ATV

Category: Lajme

  • “Nuk munda t’i tregoj që i erdhi kufoma e djalit”, dëshmitarja e Masakrës së Lybeniqit rrëfen tmerret

    “Nuk munda t’i tregoj që i erdhi kufoma e djalit”, dëshmitarja e Masakrës së Lybeniqit rrëfen tmerret

    Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Lybeniqit, ndërsa dëshmitarja e këtij tmerri, Elhame Kurtaj-Haradinaj, rrëfeu të pathënat e aktit kriminal.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në Klan Kosova, aktivistja tha se Serbia ka kryer krime shumë të rënda ndaj popullit të Kosovës.

    “Ata përveç që kanë kryer krimin, i kanë bartë me vete kufomat, kanë dashur ta fshehin krimin, kanë shpallë edhe një luftë tjetër psikologjike me familjarë”, u shpreh Kurtaj-Haradinaj.

    Ajo ndau edhe një rrëfim tejet prekës nga koha e luftës, kur ushtronte edhe profesionin e mësueses në Lybeniq.

    “Unë kam qenë ajo që ua kam dhënë lajmin kur i kanë sjell kufomat prej Serbisë. Nuk kam mundur të shkojë te nëna e vet [nxënësit të saj] me ia dhanë lajmin që të ka ardh kufoma e djalit të vetëm”, tha mes emocioneve ajo.

    Ndër të tjera, Kurtaj-Haradinaj tha se liria që dikur u derdh gjak për të, sipas saj, ajo sot nuk po mbrohet si duhet.

  • I zhdukur nga tetori i vitit të kaluar, ende asnjë gjurmë nga Florjan Tabaku

    I zhdukur nga tetori i vitit të kaluar, ende asnjë gjurmë nga Florjan Tabaku

    Florjan Tabaku, një qytetar nga Shqipëria, i cili u raportua i zhdukur nga familja më 20 tetor, ende nuk është gjetur.

    Sipas familjarëve, Tabaku është zhdukur gjatë një mbledhjeje gështenjash në zonën kufitare “Qafë Morinë-Gjakovë”, dhe ende nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij, megjithatë shpresat e tyre janë që më i dashuri i tyre është akoma gjallë.

    Fabjon Tabaku, vëllai i të zhdukurit ka bërë thirrje për ndihmë në kërkimin e Florjanit.

    “Ju lutemi, na ndihmoni, ende nuk kemi asnjë lajm për vëllain tonë, Florjan Tabaku, i zhdukur që nga 20 tetor 2025 në Qafë Morinë – Tropojë. Çdo ndihmë dhe publikim nga ana juaj është jetik për ne”, tha ai.

    Familjarët e Florjanit kanë lënë një numër kontaktues për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij: 0693829918.

  • Pasojat e luftës në Iran, Starmer paralajmëron britanikët: Kostoja e jetesës nuk do të jetë e lehtë

    Pasojat e luftës në Iran, Starmer paralajmëron britanikët: Kostoja e jetesës nuk do të jetë e lehtë

    Kryeministri britanik, Keir Starmer ka paralajmëruar britanikët se ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme do të ndikojë në të ardhmen e vendit.

    Duke folur në një konferencë për shtyp në Downing Street këtë mëngjes, mes frikës për një krizë të re të kostos së jetesës në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri tha: “Më duhet të jem i sinqertë me njerëzit. Kjo nuk do të jetë e lehtë”, tha ai.

    Starmer gjithashtu u tha gazetarëve: “Si do të dalim nga kjo krizë do të na përcaktojë për një brez.”

    Adresimi i tij vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump tha se po shqyrton tërheqjen nga NATO pasi aleatët nuk iu bashkuan luftës së tij me Iranin.

    Presidenti amerikan gjithashtu pretendoi se Mbretëria e Bashkuar ishte ndër disa vende që “nuk mund të sigurojnë karburant për avionë”.

    Presidenti amerikan pretendoi në platformën e tij Truth Social se Britania dhe vendet e tjera që nuk morën pjesë në sulmet kundër Iranit duhet të sigurojnë vetë Ngushticën e Hormuzit. Që nga fillimi i luftimeve, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm si reagim ndaj bllokimit nga Teherani të cisternave që kalojnë përmes kësaj ngushtice.

  • ​Qeverisë i kërkohet më shumë transparencë për procesin integrues të Kosovës në BE

    ​Qeverisë i kërkohet më shumë transparencë për procesin integrues të Kosovës në BE

    Transparencë më të madhe nga qeveria në procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian u kërkua të mërkurën në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, raporton KosovaPress.

    Kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke diskutuar për shqyrtimin e planit të punës së komisionit e konsideroi të nevojshme që kryenegociatori i Kosovës për integrim në Bashkim Evroian, Jeton Zulfaj të vjen në komision për raportin gjatë këtij muaji.

    Sipas saj, duhet të ftohen edhe ambasadoret e akredituar në Prishtinë për të marrë perspektivën e tyre për rrugën e Kosovës drejt unionit evropian.

    Mirëpo sipas saj në agjendë thirrja e ambasadorët duhet te ndodh në muajin maj, pasi të shihet si përmbyllet çështja e presidentit, pasi BE-ja ka prioritet edhe stabilitetin institucional në Kosovë.

    Kërkesë të ngjashme adresoi edhe deputetja tjetër opozitare nga AAK-ja, Time Kadrijaj.

    Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga radhët e LVV-së, Liza Gashi, theksoi nevojën e organizimit edhe të një tryeze të përbashkët me të gjithë ambasadorët e huaj të BE-së.

  • Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

    Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

    Dy persona janë arrestuar pasi kanë tentuar ta rrembejnë një 17 vjeçar në Pogradec e më pas e kanë rrahur dhe e kanë therë me thikë.

    Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

    “Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.

    “Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim.

  • QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë

    QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë

    Qendra Klinike Universitar e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale, pas furnizimit me pajisjet e nevojshme si dhe trajnimit profesional të stafit mjekësor.

    QKUK thekson se pas sigurimit të kolonoskopit dhe gastroskopit, si dhe pas trajnimit të disa mjekëve në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, përkatësisht në Njësinë e Endoskopisë, është mundësuar implementimi i këtyre procedurave në trajtimin e rasteve të ndryshme klinike tek pacientët pediatrikë.

    “Rastet e para janë realizuar gjatë vitit 2024, me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa në fazat pasuese procedurat janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve nga Klinika e Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndër klinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë filluar realizimin e pavarur dhe me sukses të këtyre procedurave”, thuhet në njoftim.

    SHSKUK tutje bën të ditur se gjatë 10 muajve të fundit janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike, duke përfshirë vendosjen e PEG-it (gastrostoma endoskopike perkutane), largimin e trupave të huaj nga lukthi dhe pjesa distale e ezofagut, dilatime të ezofagut, gastroskopi eksplorative, si dhe kolonoskopi eksplorative dhe diagnostike.

    “Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se vendosja e PEG-ut tek pacientët pediatrikë me humbje të refleksit të gëlltitjes, që zakonisht paraqitet si pasojë e çrregullimeve neurologjike kongjenitale apo traumave me pasoja neurologjike, tashmë realizohet brenda vendit. Deri më tani, këta pacientë kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë Kosovës, ndërsa me avancimin e këtij shërbimi kjo nevojë është eliminuar”, thuhet në njoftim.

  • Mehmeti kundërshton taksën prej 10 eurosh për automjetet jashtë Prishtinës, e quan shkelje të barazisë

    Mehmeti kundërshton taksën prej 10 eurosh për automjetet jashtë Prishtinës, e quan shkelje të barazisë

    Asamblisti i Partisë Guxo në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë kryeqytetit, duke e cilësuar atë si të papajtueshme me parimin e barazisë para ligjit.

    Gjatë fjalës së tij, Mehmeti theksoi se një masë e tillë cenon trajtimin e barabartë të qytetarëve, pavarësisht vendbanimit të tyre.

    “Taksa e Kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Kryeqytetit, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë”, deklaroi Mehmeti.

    Ai nënvizoi se qytetarët që jetojnë jashtë Prishtinës nuk mund të trajtohen ndryshe, pasi gëzojnë të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër i vendit.

    “Edhe qytetarët që jetojnë jashtë Kryeqytetit janë qytetarë të Republikës së Kosovës, janë qytetarë që e kanë një Kryeqytet dhe janë të barabartë para ligjit”, u shpreh ai.

    Në vijim, Mehmeti i referohet edhe një dispozite konkrete të rregullores së propozuar, të cilën e konsideron problematike.

    “Neni 14, paragrafi 2, që thotë: ‘Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të Kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje’, është ndër dispozitat më problematike”, theksoi Mehmeti.

    Sipas tij, kjo dispozitë krijon dallime të pajustifikuara ndërmjet qytetarëve dhe ngre shqetësime serioze për përputhshmërinë e saj me parimet themelore juridike.

  • Incident i rëndë në Deçan: 11-vjeçari sulmohet në shkollë, arrestohet i dyshuari

    Incident i rëndë në Deçan: 11-vjeçari sulmohet në shkollë, arrestohet i dyshuari

    Një nxënës 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një burrë në ambientet e një shkolle në fshatin Dranoc të Deçanit.

    Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se i dyshuari është identifikuar dhe ndaluar për 48 orë.

    “Lidhur me rastin kanë nisur hetimet”, deklaroi ai.

    I mituri ka pësuar lëndime trupore, por pas trajtimit mjekësor ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh tek prindërit dhe komuniteti.

    Rrethanat dhe motivet e këtij incidenti ende nuk janë bërë të ditura.

  • Trump: Po e shqyrtoj seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO

    Trump: Po e shqyrtoj seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha se po e shqyrton seriozisht tërheqjen e SHBA-së nga NATO, pasi e krahasoi përsëri aleancën me një “tigër prej letre”.

    “[Nato] është përtej njohjes,” tha ai në një intervistë për Telegraph.

    “Nuk u ndikova kurrë nga NATO. Gjithmonë e dija se ata ishin një tigër letre, dhe Putini e di këtë gjithashtu, meqë ra fjala”, është shprehur Trump.

    Presidenti amerikan ka drejtuar kritika ndaj aleatëve në javët e fundit për mosndihmë në rihapjen e ngushticës së Hormuzit, e cila është mbyllur në mënyrë efektive nga Irani ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon.

    Ai shtoi se SHBA ka qenë aty për vendet që kishin nevojë për mbështetjen e saj, përfshirë Ukrainën, edhe pse “nuk ishte problemi i tyre”.

    Trump iu drejtua me kritika gjithashtu Mbretërisë së Bashkuar në intervistë. “Ju nuk keni fare marinë. Jeni shumë të vjetër dhe keni pasur transportues aeroplanësh që nuk funksiononin”, tha ai.

    Trump ka folur kundër NATO-s për vite me radhë. Gjysmë viti para se të bëhej president i SHBA-së, ai tha se do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte çdo anëtar të NATO-s që nuk i përmbush detyrimet e tij sipas aleancës ushtarake.

    Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kërcënoi shumë herë të tërhiqej nga NATO, përfshirë edhe në samitin e asaj aleance në vitin 2018. Më pas ai kritikoi vendet e tjera për mos shpenzimin e 2 përqindëshit të brutoprodhimit të tyre vendor për mbrojtje.

  • Obiliqi miraton Kodin e Etikës për zyrtarët publikë, Thaçi falënderon asamblistët

    Obiliqi miraton Kodin e Etikës për zyrtarët publikë, Thaçi falënderon asamblistët

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se Kuvendi Komunal ka miratuar Kodin e Etikës për zyrtarët publikë, duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për forcimin e standardeve në shërbimin publik.

    Në një postim në Facebook, Thaçi ka falënderuar asamblistët për mbështetjen e dhënë gjatë votimit të këtij dokumenti.

    “Faleminderit të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Obiliqit për votimin e Kodit të Etikës për zyrtarët publikë. Ky nuk është vetëm një dokument, është vijë e kuqe”, ka shkruar Thaçi.

    Ai theksoi se kodi përcakton standarde të qarta për funksionarët publikë, duke vendosur theksin te përgjegjësia, transparenca dhe integriteti.

    “Standardet janë të qarta: përgjegjësi, transparencë dhe integritet pa kompromis”, ka deklaruar ai.

    Kryetari i Obiliqit u ka bërë thirrje institucioneve komunale që të zbatojnë në praktikë këtë kod.

    “U bëj thirrje të drejtpërdrejtë administratës, shëndetësisë dhe arsimit: zbatimi i këtij kodi është detyrim”, ka theksuar Thaçi.

    Ai shtoi se qytetarët meritojnë shërbime cilësore dhe trajtim dinjitoz nga institucionet publike.

    “Qytetarët meritojnë shërbim të drejtë dhe dinjitoz”, ka përfunduar Thaçi.