ATV

Category: Lajme

  • Digjet një shtëpi në Gjakovë, i dyshuar përfundon në pranga

    Digjet një shtëpi në Gjakovë, i dyshuar përfundon në pranga

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri dje në mesditë në Gjakovë, ku si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore.

    Sipas Policisë, ende nuk dihet rrethanat që kanë shkaktuar zjarrin, derisa në vendngjarje kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur të lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.

    Si pasojë e incidentit, një person ka pësuar lëndime nga zjarri dhe ka marrë trajtim mjekësor.

    Pas trajtimit, i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Hetimet për të sqaruar rrethanat e zjarrit janë duke vazhduar.

  • Deri në 20 denoncime në ditë për ushqime të skaduara, kërkohen më shumë inspektorë

    Deri në 20 denoncime në ditë për ushqime të skaduara, kërkohen më shumë inspektorë

    10 deri në 20 denoncime brenda ditës bëhen nga qytetarët e vendit për produkte ushqimore me afat të skaduar.

    Kështu, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.

    Por, pavarësisht kësaj, Hoxha ka deklaruar se Agjencia po përballet me numër të vogël të inspektorëve.

    “Më bëtë një pyetje shumë të vështirë. Nuk i kam statistikat e sakta unë, gjatë elaborimit tim, prezantimit tim, i prezantova disa prej të dhënave që është një numër i madh i denoncimeve gjatë vitit në raport me pyetjen që e bëtë. Realisht, gjatë ditës kemi 10 deri në 20 denoncime sa i përket sigurisë ushqimore, te pjesa e skadencës, ushqimet e prishura. Në ato momente, inspektorati jonë reagon shumë shpejt në përputhje me bazën ligjore që e ka dhe vepron në kuadër të legjislacionit në fuqi. Realisht, me numrin e inspektorëve që posedon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, janë 83 në fushën e veterinarisë dhe fitosanitarisë. Prej tyre, gjysma janë në pikat kufitare, gjysma tjetër përfshin këtë pjesën e inspektoratit të brendshëm, që i bie është numër goxha i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit. Po shpresojmë, besojmë që do të rritet numri i inspektorëve sa më shpejt që është e mundur”, tha Hoxha për EO.

    Ai tha se ka një fluks të madh të denoncimeve brenda ditës, sa i përket ushqimeve me afat të skaduar, por se ka edhe një thirrje për qytetarët e vendit.

    “Varësisht prej denoncimeve që bëhen. Ne i kemi planet e kontrolleve zyrtare që zakonisht janë të planifikuara, mirëpo fatkeqësisht ne shumë shpesh dalim prej planit të kontrolleve zyrtare për shkak të denoncimeve që bëhen në baza ditore. Kemi raste kur kemi 3, 4, 20, 10 varësisht se si veprohet. Andaj unë u bëj apel edhe qytetarëve, konsumatorëve, në momentin që kanë fakte në raport me afatet e skadencës, ushqimet e prishura që kanë dyshime, të raportojnë sa më shpejt që është e mundur. Bashkërendimi ose bashkëpunimi me konsumatorin, me qytetarin, është shumë i rëndësishëm që ne të bëjmë veprimin tonë sa më efikas në terren”, tha Hoxha.

    I pari i AUV-it shpjegoi formën ndëshkuese ndaj bizneseve në të cilat hasen parregullsi sa i përket sigurisë ushqimore.

    Hoxha, kërkoi rritje të buxhetit dhe shtim të numrit të inspektorëve.

    “Në raport me legjislacionin në fuqi, inspektorët që e kanë, ne zakonisht përpilojmë procesverbalin në momentin që dalin në terren. Inspektorët e evidentojnë, hartojnë procesverbalin dhe e përcjellin si çështje kundërvajtëse. Ne nuk kemi si agjencion ose si inspektorat që kemi veprime mandatore, që i bie që mund të shqiptojmë gjobën aty për aty. E jona është me dalë në terren, me evidentua rastin, me bë procesverbalin edhe procedohet për gjykatë për çështje të kundërvajtjes. Fillimisht të rritet buxheti. Të rritet numri i inspektorëve, posaçërisht në këtë pjesën e sigurisë ushqimore. Definitivisht duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe sigurisë ushqimore, të rritet numri i inspektorëve që të jemi më efikas në raport me denoncimet që bëhen në baza ditore prej konsumatorëve, gjegjësisht qytetarëve”, tha Hoxha./Ekonomia Online

  • Çmimet në rritje, qytetarët ankohen për kosto të papërballueshme

    Çmimet në rritje, qytetarët ankohen për kosto të papërballueshme

    Çmimet e produkteve ushqimore në tregun e Prishtinës, kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke vështirësuar përballimin e shpenzimeve ditore për qytetarët.

    Si blerësit, ashtu edhe tregtarët thonë se shtrenjtimi është bërë i papërballueshëm, ndërsa sipas tyre, faktorë si inflacioni, mungesa e prodhimit vendor dhe rritja e çmimeve të naftës, po ndikojnë drejtpërdrejt në treg.

    Njëri nga qytetarët, Ibrahim Rrustemi, thotë se çmimet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme krahasuar me periudhat e mëparshme.

    “Çmimet janë rritë, normalisht që janë rritë krahasuar edhe me vitin paraprak, edhe me muajt paraprak. Normal, inflacioni është ashtu diku 6.8% ose 6% nëse s’gaboj, krahasu me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Buxhetit normalisht që po i ndikon se çmimet kur rriten, oferta është e vogël në treg edhe kjo po ndikon edhe te të ardhurat e ekonomive familjare kur s’ka rritje të të ardhurave”, tha ai.

    Sipas tij, e ardhmja e çmimeve mbetet e paqartë dhe varet nga faktorë të ndryshëm në treg.

    Ndërkaq, qytetari tjetër, Sahit Selimi, e përshkruan situatën si alarmante, duke theksuar se rritja e çmimeve po prek ushqimet bazë.

    Edhe qytetari Gjymshit Gashi vlerëson se rritja e çmimeve ka qenë e konsiderueshme gjatë vitit të fundit.

    Sipas tij, faktorët klimatikë, rritja e çmimit të energjisë dhe varësia nga importi, sidomos me rritjen e çmimeve të karburanteve, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve.

    Ndërkohë, tregtarët në tregun e Prishtinës, që kanë folur në kushte anonimiteti, thonë se rritja e çmimeve është e dukshme dhe e shpejtë.

    “1 kille patligjana 4 euro s’ka ndodh kurrë në histori”, thotë njëri nga tregtarët në pazarin e Prishtinës.

    Ata theksojnë se brenda një muaji ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve për shumë produkte.

    Sipas një tregtari tjetër, rritja e çmimeve është intensifikuar edhe gjatë muajit të Ramazanit dhe mungesës së importit nga Turqia atë kohë.

    Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit totale është rritur 6% krahasuar me vitin e kaluar. Sa i përket produkteve, rritjen më të madhe të çmimeve, kanë pësuar ushqimet dhe pijet alkoolike me 8%, pasuar me pijet alkoolike dhe duhanin me një rritje prej 4.9%.

    Sa i përket rritjes totale të çmimeve, sipas ASK-së, rritjen më të madhe kanë banesat, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera me 15.7%./KosovaPress

  • Nga 1 prilli: Zvicra ndalon fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans-Montana

    Nga 1 prilli: Zvicra ndalon fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans-Montana

    Pasojat e zjarrit shkatërrues në Crans-Montana vazhdojnë të ndikojnë në mbarë vendin: duke filluar nga 1 prilli, në të gjithë Zvicrën do të hyjë në fuqi ndalimi i përdorimit të fishekzjarrëve në hapësirat publike.

    Vendimi është marrë nga organi i marrëveshjes ndërkantonale të drejtorëve të ndërtimit nga të 26 kantonet, transmeton albinfo.ch.

    Ky ndalim konsiderohet masë e menjëhershme pas zjarrit në Crans-Montana dhe do të mbetet në fuqi deri në hyrjen në fuqi të rishikimit të plotë të rregulloreve për sigurinë nga zjarri.

  • Masakra e Belegut, 27 vjet pa drejtësi për viktimat

    Masakra e Belegut, 27 vjet pa drejtësi për viktimat

    Sot shënohen 27 vjet nga masakra në Beleg të Deçanit, ku forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë 46 shqiptarë gjatë ofensivës së vitit 1999.

    Ngjarja ndodhi një ditë pasi këto forca pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në zonën e Irzniqit dhe Belegut.

    Edhe pas më shumë se dy dekadash, fati i 33 personave të zhdukur nga ky rajon mbetet i panjohur.

    Megjithëse hetimet janë zhvilluar nga UNMIK dhe EULEX, dhe dëshmi të shumta janë paraqitur edhe në Tribunalin e Hagës, deri më sot nuk ka asnjë të arrestuar për këtë krim.

  • KEDS ndërpret energjinë sot në disa zona të Kosovës për punime

    KEDS ndërpret energjinë sot në disa zona të Kosovës për punime

    Kompania KEDS sot kryen sot punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa rajone.

    Në Pejë, energjia ndërpritet në Banjë, Dobrushë, Baicë, Lubovë e zona të tjera nga ora 08:00 deri 12:00 dhe në Jashanica nga ora 10:00 deri 14:00.

    Në Prizren dhe Prishtinë, disa dalje të TS-ve 110/10(20) kV shkyqen për punime sipas projekteve të aprovuar dhe krijimin e kushteve pa tension.

    Në Ferizaj, ndërprerje në Rashincë dhe fshatrat përreth zgjat nga ora 08:30 deri 17:00 për demontimin dhe shtrirjen e përçuesve të rinj.

    KEDS kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për diskomfortin e shkaktuar.

  • Burri i dehur ushtron dhunë ndaj gruas në Gjilan, ndërhyn policia dhe arreston të dyshuarin

    Burri i dehur ushtron dhunë ndaj gruas në Gjilan, ndërhyn policia dhe arreston të dyshuarin

    Një person është arrestuar në Gjilan pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Policia bën të ditur se nga rasti nuk raportohet për lëndime trupore, derisa thotë se i dyshuari ka rezultuar që ishte nën ndikim të alkoolit me 0.47 promila.

    Pas intervistimit, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime.

  • Haradinaj kujton viktimat e Masakrës së Belegut: Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë

    Haradinaj kujton viktimat e Masakrës së Belegut: Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 27 vjetorin e Masakrës së Belegut ku mbetën të vrarë 49 shqiptarë.

    Nga kjo masakër deri sot akoma janë të pagjetur 33 civilë kosovarë.

    Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se ‘shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë’.

    “Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë. E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, flijimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Sot në Beleg, ndamë dhimbjen me familjarët, të cilët edhe pas shumë vitesh vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre. Edhe pse të paarmatosur, ata u ekzekutuan pa mëshirë nga forcat serbe; gra, pleq e fëmijë.

    Derisa dje kujtuam ditën e themelimit të Brigadës 137 “Gjakova”, sot bëmë homazhe në nderim të 14 bashkëluftëtarëve të rënë në Shishman të Bokës. Djem të zotë e luftëtarë të dalluar, disa prej të cilëve i njoha në frontet e luftës.

    Shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë. E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp.

    Lavdi të rënëve për liri!

  • Ekspozita për masakrat, Tahiri: Kjo qeveri po prodhon skandal pas skandali – rasti të trajtohet seriozisht

    Ekspozita për masakrat, Tahiri: Kjo qeveri po prodhon skandal pas skandali – rasti të trajtohet seriozisht

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka folur reth ekspozitës së Shkëlzen Gashit, e cila ngjalli reagime të ashpra për shkak të të dhënave të pasakta të paraqitura në Masakrat që kishin ndodhur në Kosovë.

    Tahiri deklaroi se Qeveria aktuale po prodhon skandal pas skandali.

    Ai theksoi se tash së fundmi janë goditur viktimat e Burgut të Dubravës.

    “Kjo qeveri e ky pushtet po prodhon skandal pas skandalit. Është e pakuptimtë se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, Kuvendi, ministria dhe mbështet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës. Pasaktësi, që e demanton burimi i informacionit”, deklaroi shefi i GP të AAK-së para mediave.

    “Secili në këtë pushtet mundohet me ikë prej përgjegjësisë. Lëvizja Vetëvendosje mundohet me ikë nga përgjegjësia duke thënë se ne e kemi përjashtuar autorin nga Zyra e Kryeministrit. Mundohet të ikë nga përgjegjësia edhe Ministria e linjës e cila thotë “Jo ne nuk dimë asgjë për këtë punë”, po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Tahiri.

    Tahiri shtoi se AAK-ja kërkon që kjo të trajtohet seriozisht.

  • Ministria e Jashtme e Shqipërisë thirrje qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Lindjen e Mesme

    Ministria e Jashtme e Shqipërisë thirrje qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Lindjen e Mesme

    Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka dalë me një thirrje lidhur me situatën dhe përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme.

    Sipas njoftimit, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë udhëtimet për arsye turistike në këtë rajon.

    “Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me përshkallëzimin në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsërit thirrjen për qytetarët shqiptarë që të shmangin sa më shumë të jetë e mundur çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në njoftim, shkruan Euronews.