ATV

Category: Lajme

  • Lansohet platforma “Kosovo Volunteers”, synon certifikimin e punës vullnetare të të rinjve

    Lansohet platforma “Kosovo Volunteers”, synon certifikimin e punës vullnetare të të rinjve

    Në Kosovë është funksionalizuar platforma “Kosovo Volunteers”, një nismë e re që synon të njohë dhe dokumentojë angazhimin vullnetar të të rinjve, duke e shndërruar atë në një vlerë të matshme për zhvillimin profesional.

    Sipas ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, kjo platformë do të mundësojë edhe certifikimin zyrtar të punës vullnetare, duke i dhënë asaj peshë konkrete në tregun e punës.

    “Përmes saj, kontributi juaj do të njihet si një vlerë konkrete që ndikon në zhvillimin tuaj profesional. Në të njëjtën kohë, vullnetarizmi përmes kësaj platforme do të shërbejë si një parapërgatitje e rëndësishme për tregun e punës duke ju ndihmuar të ndërtoni aftësi praktike, përvojë dhe besim në vete”, ka theksuar Gashani.

    Ai ka inkurajuar të rinjtë që të përfshihen aktivisht në këtë platformë, duke u bërë pjesë e një nisme që, sipas tij, fuqizon rininë dhe kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë.

  • Haradinaj: Urime ditëlindja e Shkëlzenit

    Haradinaj: Urime ditëlindja e Shkëlzenit

    Ish- kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ditëlindjen vëllait të tij të ndjerë, Shkëlzen Haradinajt.

    Përmes një fotografie të postuar në rrjete sociale, ai shkroi: “Urime ditëlindja e Shkëlzenit”.

    Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

  • Policia e Kosovës shpall në kërkim një person për vjedhje në Ferizaj

    Policia e Kosovës shpall në kërkim një person për vjedhje në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje që ka ndodhur në Ferizaj.

    Sipas njoftimit të policisë, bazuar në autorizimin e prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, personi i dyshuar, fotografia e të cilit është publikuar, kërkohet pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vjedhje”, sipas nenit 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Ngjarja ka ndodhur më 6 janar 2026, në një qendër tregtare në Ferizaj.

    Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të ofrojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e personit në kërkim.

    Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe mund të dërgohen përmes: [email protected] ose telefon: 192 ose 0800 19999.

  • Arrestohet një person në veri, vishej si polic dhe posedonte elektroshok

    Arrestohet një person në veri, vishej si polic dhe posedonte elektroshok

    Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në veri të Mitrovicës mëngjesin e së martës, pasi të njëjtit iu gjet armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari vishej si polic dhe kishte me vete një elektroshok.

    “MBAJTJE NË PRONËSI KONTROLL APO POSEDIM I PA AUTORIZUAR I ARMËS – Mitrovicë Veri 24.03.2026-08:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte veshur rroba taktike dhe vendosur emblemën e Policisë së Kosovës, ku gjatë kontrollit i është gjetur edhe një elektroshok”, thuhet në njoftim të policisë.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, bën të ditur tutje policia.

  • Katër të dyshuar intervistohen për ndërtime pa leje në Bjeshkën e Nivokazit

    Katër të dyshuar intervistohen për ndërtime pa leje në Bjeshkën e Nivokazit

    Të paktën katër persona të dyshuar janë intervistuar lidhur me ndërtim pa leje në zonën e Bjeshkës së Nivokazit, brenda parkut nacional.

    Sipas të dhënave të Policisë, të martën janë intervistuar personat që dyshohen se në periudha të ndryshme, përkatësisht në vitet 2018, 2019, 2021 dhe 2022, kanë ndërtuar shtëpi pa leje në këtë zonë të mbrojtur.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të gjitha rastet janë proceduar në procedurë të rregullt.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me masat e mundshme ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për këto raste pritet të vazhdojnë.

  • Fluturimet midis Australisë dhe Zelandës së Re anulohen për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit

    Fluturimet midis Australisë dhe Zelandës së Re anulohen për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit

    Jetstar New Zealand ka kërkuar falje pasi anuloi disa shërbime vendore dhe fluturime mes Australisë dhe Zelandës së Re, duke përmendur rritjen e çmimeve të karburantit për avionë si pasojë e vazhdimit të luftës në Lindjen e Mesme.

    Kompania bëri të ditur se 12% e fluturimeve në muajin maj janë prekur – mes qendrës së saj kryesore në Auckland dhe qyteteve Christchurch, Wellington, Sydney dhe Brisbane.

    Linja ajrore tha se shumicës së pasagjerëve u është ofruar një fluturim tjetër në të njëjtën ditë si alternativë.

    “Ne kemi bërë disa ndryshime të përkohshme në orarin tonë, përfshirë edhe për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit për avionë si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kostove të tjera në rritje”, tha një zëdhënës.

    “Kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe i falënderojmë klientët tanë për mirëkuptimin.”

    Të hënën, Vietnam Airlines anuloi pothuajse dy duzina fluturimesh vendore në javë për shkak të shqetësimeve lidhur me çmimin dhe disponueshmërinë e karburantit. Edhe linjat ajrore në Myanmar kanë bërë shkurtime në orarin e tyre të fluturimeve vendore.

  • Florian Dushi kërkon zbardhjen e rastit të Bajram Kelmendit në 27-vjetorin e vrasjes

    Florian Dushi kërkon zbardhjen e rastit të Bajram Kelmendit në 27-vjetorin e vrasjes

    Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi ka kërkuar drejtësi në përvjetorin e vrasjes së Bajramit Kelmendit dhe djemve të tij Kastriotit dhe Kushtrimit.

    Dushi përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar rënien heroike të avokatit Bajrami dhe djemve të tij.

    “Më 24 mars 1999, në natën kur nisi fundi i makinerisë kriminale serbe, regjimi i Slobodan Millosheviqit – eksponentë të të cilit akoma qeverisin në Beograd, kreu një nga krimet më të rënda në Prishtinë. U rrëmbyen, u torturuan dhe ekzekutuan avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi – vetëm pse ishin zë i drejtësisë dhe i lirisë së shqiptarëve të Kosovës”.

    “Ky akt barbar nuk ishte thjesht një vrasje, por dëshmi e frikës së një regjimi që luftonte drejtësinë dhe të vërtetën të cilën në emër të Kosovës e përfaqësonte Avokatini saj, Bajram Kelmendi. Ata menduan se mund ta heshtnin një zë – por gabuan. Sepse drejtësia nuk vritet. Sepse kujtesa nuk shuhet”, thuhet në postimin e Dushit në Facebook.

    Dushi ka kërkuar zbardhjen e këtij krimi, teksa ka shtuar se nuk do të harrohet kurrë vepra e familjes Kelmendi.

    “Sot, ne kujtojmë jo vetëm dhimbjen, por edhe angazhimin, qëndresën dhe dinjitetin e tyre. Dhe nuk harrojmë kurrë krimet e regjimit kriminal serb të cilat duhet të zbardhen dhe ndëshkohen. Lavdi Bajram Kelmendit! Lavdi Kastriotit dhe Kushtrimit!”, thuhet në postimin e tij.

  • 27 vjet nga masakra e Krushës së Madhe

    27 vjet nga masakra e Krushës së Madhe

    Sot janë bërë 27 vjet nga masakra në Krushë të Madhe në Rahovec.

    Më datë 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, forcat serbe kanë masakruar 243 persona, ku nuk u kursyen as gratë, pleqtë e fëmijët.

    Kjo masakër është ndër më të mëdhat që regjimi i Millosheviqit e ka kryer në Kosovë mbi popullsinë civile.

    Në nderim të viktimave, homazhe në Krushë të Madhe do të bëjnë liderët e shtetit të Kosovës.

  • Sulmet e Iranit zgjerohen në rajon, goditen pesë vende me raketa dhe dronë

    Sulmet e Iranit zgjerohen në rajon, goditen pesë vende me raketa dhe dronë

    Irani ka nisur një valë të re sulmesh në orët e para të së mërkurës (25 mars), duke shënjestruar disa vende në Lindjen e Mesme, përfshirë Izraelin, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Bahreinin dhe Jordaninë.

    Sipas medias shtetërore iraniane IRIB, Garda Revolucionare ka goditur objektiva në Izraelin verior dhe qendror, mes tyre edhe Tel Avivin, si dhe baza ushtarake të përdorura nga SHBA-të në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani. Sulmet janë kryer me raketa të drejtuara me precizion, që përdorin lëndë djegëse të lëngshme dhe të ngurta, si dhe me dronë sulmues.

    Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite bëri të ditur se mbrojtja ajrore ka interceptuar dhjetëra dronë dhe një raketë balistike. Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara në platformën X, mes orës 01:42 dhe 04:41 janë rrëzuar 25 dronë dhe një raketë, kryesisht mbi hapësirën ajrore të pjesës lindore të vendit.

    Ndërkohë, Kuvajti raportoi për sulme të reja me raketa dhe mjete ajrore pa pilot, ndërsa Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë deklaroi se mbrojtja ajrore është aktivizuar dhe po përballet me objektiva armike.

    Si pasojë e një sulmi me dron, një rezervuar karburanti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit është përfshirë nga flakët. Autoritetet e aviacionit civil konfirmuan se infrastruktura e aeroportit është goditur disa herë që nga fillimi i konfliktit.

    Këto zhvillime vijnë në vazhdën e përshkallëzimit të konfliktit në rajon, pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani ka deklaruar se po hakmerret ndaj Izraelit dhe aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik, duke synuar objektiva ushtarake, energjetike dhe infrastrukturore.

    Aeroporti i Kuvajtit ka qenë një nga objektivat e përsëritura gjatë javëve të fundit. Më 14 mars, një sulm me dronë dëmtoi sistemin e radarëve, ndërsa më 8 mars u goditën rezervuarët e karburantit. Një tjetër incident një javë më parë shkaktoi dëme materiale dhe disa të lënduar lehtë pas goditjes së një terminali pasagjerësh.

    Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet po shtrihen në disa fronte njëkohësisht.

  • Irani – Trumpit: Po negocion me vetveten

    Irani – Trumpit: Po negocion me vetveten

    Zëdhënësi i komandës kryesore ushtarake të Iranit, Ebrahim Zolfaghari, ka reaguar ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se “superfuqia globale e vetëshpallur po e quan humbjen e saj, marrëveshje”.

    Duke mos e përmendur me emër presidentin amerikan Donald Trump, ai ka pyetur nëse “ka arritur niveli i konfliktit të brendshëm deri në atë pikë sa po negocioni me vetveten”.

    “Ju nuk do t’i shihni më as investimet tuaja në rajon dhe as çmimet e mëparshme të energjisë dhe naftës, derisa të kuptoni se stabiliteti në rajon garantohet nga dora e fuqishme forcave tona të armatosura. Stabiliteti vjen përmes forcës”, tha Zolfaghari. “Dikush si ne nuk do të pajtohet kurrë me dikë si ju. As tani, as ndonjëherë”.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Iranit një plan 15-pikësh për t’i dhënë fund luftës, raportoi The New York Times.

    Sipas mediave ndërkombëtare, plani i është dorëzuar nëpërmjet Pakistanit, i cili më parë ka ofruar që të organizonte bisedime paqeje midis shteteve që janë në luftë.