ATV

Category: Lajme

  • ​Rama pezullon ekspozitën në Prishtinë: E papranueshme dhe fyese për kujtesën e viktimave

    ​Rama pezullon ekspozitën në Prishtinë: E papranueshme dhe fyese për kujtesën e viktimave

    Një ekspozitë në mes të sheshit qendror të Prishtinës, e financuar nga Kuvendi, përmban shifra të pasakta për masakrat e ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Në këtë ekspozitë, të vendosur me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme e civilëve që janë vranë nëpër masakra janë cilësuar si persona të armatosur.

    Për këto pasaktësi kanë reaguar të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka quajtur ekspozitën cenim të drejtpërdrejt të së vërtetës historike. Pas këtyre reagimeve, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar lejen për ekspozitën dhe ka njoftuar se sot nga ora 10:00 ekipet e kryeqytetit do ti largojnë tabelat e ekspozitës nga sheshi.

    Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi. I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili pos që ka shprehur shqetësim për deformim të historisë, e ka kërkuar edhe përfshirjen e Prokurorisë në këtë rast.

    “Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli, i cili ka ftuar Prokurorinë që ta hetojë këtë çështje, ndërsa organizatorëve u ka bërë thirrje që t’i përmirësojnë të dhënat.

    E i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Sadik Zeqiri, e ka quajtur të turpshme dhe shtrembërim të vërtetës ekspozitën.

    “Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi? Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur. Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i ka quajtur të papranueshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të të vërtetës historike shfaqjen e pasaktësive në ekspozitë. Ai ka bërë thirrje që të tërhiqen menjëherë përmbajtjet e pasakta.

    “Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike. Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar. Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ai në Facebook

    “E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, ka përfunduar Hoti.

    Pas reagimeve, Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën. Kryetari, Përparim Rama, ka thënë se nuk do të lejojë që në shesh “të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit”. “Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

    Krahas për Dubravën, ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë, ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë. Në sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë. E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.

    Ditë më parë ka reaguar edhe një i mbijetuar i Masakrës së Belegut, Endrit Binakaj, i cili ka bërë të ditur se kjo masakër nuk është e përfshirë fare në këtë ekspozitë. Ai ka thënë se mungesa e saj “është padrejtësi e thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.

    Ekspozita është e bazuar në librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, i cili është promovuar në disa vende të botës. Në parathënien e librit, autori Gashi ka shkruar se për të përpiluar tekstet ka marrë për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër. Autori i librit ka qenë këshilltar i kryeministrit, Albin Kurti.

    Kjo ekspozitë është realizuar mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka vizituar këtë ekspozitë më 24 mars. Sipas komunikatës nga Kuvendi, ajo është shprehur se “nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara”. “Çdo panel rrëfen një krim të rëndë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, krime të kryera nga forcat serbe, dhe sjell para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet. Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri!”, pati thënë ajo.

    E pas reagimeve, Glauk Tahiri, këshilltar politik i kryetares së Kuvendit, ka thënë se Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare.

    “Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet iniciativa të shoqërisë civile, artistëve dhe organizatave që kontribuojnë në trajtimin e çështjeve me interes publik. Megjithatë, roli i Kuvendit në këtë kontekst lidhet me mbikëqyrjen e përdorimit të mjeteve publike, përkatësisht nëse fondet janë shpenzuar në përputhje me projektin e miratuar. Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të projekteve të tilla mbeten përgjegjësi e plotë e organizatave dhe/apo individëve që i kanë hartuar ato”, thuhet në përgjigjen e Tahirit.

    Ai ka thënë se në burime të ndryshme ka të dhëna të ndryshme dhe se Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë është themeluar me qëllim që të arrihet saktësia dhe të shërbejë si referencë në raste të tilla. Megjithëkëtë, ai ka thënë se Kuvendi do t’i adresojë vërejtjet e ngritura tek organizatorët dhe do të kërkojë që çdo pasaktësi të shqyrtohet dhe të korrigjohet në përputhje me të dhënat e verifikuara.

    Ndërkaq në një sqarim të dytë të premten, Kuvendi i Kosovës ka thënë se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik dhe se këtë e bën pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.
    “Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në reagimin për media.

    Megjithatë, Kuvendi ka thënë se kjo mbështetje nuk mund të cilësohet si miratim apo redaktim i narratives së paraqitur.

    “Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm”, thuhet në sqarimin e Kuvendit që ka përsëritur se do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës.

    Ekspozita është organizuar nga organizatat “Admovere” dhe “Integra”. Në “Admovere” kanë thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr prej Natasha Kandiq. Në libër, sipas organizatës, është përmendur se në këtë listë figurojnë të regjistruar si perona të armatosur edhe individë që në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar.

    “Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ dhe do të përfshihen edhe në webfaqen ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, që do të lansohet së shpejti. Ekspozita bazohet në plotni në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, të botuar në vitin 2024 nga ADMOVERE dhe INTEGRA. Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga ‘Libër Kujtimi i Kosovës’ i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”, thuhet në reagim.

    Në këtë njoftim të organizatës thuhet se kjo listë “mbetet edhe sot burimi i vetëm dhe më i besueshëm për dokumentimin e të vrarëve, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve”.

    Organizatat “Admovere” dhe “Integra” në fund kanë bërë thirrje që institucionet të hartojnë më shpejt një listë të të vrarëve “në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale”.

    E pasi komuna tërhoqi lejen e ekspozitës, autori i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, ka fajësuar shtetin për mungesë të një liste të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit, teksa ka përsëritur se të dhënat që i ka publikuar në ekspozitë janë marrë nga një listë e organizatës joqeveritare “Humanitarian Law Center (HLC)”, e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

    Ai nuk ka komentuar çështjen se përse ka shpërndarë të dhëna të pasakta.

    “Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë. Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur. Dihet botërisht që në Reçak forcat policore e ushtarake sërbe jugosllave kanë vrarë 45 civilë të pafajshëm shqiptarë, por në listën e të vrarëve të HLC-së së Nataša Kandić-it janë regjistruar 37 civilë shqiptarë e 8 janë regjistruar të armatosur. Mospërputhje të ngjashme vërehen edhe në masakra tjera: Kotlinë, Kaçanik, e të tjera”, ka shkruar Gashi.

    Gashi tutje ka thënë se organizatat publikuese s’kanë obligim të verifikojnë statusin e secilës viktimë. Megjithatë, Gashi në libër ishte nënshkruar edhe si hulumtues.

    “Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona. Këto të dhëna janë marrë nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center, i cili i ka mbledhur ato përmes hulumtimeve në terren. Për rrjedhojë, u takon institucioneve të Kosovës që të hartojnë një listë zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës. ADMOVERE dhe INTEGRA njoftojnë opinionin publik se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është realizuar dhe vendosur në hapësirën publike me leje nga Komuna e Prishtinës, e cila ka të drejtë ta revokojë atë. Megjithatë, përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave të luftës në Kosovë u takon institucioneve të Kosovës, të cilat do të duhej prej kohësh të kishin përditësuar këtë listë të vetme ekzistuese, të hartuar nga organizata e Nataša Kandić-it dhe të kishin hartuar një listë zyrtare shtetërore”, ka shtuar ai.

    Gashi po ashtu ka thënë se as donatorët nuk kanë pasur rol në përmbajtjen e ekspozitës.

    Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është botuar në hiç më pak se 2000 kopje.

  • Sot largohet nga sheshi ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

    Sot largohet nga sheshi ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të ndërmarrë një aksion për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” nga sheshi “Nënë Tereza”, për shkak të gabimeve dhe pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e saj.

    Aksioni do të fillojë nga ora 10:00.

    “Ju njoftojmë se sot, me datë 28.03.2026, duke filluar nga ora 10:00, ekipet e Kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’ në sheshin ‘Nënë Tereza’. Ky veprim vjen pas vendimit të Kryetarit të Kryeqytetit z. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës”, thuhet në njoftim.

  • Goditet baza amerikane në Arabinë Saudite, plagosen 12 ushtarë amerikanë – dy prej tyre në gjendje të rëndë

    Goditet baza amerikane në Arabinë Saudite, plagosen 12 ushtarë amerikanë – dy prej tyre në gjendje të rëndë

    Një sulm ndaj një baze amerikane në Arabinë Saudite ka lënë të plagosur 12 ushtarë amerikanë, dy prej tyre në gjendje të rëndë, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Sulmi, që ndodhi të premten, kishte në shënjestër Prince Sultan Air Base. Ai u krye me dronë dhe shkaktoi dëme në disa avionë amerikanë të furnizimit me karburant.

    Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ushtria e Iranit është “shkatërruar plotësisht”.

    Kjo nuk është hera e parë që kjo bazë ajrore sulmohet nga Irani.

    Më 1 mars, rreshteri i Ushtrisë amerikane, Benjamin N Pennington, 26 vjeç, u plagos në këtë bazë. Ai ndërroi jetë disa ditë më vonë.

    Deri më tani, të paktën 303 pjesëtarë të personelit amerikan janë plagosur në luftën me Iranin.

  • Paralajmërohet valë e re shtrenjtimesh, Kaçaniku: Qeveria të mbrojë konsumatorin

    Paralajmërohet valë e re shtrenjtimesh, Kaçaniku: Qeveria të mbrojë konsumatorin

    Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme po ndihen edhe në Kosovë.

    Rritja e çmimeve po prek sektorë të ndryshëm, duke përfshirë derivatet e naftës, biletat e  transportit ndërurban e po ashtu edhe artikujt ushqimor.

    Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se çmimet do të vazhdojnë të rriten, derisa shton se qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur qytetarët dhe stabilizuar tregun.

    Kaçaniku, deklaron se Kosova përballet me mbipopullim të pompave të derivateve të naftës dhe se qeveria ka pak mundësi për të parapenguar ngritjen e çmimeve.

    “Shteti tanimë ka shumë pak mundësi për të bërë, për ta parapenguar ngritjen e çmimeve. Që nga legjislaturat e mëparshme ne kemi mbipopullim të pompave të derivateve. Nga 250 sa ka nevojë Republika e Kosovës, e kemi rreth 800. Kemi problem me kontrollin e pompave dhe të cilësisë. Edhe kemi problem ndërqeveritar dhe ndërkonsumatorë, sepse asnjë legjislaturë qeveritare akoma nuk e ka njohur, ose as nuk e njeh qytetarin konsumator, i cili njëherësh është edhe taksapagues i të gjitha këtyre. Ne e financojmë shtetin, e financojmë parlamentin, e financojmë qeverinë, i financojmë ministritë, i financojmë edhe mekanizmat e kontrollit të tregut. E, rëndom, të tregut. Po të kishim treg, tregu do të vepronte si rregullator i çmimeve dhe i furnizimeve. Me vetë faktin se ne akoma nuk e kemi konsoliduar tregun, dëshmohet mungesa e tregut të konsoliduar dhe veprimi kaotik i çmimeve dhe i të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë tregtim”, tha ai.

    Kaçaniku thotë se Autoriteti i Konkurrencës duhet të veproj dhe të identifikojë të gjithë personat që po prishin kulturën e mirë të qasjes në treg.

    “Është e vërtetë se ngritja e çmimeve te emergjentët në veçanti, shkakton efekt domino dhe siç e thatë edhe ju, nxit edhe shtrenjtimin e artikujve të tjerë. Pikësëpari të çmimeve të transportit. Jo të gjithë transportuesit kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve. Por këta që e kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve, shihet se janë në konflikt me ligjin për konkurrencën e lirë. Dhe unë shpresoj që Autoriteti i Konkurrencës do të veprojë dhe do t’i identifikojë të gjithë ata që po e prishin kulturën e mirë të qasjes në treg”, u shpreh ai.

    Kaçaniku përmendi edhe sektorët të cilët do të pësojnë rritje të çmimeve.

    “Ngritje të çmimeve do të ketë. Pra, e nisim me ngritjen e çmimeve të transportit urban dhe ndërurban. Ngritje të çmimeve do të ketë në bujqësi. Ngritje të çmimeve do të ketë në prodhimtarinë vendore, në prodhimin e artikujve themelorë ushqimorë siç është buka e të tjera. Dhe do të jemi të lumtur nëse përfundojmë vetëm me ngritje çmimesh, sepse mungesa e derivateve po vërehet në Gjermani dhe shumë shpejt mund të na ndodhë edhe neve këtu në Kosovë”, theksoi ai.

    Ndërsa, i pyetur se a duhet të shtohet numri i inspektorëve për vëzhgimin e situatës në terren, Kaçaniku u shpreh se Kosovës i nevojitën inspektorë të vullnetshëm konform ligjit.

    “Shikoni, kjo është frazë, frazë e bajatshme. Ne nuk kemi nevojë për inspektorë shtesë. Ne kemi nevojë për inspektorë të vëmendshëm, të vullnetshëm, të cilët me gjobat e tyre ndikojnë në edukimin e biznesmenëve dhe bizneseve. Jo sa për sy e faqe, sa për të përmbushur një normë në letra dhe në numra. Domethënë, nëse inspektori punon vullnetshëm konform ligjit, ai e edukon abuzuesin që mos të abuzojë më. Nëse një inspektor i kthehet një të dënuari disa herë, do të thotë se janë në konflikt interesi”, potencon ai tutje.

    Kaçaniku, nënvizon se nisur nga lufta në Kosovë shteti duhet të ndërmarrë veprime për kursime dhe se duhet ta njeh qytetarin konsumator.

    “Në kohë krizash, në këtë momentum kur Kosova është e rrethuar gjithandej me luftëra, kur nuk është shumë larg kur ne e patëm COVID-in, besoj edhe ne para 27 viteve, dje e patëm 27 vjetorin, ishim në luftë. Ne tanimë do të duhej të ishim të vetëdijesuar, të edukuar për kursim. Që mos të befasohemi si Gjermania, ne duhet që tani të edukohemi, të mësohemi të kursejmë. Bashkë me ne si qytetarë konsumatorë, duhet të mësohet edhe shteti të kursejë. Dhe pastaj, nga kjo fazë, të paktën kjo qeveri, për dallim nga legjislaturat e mëparshme, duhet të fillojë ta njohë qytetarin konsumator, taksapagues, sepse asgjë nuk mund të bëjë pa ne dhe as ne nuk mund të bëjmë asgjë pa të”, shtoi Kaçaniku.

  • Bahtiri letër të hapur Familjes Jashari: Vendi në rrezik e pasiguri politike, na duhet një “Jashar” në krye të shtetit

    Bahtiri letër të hapur Familjes Jashari: Vendi në rrezik e pasiguri politike, na duhet një “Jashar” në krye të shtetit

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, i është drejtuar me një letë familjes Jashari, duke kërkuar nga ta që të ofrojnë një kandidat për president të vendit.

    Bahtiri në letrën e tij, ka shkruar se Jasharajt janë e vetmja alternativë që ‘’mund të shërojë këtë ngërç’’, dhe ta ‘’kthejë dinjitetin’’ në presidencë.

    Ndryshe, javë më parë Murat Jashari kishte hedhur poshtë mundësitë që ai apo dikush nga kjo familje të marrë këtë pozitë shtetërore.

    Postimi i plotë Bahtirit:

    LETËR E HAPUR PËR FAMILJEN JASHARI

    Të nderuar trashëgimtarë të familjes së Shaban Jasharit,

    E nderuara Familje Emblematike e kombit tonë,

    Po ju drejtohem me këtë letër të hapur, jo vetëm si deputet i zgjedhur i popullit, por si një qytetar që ndjen peshën e rëndë të përgjegjësisë para historisë dhe të ardhmes. Kosova sot gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm. Që nga fillimi i vitit 2025, vendi ynë është zhytur në një rrethanë të palakmueshme që po godet themelet e shtetësisë sonë:

    • Vakumi Kushtetues: Me përfundimin e mandatit të Presidentes Osmani më 4 prill, vendi po mbetet pa kryefjalën e unitetit. Ky nuk është thjesht një tranzicion ligjor, por një rrezik për bllokim total të institucioneve.

    • Ngërçi Diplomatik: Kosova po përballet me një izolim të heshtur dhe presione të paprecedenta që po cenojnë sovranitetin tonë.

    • Plagët Ekonomike dhe Migrimi: Pasiguria politike ka prodhuar një rënie të besimit, duke nxitur largimin e rinisë, motorit të këtij vendi që familja juaj e shenjtë e çliroi me gjak.

    • Polarizimi i Skajshëm: Skena jonë politike është ndarë në taborre që shpesh harrojnë interesin kombëtar përballë atij partiak.

    Në këtë terr politik, sytë e popullit kthehen natyrshëm drejt Prekazit. Kur institucionet lëkunden, themelet janë ato që na mbajnë në këmbë. Familja Jashari nuk është thjesht një emër; është vetë institucioni i moralit, i sakrificës dhe i unitetit të pakontestueshëm shqiptar; është institucion i besueshmërisë e kurrë i tradhëtisë.

    Prandaj, sot, me përulësinë më të madhe dhe me bindjen më të lartë atdhetare, ju bëj thirrje: Kosovës i duhet një JASHAR🇽🇰 në krye të shtetit; njerëz të fjalës, të besës dhe qëndresës.

    Ju kërkojmë që, ashtu siç i bëtë nderin më të madh historisë duke i dhënë lirinë, t’i bëni sot nderin e radhës Republikës duke ofruar një kandidat nga familja juaj për President të Republikës së Kosovës. Ju jeni e vetmja alternativë që mund të shërojë këtë ngërç, të kthejë dinjitetin në Presidencë dhe të bashkojë popullin rreth një figure që nuk e ndan, por e lartëson Kosovën.

    Në këto kohë rrethimesh moderne, na duhet dikush që fjalën e ka burrërore dhe veprën atdhetare. Prania juaj në krye të shtetit do të ishte garancia më e madhe për aleatët tanë dhe mesazhi më i qartë për armiqtë tanë se Kosova është e pathyeshme.

    Me respektin dhe nderimin më të lartë,

    Agim Bahtiri

    Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës

  • Rama pezullon lejen e ekspozitës në shesh për shkak të pasaktësive për Masakrën e Dubravës: Fyerje për viktimat, e papranueshme

    Rama pezullon lejen e ekspozitës në shesh për shkak të pasaktësive për Masakrën e Dubravës: Fyerje për viktimat, e papranueshme

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar lidhur me ekspozitën në shesh të kryeqytetit, ku ndër tjerash thuhet se në Masakrën e Dubravës, janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur.

    Rama ka thënë se ekspozita paraqet version të pasaktë dhe se, kjo është e papranueshme gjë që, përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave.

    ‘’ Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës’’, ka shkruar Rama.

    Postimi:

    Jo në Kryeqytet.

    Nuk lejojmë që në sheshin e Kryeqytetit tonë të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit tonë.

    Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

    Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës.

    Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze!

  • Lirohen 4 shqiptarët e arrestuar në Serbi

    Lirohen 4 shqiptarët e arrestuar në Serbi

    Katër shtetasit shqiptarë të ndaluar nga autoritetet serbe janë liruar pa masë penale, pas përfundimit të seancës gjyqësore në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi për A2 CNN.

    Sipas vendimit të gjykatës, katër shqiptarët, janë liruar pa asnjë masë penale, dhe u janë sekuestruar telefonat celularë me të cilët janë realizuar videot,

    Gjithashtu Hysi sqaron se do të largohen nga territori i Serbisë pas përfundimit të procedurave.

    Autoritetet serbe kanë pretenduar se videot e realizuara përmbajnë elemente të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore.

  • Lista e DASH me vendet më të rrezikshme, amerikanëve u kërkohet të ‘‘ushtrojnë kujdes të shtuar’’ në Kosovë e Shqipëri

    Lista e DASH me vendet më të rrezikshme, amerikanëve u kërkohet të ‘‘ushtrojnë kujdes të shtuar’’ në Kosovë e Shqipëri

    Mes luftës në Iran dhe konflikteve të tjera ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vazhduar të përditësojë këshillat e udhëtimit për qytetarët amerikanë.

    Sipas DASH, këto këshilla udhëtimi janë hartuar për të ndihmuar amerikanët të planifikojnë udhëtimin e tyre me një pamje më të plotë të rreziqeve dhe sigurisë dhe për të mbrojtur veten jashtë vendit.

    Shqipëria dhe Kosova renditen në Nivelin 2, ku amerikanët këshillohen të ushtrojnë kujdes të shtuar. Edhe Serbia po ashtu renditet në nivelin 2, ndërsa dy fqinjët e tjerë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi renditen në nivelin 1, niveli më i ulët i alarmeve të udhëtimit, ku amerikanët nxiten të praktikojnë masat paraprake të zakonshme.

    Irani është konsideruar si destinacion i Nivelit 4 “Mos udhëtoni”, ndërsa agjencia thekson rrezikun e lartë të “terrorizmit, trazirave, rrëmbimeve, arrestimeve arbitrare të qytetarëve amerikanë dhe ndalimit të padrejtë”. Vendet fqinje si Arabia Saudite, Omani, Kuvajti dhe Bahreini janë renditur në Nivelin 3, ku rekomandohet “Ushtroni kujdes të shtuar” ose “Rishikoni udhëtimin”.

    Vendet e Nivelit 1 përfshijnë:

    Niveli 1 është niveli më i ulët i alarmeve të udhëtimit, dhe amerikanët që nxiten të “praktikojnë masat paraprake të zakonshme”.

    Andorra

    Anguilla

    Antigua dhe Barbuda

    Argjentinë

    Aruba

    Australi

    Austri

    Barbados

    Bermuda

    Butani

    Bonaire

    Ishujt e Virgjër Britanikë

    Brunei

    Bullgaria

    Kepi ​​i Gjelbër

    Kanada

    Ishujt Kajman

    Kroacia

    Kuraçao

    Qipro

    Çekia

    Dominikë

    El Salvador

    Estonia

    Shtetet Federale të Mikronezisë

    Fixhi

    Finlanda

    Guiana Franceze

    Polinezia Franceze

    Inditë Perëndimore Franceze

    Gjeorgji

    Greqi

    Guadelupë

    Hungaria

    Islanda

    Irlandë

    Japoni

    Kazakistani

    Kiribati

    Kuvajt

    Kirgistani

    Letonia

    Lihtenshtajni

    Lituania

    Luksemburg

    Malajzi

    Maltë

    Ishujt Marshall

    Martinikë

    Mongolia

    Mali i Zi

    Montserrat

    Nauru

    Zelanda e Re

    Norvegji

    Palau

    Paraguai

    Polonia

    Portugali

    Republika e Maqedonisë së Veriut

    Rumania

    Saba

    Shën Bartolemi (Indet Perëndimore Franceze)

    Shën Kits dhe Nevis

    Shën Luçia

    Shën Martini (Indet Perëndimore Franceze)

    Shën Vincent dhe Grenadinet

    Samoa

    Senegali

    Sejshellet

    Singapor

    Shën Eustatius

    Shën Martin

    Sllovakia

    Slloveni

    Koreja e Jugut

    Surinam

    Zvicër

    Tajvan

    Tonga

    Turkmenistani

    Tuvalu

    Uzbekistani

    Vanuatu

    Vietnami

    Zambia

    Vendet e Nivelit 2 përfshijnë:

    Në destinacionet e Nivelit 2, amerikanëve u këshillohet të “ushtrojnë kujdes të shtuar”.

    Shqipëria

    Algjeri

    Angola

    Antarktida

    Armenia

    Bahamas

    Belgjikë

    Belize

    Benin

    Bolivi

    Bosnjë dhe Hercegovinë

    Botsvana

    Brazili

    Kamboxhia

    Kamerun

    Kili

    Kinë

    Komore

    Kosta Rika

    Kuba

    Bregu i Fildishtë (Bregu i Fildishtë)

    Danimarka

    Xhibuti

    Republika Dominikane

    Ekuador

    Egjipti

    Guinea Ekuatoriale

    Eritrea

    Eswatini

    Ishujt Falkland

    Francë

    Gabon

    Gjermania

    Ganë

    Gjibraltar

    Groenlandë

    Grenada

    Guinea

    Hong Kong

    India

    Indonezi

    Ishulli i Manit

    Italia

    Xhamajka

    Kenia

    Kosovë

    Laosi

    Lesoto

    Liberia

    Makao

    Madagaskar

    Malavi

    Maldive

    Mauritius

    Meksikë

    Moldavia

    Monako

    Marok

    Mozambik

    Namibia

    Holanda

    Panama

    Peru

    Filipinet

    Republika e Kongos

    Ruanda

    San Marino

    Sao Tome dhe Principe

    Serbia

    Sierra Leone

    Ishujt Solomon

    Afrika e Jugut

    Spanjë

    Sri Lanka

    Suedi

    Taxhikistan

    Tajlandë

    Gambia

    Timori Lindor

    Togo

    Tunizia

    Turqi

    Ishujt Turks dhe Kaikos

    Mbretëria e Bashkuar

    Uruguai

    Qyteti i Vatikanit

    Zimbabve

    Vendet e Nivelit 3 përfshijnë:

    Në vendet e Nivelit 3, amerikanëve u këshillohet të “rishqyrtojnë udhëtimin”, me qeverinë që vëren rreziqe të tilla si krimi në rritje, rrëmbimi, terrorizmi ose problemet e shërbimit shëndetësor.

    Azerbajxhani

    Bahrein

    Bangladesh

    Burundi

    Çad

    Kolumbia

    Qipro

    Republika Demokratike e Kongos

    Etiopia

    Guatemalë

    Guinea-Bissau

    Guajana

    Hondurasi

    Izrael

    Jerusalem

    Jordania

    Kuvajt

    Mauritani

    Nepal

    Kaledonia e Re

    Nikaragua

    Nigeria

    Oman

    Pakistani

    Papua Guinea e Re

    Katar

    Arabia Saudite

    Tanzania

    Trinidad dhe Tobago

    Uganda

    Emiratet e Bashkuara Arabe

    Venezuela

    Vendet e Nivelit 4 përfshijnë:

    Për vende si Irani, të cilat janë nën këshillën më të lartë të Nivelit 4, amerikanëve u është udhëzuar të shmangin udhëtimet krejtësisht.

    Afganistan

    Bjellorusia

    Burkina Faso

    Republika Qendrore Afrikane

    Haiti

    Irani

    Iraku

    Liban

    Libia

    Mali

    Mianmar

    Niger

    Koreja e Veriut

    Rusia

    Somali

    Sudani i Jugut

    Sudan

    Siria

    Ukrainë

    Jemen

  • Qeveria mban mbledhje elektronike, miraton disa Projektligje

    Qeveria mban mbledhje elektronike, miraton disa Projektligje

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike ditën e sotme, ku ka miratuar disa projektligje.

    Komunikata:

    Mbledhja e gjashtë e Qeverisë së Republikës së Kosovës

    Prishtinë, 27 mars 2026

    Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar:

    · Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.

    · Projektligjet për Ratifikimin e Marrëveshjeve për programin e Kredisë së bazuar në politikat për sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën.

    · Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0.

    · Listën e Artikujve për Përdorim të Përbashkët, që janë Objekt i Procedurës Qendrore të Prokurimit Publik.

    · Ndryshimet në Tabelën 3.2 të Ligjit Nr. 10/L-001 për Ndarjet Buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare dhe kontraktuale të papërmbushura nga viti paraprak për Ministrinë e Mbrojtjes.

  • ‘’48 shqiptarë të armatosur të vrarë në Dubravë’’, i mbijetuari i masakrës reagon ndaj ekspozitës në shesh: Turp, ku i morët këto ‘fakte’?

    ‘’48 shqiptarë të armatosur të vrarë në Dubravë’’, i mbijetuari i masakrës reagon ndaj ekspozitës në shesh: Turp, ku i morët këto ‘fakte’?

    Sadik Zeqiri, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, ka reaguar ndaj ekspozitës publike që është vendosur në sheshin e Prishtinës, e ku mes tjerash thuhet se në masakrën e Dubravës, mes të vrarëve kanë qenë 48 shqiptarë të armatosur.

    Zeqiri ka thënë se në Dubravë s’ka pasur të burgosur të armatosur, dhe se, të gjithë ata kanë qenë ‘’duarthatë dhe të pambrojtur’’.

    ‘‘E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur’’, ka thënë ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës

    Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës?

    Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi?

    Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur.

    E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur.

    Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës.

    Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton.