ATV

Category: Lajme

  • Ramiz Tafilaj, nderohet me Medaljen Presidenciale nga Vjosa Osmani

    Ramiz Tafilaj, nderohet me Medaljen Presidenciale nga Vjosa Osmani

    Ramiz Tafilaj, një nga figurat më të njohura të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është nderuar sot me Medaljen Presidenciale nga Vjosa Osmani, në një ceremoni të veçantë shtetërore.

    Ai njihet për kontributin e tij të gjatë si filantrop, humanist dhe mbështetës i projekteve kulturore e arsimore, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar edhe përtej kufijve.

    Nga Deçani, por me veprimtari të shtrirë në SHBA, Tafilaj ka qenë një zë i rëndësishëm i diasporës që ka mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, duke kontribuar në mënyrë të heshtur, por të vazhdueshme.

    Në arsyetimin e Presidencës, theksohet se ky vlerësim është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar ndër vite, si dhe për rolin që ka luajtur në forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe Kosovës.

    Ramiz Tafilaj konsiderohet një nga ata emra që nuk flasin shumë, por që me veprat e tyre lënë gjurmë të thella në historinë dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

  • Haxhiu: Masakra e Pastasellës mbetet një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë

    Haxhiu: Masakra e Pastasellës mbetet një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se masakra e Pastasellës është një nga plagët me të rënda të luftës në Kosovë.

    Ajo ka thënë se të vrarit në këtë masakër, ishin njerëz të zakonshëm.

    “Masakra e Pastasellës mbetet një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë. Në vitin 1999, në këtë fshat dhe në fshatrat përreth u vranë dhe u masakruan rreth 106 civilë shqiptarë. Ishin njerëz të zakonshëm, familjarë, fqinjë, burra e djem që nuk u kthyen më kurrë në shtëpi. Nga kjo masakër mbijetuan vetëm 13 persona, dëshmitarë të një krimi që nuk do të harrohet. Përkulemi me respekt të thellë para të gjithë të rënëve për lirinë e vendit. Lavdi”, ka shkruar Haxhiu.

  • Dy të arrestuar për hedhje të fishekzjarrëve afërsi të hotelit ku po qëndron kombëtarja e Turqisë

    Dy të arrestuar për hedhje të fishekzjarrëve afërsi të hotelit ku po qëndron kombëtarja e Turqisë

    Dy persona janë arrestuar për hedhje të fishekzjarrëve në afërsi të hotelit ku po qëndron kombëtarja e Turqisë.

    Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësin e Policisë së Kosovës për kryeqytetin, Enis Pllana.

    Ai ka treguar se dy persona janë arrestuar për këtë rast dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Dy persona janë arrestuar, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm’. Dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha ai.

    Sonte Kosova luan kundër Turqisë, në kuadër të finaleve të “play-off” për kualifikim në Botëror. Fituesi siguron biletën për kualifikim në Kupën e Botës

  • Kafe falas për tifozët turq, restoranti në Prishtinë me gjest simbolik: Borxhin e keni larë në 1999

    Kafe falas për tifozët turq, restoranti në Prishtinë me gjest simbolik: Borxhin e keni larë në 1999

    Një restorant në Prishtinë ka vendosur të mirëpresë tifozët turq me një gjest simbolik, duke ofruar kafe dhe çaj falas për të gjithë ata që kanë ardhur në kryeqytet për të ndjekur nga afër ndeshjen që zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Një fotografi e vendosur në hyrje të lokalit është shpërndarë në rrjete sociale, ku shkruhet: “Sot rivalë, por gjithmonë miq”.

    Në mesazhin e plotë, restoranti thekson mirënjohjen me fjalët: “Kafe dhe çaj falas për tifozët turq. Borxhin e keni larë në 1999”.

    Ndeshja historike Kosovë-Turqi nis në orën 20:45.

  • Hakerat iranianë sulmojnë Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme në Shqipëri

    Hakerat iranianë sulmojnë Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme në Shqipëri

    Grupi i hackerave “Homeland Justice” ka njoftuar se ka kryer një sulm kiberbetik në drejtim të sistemeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme në Shqipëri.

    Ka qenë vetë grupi i hackerave që ka njoftuar sulmin në fjalë, në rrjetet sociale, ndërsa pretendon se ka depërtuar në rrjetet e sistemit gjyqësor dhe te prokuroria dhe se ka siguruar të dhëna dhe dokumente që, sipas tyre, lidhen me funksionimin e brendshëm të institucioneve të drejtësisë. Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet shqiptare mbi përmasat e sulmit apo nëse të dhëna sensitive janë komprometuar.

    Institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike pritet të verifikojnë autenticitetin e pretendimeve dhe të vlerësojnë ndikimin e mundshëm.

  • “Pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme”, Osmani kujton masakrat në Pastasellë dhe Burim

    “Pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme”, Osmani kujton masakrat në Pastasellë dhe Burim

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrat në Pastasellë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, e para e shtetit në këto përvjetore tha se pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme.

    “Më 31 mars 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli. 13 persona mbijetuan që ta mbajnë mbi supe kujtesën dhe të vërtetën që nuk duhet të harrohet kurrë”.

    “Makineria vrasëse e Serbisë, të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, ekzekutoi brutalisht 42 civilë. Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri!”, shkroi Osmani.

  • Italia refuzon përdorimin e bazës së Sicilisë nga aeroplanët amerikanë për operacione në Lindjen e Mesme

    Italia refuzon përdorimin e bazës së Sicilisë nga aeroplanët amerikanë për operacione në Lindjen e Mesme

    Italia ka mohuar lejen që aeroplanët ushtarakë amerikanë të ulen në bazën ajrore Sigonella në Sicili përpara se të fluturonin për në Lindjen e Mesme.

    E përditshmja Corriere della Sera raportoi se “disa bombardues amerikanë” ishin planifikuar të uleshin në bazën në Sicilinë lindore, përpara se të niseshin për në Lindjen e Mesme. Nuk tha se kur ishin planifikuar të uleshin.

    Burimi, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste me median dhe nuk pranoi të identifikohej, gjithashtu nuk specifikoi se sa aeroplanë ishin të përfshirë ose kur Roma refuzoi të jepte leje.

    Corriere della Sera shtoi se leja nuk u dha pasi SHBA-të nuk kishin kërkuar autorizim dhe udhëheqja ushtarake e Italisë nuk u konsultua, siç kërkohet sipas traktateve që rregullojnë përdorimin e instalimeve ushtarake amerikane në vend.

    Partitë opozitare të qendrës së majtë i kanë kërkuar qeverisë të bllokojë përdorimin e bazave amerikane në Itali për të shmangur përfshirjen në konflikt.

    Qeveria e krahut të djathtë e kryeministres Giorgia Meloni ka thënë se do të kërkojë autorizim parlamentar nëse do të bëhen kërkesa të tilla.

  • Kriza në Lindjen e Mesme godet edhe tregun e luksit në Dubai – shitjet e makinave luksoze bien me 30 për qind

    Kriza në Lindjen e Mesme godet edhe tregun e luksit në Dubai – shitjet e makinave luksoze bien me 30 për qind

    Shitjet e makinave luksoze në Dubai kanë rënë me rreth 30%, sipas një shitësi lokal, duke reflektuar ndikimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të karburantit.

    Ky treg ka qenë prej vitesh ndër më fitimprurësit për marka si Rolls-Royce Motor Cars, Ferrari dhe Lamborghini, ku klientët shpenzojnë shuma të mëdha për modele unike dhe të personalizuara.

    Megjithatë, mbyllja e përkohshme e salloneve dhe rënia e vizitave pas rihapjes kanë ndikuar drejtpërdrejt në shitje.

    Edhe pse klientët më të pasur vazhdojnë të blejnë, atmosfera në treg është bërë më e pasigurt.

    CEO i Bentley Motors, Frank-Steffen Walliser, tha se njerëzit aktualisht kanë prioritete të tjera përveç blerjes së makinave të reja.

    Rënia po godet veçanërisht porositë e personalizuara, që janë burimi kryesor i fitimeve për prodhuesit luksozë.

  • Latifi përkujton Masakrën e Pastaselit: Drejtësia për krimet e 31 marsit mbetet qëllim i pandryshuar

    Latifi përkujton Masakrën e Pastaselit: Drejtësia për krimet e 31 marsit mbetet qëllim i pandryshuar

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, Latifi rikujtoi se më 31 mars 1999, në fshatin Pastasel u vranë 106 civilë të paarmatosur, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

    “Në ditën e fundit të marsit të përgjakur të vitit 1999, ndodhi një prej krimeve më mizore nga kriminelët serbë në fshatin Pastasel të Rahovecit, ku u vranë 106 fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur”, ka shkruar Latifi.

    Ai theksoi se në këtë fshat kishin gjetur strehim edhe banorë nga zona të tjera përreth, të cilët po përpiqeshin t’i shpëtonin dhunës së luftës.

    “Banorë të Pastaselit, por edhe të fshatrave përreth, kishin gjetur vendstrehim në fshat për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga krimet gjenocidiale serbe”, ka deklaruar ai.

    Kryetari i Rahovecit nënvizoi se kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe se kërkimi i drejtësisë për viktimat është obligim i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

    “Ajo ditë e përgjakshme do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë. Drejtësia dhe dënimi i krimeve të 31 marsit 1999 do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në realizim”, ka shtuar Latifi.

    Ai e ka përmbyllur mesazhin me nderime për të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë.

    “Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve të luftës”, ka përfunduar Latifi.

  • Tensionet me Ramën, Spiropali me shkrim të gjatë: Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje

    Tensionet me Ramën, Spiropali me shkrim të gjatë: Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje

    Ditë më parë u raportua për tensione ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali e cila javë më parë u lirua nga detyra e ministres së Punëve të Jashtme.

    Mediat në Shqipëri patën raportuar se ka pasur një moment, ku Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalinë “Mos më provoko se do të nxjerr jashtë”.

    “Mos më provoko se do të nxjerr jashtë”, tensione mes Ramës e Spiropalit në mbledhjen me dyer të mbyllura

    E në tërë këtë proces, sot ka reaguar ish ministrja Spiropali, e cila ka thënë se heshtja e saj nuk është mungesë përgjigjeje.

    Sipas saj, ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

    Lexoni të plotë postimin e Spiropalit:

    Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.

    Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.

    Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

    Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.

    Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

    Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

    Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.

    Ndërkohë, Evropa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.

    Evropa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

    Fitorja nuk merret, ajo provohet.

    Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.

    Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.