ATV

Category: Lajme

  • Ulutas: Koordinim i vazhdueshëm me aleatët për për të siguruar mjedis të sigurt në Kosovë

    Ulutas: Koordinim i vazhdueshëm me aleatët për për të siguruar mjedis të sigurt në Kosovë

    Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, priti ambasadorët, krerët e misioneve dhe përfaqësuesit e lartë kombëtarë nga 33 vendet kontribuuese me trupa në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.

    Duke shënuar këtë takim kolektiv me përfaqësuesit e vendeve kontribuuese me trupa, Gjenerali Ulutaş përshkroi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet e vazhdueshme të KFOR-it dhe prioritetet kryesore të tij në të ardhmen.

    “Ai riafirmoi angazhimin e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për të gjitha vendet që kontribuojnë me trupa për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • ​Dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës

    ​Dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës

    Sot mbushen dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

    Marrëveshja është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.

    Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2015 dhe ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja hyri në fuqi me 1 prill 20216.

    MSA sjell dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

    Sa i përket pjesës politike, Kosova merr përsipër që të zbatojë një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që vendi ynë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

    Nga pikëpamja ekonomike, MSA përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE-së dhe Kosovës.

    Ndër të tjera, MSA-ja ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës që do të çojë drejt përforcimit të një ekonomie funksionale të tregut, e cila do të jetë në gjendje të përballet me presionin konkurrues të tregut të BE-së.

    Qeveria e Kosovës i ka paraparë të gjitha këto veprime përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ky program është dokumenti kryesor nacional i politikave për aderim në BE dhe qëllimi parësor i programit është përmbushja e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje.

  • Rrahje mes dy burrave në Prishtina – njëri përfundon në spital, tjetri arrestohet

    Rrahje mes dy burrave në Prishtina – njëri përfundon në spital, tjetri arrestohet

    Dy burra raportohet se janë rrahur ndërmjet vete në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë gjatë ditës së martë.

    Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje

    “Është raportuar se dy meshkuj janë rrahur mes vete, ku si pasojë viktima ka pësuar lëndime dhe ka marrë tretman mjekësor. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Shqipëria, faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

    Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Shqipëria, faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

    Presidenti i Shqiperisë, Bajram Begaj, përkujtoi sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e saj në aleancën Euroatlantike.

    Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.

    Në këtë kontekst, Presidenti Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.

    Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.

    “Sot, 17 vjet Shqipëria në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin tonë Euroatlantik.

    Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapesiren Euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuese aktive në misionet dhe operacionet e saj.

    Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura!
    Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, shkruhet në postimin e Begajt.

  • Japonia vendos raketat e saj më të fundit kundër anijeve, Tokio krijon perimetër mbrojtës prej 1,000 km

    Japonia vendos raketat e saj më të fundit kundër anijeve, Tokio krijon perimetër mbrojtës prej 1,000 km

    Zyrtarët thanë të martën se raketa e parë me rreze të gjatë veprimi e Japonisë u vendos në një kamp ushtarak jugperëndimor, ndërsa vendi përpiqet të forcojë aftësitë e saj ofensive.

    Raketat e përmirësuara tokë-anije Tipi-12, të zhvilluara dhe të prodhuara nga Mitsubishi Heavy Industries e Japonisë, u bënë funksionale në kampin Kengun në prefekturën Kumamoto.

    “Ndërsa Japonia përballet me mjedisin më të rëndë dhe kompleks të sigurisë në epokën e pasluftës, është një aftësi jashtëzakonisht e rëndësishme për të forcuar frenimin dhe reagimin e Japonisë”, u tha gazetarëve Ministri i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi.

    “Kjo tregon vendosmërinë dhe aftësinë e fortë të Japonisë për të mbrojtur veten”, shtoi ai.

    Raketa e përmirësuar Tipi-12 ka një rreze veprimi prej rreth 1,000 kilometrash, një zgjatim i konsiderueshëm nga rreze veprimi prej 200 kilometrash e raketës origjinale që do t’i lejonte asaj të arrinte Kinën kontinentale.

    Vendosja e raketës me rreze të gjatë veprimi i jep Japonisë një aftësi “qëndrimi”, që do të thotë se mund të godasë bazat e raketave armike nga larg, duke shënuar një ndërprerje nga politika vetëmbrojtëse që vendi ndoqi prej kohësh nën kushtetutën e saj pacifiste.

    Banorët që kundërshtojnë vendosjen pranë zonës së banimit organizuan protesta jashtë kampit Kengun, duke thënë se kjo do të përshkallëzonte tensionin dhe do të rriste rreziqet që zona të mund të vihej në shënjestër nga armiq të mundshëm.

    Gjithashtu të martën, një automjet hipersonik rrëshqitës, një sistem i ri armësh i projektuar për mbrojtjen e ishullit, u vendos në kampin Fuji në prefekturën Shizuoka, në perëndim të Tokios.

    Vendosja shtesë e raketave dhe HGV-ve të përmirësuara të Tipit 12 në vende të tjera në Japoni, duke përfshirë Hokkaidon në veri dhe Miyazaki në jug, është planifikuar deri në mars 2028.

    Japonia gjithashtu planifikon të vendosë raketa Tomahawk të prodhuara në SHBA, me rreze veprimi 1,600 kilometra në shkatërruesin japonez JS Chokai më vonë këtë vit dhe përfundimisht në shtatë shkatërrues të tjerë.

    Japonia e konsideron Kinën kërcënimin e saj kryesor për sigurinë rajonale dhe ka fortifikuar ishujt jugperëndimorë të vendit pranë Detit të Kinës Lindore vitet e fundit.

    Kabineti i kryeministres Sanae Takaichi në dhjetor miratoi një plan rekord buxhetor për mbrojtjen që tejkalon 9 trilionë jen (58 miliardë dollarë) për vitin fiskal, që fillon në prill dhe synon të forcojë aftësinë e saj kundërsulmuese dhe mbrojtjen bregdetare me raketa dhe arsenale pa pilot.

    Qershorin e kaluar, Japonia vuri re dy transportues avionësh kinezë që operonin pothuajse njëkohësisht pranë ishujve të largët japonezë në Paqësor për herë të parë, duke shkaktuar shqetësimin e Tokios në lidhje me aktivitetin ushtarak të Pekinit që shtrihej shumë përtej kufijve të saj.

    Ministri i mbrojtjes javën e kaluar njoftoi krijimin e një zyre të re të dedikuar për studimin e aktivitetit të Kinës në Paqësor.

    Tensionet janë përshkallëzuar më tej që nga deklarata e Takaichi në nëntor se çdo veprim ushtarak kinez kundër Tajvanit mund të jetë bazë për një përgjigje ushtarake japoneze.

  • Britania dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme

    Britania dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme

    Mbretëria e Bashkuara ka vendosur të dërgojë trupa dhe pajisje shtesë ushtarake në lindjen e mesme, në mbështetje të aleatëve dhe për forcimin e mbrojtjes ajrore në rajon.

    Sipas raportimit të BBC, ky vendim vjen në një kohë të përshkallëzimit të tensioneve me Iranin dhe rritjes së rrezikut për sigurinë në rajon.

    Ministri britanik i Mbrojtjes ka bërë të ditur se forcat e reja do të ndihmojnë në instalimin dhe operimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, si dhe në trajnimin e trupave lokale.

    Ky zhvillim konsiderohet pjesë e një përforcimi më të gjerë të pranisë ushtarake perëndimore në Lindjen e Mesme, ndërkohë që tensionet mbeten të larta dhe shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm vazhdojnë.

    Mediat angleze bëjnë të ditur se rreth 1,000 trupa pritet të dislokohen në vende të ndryshme të Gjirit, me qëllim mbështetjen e operacioneve mbrojtëse dhe garantimin e sigurisë së hapësirës ajrore.

  • Aksident i rëndë në Prizren, shoferi i dehur dërgohet në mbajtje

    Aksident i rëndë në Prizren, shoferi i dehur dërgohet në mbajtje

    Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në Prizren, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore.

    Sipas raportit policor, i lënduari pas pranimit të tretmanit mjekësor në spitalin e Prizrenit është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.

    Ndërsa një person tjetër është arrestuar, pasiqë dyshohet se derisa sa ishte në drejtim të veturës ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe duke -shkaktuar aksident trafiku duke goditur veturën e cila drejtohej nga viktima mashkull kosovar.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se derisa ka qenë duke drejtuar veturën nën ndikim të alkoolit ka shkaktuar aksident trafiku duke goditur veturën e cila drejtohej nga viktima mashkull kosovar. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti pas pranimit të tretmanit mjekësor në Spitalin e Prizrenit është dërguar në QKUK për tretman te mëtutjeshëm. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • 295 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes në rajonin e Ferizajt gjatë marsit

    295 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes në rajonin e Ferizajt gjatë marsit

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë muajit mars 2026 janë shqiptuar gjithsej 295 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.

    Në komunikatën për media theksohet se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes vazhdon të mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik, duke rrezikuar jetën e drejtuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë në rrugë.

    “Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore”, thuhet në njoftim.

    Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë të përqendruar gjatë drejtimit të automjetit dhe të shmangin çdo formë shpërqendrimi.

    “Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve”, theksohet më tej.

    Autoritetet kanë rikujtuar se qytetarët mund të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut në stacionet më të afërta policore, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

    Po ashtu, Policia Rajonale e Ferizajt ka siguruar qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave të tyre do të ruhet plotësisht.

  • Një javë nga vendimi i Kushtetueses, partitë ende pa lëvizje për çështjen e presidentit

    Një javë nga vendimi i Kushtetueses, partitë ende pa lëvizje për çështjen e presidentit

    Nuk ka pasur ende asnjë takim mes partive politike në Kosovë, një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

    Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

    Pas dekretit, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se do t’i thërrasë për konsultim liderët e partive opozitare për çështjen e presidentit. Mirëpo ftesa ende nuk ka pasur. Partitë opozita tashmë e kanë bërë të qartë se barra kryesore për çështjen e presidentit, bie mbi partinë e parë.

    Negociatat mes LVV-së dhe partive opozitare për gjetjen e një emri për president kishin dështuar pavarësisht takimeve të shumta. Kurti ndërkohë nuk ka pranuar që ta kandidojë edhe për një mandat, Vjosa Osmanin, gjë që ka çuar në një përplasje në mes të kabinetit të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të Kurtit.

    Kësisoj, në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

    Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Kryeministri Kurti, ditë më parë kishte dërguar ftesa drejtuar liderëve të partive të tjera për takim, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Kurti ka folur për atë se si duhet përsëri të ketë negociata me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje për presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

    Ai ishte refuzuar si nga PDK, ashtu edhe nga LDK.

    Si Partia Demokratike e Kosovës, si Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin shprehur gatishmëri të takohen me Kurtin vetëm pas aktgjykimit të Kushtetueses.

    Nëse ky proces dështon brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, vendi shkon në zgjedhje.

  • Kurti shkruan për humbjen e Kosovës: Tash na vlon meraku kolektiv, ishim kaq pranë kualifikimit

    Kurti shkruan për humbjen e Kosovës: Tash na vlon meraku kolektiv, ishim kaq pranë kualifikimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas humbjes së përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, duke bërë thirrje për mbështetje dhe unitet.

    Kurti u shpreh se qytetarët janë ende të mërzitur nga rezultati, por theksoi se kombëtarja ka dhënë emocione të jashtëzakonshme dhe ka bërë krenar gjithë vendin.

    “Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu”.

    Ai nënvizoi se fakti që Kosova ishte pranë kualifikimit tregon potencialin dhe nivelin e lartë të ekipit, duke shtuar se suksese të mëdha priten në të ardhmen e afërt.

    Kurti falënderoi lojtarët, trajnerin dhe stafin për angazhimin e tyre, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta mbështesin përfaqësuesen në çdo kohë.