ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Gjithçka e jona është sonte në “Fadil Vokrri”

    Kurti: Gjithçka e jona është sonte në “Fadil Vokrri”

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka dhënë mbështetje Kombëtarës së Kosovës pak para nisjes së duelit final me Turqinë, për kualifikim në Kampionatin Botëror.

    Kurti tha se gjithçka e jona është sonte në Stadiumin “Fadil Vokrri”.

    “Drejt Fitores, drejt Botërorit, drejt realizimit të ëndrrës”, tha Kurti.

  • Ndeshja vendimtare e Kosovës, Krasniqi kthehet në kohën e miqësores së parë – ndan foto me Thaçin e Fadil Vokrrin

    Ndeshja vendimtare e Kosovës, Krasniqi kthehet në kohën e miqësores së parë – ndan foto me Thaçin e Fadil Vokrrin

    Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkruar në Facebook para ndeshjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë në finalen e play-off-it për kualifikim në Kupën e Botës, duke e cilësuar këtë përballje si një moment historik për futbollin kosovar.

    Ai ka kujtuar fillimet e kombëtares, duke ndarë një fotografi nga viti 2014 me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçin dhe tashmë të ndjerin Fadil Vokrri, para ndeshjes së parë miqësore zyrtare të Kosovës e luajtur me Haitin, dhe duke theksuar rolin e figurave kyçe që kontribuuan në afirmimin ndërkombëtar të vendit dhe zhvillimin e futbollit.

    Krasniqi u shpreh se sonte, 12 vite më vonë, Kosova është vetëm një hap larg realizimit të “ëndrrës së madhe amerikane”, duke iu referuar kualifikimit të mundshëm në Botëror.

    “Një foto pak ditë para hapit të parë. Para ndeshjes së parë zyrtare miqësore të Kosovës në vitin 2014. Pranë meje, dy njerëz që i dhanë drejtim këtij rrugëtimi: njëri që ia hapi Kosovës dyert e botës dhe tjetri që i dha shpirt e drejtim futbollit tonë. Çfarë krenarie që punuam bashkë për futbollin e futbollistët tonë! Sonte, 12 vite më vonë, Kosova luan për një kapitull tjetër historie. Për ëndrrën e madhe amerikane”.

    “Në stadiumin që e mban emrin e Fadil Vokrrit, djemtë tanë zbresin në fushë për një mision të shenjtë. Një ëndërr që dikur dukej e pamundur, por që sot është vetëm një hap larg. Fadil, kjo është edhe për ty. Për vizionin tënd. Për besimin tënd. Për gjithçka që mbjelle në këtë tokë. Mendjen dhe zemrën sonte i kam te ti, miku im Fadil. Zoti qoftë me ne! Forca Kosovë”, ka shkruar Krasniqi.

  • Kosova përballë Turqisë, Begaj: Me zemër në Prishtinë

    Kosova përballë Turqisë, Begaj: Me zemër në Prishtinë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur mbështetjen e tij për Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Turqisë, e cila mund të sigurojë një vend në Botëror. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj uroi sukses për ekipin kosovar duke shkruar

    “Me zemër në Prishtinë. Forca, Kosovë!”.

    Kosova dhe Turqia përballen sonte për herë të katërt. Tre ndeshjet e mëparshme përfshijnë dy takime zyrtare dhe një miqësore të zhvilluar përpara se Kosova të anëtarësohej në FIFA.

    Sfida do të nisë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një atmosferë elektrizuese, me mijëra tifozë të ardhur edhe nga Shqipëria për të mbështetur ekipin vendas në këtë përballje vendimtare.

  • Abdixhiku: Le të shkojmë në Botëror sonte

    Abdixhiku: Le të shkojmë në Botëror sonte

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një shkrim emocional para ndeshjes Kosovë-Turqi, duke e cilësuar këtë përballje si një moment historik për vendin.

    Ai thekson se e gjithë Kosova është e përfshirë nga emocionet, teksa vendi është vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre të kahershme.

    “Natyrisht se jemi përplot emocione. Një popull i tërë me sy, mendje e shpirt në Prishtinë. Natyrisht se kjo s’mund të jetë një natë e zakonshme. Jemi vetëm 90 minuta larg historisë. Larg ëndrrës sonë gjeneracionale, me të gjitha parafytyrimet që i kishim si fëmijë. Ne, në Botëror; pa na pyetur më askush se me kë je. Brazil, Argjentinë, Itali, Gjermani – nuk ka më rëndësi. Tani kemi shtetin tonë aty!”

    “Kosova në Botëror. Sa bukur tingëllon”, shkroi mes tjerash kreu i LDK-së.

    Ai thotë se rrugëtimi futbollistik i Kosovës nuk është i zakonshëm, madje është i jashtëzakonshëm. “Dhe profecia futbollistike e Kosovës ka një sens të shkëlqyeshëm. Kemi ëndërruar me Fadilin, me Vokrrin, përfaqësimin jashtë, dhe sonte, në fushën e tij, synojmë majën e këtij përfaqësimi”.

    “Sepse futbolli i Kosovës nuk u rrit në kushte normale. U rrit nën pushtim, nën frikë, në mungesë e përjashtim. U rrit në shtypje. Në fusha ku loja ishte më shumë se lojë; ishte rezistencë. U zhvillua përmes refuzimesh, në një botë që shpesh nuk pranonte as vetë ekzistencën tonë si shtet. U ngrit në këmbë në dyshim, atëherë kur të tjerët thoshin se kjo kombëtare nuk duhej të ekzistonte hiç”.

    “Dhe ja ku jemi sot. Para 10 vitesh na bënë një vend në hartën e FIFA-s. Festuam se na u dha një mundësi. Kaq na duhej! Sot, 10 vite më pas, jemi 90 minuta larg Botërorit. Këta jemi ne”, theksoi Abdixhiku.

    Ai tha se “kjo është historia jonë. Nuk dorëzohemi. Nuk ndalemi. Mangut asgjë! Bëjmë shtet. Bëjmë kombëtare. Ndërtojmë ëndrra. I realizojmë ëndrrat. Dhe pavarësisht se si përfundon kjo natë sonte, e ardhmja jonë do të jetë e bukur! Kemi arritur diçka që pak kush e arrin: besimin. Besimin se ja dalim. E kur Kosova beson në diçka, e bën; veç çështje kohe”.

    “Le të shkojmë në Botëror sonte! Për popullin tonë. Për gjeneratat tona që shtruan rrugën për këtë ditë. Për të gjithë ata fëmijë që dikur ëndërronin këtë ditë, për të gjithë ata që besuan, që punuan, që fituan! Forca djema”, përfundoi Abdixhiku.

  • Ish-krerët e UÇK-së pritet ta përcjellin Kosovën nga Haga

    Ish-krerët e UÇK-së pritet ta përcjellin Kosovën nga Haga

    Kombëtarja e Kosovës sonte do ta zhvillojë ndeshjen më të madhe në historinë e saj.

    “Dardanët” do të kenë punë me kombëtaren e Turqisë, në ndeshjen finale të “play-offit” për Botërorin 2026.

    Këtë përballje, si milionë shqiptarë nga e gjithë bota, do ta shohin edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.

    Këtë e ka konfirmuar ish-bashkëluftëtari i tyre, Nasim Haradinaj.

    “Nëse e transmeton ‘RTK’ ose ‘Klan Kosova’, ata do ta shohin këtë ndeshje”, tha Nasim Haradinaj në “Klan Kosova”.

    Në Hagë, momentalisht janë në paraburgim dhe po gjykohen Hashim Thaqi, ish-presidenti i Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sali Mustafa.

    Ndeshja Kosovë – Turqi do të luhet sonte, me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

  • Haradinaj u jep zemër Dardanëve: I gjithë kombi me ju, shkruani historinë

    Haradinaj u jep zemër Dardanëve: I gjithë kombi me ju, shkruani historinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u ka dhënë zemër Dardanëve para ndeshjes me Turqinë.

    Përmes një postimi në Facebook, ai është shprehur se i gjithë kombi është me ta, përcjell Klankosova.tv

    “Sonte i gjithë kombi është me ju. Fitojeni këtë betejë, shkruani historinë. Forca Kosovë”, ka shkruar ai.

  • Trafiku Urban paralajmëron vonesa e devijime sonte në Prishtinë

    Trafiku Urban paralajmëron vonesa e devijime sonte në Prishtinë

    Trafiku Urban Prishtinë ka njoftuar qytetarët se gjatë mbrëmjes së sotme pritet të ketë vonesa dhe devijime të përkohshme në qarkullimin e linjave të autobusëve.

    Sipas njoftimit, këto ndryshime vijnë si pasojë e bllokimit të disa rrugëve.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftojmë qytetarët se, për shkak të bllokimit të disa rrugëve, gjatë mbrëmjes së sotme mund të ketë vonesa dhe devijime të përkohshme në qarkullimin e linjave të autobusëve, në përputhje me rregullimin e trafikut nga organet e rendit.

    Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe i urojmë Kombëtares sonë suksese në ndeshjen e sontme kualifikuese!

  • Ambasadorja e Izraelit për ndeshjen e sotme: Forca Kosova!

    Ambasadorja e Izraelit për ndeshjen e sotme: Forca Kosova!

    Ambasadorja e Izraelit në Prishtinë, Tamar Ziv, ka shkruar për ndeshjen e sotme të Kosovës kundër Turqisë që vlen për kualifikim në Botëror.

    Ziv ka uruar ekipin kombëtar të Kosovës në përballjen me Turqinë.

    “Puna juaj në grup, përkushtimi dhe shpirti juaj le të shkëlqejnë në fushë. I gjithë kombi po ju brohoret! #ForcaKosova #ForcaDardanet”, ka shkruar ajo.

  • Haxhiu pret në takim Shefin e EULEX-it, diskutojnë për zhvillimet në vend

    Haxhiu pret në takim Shefin e EULEX-it, diskutojnë për zhvillimet në vend

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mirëpriti Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

    Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

    Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve.

  • Ndeshja Kosovë-Turqi: Policia paralajmëron masa të shtuara të sigurisë, njofton edhe për bllokim të rrugëve

    Ndeshja Kosovë-Turqi: Policia paralajmëron masa të shtuara të sigurisë, njofton edhe për bllokim të rrugëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie në bashkëpunim me institucionet dhe organizatorët për garantimin e rendit para, gjatë dhe pas ndeshjes.

    Policia ka bërë të ditur se do të ketë prani të shtuar në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”.

    Po ashtu, janë paralajmëruar bllokime të përkohshme të disa rrugëve kryesore dhe nacionale, në varësi të lëvizjeve zyrtare dhe nevojave në trafik.

    Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet, të përdorin rrugë alternative dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës njofton qytetarët se me datë 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumi Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët.

    Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.

    Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”:

    Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimit nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).

    Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani

    Këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që:

    – Të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren
    – Të përdorin rrugë alternative kur është e mundur
    – Të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

    Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët.

    Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik.