ATV

Category: Lajme

  • Osmani i jep zemër “Dardanëve”: Jemi me ju, djema

    Osmani i jep zemër “Dardanëve”: Jemi me ju, djema

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetje të fuqishme për Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Turqisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar rëndësinë që ka kjo përballje për vendin, duke e lidhur atë me rrugëtimin dhe sakrificat e popullit të Kosovës.

    Ajo është shprehur se Kosova “ka lindur mes vështirësive dhe sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë”.

    Më tej, presidentja ka vlerësuar futbollistët si “simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës”, ndërsa ka shtuar: “Jemi me ju, djem! Me Kosovën, përgjithmonë. Me Dardanët!”

  • Shtyrja e tarifave të reja, Azemi: E pamjaftueshme, s’mund të ketë rritje pa u sqaruar çështja me njehsorët

    Shtyrja e tarifave të reja, Azemi: E pamjaftueshme, s’mund të ketë rritje pa u sqaruar çështja me njehsorët

    Sot, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka bërë të ditur se, tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj.

    Lidhur me këtë ka reaguar, Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky i fundit këtë vendim e ka cilësuar si të ‘’duhur’’, porse, ‘’të pamjaftueshëm’’.

    Azemi më tej, ka thënë se veprimi në fjalë është rezultat i presionit publik ‘’pas skandalit me njehsorët’’.

    ‘’Nuk mund të ketë rritje, ndryshim apo barrë të re mbi qytetarët, derisa të sqarohet e vërteta e plotë për matjen, faturimin dhe dëmin e shkaktuar. Kjo është kërkesë minimale e drejtësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit’’, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Shtyrja e vendimit të ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë deri më 1 maj është hap i duhur, por i pamjaftueshëm.

    Ky veprim duket qartë se është rezultat i drejtpërdrejtë i presionit publik pas skandalit me njehsorët.

    Por kjo nuk mjafton.

    Çdo ndryshim tarifor duhet të pezullohet plotësisht deri në përfundimin e hetimeve.

    Nuk mund të ketë rritje, ndryshim apo barrë të re mbi qytetarët, derisa të sqarohet e vërteta e plotë për matjen, faturimin dhe dëmin e shkaktuar. Kjo është kërkesë minimale e drejtësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.

    Qytetarët e Kosovës nuk mund të paguajnë më shumë, kur ende nuk dihet saktë sa janë dëmtuar. Prandaj, kërkoj që të gjitha ndryshimet të mbeten të pezulluara deri në përmbylljen e plotë të hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësisë institucionale.

  • Zemaj: Rruga drejt NATO-s mbetet prioritet strategjik për Kosovën

    Zemaj: Rruga drejt NATO-s mbetet prioritet strategjik për Kosovën

    Drejtori i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Astrit Zemaj, ka pritur në takim lamtumire Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vend.

    Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO, përmes NALT-it, duke u theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e Aleancës.

    “Bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm me NALT ka kontribuar në avancimin e kapaciteteve të Kosovës dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e NATO-s”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast, Zemaj ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe lidershipin e gjeneralit gjatë mandatit të tij në Kosovë.

    “Vlerësojmë lidershipin dhe kontributin e Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange në përmbushjen e standardeve që e afrojnë Republikën e Kosovës me synimin strategjik të anëtarësimit në NATO”, thuhet më tej.

    Nga ana tjetër, u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe vendet aleate, duke e konsideruar këtë partneritet thelbësor për sigurinë dhe integrimin euroatlantik.

  • Ambasada e SHBA-së, lojtarëve: Të gjithë ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare

    Ambasada e SHBA-së, lojtarëve: Të gjithë ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar disa fotografi që tregojnë atmosferën e ndeshjes më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës që luhet sonte në Prishtinë.

    Në njërën prej fotografive shihet E Ngarkuara me Punë e Ambasadës në Prishtinë, Anu Prattipati, e veshur me fanellën e kombëtares së Kosovës në futboll.

    Në prag të ndeshjes finale të play-offit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, Ambasada Amerikane shpreh mbështetjen për futbollistët kosovarë me një mesazh të veçantë.

    “Nga të gjithë ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare!”.

     

  • Maqedonci pret shqiptarin që drejton anijen luftarake amerikane USS Pearl Harbor, flasin për avancimin e sistemit të mbrojtjes

    Maqedonci pret shqiptarin që drejton anijen luftarake amerikane USS Pearl Harbor, flasin për avancimin e sistemit të mbrojtjes

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se ka pritur në takim komandantin e anijes zbarkuese USS Pearl Harbor, shtetasin amerikan me prejardhje shqiptare, Alban Dervishi.

    Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se përkushtimi, profesionalizmi dhe suksesi i tij janë dëshmi e fuqishme e rolit gjithnjë e më të madh të shqiptaro-amerikanëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes së SHBA-së.

    Lexoni të plotë postimin e ministrit Maqedonci:

    Sot pata kënaqësinë të mirëpres në takim Komandantin e anijes amfibe zbarkuese USS Pearl Harbor, Alban Dervishi, oficer amerikan me rrënjë shqiptare që shërben në Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Përkushtimi, profesionalizmi dhe suksesi i tij janë dëshmi e fuqishme e rolit gjithnjë e më të madh të shqiptaro-amerikanëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes së SHBA-së. Ai përfaqëson me dinjitet vlerat e shërbimit, përgjegjësisë dhe lidershipit.

    Gjatë takimit, ai u shpreh i nderuar që po viziton Kosovën dhe vlerësoi arritjet e vendit tonë, veçanërisht në zhvillimin dhe avancimin e sistemit të mbrojtjes.

    E falënderova për vizitën dhe ritheksova mirënjohjen tonë për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Republikës së Kosovës. SHBA mbetet aleati ynë strategjik dhe i pazëvendësueshëm.

  • Mbrojtja e Smakajt dhe e Kuçit s’do të paraqesin prova në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Mbrojtja e Smakajt dhe e Kuçit s’do të paraqesin prova në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Mbrojtja e Bashkim Smakajt dhe ajo e Hajredin Kuçit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin prova në rastin në të cilin Smakaj e Kuçi së bashku me Hashim Thaçin, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Të dy këto parashtrime, mbrojtja i kan dorëzuar ndaras duke njoftuar se nuk kanë ndonjë listë të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërsa, mbrojtja e Kuçit ka thënë se e rezervon të drejtën që t’i drejtohet gjyqtarit gjatë fjalëve përfundimtare.

    Ndryshe, nga dy të lartpërmendurit, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt kanë thënë se do të paraqesin prova, ndërsa ajo e Fazliut tha se nuk do e bëjë një gjë të tillë. Mirëpo, Fazliu ka rezervuar të drejtën që përmes mbrojtjes të marrë pjesë në deklaratat hyrëse dhe përmbyllëse në këtë rast.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.. /BetimipërDrejtësi

  • Hegseth: Ditët e ardhshme të luftës me Iranin do të jenë vendimtare

    Hegseth: Ditët e ardhshme të luftës me Iranin do të jenë vendimtare

    Ditët e ardhshme të luftës me Iranin do të jenë “vendimtare”, ka thënë shefi i Pentagonit, Hegseth.

    “Ditët në vijim do të jenë vendimtare. Irani e di këtë dhe pothuajse nuk ka asgjë që mund të bëjë ushtarakisht për këtë,” tha Hegseth në konferencën për shtyp, e para e tij pas gati dy javësh.

    “Kemi gjithnjë e më shumë opsione, ndërsa ata kanë më pak… brenda vetëm një muaji ne kemi vendosur kushtet; ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. Irani e di këtë dhe pothuajse nuk ka asgjë që mund të bëjë ushtarakisht për këtë”, shtoi ai.

    Ai shtoi se morali është i lartë dhe se ka një dëshirë të madhe te personeli ushtarak për “ta përfunduar misionin”.

    “Këta trupa duan ta përfundojnë këtë luftë për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre. Kjo ka të bëjë me historinë, kjo ka të bëjë me trashëgiminë”, tha ai.

    Sekretari i Mbrojtjes thotë se, ndërsa presidentët e mëparshëm ishin “vetëm fjalë”, Trump është duke vepruar.

  • Trump-aleatëve: Nëse doni naftë nga Ngushtica e Hormuzit, merreni vetë! Ne nuk do t’ju ndihmojmë

    Trump-aleatëve: Nëse doni naftë nga Ngushtica e Hormuzit, merreni vetë! Ne nuk do t’ju ndihmojmë

    Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish për çështjen e sigurisë energjetike në kontekstin e tensioneve të lidhura me Irani, duke theksuar se vendet që përballen me vështirësi në furnizimin me karburant përmes Ngushtica e Hormuzit duhet të ndërmarrin iniciativa pa u mbështetur te Shtetet e Bashkuara.

    Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Trump përmendi veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar, duke pretenduar se ajo nuk mori pjesë në veprime që sipas tij, do të çonin në “neutralizimin” e udhëheqjes iraniane.

    Ai propozoi dy alternativa për vendet që hasin vështirësi në furnizim me karburant: blerjen e energjisë nga SHBA, duke theksuar se tregu amerikan ka rezerva të mjaftueshme, ose marrjen e një roli më aktiv në sigurimin e burimeve energjetike, shkruan Abcnews.al.

    “Të gjitha ato vende që nuk mund të marrin karburant për avionë për shkak të Ngushticës së Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi të përfshihej në operacion, kam një sugjerim: së pari, blini nga SHBA-të, kemi me bollëk, dhe së dyti merrni iniciativa vetë. Duhet të mësoni të veproni pa mbështetjen tonë”, u shpreh Trump.

  • Dhjetëra tifozë nga Shqipëria nisen drejt Prishtinës për përkrahje të Kosovës

    Dhjetëra tifozë nga Shqipëria nisen drejt Prishtinës për përkrahje të Kosovës

    Dhjetëra tifozët nga Shqipëria janë nisur sot në drejtim të Prishtinë, për të qenë në përkrahje të Kosovës.

    Kosova është nikoqire e Turqisë në ndeshjen e sotme, e cila është planifikuar të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.

    Dardanët janë gati për këtë ndeshje finale, pasi ëndrra e madhe është kualifikimi në një ngjarje të madhe sportive dhe Kupa e Botës është kulmi i çdo arritje.

    Për të qenë sa më afër vëllezërve, shumë tifozë nga Shqipëria janë nisur sot drejt Prishtinës, për atmosferë dhe përkrahje të Dardanëve.

    Një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shihen shumë vetura me flamuj shqiptarë duke ardhur në drejtim të Kosovës dhe është thjesht emocionuese.

    Një kualifikim i Kosovës do të ishte plotësim i një ëndrre të madhe të një shteti të ri, por të vuajtur ndër shekuj.

  • The Guardian: ‘Ne besojmë te njëri-tjetri’: Rruga e vështirë e Kosovës nga lufta te shpresa për Kupën e Botës

    The Guardian: ‘Ne besojmë te njëri-tjetri’: Rruga e vështirë e Kosovës nga lufta te shpresa për Kupën e Botës

    Kombi ballkanik u bë anëtar i FIFA-s vetëm në vitin 2016, por fitorja ndaj Turqisë do t’i siguronte vendin e parë në finalet e Kupës së Botës, shkruan mediumi i madh The Guardian, mediumi i cili ka bërë një intervistë të gjatë me legjendën e Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkanin dhe ish-sekretarin e FFK-së, Eroll Salihu.

    “Ne as nuk e njihnim njëri-tjetrin”. Samir Ujkani po mendon për marsin e vitit 2014, kur një skuadër e improvizuar e Kosovës, kryesisht e mbledhur nga cepat më pak tërheqës të Evropës Qendrore dhe Skandinavisë, u mblodh për t’u përballur me Haitin për ndeshjen e parë zyrtare të vendit.

    Ai [Ujkani] ishte një gjë e rrallë: një lojtar me përvojë në Serie A midis portës për Palermon dhe 20 ndeshjeve për Shqipërinë, i cili ishte i gatshëm të vinte bast për atë që është bërë një nga historitë e mëdha të suksesit të futbollit ndërkombëtar.

    “Mund të them pa dyshim se në fillim nuk i dija 50% të emrave të djemve. Ishte vërtet e vështirë, por në zemrat tona, ne gjithmonë përpiqeshim të përmirësoheshim dhe të besonim te njëri-tjetri”, ka thënë fillimisht Ujkani.

    Megjithatë, Kosova mezi mund ta kishte imagjinuar se çfarë i pret tani. Fitorja kundër Turqisë të martën në mbrëmje do t’i çonte ata në Kupës së Botës – një fjali që thjesht dukej e paimagjinueshme 12 vjet më parë, kur Ujkani dhe shokët e tij të ekipit ia dolën mbanë me vështirësi një barazimi pa gola kundër njërit prej pak kombeve të përgatitura për të vizituar. Atëherë qëllimi përfundimtar ishte njohja nga UEFA dhe FIFA: një vlerësim i mëtejshëm global për një shtet që kishte shpallur pavarësinë në vitin 2008. Edhe pse më në fund u lejua të luante miqësore, ata nuk ishin anëtarë të asnjërës kur, megjithëse me një spërkatje, ajo skuadër pioniere e nisi lojën.

    “Të bën të mendosh për kushtet me të cilat u përballëm, të bën të mendosh emocionalisht”, thotë Ujkani. Kosova shpesh stërvitej në një fushë të rrënuar në stadiumin e KEK-ut jashtë Prishtinës, direkt nën termocentralet e Obiliqit që janë listuar ndër më ndotësit në Evropë. Në raste të tjera, ata bënin një udhëtim tre-orësh vajtje-ardhje për në Mitrovicë, ku u zhvillua ndeshja me Haitin, për një seancë të vetme. “Nuk na interesonte, i bëmë të gjitha dhe askush nuk u ankua. Dhe jam shumë krenar për atë që po arrin ekipi tani”, shtoi ai.

    Ky është një vend ku ndeshjet publike u ndaluan nga autoritetet serbe në vitet 1990 pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Është një vend ku futbolli u bë më luksozi i të gjitha kohërave, pasi një luftë brutale dhe e tmerrshme shkaktoi një traumë të paimagjinueshme në fund të asaj dekade. Kur Kosova u ngrit dhe qëndroi e vetme, sporti u bë më i rëndësishëm se kurrë në aftësinë e tij për t’i projektuar botës një fytyrë të re, serioze dhe të realizuar.

    “Nëse diçka shkonte keq kundër Haitit, kisha frikë se dikush do ta keqpërdorte dhe do të thoshte se Kosova nuk ishte në gjendje të organizonte një ndeshje të mirëfilltë”, thotë Eroll Salihu, ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Salihu krijoi një akt të dyfishtë diplomatik të jashtëzakonshëm me presidentin e atëhershëm të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili, nëpërmjet viteve të tëra të politikanizmit të lodhshëm, i siguroi Kosovës vendin e saj në tryezë.

    UEFA dhe FIFA i pranuan ata në maj 2016. Salihu kujton momentin, shtatorin e kaluar, kur ai dhe Vokrri kuptuan se komiteti ekzekutiv i UEFA-s kishte numrin e nevojshëm të votave për të dërguar kërkesën e tyre për miratim përfundimtar në kongres. “Fadili u rrëqeth”, thotë ai. “Ai më tha: ‘Eroll, po ndodh’. Dhe pastaj filloi të qante. Nuk e kisha parë kurrë të qante, por pastaj fillova edhe unë”.

    Vokrri i dashur, një sulmues i shkëlqyer për FC Prishtinën dhe Partizanin e Beogradit, vdiq në vitin 2018. Kosova do të dalë të martën para pothuajse 14,000 tifozëve në stadiumin e rinovuar që i ngjan një tasi, i emëruar në kujtim të tij. “Nuk mund ta prisja këtë”, thotë Salihu, i ulur në një nga kafenetë plot e përplot të Prishtinës, një ditë para takimit të Kosovës me fatin. “Mendova se do të kishim shumë pengesa. E dinim sa shumë do të vuanim për ta bërë të ndodhte”.

    Duket se ishte një fitore e mjaftueshme kur, katër muaj pasi u pranua në organet qeverisëse të futbollit, Kosova luajti ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës kundër Finlandës në Turku. Pati më shumë lot në hotelin e ekipit kur, disa orë para fillimit të ndeshjes, FIFA konfirmoi se lojtarët që më parë kishin përfaqësuar vende të tjera ose që nuk kishin pasur kombësi kosovare do të lejoheshin t’i përfaqësonin ato në gara.

    “Nuk munda të flija më parë sepse isha shumë i stresuar”, thotë Ujkani, i cili ishte midis tyre. Ujkani do të ishte kapiteni i skuadrës dhe do ta përfundonte karrierën e tij ndërkombëtare me 36 ndeshje për Kosovën. Ai është anëtar i komitetit ekzekutiv të FFK-së dhe ndodhet në hotelin ku Kosova është vendosur për ndeshjet në shtëpi që nga ato ditë të hershme, me fanellën e portierit të zëvendësuar nga kostumi dhe stema. Në holl i përshëndet Franco Foda, trajneri gjerman i cili e ka shndërruar një ekip talentesh të paqëndrueshëm në një forcë luftarake dhe të frikshme që nga emërimi i tij në vitin 2024.

    “Ai na dha këtë shtytje”, thotë Ujkani. “Ai është një komandant i vërtetë dhe na vuri në rrugën e duhur dhe të drejtë me taktika të mira. Ekipi u lidh. Ne gjithmonë kishim talent, por për një kohë të gjatë nuk mundëm të përparonim nën regjim. Ishte një gjë e vështirë për njerëzit tanë. Tani kemi cilësi dhe frymë ekipi, dhe nuk mund t’i harrojmë të gjithë lojtarët që nuk janë këtu tani, por luajtën një rol të madh në sukses. Kjo është arsyeja pse jam kaq i lumtur, sepse po tregojmë fytyrën e vërtetë të Kosovës”.

    Pamja gladiatorike dhe e thinjur e ekipit të Fodës është Vedat Muriqi, qendërsulmuesi i Mallorcës dhe kapiteni në mungesë të Amir Rrahmanit për shkak të lëndimit. Kosova kishte luajtur në mënyrë premtuese për vite me radhë përpara se të përfundonte në vendin e dytë në një Grup të vështirë B, duke mposhtur dy herë Suedinë, duke fituar në Slloveni dhe duke barazuar në shtëpi me Zvicrën. Ata ishin jashtë fushe për gjysmëfinalen e ‘play-off’-it në Sllovaki, por fituan një ndeshje të papritur 4-3. Turqia e di se e pret një betejë e madhe. Me lojtarë të tillë si Edon Zhegrova i Juventusit dhe sulmuesi i Hoffenheim, Fisnik Asllani, një vend me 1.6 milionë banorë ka lindur shumë lojtarë fitues, si vendas ashtu edhe nga diaspora e saj.

    Ata me kujtesë të gjatë do të gjejnë gjithashtu kuptim në vizitën e Turqisë, e cila erdhi dy muaj pas ndeshjes me Haitin dhe fitoi 6-1. Vendet e zhvilluara mezi kishin pritur në radhë në bllok për t’u përballur me to, por Fatih Terim solli një skuadër të fortë. “Ne nuk e harrojmë”, thotë Salihu. “Terim tha se, edhe nëse nuk do të kishte dhoma hoteli, ata do të qëndronin në shtëpitë e njerëzve nëse do të thoshte të luanin ndeshjen”. Ujkani pajtohet: “Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës atyre”.

    Vlerësimi është i sinqertë. Por e tillë është edhe dëshira, këtë herë, për një fitore mahnitëse që do të shkaktonte tronditje në të gjithë botën. “Kjo nuk është vetëm për lojtarët, trajnerët apo federatën”, thotë Ujkani. “Është për të gjithë nga Kosova dhe për të gjithë ata që luftuan që ne të jemi në vendin ku jemi tani. Është si një ëndërr e bërë realitet”.