ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një person në Deçan, dyshohet se para disa javësh dhunoi një grua

    Arrestohet një person në Deçan, dyshohet se para disa javësh dhunoi një grua

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën e ka arrestuar një person në Deçan, nën dyshimin se ai ka kryer veprën penale të dhunimit.

    Prangosja e tij ka ndodhur pasi javë më parë, një femër e ka raportuar rastin në organet e rendit.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti para disa javësh, ka kryer veprën e cekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa viktima me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për ekzaminime mjekësore gjinekologjike.”, thuhet në raportin policor.

    Ndërkaq, sipas policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti para disa javësh, ka kryer veprën e cekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa viktima me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për ekzaminime mjekësore gjinekologjike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Bie nga lartësia, punëtori pëson lëndime në vendin e punës në Han të Elezit

    Bie nga lartësia, punëtori pëson lëndime në vendin e punës në Han të Elezit

    Një person ka pësuar lëndime ditën e djeshme në Han të Elezit. I njëjti ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar.

    I njëjti është dërguar për tretman mjekësor qendrën emergjente në Ferizaj, dhe sipas mjekëve gjendja e tij është stabile-jashtë rrezikut për jetë.

    Rasti është duke u hetuar.

    “ Hani i Elezit / 25.03.2026 – 09:10. Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime duke rënë nga një lartësi, derisa ishte duke kryer disa shërbime. Lidhur me rastin viktima është dërguar për tretman mjekësor qendrën emergjente në Ferizaj, dhe sipas mjekëve gjendja e tij është stabile-jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore dhe inspektorët komunal kanë dalë në vendin e ngjarjes duke u marrë me rastin, ndërkohë që lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti duke u hetuar”, njofton Policia e Kosovës.

  • Shqipëria, ndër vendet e NATO-s me gatishmërinë më të lartë për të luftuar për vendin

    Shqipëria, ndër vendet e NATO-s me gatishmërinë më të lartë për të luftuar për vendin

    Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të gatishmërisë për të luftuar për atdheun në mesin e anëtarëve të NATO-s.

    Sondazhi i publikuar nga Instituti Amerikan “Foreign Policy Research” fakton se 69 për qind e shqiptarëve do të ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre.

    Kjo, sipas sondazhit të Institutit Amerikan, e vendos Shqipërinë në vendin e dytë pas Turqisë (88 për qind), dhe përpara vendeve si Suedia, Finlanda dhe Mali i Zi.

    Sipas sondazhit, pesë vendet me përqindjen më të lartë të qytetarëve të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre janë Turqia (88 për qind), Shqipëria (69 për qind), Suedia (66 për qind), Finlanda (64 për qind) dhe Mali i Zi (63 për qind).

    Po ashtu ndër 10 vendet e para janë Greqia (gjithashtu 63 për qind), Norvegjia (61 për qind), Lituania (52 për qind), Polonia dhe Sllovenia (të dyja 49 për qind).

    Ndërkohë vendet me përqindjet më të ulëta të qytetarëve të gatshëm për të luftuar për vendin e tyre në NATO janë Italia, Sllovakia (të dyja 25 për qind), Gjermania (27 për qind), Holanda (30 për qind), Hungaria dhe Republika Çeke (të dyja 33 për qind).

  • KFOR-i largon me sukses një mjet të pashpërthyer në Ferizaj

    KFOR-i largon me sukses një mjet të pashpërthyer në Ferizaj

    Në rrugën “Musli Sojeva” në Ferizaj, gjatë pasdites të së mërkurës, është hasur një mjet i pashpërthyer.

    Sipas raportit zyrtar, njësia policore ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa njësia për deminim i KFOR-it ka bërë tërheqjen e mjetit

    “Është raportuar se është hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes. Lidhur me rastin njësia policore ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa njësia për deminim i KFOR-it ka bërë tërheqjen e mjetit”, thuhet në raportin e policisë.

  • Sot 19 vjet, Ahtisaari dorëzoi raportin për pavarësinë e Kosovës

    Sot 19 vjet, Ahtisaari dorëzoi raportin për pavarësinë e Kosovës

    Sot bëhen 19 vjet që kur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin thoshte se Kosova duhej të bëhet e pavarur.

    Derisa SHBA-të përkrahnin planin e Ahtisaarit dhe mendonin se Kosova duhet të bëhet e pavarur, serbët vazhduan ta kundërshtojnë planin.

    Rusia bëri deklarata që mund të interpretohen si kundër pavarësisë, por nuk përmendi përdorimin e vetos, transmeton KosovaPress.

    Tri ditë më vonë, më 29 mars 2007, Parlamenti Evropian miraton një rezolutë me 490 vota pro, 80 kundër dhe 87 abstenime, ku shprehej përkrahja për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.

    Ndërsa, pavarësia e vendit tonë u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 minuta, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

  • Miliona euro dëm, del para gjykatës ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut

    Miliona euro dëm, del para gjykatës ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut

    Këtë të enjte do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit.

    Ai do të dalë para gjykatës me fillim nga ora 09:30.

    Krasniqi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën dyshohen për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.

  • Vendimi i Kushtetueses, mblidhet kryesia dhe deputetët e PDK-së

    Vendimi i Kushtetueses, mblidhet kryesia dhe deputetët e PDK-së

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili u kuptua të mërkurën.

    “Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë shkurtimisht Çitaku, duke treguar se PDK-ja do t’i mbledhë sot organet e saj drejtuese për të diskutuar për zhvillimet e reja dhe hapat e ardhshëm.

    Partia Demokratike e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thirrur menjëherë për ditën e enjte në orën 14:00, mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar.

  • Parashikimi i motit

    Parashikimi i motit

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët, i shoqëruar me intervale të shkurtra me diell.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 13 deri në 16 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 9 metra në sekondë.

  • Policia me aksion kundër motoçikletave në Gjilan

    Policia me aksion kundër motoçikletave në Gjilan

    Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan ka nisur zbatimin e një plani operativ për kontrollin e motoçikletave, trotineteve, triçikletave, skuterëve dhe mjeteve të tjera motorike që qarkullojnë në kundërshtim me ligjin.

    Ky plan ka për qëllim parandalimin e aksidenteve, përfshirë ato me pasoja fatale, lëndime trupore dhe dëme materiale, si dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

    Plani po zbatohet në të gjitha komunat e rajonit të Gjilanit, me mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë, Njësive të Trafikut Rajonal dhe patrullave të stacioneve policore. Në këtë kontekst, Policia ka theksuar:

    “Njësitet policore janë të angazhuara në terren me kontrolle të shtuara dhe intensive, dhe ky Plan operativ do të vazhdojë të zbatohet deri në një vlerësim të ri të situatës së sigurisë në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftim.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që të përdorin helmetë dhe pajisje mbrojtëse, të kontrollojnë gjendjen teknike të mjeteve, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin manovrat e rrezikshme apo drejtimin nën ndikim të alkoolit apo substancave psikoaktive. Qarkullimi i trotineteve dhe mjeteve të ngjashme në hapësira publike si parqe, sheshe dhe zona të frekuentuara nga qytetarët është i ndaluar dhe do të sanksionohet sipas ligjit.

    Gjatë dy ditëve të fundit, policia ka përjashtuar 13 mjete nga komunikacioni dhe ka shqiptuar 16 gjoba kundërvajtëse. Policia e Kosovës në Gjilan njofton se do të zbatojë zero tolerancë ndaj të gjithë drejtuesve që shkelin ligjin në trafikun rrugor.

  • Në Spitalin e Mitrovicës hapet Kirurgjia Maksillofaciale

    Në Spitalin e Mitrovicës hapet Kirurgjia Maksillofaciale

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se në Spitalin e Mitrovicës është hapur Kirurgjia Maksillofaciale.

    Ai ka njoftuar se nga java e ardhshme në këtë spital do të nis edhe shërbimi i Logopedisë.

    “Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” është hapur për herë të parë Kirurgjia Maksillofaciale, ndërsa nga java tjetër nis edhe shërbimi i Logopedisë. Spitali është pajisur me aparatura moderne si kolonoskop, gastroskop, artroskop dhe ultrazë të syrit, ndërsa barnat janë sistemuar në një depo moderne. Gjatë këtij viti do të ndërtohet edhe reparti i ri i Ortopedisë. Vazhdojmë me zgjerimin e shërbimeve shëndetësore sa më afër qytetarëve”, ka shkruar Vitia.