ATV

Category: Lajme

  • Zjarret në Washington detyrojnë 65 mijë persona të evakuohen

    Zjarret në Washington detyrojnë 65 mijë persona të evakuohen

    Zjarret e mëdha që kanë përfshirë zonën e Spokane në shtetin amerikan të Washingtonit kanë detyruar rreth 65 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mbi 700 objekte janë shkatërruar.

    Autoritetet kanë angazhuar më shumë se 1 mijë zjarrfikës, por flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Një 37-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa thatësira, temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike po e bëjnë sezonin e zjarreve në perëndim të SHBA-së gjithnjë e më të gjatë dhe më shkatërrues.

  • Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë sot një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.

    Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    “Po, në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se 6 gushti duhet t’i gjejë partitë e përgatitura për formim të institucioneve.

    “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.

    Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës së re.

    Por para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Kurti, ka nisur përpjekjet për të krijuar një dakordim mes subjekteve politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

    Ai ka ftuar në takim liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me synimin për të diskutuar mundësinë e arritjes së një konsensusi për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

    LDK pranoi ftesën e Kurtit

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur për liderët politikë.

    Prania e LDK-së në këtë takim shihet si një mundësi për të zhvilluar diskutime mes partive për hapat e ardhshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.

    PDK refuzoi pjesëmarrjen

    Ndryshe nga LDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

    Në përgjigjen e tij ndaj ftesës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka rikonfirmuar qëndrimin e kësaj partie se në rrethanat aktuale do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

    Hamza ka thënë se pret që Vetëvendosje, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend, të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

    AAK nuk merr pjesë në takim

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga Kurti.

    AAK, njësoj sikurse PDK, ka mbajtur qëndrimin se do të vazhdojë të veprojë nga opozita, duke mos u përfshirë në përpjekjet për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

    Ftesa e Kurtit për partitë politike vjen në një kohë kur pritet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një hap i domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

  • Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qëndruar sot në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, aty ku kryhen gërmime me dyshimet për varrezë masive.

    Kurti theksoi se gërmimet mund të vazhdojnë ndoshta edhe me muaj, pasi eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi.

    “Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta heshtin e zhdukin, bërtet dhe sa ishim ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, ka thënë Kurti.

    Ai falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzinkës, antropologët dhe përfaqësuesit e EULEX-it për punën që po e bëjnë, ndërsa tha se e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit të Kosovës.

    “…E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit në mënyrë që ankthi, vuajta e familjeve të cilët ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marr fund edhe për këto familje, për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta dhe më në fund të munden që në paqe dhe të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e 1999 vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

    Kryeministri tutje theksoi se duhet të priten analizat e ADN-së, por sipas tij me shumë gjasë bëhet fjalë për shqiptarët e njohur si Grupi i Intelektualëve, ku 23 persona më 19 prill u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat e Serbisë.

    “… u rrëmbyen, u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor por u orvaten që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre, andaj në këtë vend që po e shihni se deri tek varreza masive nuk arrihet me veturë ta varrosin të vërteten e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri në detyrë tha më tej se gërmimet do të vazhdojnë me javë, ndoshta edhe për shumë muaj meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi. /Telegrafi/

  • Kurti i bën thirrje ShBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës

    Kurti i bën thirrje ShBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.

    Gjatë vizitës në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti tha se, në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

    Sipas tij, në Serbi po arrestohen njerëz nën akuza për spiunazh vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

    Kurti përmendi edhe dosjen e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

    “Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, deklaroi ai.

    Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të angazhohen për deklasifikimin e këtyre dokumenteve, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar Kurti.

  • Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin Potok

    Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin Potok

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, ka deklaruar se gërmimet që po zhvillohen në Zubin Potok janë pjesë e një procesi të ndjeshëm hetimor për kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga mediat të shmangin raportimet e pakonfirmuara, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se rasti është ende në fazën e hetimeve dhe se veprimet e deritanishme janë rezultat i një pune disa vjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

    “Në lidhje me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’ju them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve. Kjo është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i një pune hetimore disa vjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Deri më tani janë bërë mbi 10 urdhra për zhvarrosje, krejt kjo në kuadër të këtyre veprimeve hetimore pra që janë ndërmarrë. Ajo çfarë mund të them gjithashtu dhe të theksoj është se nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor”, u shpreh Luta.

    E pyetur për raportimet lidhur me numrin e mbetjeve mortore që pretendohet se janë gjetur në lokacion, Luta tha se është ende herët për të konfirmuar shifra.

    “Dëshirojmë, ju lusim për mirëkuptim dhe për shmangje të çfarëdo raportimi të pakonfirmuar nga institucionet kompetente. Ende është herët të flitet në këtë fazë me numra, pra duhet të presim të gjitha verifikimet dhe analizat e nevojshme për të ardhur deri te një rezultat i tillë. Në momentin që do të kemi të drejtë pra nga aspekti ligjor të japim informacione, publiku, ju mediat do të keni qasje që të keni informacione në gjithë procesin hetimor. Por deri në këtë fazë kërkojmë mirëkuptim, pra me qëllimin krejt kjo që të mbrohet integriteti i procesit hetimor, të presim një rezultat, gjithashtu edhe në nderim të dinjitetit të viktimave dhe familjarëve të tyre”.

  • Shkon në 67 numri i viktimave në krizën kufitare mes Spanjës dhe Marokut

    Shkon në 67 numri i viktimave në krizën kufitare mes Spanjës dhe Marokut

    Numri i viktimave në krizën kufitare mes Spanjës dhe Marokut, në enklavën spanjolle të Ceutës, ka arritur në 67, njoftoi të shtunën qeveria spanjolle.

    Sipas autoriteteve, disa prej viktimave u mbytën në det, ndërsa të tjerë humbën jetën pasi u shtypën gjatë përpjekjeve për të kaluar barrierën kufitare.

    Pas hyrjes së rreth 60 mijë emigrantëve në territorin e Ceutës nga e enjtja deri të premten, Spanja ka vendosur të ndërtojë një barrierë mbrojtëse prej 500 metrash, e cila do të shtrihet përgjatë digës në det për të parandaluar kalime të tjera të paligjshme, raporton AP.

    Të shtunën në mëngjes, një numër i vogël emigrantësh të rraskapitur, të cilët arritën me not në plazhin Tarajal të Ceutës, u pritën nga ushtarët spanjollë, të cilët i shoqëruan sërish drejt kufirit me Marokun.

    Ministria e Brendshme e Spanjës bëri të ditur se shumica e emigrantëve që hynë në territorin spanjoll në Afrikën e Veriut janë kthyer tashmë në Marok.

    Pas disa ditësh kaosi dhe rrugëve të mbushura me njerëz që shpresonin të gjenin një jetë më të mirë në Spanjë, banorët e Ceutës u zgjuan të shtunën në një atmosferë më të qetë.

    Megjithatë, autoritetet theksojnë se situata e sigurisë në qytetin autonom me rreth 84 mijë banorë mbetet ende e brishtë.

    “Jeta në këtë qytet është tronditur si pasojë e incidentit në kufi”, deklaroi presidenti i Ceutës, Juan Jesus Vivas.

    “Procesi i kthimit të emigrantëve ka nisur në mënyrë të kënaqshme, por duhet të përfundojë plotësisht. Qyteti ende nuk i është kthyer normalitetit”, shtoi ai.

    Pavarësisht zhvillimeve, disa emigrantë kanë vendosur të qëndrojnë në Ceutë. Mes tyre është edhe 23-vjeçari maroken Mohamed Hatri.

    “Ata kanë mbyllur gjithçka që të mos mund të blejmë ushqim, për të na detyruar të kthehemi në vendin tonë”, tha ai.

    “Por edhe nëse mbyllin gjithçka, ne do të qëndrojmë këtu, pavarësisht nëse kemi ushqim apo jo”.

  • Çmimi i naftës shkon në 1.77 euro për litër, Ministria publikon çmimet tavan për sot

    Çmimi i naftës shkon në 1.77 euro për litër, Ministria publikon çmimet tavan për sot

    Nafta është shtrenjtuar edhe për 3 centë në çmimet tavan të derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një litër naftë mund të shitet deri në 1 euro e 77 centë, që është çmimi më i lartë që nga fillimi i majit.

    Ndërsa çmimi maksimal i benzinës mund të shitet deri në 1 euro e 51 centë për litër, ashtu siç edhe gazi mbetet me çmim të pandryshuar, deri në 60 centë për litër.

  • Rusia godet Kievin me raketa balistike teksa Ukraina e pret vendimin e SHBA-së për raketat Patriot

    Rusia godet Kievin me raketa balistike teksa Ukraina e pret vendimin e SHBA-së për raketat Patriot

    Rusia e ka goditur kryeqytetin e Ukrainës me raketa balistike në mëngjes herët të shtunën, ndërkohë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po vazhdon t’i lutet Uashingtonit ta lejojë Kievin të prodhojë vetë raketat e mbrojtjes ajrore të tipit Patriot.

    Ukraina ka kohë të gjatë që i kërkon SHBA-së t’i lëshojë licencë për prodhimin e Patriotëve, por presidenti amerikan Donald Trump po tregon tani shenja të reja ngurrimi.

    Shërbimet emergjente në Kiev njoftuan se të paktën nëntë njerëz u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën nga një sulm rus me raketa. Sipas tyre, disa njerëz mbetën të ngujuar brenda një ndërtese pjesërisht të shembur në kryeqytet.

    “Shpërthime në qytet. Kievi është nën sulm me raketa balistike. Qëndroni në strehimore!” shkroi në Telegram kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, ndërsa sulmet po godisnin qytetin.

    Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dëshmitarë, shkroi të shtunën herët se u dëgjuan më shumë se një duzinë shpërthimesh në gjithë qytetin.

    Moska i ka shtuar sulmet me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesa të mëdha të sistemeve të mbrojtjes ajrore që janë në gjendje t’i rrëzojnë raketat balistike me shpejtësi të lartë.

    Lutjet e Zelenskyt
    Zelensky i është lutur vazhdimisht aleatëve perëndimorë t’i dërgojnë Ukrainës më shumë ndihmë ushtarake dhe i ka kërkuar Uashingtonit të zbatojë premtimin për t’i dhënë vendit të tij licenca për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.

    Më 9 korrik, Zelensky tha se Kievi dhe Uashingtoni kishin arritur marrëveshje për licencat e prodhimit të raketave interceptuese PAC-3 Patriot, duke shtuar se pjesët për këto raketa pritej të mbërrinin brenda pak ditësh.

    Megjithatë, të premten, Trump ndryshoi qendrimin e mëhershëm se Uashingtoni ishte gati t’i jepte Kievit licencë për t’i prodhuar vetë raketat Patriot.

    “Këto armë janë të jashtëzakonshme. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për t’i lejuar dikujt t’i prodhojë ato”, u tha Trump gazetarëve gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Camp David, duke shtuar se administrata e tij “ende nuk është pajtuar” për një gjë të tillë.

    “Po diskutojmë për këtë. Por, është e vështirë ta dhurosh një teknologji të tillë”, tha ai.

    Zelensky u kthye në Kiev nga Uashingtoni, ku dy liderët kishin biseduar për këtë mundësi gjatë një takimi që u përshkrua si “i mirë” në Shtëpinë e Bardhë.

    Duke shkruar në Telegram të premten, pas një bisede telefonike me nënpresidentin amerikan JD Vance, Zelensky tha se, “ndërsa sulmet ajrore ruse ndaj vendit tonë vazhdojnë pa ndërprerje, mbrojtja ajrore – veçanërisht raketat Patriot – mbetet prioriteti jonë kryesor”.

    Sulmet e fundit ndaj Kievit vijnë pas goditjeve shkatërruese ruse në pjesë të tjera të Ukrainës.

    Duke raportuar të premten nga fshati Radushne në rajonin ukrainas të Dnipropetrovskut, Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë dokumentoi banorët vendas teksa vajtonin anëtarët e një familjeje që pothuajse ishte shuar tërësisht nga një sulm shkatërrues rus me raketa një ditë më parë.

    “Kjo është tragjedi e jashtëzakonshme për të gjithë ne, për të gjithë komunitetin tonë”, tha një fqinje e familjes, e quajtur Luchia, pasi gjashtë nga dhjetë anëtarët e familjes u vranë kur raketa shkatërroi shtëpinë e tyre.

    Të premten, dronët ukrainas vazhduan sulmet ndaj objektivave në Rusi, përfshirë edhe ndaj objekteve të tjera që i përkasin shitësit më të madh online në vend, Wildberries. Zyrtarë rajonalë dhe kanale monitorimi në Telegram raportuan sulme në të paktën dy rajone.

    Kompania njoftoi se sulmet shkaktuan zjarr në depon e saj në rajonin e Volgogradit, por tha se nuk pati të lënduar.

    Një tjetër sulm ndaj një objekti të Wildberries u raportua në Zelenodolsk, në republikën e pasur me naftë të Tatarstanit.

    Banorët vendas raportuan gjithashtu shpërthime në Kazan, kryeqytetin e Tatarstanit, ndërsa autoritetet e republikës thanë se ishin vendosur kufizime të përkohshme në aeroportet e rajonit për shkak të alarmit për dronë, duke shtuar se nuk ishte raportuar për dëme apo viktima.

    Që nga fillimi i vitit 2025, kur Trump mori detyrën si president, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar gjithnjë e më shumë gjetjen e një zgjidhjeje përmes bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Megjithatë, pavarësisht një sërë takimesh të zhvilluara gjatë vitit të kaluar, Kievi dhe Moska vazhdojnë të ketë mospajtime të mëdha për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.

    Derisa Kremlini vazhdon të mbajë qëndrim të ashpër, duke kërkuar, ndër të tjera, kontroll të plotë mbi rajonin kyç lindor ukrainas të Donjeckut, Trump deklaroi gjatë një takimi në Camp David më 31 korrik se të dyja palët “do të duhet të bëjnë lëshime” për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur më shumë se katër vjet./REL

  • Arrestohet një person në Lipjan, goditi një tjetër me shufër metalike

    Arrestohet një person në Lipjan, goditi një tjetër me shufër metalike

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Lipjan për lëndim të lehtë trupor.

    Rasti ka ndodhur të premten, në ora 16:00.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje me viktimën mashkull kosovar, të njëjtin e ka sulmuar me një shufër metalike dhe i ka shkaktuar lëndime”, thuhet në raport.

    Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • Raportohen katër të zhdukur, Policia në hetim të rasteve

    Raportohen katër të zhdukur, Policia në hetim të rasteve

    Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka bërë të ditur se janë paraqitur katër raste të raportimit për persona të zhdukur.

    Rastet janë raportuar në Lipjan, Shtërpcë, Ferizaj dhe Gjakovë.

    Raporti i plotë:

    Fsh. Vrellë e Magures, Lipjan 30.07.2026-09:45. Më datë 31.07.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se, motra e tij me datën e cekur ka dalë nga shtëpia dhe ende nuk dihet vendndodhja e saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

    Shtërpce 31.07.2026 – 11:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se, viktima-bashkëshortja e tij, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

    Fsh. Dubravë, Ferizaj 31.07.2026 – 12:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se motra e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.

    Rr. Abdullah Bablija, Gjakovë 30.07.2026 – 20:00. Më 31.07.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vend ndodhja e saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin. /Telegrafi/