdha ushqimesh, metalesh dhe mallrash të tjera, që lëvizin nëpër rrugët ujore.

    Ky zhvillim vjen ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme hyn në javën e katërt, duke theksuar nevojën që shumë vende të sigurojnë rrjedhën e vazhdueshme të burimeve të energjisë. Transparenca e kufizuar rreth pagesave po krijon tension shtesë në transportin detar në rajon, me pak anije që kanë kaluar nëpër këtë kalim që nga fillimi i luftës, shumë prej të cilave të lidhura me interesa iraniane.

    Disa nga anijet e pakta të huaja duket se po ndjekin rrugë afër bregdetit iranian. India, e cila ka siguruar kalimin për katër transportues LNG nga Gjiri Persik përmes Ngushticës së Hormuzit, ka theksuar se ligji ndërkombëtar garanton lirinë e lundrimit dhe se asnjë vend nuk mund të vendosë tarifa për përdorimin e korridorit detar.

    Kryeministri Narendra Modi tha se kishte diskutuar çështjen e luftës së Iranit me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke përfshirë implikimet për transportin detar dhe sigurinë globale të energjisë. Në një postim në mediat sociale, Modi tha se “sigurimi që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur, e sigurt dhe e arritshme është thelbësore për të gjithë botën”.

    Ministria e jashtme e Iranit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, dhe kufizimet në telekomunikacion dhe akses në internet janë në fuqi në vend./Panorama.al

  • 27 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ministri shqiptar Nufi: Moment historik që ndryshoi fatin e lirisë

    27 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ministri shqiptar Nufi: Moment historik që ndryshoi fatin e lirisë

    Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për vetë ndërgjegjen e botës demokratike.

    Sipas tij, ndërhyrja përbënte një akt vendosmërie për të ndalur një tragjedi humanitare dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, duke theksuar se ajo shënoi një kthesë të rëndësishme për të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe në paqe.

    “27 vite më parë, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shënoi një moment historik jo vetëm për Kombin shqiptar, por edhe për vetë ndërgjegjen e botës demokratike. Ishte një akt vendosmërie për të ndalur një tragjedi humanitare dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor përballë një regjimi që kishte zgjedhur dhunën dhe shkatërrimin.

    Për faktorin shqiptar në rajon, kjo ndërhyrje ishte shumë më tepër se një operacion ushtarak; ishte një kthesë historike që konfirmoi të drejtën për të jetuar të lirë dhe në paqe. Ajo dëshmoi se vlerat mbi të cilat ndërtohet bota perëndimore; liria, dinjiteti njerëzor dhe drejtësia, nuk janë thjesht parime të shkruara, por angazhime që mbrohen me vendosmëri, kudo që ato cenohen.

    Kosova dhe institucionet e saj demokratike janë sot garancia më e fortë se vendimi i marrë 27 vite më parë ishte i duhuri. Me përkushtimin e saj për t’u rritur përkrah aleatëve, ajo meriton të jetë shumë shpejt aty ku i takon, në të gjitha tryezat dhe organizmat e arkitekturës euroatlantike.

    Sot, pas 27 vitesh, kjo ngjarje mbetet një kujtesë e fuqishme se paqja nuk është e dhënë, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm. NATO vijon të jetë garantuesi më i madh i sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm në Ballkan, por në mbarë botën, duke qëndruar në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave që na bashkojnë.

    Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj Aleancës. Kontributi ynë në misionet paqeruajtëse dhe në mbrojtjen kolektive është shprehje e qartë e këtij angazhimi dhe e bindjes sonë se siguria është përgjegjësi e përbashkët.

    Të qëndruarit bashkë, në unitet dhe solidaritet, është garancia më e fortë që tragjedi të tilla ndaj jetës, paqes dhe vlerave perëndimore të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar ministri Nufi./tvklan.al

  • PDK e fajësoi Kurtin për situatën, deputetja e VV’së: Po duan zgjedhje, kështu dëmi për vendin është më i madh

    PDK e fajësoi Kurtin për situatën, deputetja e VV’së: Po duan zgjedhje, kështu dëmi për vendin është më i madh

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, ka reaguar pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pas mbledhjes së kryesisë thanë se “zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për të ecur përpara”, duke e fajësuar Albin Kurtin për krizën institucionale.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “po duan zgjedhje sepse kështu dëmi ndaj vendit është më i madh”.

    “Pra, nuk qenka puna që s’ka zgjidhje, por zgjidhje nuk po duan. Po duan zgjedhje. Sepse kështu dëmi ndaj vendit është më i madh”, ka shkruar ajo në Facebook, të martën.

  • Raportohet se ShBA-të do të dërgojnë 3 mijë ushtarë në Lindjen e Mesme

    Raportohet se ShBA-të do të dërgojnë 3 mijë ushtarë në Lindjen e Mesme

    Pentagoni amerikan do të urdhërojë vendosjen e 3,000 trupave shtesë në Lindjen e Mesme, raportoi Wall Street Journal.

    Një urdhër me shkrim për dërgimin e ushtarëve, që thuhet se është nga njësia e 82-të ajrore e ushtrisë amerikane, pritet të publikohet në orët në vijim, thanë dy zyrtarë amerikanë për median, raporton Sky News.

    Kjo vjen pas raportimeve të 13 marsit se 5,000 marinsa amerikanë, së bashku me një anije sulmi amfibe, po dërgoheshin në rajon.

    Donald Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk dëshiron që SHBA-të të dërgohen në terren në Iran gjatë konfliktit.

    Presidenti amerikan tha të premten se SHBA-të po shqyrtonin mundësinë e “qetësimit” të operacioneve të tyre ushtarake në Lindjen e Mesme.

    Vetëm dje, ai pretendoi se ishin zhvilluar bisedime “produktive” me Teheranin mbi konfliktin, duke e çuar atë në ndërprerjen e sulmeve të kërcënuara ndaj termocentraleve iraniane për pesë ditë.

  • Osmani: Epopeja e Dukagjinit, testament i përjetshëm i sakrificës për liri

    Osmani: Epopeja e Dukagjinit, testament i përjetshëm i sakrificës për liri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës për liri.

    Në mesazhin e saj, Osmani theksoi se më 24 mars 1998, në Gllogjan, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvilluan një betejë frontale kundër forcave të regjimit serb, të cilat kishin rrethuar zonën dhe në veçanti familjen Haradinaj.

    Ajo vuri në pah se familja Haradinaj u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri, ndërsa kujtoi me nderim dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, të cilët ranë në atë ditë të lavdishme.

    “Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri. Ajo mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që ta ruajmë dhe forcojmë shtetin, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve”, thuhet në deklaratën e presidentes.

    Në përfundim, e para e shtetit, bëri thirrje për unitet dhe përkushtim në ruajtjen e vlerave të lirisë, duke theksuar se sakrifica e të rënëve duhet të mbetet udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës.

  • Vrau gruan dhe më pas veten, ky është çifti shqiptar që humbi jetën tragjikisht

    Vrau gruan dhe më pas veten, ky është çifti shqiptar që humbi jetën tragjikisht

    Shefit Rrapaj, rreth 80-vjeçar, është personi që e vrau gruan e tij, Dashuri Rrapaj, sot në Fier të Shqipërisë e më pas i dha fund jetës së tij.

    Mediat shqiptare kanë publikuar foton e çiftit të moshuar që humbën jetën ditës e sotme në fshatin Kuman të Roskovecit, për motive akoma të panjohura.

    Siç raporton TCh, burime nga zona bëjnë me dije se në këtë familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite.

    Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit.

  • Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan në vitet ’98-99

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan në vitet ’98-99

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit Z.S për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” gjatë periudhës kohore 1998-1999.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit Z.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga nenit 142 dhe 22 të ish Ligjit Penal të RSFJ-së.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Z.S., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes pasi i njëjti posedon edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ik nga Kosova, po ashtu nëse i pandehuri gjendet në liri mund të fsheh, asgjësoj apo ndryshojë provat, andaj Gjykata vlerësoj se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë, për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftim.

    I dyshuari u arrestua të hënën gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale në fshatin Matiçan.

    “I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999”, thuhej në një komunikatë e përbashkët të Prokurorisë me Policinë e Kosovës.

  • Dyshime gjatë kontrolleve, Dogana thotë se zyrtari i saj u kërcënua nga një përfaqësues i kompanisë së naftës

    Dyshime gjatë kontrolleve, Dogana thotë se zyrtari i saj u kërcënua nga një përfaqësues i kompanisë së naftës

    Dogana e Kosovës ka reaguar duke e dënuar ashpër një kërcënim që thotë se i është bërë një zyrtari të saj.

    Sipas një reagimi të këtij institucioni, ky kërcënim ndaj menaxherit të nivelit të lartë, është bërë nga përfaqësuesi i autorizuar i njërit prej subjekteve të mëdha që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.

    Aty thuhet se kërcënimi ka ndodhur gjatë së hënës, derisa ishin duke u ndërmarrë verifikime për një kontingjent me derivate.

    Sipas Doganës, janë evidentuar elemente të dyshimta në dokumentacion, përfshirë parametrat e transaksionit dhe vlerën që shërben si bazë doganore për përllogaritjen e detyrimeve doganore.

    “Çdo përpjekje për të frikësuar, penguar apo ndikuar në zyrtarët doganorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor, autoritetit të shtetit dhe funksionimit të institucioneve publike.”, thuhet në reagim.

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se rastin e ka paraqitur në organet kompetente dhe pret veprim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.

  • Konjufca për 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit: Qëndresa e Gllogjanit vulosi fazën e pakthyeshme të luftës për liri

    Konjufca për 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit: Qëndresa e Gllogjanit vulosi fazën e pakthyeshme të luftës për liri

    Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kujtuar sot 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar 24 marsin 1998 si një nga momentet më vendimtare të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në komunikatën e tij, Konjufca ka theksuar se beteja e Gllogjanit shënoi pikën ku “u dëshmua se vullneti për liri nuk mund të thyhet me rrethim e as me forcë”.

    “Ajo ditë nuk ishte vetëm një betejë; ishte një kthesë që e bëri të qartë se populli ynë kishte hyrë në një fazë të pakthyeshme të luftës për çlirim,” ka deklaruar Konjufca.

    Ai ka nderuar sakrificën e dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët, sipas tij, u shndërruan në simbol të një frymëzimi të gjerë kombëtar.

    “Nga ajo ditë, qëndresa në Dukagjin nuk ishte më vetëm lokale, por u bë thirrje për mobilizim në mbarë Kosovën,” ka shtuar ai.

    Konjufca ka theksuar se kujtimi për dëshmorët është “obligim për të tashmen dhe të ardhmen”, duke rikujtuar se liria e sotme është rezultat i guximit dhe vetëmohimit të tyre.

    “Përgjegjësia jonë është ta forcojmë shtetin, ta mbrojmë atë dhe ta zhvillojmë me dinjitet,” ka përfunduar Kryetari i Kuvendit.

    Në fund, ai ka shprehur nderimin e tij për të gjithë të rënët:
    “Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Epopesë së Dukagjinit dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës.”