ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu pret Palatovën, pranon raportet e BE-së për zgjedhjet 2025 dhe premton adresimin e rekomandimeve

    Haxhiu pret Palatovën, pranon raportet e BE-së për zgjedhjet 2025 dhe premton adresimin e rekomandimeve

    U. D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, nga e cila ka pranuar raportin e Misionit të Ekspertëve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si dhe raportin vlerësues për zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor të po atij viti.

    Gjatë takimit u tha se këto procese zgjedhore dëshmojnë pjekurinë demokratike të Kosovës, ndërsa Haxhiu theksoi se gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura në raport do të shqyrtohen me kujdes dhe do të adresohen me përgjegjësi.

    “Sot prita në takim Shefen në Detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova. Gjatë takimit, ajo dorëzoi raportin e Misionit të Ekspertëve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si dhe raportin lidhur me misionin vlerësues për zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor 2025”.

    “U pajtuam që këto procese zgjedhore ishin dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës. E sigurova znj. Eva Palatova se gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura në raportet vlerësuese do të shqyrtohen me kujdes dhe do të adresohen me përgjegjësi, në funksion të forcimit të mëtejmë të proceseve zgjedhore në Kosovë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj standardeve demokratike, sundimit të ligjit dhe rrugës së saj evropiane”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Kurti arrin në Kuvend për takim me Abdixhikun

    Kurti arrin në Kuvend për takim me Abdixhikun

    Kryeministri Albin Kurti, ka arritur në Kuvend për t’u takuar me kreun e LDK-së Lumir Abidixhikun.

    Temë kryesore e këtij takimi do të jetë zgjedhja e Presidentit.

    “Njëherë flasim dhe diskutojmë në takim, pastaj diskutojmë për rezultatet”, tha Kurti para takimit.

    Ky është takimi i katërt mes tyre për këtë çështje, pasi dy liderët u takuan edhe më parë por pa rezultat.

    Ndërkohë, Kosova ka hyrë në 8- ditëshin e fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa 28 prilli është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

  • Inspektorati i Tregut konfiskon produkte jashtë standardeve, përfshirë mbi 900 lodra për fëmijë

    Inspektorati i Tregut konfiskon produkte jashtë standardeve, përfshirë mbi 900 lodra për fëmijë

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se me fillimin e stinës së pranverës, ka intensifikuar aktivitetet e mbikëqyrjes së tregut me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që qarkullojnë në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

    Sipas njoftimit zyrtar, fokusi i kësaj mbikëqyrjeje të shtuar ka qenë veçanërisht tek produktet e makinerisë, pajisjet personale mbrojtëse, lodrat për fëmijë, si dhe produkte të tjera të cilat, për nga natyra e përdorimit, paraqesin rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve.

    Si rezultat i inspektimeve të realizuara në terren, inspektorët e tregut të IQMT-së kanë identifikuar dhe larguar nga tregu një numër produktesh të pasigurta për përdorim.

    Këto produkte janë sekuestruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të mos prezantimit të dokumentacionit teknik përkatës dhe tejkalimit të skadimit të afatit.

    Produktet e sekuestruara janë si në vijim:

    -Makinë shpimi (trapan) – 13 copë;

    -Gërryese këndore – 5 copë;

    -Disqe për prerjen e hekurit dhe betonit – 426 copë;

    -Jelek sinjalizues – 251 copë;

    -Helmeta (kapela pune) – 114 copë;

    -Maska saldimi – 176 copë;

    -Ngjyra dhe llaqe – 11 copë;

    -Lodra për fëmijë – 931 copë.

    “IQMT mbetet e përkushtuar në garantimin e një tregu të sigurt dhe në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke u bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë standardet dhe kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve”.

  • Gruda i ashpër me Kurtin: Për keqardhje – me 51% po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, për inate personale

    Gruda i ashpër me Kurtin: Për keqardhje – me 51% po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, për inate personale

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar ashpër kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të tij sot për çështjen e presidentit.

    Gruda thotë se po të mos donte zgjedhje Kurti, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte sipas tij, as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë.

    “Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje.”

    Tashmë teksa afati po skadon, deputeti shprehet se deklaratat e tij më s’kanë peshë, sepse tash flasin veprimet e tij, që i quan destruktive.

    “Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.”

    Madje, sipas Grudës, është për keqardhje se si Kurti po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja për inate personale.

    “Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!”

  • Mediumi serb: BE do të ngrijë 1.5 miliard euro fonde të destinuara për Serbinë

    Mediumi serb: BE do të ngrijë 1.5 miliard euro fonde të destinuara për Serbinë

    BE-ja do të ngrijë paratë e destinuara për Serbinë, sepse vendi po bën hapa prapa në reformat pro-evropiane, mëson mediumi serb N1.

    Sipas mediumit në fjalë, kjo do të njoftohet zyrtarisht nga Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, në takimin e sotëm të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

    Kështu, Serbia mbetet pa 1.5 miliardë euro nga i ashtuquajturi “Plan i Rritjes” për shkak të reformave të diskutueshme gjyqësore.

    Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret pasi Komisioni i Venedikut të shpallë mendimin e tij mbi të ashtuquajturat “Ligjet e Mrdiqit”.

    Kos tashmë ka vlerësuar se me miratimin dhe zbatimin e këtyre ligjeve, Serbia po bën hapa prapa në rrugën e BE-së dhe ka kërkuar që zbatimi i tyre të pezullohet ligjërisht.

    Për më tepër, thekson mediumi serb, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me mundësinë e privimit nga më shumë se 700 milionë euro.

    Siç mëson N1, i gjithë Ballkani humbet mundësinë për të marrë ato para, nëse nuk arrin të përmbushë detyrat e reformës deri më 30 qershor.

    Këto janë reforma që duhej të zbatoheshin deri në fund të qershorit të vitit të kaluar, por ky afat është shtyrë ndërkohë, shton mediumi serb.

    “Kos do të paralajmërojë për këtë mundësi në takimin e sotëm të AFET-it, në mënyrë që vendet të kuptojnë se koha po mbaron”, shkruan ky medium.

  • Tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë në Japoni

    Tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë në Japoni

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi zonën detare pranë prefekturës Iwate në Japoni, duke shkaktuar menjëherë lëshimin e një paralajmërimi për cunami për pjesën më të madhe të bregdetit verilindor të vendit.

    Transmetuesi publik japonez NHK ka publikuar një hartë të zonave për të cilat autoritetet kanë lëshuar paralajmërime.

    Sipas lajmeve të NHK, njerëzve u është thënë të evakuohen menjëherë dhe një cunami është parë tashmë duke u drejtuar drejt bregdetit.

  • Asambleja Parlamentare në KiE, sot debatohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

    Asambleja Parlamentare në KiE, sot debatohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

    Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përfaqësuar nga Ardian Gola dhe Emilija Rexhepi, po merr pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po mbahet nga sot deri më 24 prill në Strasburg.

    Gjatë qëndrimit në Strasburg, ata do të marrin pjesë në punimet e sesioneve, mbledhjet e komiteteve dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të APKE-së.

    Bëhet e ditur se sot, në kuadër të sesionit, pritet të zhvillohet edhe debati për raportin mbi vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    “Ky raport është përgatitur nga delegacioni vëzhgues i APKE-së, i cili ka zhvilluar dy misione vëzhguese, një gjatë ditës së zgjedhjeve, më 28 dhjetor 2025 dhe një mision pas zgjedhor, të realizuar të premten e javës së kaluar, me 17 prill 2026”, thuhet në njoftim.

    Në këtë debat, krahas folësve të tjerë, pritet që edhe nënkryetari Gola t’u drejtohet anëtarëve të asamblesë, duke paraqitur vlerësimet për procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.

  • Kërkesa e PDK-së për ftesë zyrtare, Kusari-Lila: Nëse është e nevojshme ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim

    Kërkesa e PDK-së për ftesë zyrtare, Kusari-Lila: Nëse është e nevojshme ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur edhe për kërkesën e PDK-së, e cila ka kërkuar letër zyrtare për takim, sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.

    “Unë uroj që të ketë një qasje pozitive, megjithatë deri më tani kemi parë përpjekje të vazhdueshme vetëm nga njëra anë për të bërë zgjidhjen për emrin e presidentit apo presidentes. Po e ritheksoj që deri më tani ka pasur vetëm iniciativë apo nisë apo ftesë nga kryeministri Kurti, ndërsa Partia Demokratike me aq sa kemi dëgjuar të gjithë bashkë përmes opinionit publik është se pret një ofertë me shkrim”, tha ajo.

    Ministrja theksoi se, nëse është e nevojshme, ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim, por sipas saj, thelbësore mbetet diskutimi për parimet dhe emrat konkretë, raporton Ekonomia Online.

    “Nëse ftesa duhet shkuar me shkrim, ndoshta edhe mund të bëhet, përkundër se duhet prapë të ulet e të diskutohet mbi parimin e zgjedhjes dhe emra konkretë të cilët edhe Partia Demokratike e Kosovës mund t’i propozojë për president të vendit. Për shkak se tashmë jemi në etapën finale që duhet të zgjidhet titullari i institucionit më të lartë në vend para se të ndodhë ajo që nuk e duam, që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ajo.

  • Kina dënon ndalimin me forcë të një anijeje iraniane nga ShBA-ja

    Kina dënon ndalimin me forcë të një anijeje iraniane nga ShBA-ja

    Kina ka shprehur shqetësim për ndalimin me forcë të një anijeje transportuese me flamur iranian nga Shtetet e Bashkuara dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit me përgjegjësi, raportoi Reuters.

    “Situata në Ngushticën e Hormuzit është e ndjeshme dhe e ndërlikuar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.

    Ai theksoi se palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim dhe të krijojnë kushtet e nevojshme që lëvizja normale e anijeve në këtë zonë të rifillojë.

    Më herët, SHBA njoftoi se ka qëlluar dhe ka ndaluar një anije iraniane që po përpiqej të kalonte bllokadën ndaj porteve iraniane. Nga ana tjetër, ushtria e Iranit tha se anija po vinte nga Kina dhe paralajmëroi hakmarrje, duke e quajtur veprimin e SHBA-së “pirateri të armatosur”.

  • Zelanda e Re shpall gjendje të jashtëzakonshme në Wellington për shkak të përmbytjeve

    Zelanda e Re shpall gjendje të jashtëzakonshme në Wellington për shkak të përmbytjeve

    Zelanda e Re ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin e saj, Wellington, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet e menjëhershme përmbytën Ishullin Verior të vendit.

    Pamjet në internet tregojnë automjete të zhytura, pemë të shkulura dhe shtëpi të goditura nga rrëshqitjet e dheut. Wellington mori një rekord prej 77 mm (3 inç) shiu në më pak se një orë të hënën, tha kryebashkiaku Andrew Little.

    Autoritetet lokale i këshilluan banorët të ruheshin, me parashikime shiu për ditën e gjysmë të ardhshme. Disa fluturime në Aeroportin e Wellingtonit janë anuluar dhe disa shkolla kanë mbyllur kampuset e tyre.

    Më shumë se një duzinë personash janë evakuuar, ndërsa një burrë 60-vjeçar në periferinë Karori është raportuar i zhdukur. Deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë.

    Kjo seri përmbytjesh të menjëhershme vjen më pak se një javë pasi Cikloni Vaianu përfshiu Ishullin e Veriut fundjavën e kaluar.

    Hulumtimet gjatë viteve kanë treguar se ndryshimet klimatike i kanë bërë ngjarjet ekstreme të motit, përfshirë përmbytjet, më të zakonshme dhe më intensive në të gjithë botën.

    Zyra e menaxhimit të emergjencave për rajonin e Wellingtonit u ka këshilluar banorëve të ndërpresin ose vonojnë të gjitha udhëtimet jo thelbësore, dhe ata që banojnë në zona të ulëta ose të prirura ndaj përmbytjeve të marrin në konsideratë zhvendosjen tek miqtë dhe familjet e tyre për të paktën 24 orët e ardhshme.

    Misioni i Qytetit të Wellingtonit është ngritur për ata që kanë nevojë për strehim, shtoi zyra.