ATV

Category: Lajme

  • Rama: Pallati që u dogj në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, s’mund t’i lëmë vetë njerëzit që u dëmtuan

    Rama: Pallati që u dogj në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, s’mund t’i lëmë vetë njerëzit që u dëmtuan

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarrin që ra pasditen e së martës në një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza”.

    Me anë të një postimi në platformën “X”, Rama shkruan se pallati në kompleksin “Arlis”, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.

    Ai gjithashtu falënderoi zjarrëfikësit dhe forcat e rendit për punën e tyre heroike.

    “Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithsesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falënderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara”, shkruan Rama.

  • Rrëzohet një ndërtim pa leje në Butovc të Prishtinës, Përparim Rama publikon pamje

    Rrëzohet një ndërtim pa leje në Butovc të Prishtinës, Përparim Rama publikon pamje

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar pamje nga rrëzini i një ndërtimi pa leje në fshatin Butovc.

    “Rrënimi i ndërtimit pa leje në Butovc”, shkroi ai mbi një video të publikuar në Facebook.

    Të dielën Rama paralajmëroi rrënimet e të gjitha ndërtimeve pa leje.

    “Të gjitha ndërtimet pa leje do të rrënohen. ❌ Ju keni mundësinë që, brenda afatit paralajmërues të dhënë nga Inspeksioni i Komunës, t’i demoloni vetë këto ndërtime dhe të tërhiqni materialet tuaja, si rasti këtu 👇 Shfrytëzojeni këtë mundësi për të shmangur pasoja të mëtejshme dhe për të kontribuar në një qytet më të rregullt dhe më të sigurt për të gjithë 🤝”, shkroi ai në një postim në Facebook.

  • Vuçiq me Dodikun e oficerë ushtarakë: Gjendja e sigurisë më e ndërlikuar për shkak të aleancës Prishtinë-Tiranë-Zabreg, të armatosemi

    Vuçiq me Dodikun e oficerë ushtarakë: Gjendja e sigurisë më e ndërlikuar për shkak të aleancës Prishtinë-Tiranë-Zabreg, të armatosemi

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq foli për gjendje “më të ndërlikuar” të sigurisë për shkak të, siç thotë, “aleancës” Prishtinë-Tiranë-Zagreb, pas një takimi me zyrtarë të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, oficerë ushtarakë e udhëheqës të Republika Srpska-s në Bosnjë, përfshirë Millorad Dodikun.

    Ai ka njoftuar një paketë të gjerë masash për modernizimin dhe robotizimin e ushtrisë serbe, duke përfshirë formimin e njësive me platforma të robotizuara dhe divizioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë, ndërsa ka publikuar disa fotografi nga takimi në kazermën “Banjica”.

    “Si komandant suprem i Ushtrisë së Serbisë, kam propozuar sot hartimin dhe miratimin e strategjisë së robotizimit, formimin e një njësie të rangut të batalionit të pajisur me platforma të robotizuara, kryerjen e përgatitjeve organizative për formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë dhe municionit shëtitës, stërvitjen e njësive speciale zbulimore për përcaktimin e koordinatave të objektivave për drejtimin e zjarrit të artilerisë dhe aviacionit, si dhe pajisjen dhe aftësimin e mëtejshëm për përdorimin e dronëve në njësitë e tjera”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “U kam kërkuar oficerëve që në këtë periudhë revolucionare ndryshimesh në ushtrinë tonë, me entuziazëm të madh dhe përkushtim edhe më të madh, të marrin pjesë në digjitalizimin dhe robotizimin e ushtrisë sonë, si dhe në përdorimin e raketave më të fuqishme dhe më moderne”, shtoi Vuçiq.

    Theksi kryesor i deklarimit të tij ishte te përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajon, sipas tij. Vuçiq tha se gjendja është më e ndërlikuar se në fillim të vitit, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me atë që e quajti “aktivitetet e aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.

    “Gjendja e sigurisë është disi më e ndërlikuar sesa në janar, kur iu drejtuam, para së gjithash për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Përcaktimi ynë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin nuk ka ndryshuar, dhe këtë mund ta ruajmë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë dhe të fuqishëm”, shkroi ai.

    Në ditët në vijim, Vuçiq paralajmëroi nënshkrimin e kontratave “shumë të rëndësishme për furnizimin me mjete armatimi dhe pajisje ushtarake”.

    “Na presin vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, në mënyrë që të bëjmë porosi të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën e ardhshme do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka për të cilën kemi folur sot. Do të vazhdojmë të zhvillohemi më tej në të gjitha aspektet. Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me interoperabilitetin më të theksuar dhe me kapacitetet më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë se kaq”, tha ai.

    Vuçiq tha se së bashku me Dodikun dhe udhëheqjen në RS po i shqyrtojnë “rreziqet e mundshme për sigurinë e vendit”. Ai tha se po e shqyrtojnë edhe “gjendjen e fuqisë sonë ushtarake, mbrojtjen dhe kapacitetet që planifikojmë t’i blejmë për t’i përmirësuar më tej këto aftësi”.

  • Abdixhiku emëron kryesinë e re, 34 anëtarëshe të LDK’së – emrat

    Abdixhiku emëron kryesinë e re, 34 anëtarëshe të LDK’së – emrat

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka emëruar kryesinë e re të LDK’së.

    Në njoftimin e LDK’së, thuhet se përbërja e re e kryesisë, reflekton përvojë institucionale, energji të re, si dhe, përbashkimin e të gjitha nivele, përcjell Gazeta Express.

    Në kryesinë e re të LDK’së janë emra të rinj si i Ermal Sadiku, Fadil Hadergjonaj, Festim Kabashi, e Ukë Rugova.

    ‘’ Në ditët ne vijim, pas konsultimeve shtesë, Kryesia do të plotësohet me përfaqësues nga degët e mëdha të papërfaqësuara në këtë përbërje. Në këtë fazë të rëndësishme politike, LDK mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të brendshëm, përfaqësimit të gjerë dhe ndërtimit të një alternative serioze për qytetarët e Republikës’’, thuhet nga LDK.

    Komunikata:

    Në përputhje me autorizimet e marra nga Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbajtur më 31 janar, me të cilat autorizime kërkohet vendosja e Kryesisë së re si pjesë e riorganizimit të thellë politik; Kryetari i LDK-së, pas konsultimeve të brendshme, ka marrë vendim për emërimin e Kryesisë së re të LDK-së në përputhje me këto autorizime të organit më të lartë vendimmarrës të partisë.

    Kjo përbërje reflekton përvojën institucionale, energjinë e re; e mbi të gjitha përbashkimin e të gjitha niveleve si element thelbësor të forcimit tonë partiak. Kryesia e re është në funksion të forcimit të organizimit të brendshëm, përfaqësimit të strukturave dhe rritjes së efikasitetit në vendimmarrje

    Kryetar:

    Lumir Abdixhiku

    Anëtarët e Kryesisë (sipas renditjes alfabetike):

    Alban Zogaj

    Alush Gashi

    Anton Quni

    Arbër Ismajli

    Ardian Shala

    Arjeta Salihu Abazi

    Armend Zemaj

    Avdullah Hoti

    Berat Rukiqi

    Besian Mustafa

    Bexhet Xheladini

    Doarsa Kica Xhelili

    Doruntinë Maloku

    Ekrem Hyseni

    Ermal Sadiku

    Fadil Hadergjonaj

    Festim Kabashi

    Gazmend Muhaxheri

    Hykmete Bajrami

    Ilir Ferati

    Izet Sadiku

    Jehona Lushaku Sadriu

    Kujtim Shala

    Lutfi Haziri

    Paris Guri

    Ruzhdi Shehu

    Shefqet Shehu

    Shkëmb Manaj

    Sibel Halimi

    Sokol Haliti

    Sokol Havolli

    Ukë Rugova

    Visar Azemi

    Xhafer Gashi

    Kryesia e re do të ketë përgjegjësi të plotë për drejtimin politik dhe organizativ të partisë, në përputhje me programin tonë dhe objektivat përpara.

    Kjo përbërje vjen edhe si rezultat i një faze të ndërmjetme organizative, në zbatim të platformës së miratuar nga Kuvendi, e cila parasheh konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve. Në këtë periudhë kalimtare, Kryesia ndërtohet me përfaqësim më të drejtpërdrejtë të drejtuesve të degëve, si bartës të legjitimitetit nga baza, ndërsa standardet e reja organizative do të zbatohen plotësisht në ciklin e ardhshëm të ristrukturimit. Në ditët ne vijim, pas konsultimeve shtesë, Kryesia do të plotësohet me përfaqësues nga degët e mëdha të papërfaqësuara në këtë përbërje.

    Në këtë fazë të rëndësishme politike, LDK mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të brendshëm, përfaqësimit të gjerë dhe ndërtimit të një alternative serioze për qytetarët e Republikës.

    Kryetari i LDK-së, në përputhje me udhëzimet dhe autorizimet e marra, do të propozojë së shpejti dhe Trupën Këshillëdhënëse, të përbërë nga figura të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përvojë të jashtëzakonshme institucionale e profesionale; si pjesë e riorganizimit të brendshëm.

  • Kadeti i FSK-së kryen me sukses trajnimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst

    Kadeti i FSK-së kryen me sukses trajnimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka uruar kadetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Arbër Aruqin, i cili ka përfunduar me sukses trajnimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst.

    “Me këtë rast, atij iu dha Medalja Sandhurst nga Gjeneral Major Nick Cowley OBE, Oficer i Përgjithshëm Komandant”, njofton Ambasada.

  • Tahiri: Partia në pushtet po synon të marrë edhe postin e presidentit

    Tahiri: Partia në pushtet po synon të marrë edhe postin e presidentit

    Edita Tahiri, ka thënë se Albin Kurti dhe partia e tij tashmë është duke synuar ta kap edhe pozitën e Presidentit të vendit, ndërsa tha se këtë po e bëjnë duke e zvarritur ndonjë marrëveshje politike.

    Tahiri ka shkruar për pasojat e popullizmit, ndërsa tha se VV-ja është dashur të synojë një marrëveshje për opozitën për presidentin. .

    “Paradoksi i populizmit varferon popullin ndersa pasuron pushtetin politik – zvarritja e nje marreveshje politike per zgjidhjen e presidentit po sfaq tendencat se partia ne pushtet synon qe ta marre edhe presidentin, ne vend se te synoj si te dalim nga kjo varferi dhe te vendosim nje model bashkepunimi midis opozites dhe pozites per ceshtje te medha ne politika te brendshme dhe te jashtme – ne nje kohe kur paqja gjithnje e ma e brishte dhe pasiguria ne rritje ne bote e rajon – Kosova as nuk e mbajti mbledhjen e Keshillit te Sigurise thuajse asgje s’po ndodh përreth”, ka shkruar ajo.

    Tutje Tahiri vlerëson se vonesat në miratimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes mund të jenë shkak për një përplasje të re Kosovë-ShBA.

    “E mos te themi se vonesa ne miratimin e Bordit te Paqes te udhehequr nga SHBA jep sinjale te paaftesise se Kosoves per te mbeshtetur me kohe aleatin e madh qe kemi – nderkohe qe dihet se shtetet e vogla si Kosova perballojne sfida globale fale aleateve te medhenje..”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

  • Ndalohet importi i deleve e dhive nga Shqipëria, shkak murtaja – AUV thirrje fermerëve për kujdes

    Ndalohet importi i deleve e dhive nga Shqipëria, shkak murtaja – AUV thirrje fermerëve për kujdes

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se është ndaluar importi i deleve, dhive nga Shqipëria, për shkak të shpërthimit të sëmundjes se murtajës se bagëtive të imta PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.

    Masa e ndalesës është vendosur nga AUV në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë. Në njoftim i është bërë thirrje për vëmendje komunave e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë, përcjell Gazeta Express.

    ‘’ Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria’’, thuhet mes tjerash nga AUV.

    Njoftimi:

    15 Prill 2026 e Mërkure

    NJOFTIM

    Ndalohet importi i deleve, dhive nga Shqipëria, për shkak të shpërthimit të sëmundjes se murtajës se bagëtive të imta PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë vendos masë ndalese të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi nga gjithë territori i Shqipërisë. Pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës. Thërrasim për vëmendje Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria.

    Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.

    Bazuar në situatë aktuale, fermerët është e rëndësishme të shtojnë kujdesin dhe të ndërmarrin veprimet si në vijim:

    • Të shmangni lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën

    • Të raportoni menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre)

    • Të kufizoni kontaktin e tufave tuaja me kafshë tjera sidomos në zonat kufitare

    • Të respektoni udhëzimet dhe këshillat e AUV-së.

    • Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre

    • Shtoni masat e biosigurisë në fermat tuaja.

    PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

  • Prokurori Abazi: Vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku u atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm

    Prokurori Abazi: Vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku u atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm

    Në fjalën e tij përmbyllëse, prokurori Naim Abazi tha se kjo fazë përmbyllëse e procedurës ka rëndësi të veçantë për rendin juridik, sigurinë publike dhe vetë shtetin e Kosovës.

    Ai theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar një numër i madh provash materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, dokumente zyrtare dhe dëshmi të dëshmitarëve, të siguruara në përputhje me ligjin.

    “Sipas provave, nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar, por me një organizim kriminal me qëllime terroriste për cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Abazi.

    Prokurori shtoi se pasoja fatale – vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku – i atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Këto veprime përbëjnë akte të mirëfillta terroriste, që kanë rezultuar me vrasje dhe plagosje të zyrtarëve policorë, si dhe me përdorim të armëve dhe mjeteve të rrezikshme, duke rrezikuar rendin kushtetues”, tha ai.

    Sipas tij, edhe nga deklarimet e mëhershme, përfshirë ato të Milan Radoiçiqit, rezulton se qëllimi i grupit ka qenë destabilizimi dhe cenimi i integritetit territorial të Kosovës.

    Abazi theksoi se të akuzuarit nuk janë “kalimtarë të rastësishëm”, por anëtarë aktivë të grupit, të cilët janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

    Gjatë seancës, prokurori po vazhdon elaborimin e veprimeve konkrete të secilit prej të akuzuarve që janë të pranishëm në gjykim.

    Nis seanca për rastin Banjska, sot jepen fjalët përfundimtare
    (Përditësuar: 09:56)Ka nisur seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, ku do të jepet fjala përfundimtare e palëve. Për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit akuzohen Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq,.

    Në këtë rast, Kryetari i Trupit Gjykyes, Ngadhnjim Arrni, anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli, derisa prokuror është Naim Abazi. Përfaqësues të palës së dëmtuar avokatët Naim Rudari, Arianit Koci dhe Besjana Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e 18 marsit, akuzuari Dushan Maksimoviq ka pohuar se numri i Milan Radoiçiqit iu gjet në telefonin e tij.

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

    Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

    Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.

    Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësi

  • Krisma dhe dëmtim i veturës nga armët e gjuetisë në Prishtinë, polici gjen gëzhojat

    Krisma dhe dëmtim i veturës nga armët e gjuetisë në Prishtinë, polici gjen gëzhojat

    Një grua në Prishtinë ka njoftuar policinë për dëmtimin e veturës së saj, pasi ka vërejtur se xhami ishte shkatërruar nga dy predha të armës së gjuetisë.

    Sipas raportit policor, ankuesja kishte dëgjuar krisma nga arma, ndërsa dyshohet për dëmtime edhe në derën e ballkonit të shtëpisë së saj nga të njëjtat predha.

    Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka gjetur dy gëzhoja të armës së gjuetisë afër veturës së dëmtuar, të cilat janë sekuestruar si prova.

    “Rr. Taib Zeka, Prishtinë 10.04.2026 – 14:00. Ankuesja femër kosovare, ka informuar se ditë më parë kishte dëgjuar krisma nga arma e zjarrit, ndërsa më 14.04.2026 kishte vërejtur se xhami i veturës i është dëmtuar nga dy predha të armës së gjuetisë dhe dera e ballkonit dyshohet se është dëmtuar nga predha të njëjta. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja afër veturës. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Caktohen çmimet tavan për sot: Nafta 1.76, benzina 1.44 dhe gasi 0.89 euro për litër

    Caktohen çmimet tavan për sot: Nafta 1.76, benzina 1.44 dhe gasi 0.89 euro për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) ka bërë të ditur çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të jenë në fuqi për datën 15 prill 2026.

    Nafta sot do të shitet me çmimin 1.76 centë sipas vendimit të publikuar nga MINT, 2 centë më lirë sesa ditën e djeshme.

    Në vendimin e publikuar, çmimi maksimal i lejuar për benzinë është 1.44 centë, kurse për gazin 89 centë.