ATV

Category: Lajme

  • Fillon restaurimi i Xhamisë së vjetër të Orllanit e cila u shkatërrua gjatë viteve të ’90-ta

    Fillon restaurimi i Xhamisë së vjetër të Orllanit e cila u shkatërrua gjatë viteve të ’90-ta

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ka njoftuar se sot kanë nisur punimet për restaurimin e Xhamisë së Vjetër të Orllanit, një nga objektet me vlera historike dhe kulturore në Komunën e Podujevës.

    Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishte e pranishme ministrja Saranda Bogujevci me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

    “Xhamia e Vjetër e Orllanit është ndërtuar fillimisht në shekullin XVIII, ndërsa struktura ekzistuese daton nga vitet ’60. Ajo u dogj tërësisht gjatë luftës së fundit në vitin 1999 dhe mbeti për vite në gjendje të rënduar”, u tha në njoftimin e Ministrisë.

    Sipas njoftimit, projekti për restaurimin e kësaj xhamie do të jetë me vlerën rreth 500 mijë euro.

  • Të shtunën, seancë e jashtëzakonshme – në rend dite plotësimi i ligjit mbi ndarjet buxhetore

    Të shtunën, seancë e jashtëzakonshme – në rend dite plotësimi i ligjit mbi ndarjet buxhetore

    Kuvendi i Kosovës nuk po do të pushojë edhe për fundjavë.

    Në një njoftim për media nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, bëhet me dije se të shtunën, nga ora 12:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare.

    Në rend dite janë 5 pika, si në vijim:

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,Mocion për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet nga Rregullorja e Kuvendit.

  • Certifikohen 12 zyrtarë policorë, përfunduan trajnimin për dronë dhe antidronë – Policia jep detaje

    Certifikohen 12 zyrtarë policorë, përfunduan trajnimin për dronë dhe antidronë – Policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se, disa zyrtarë policorë nga Njësiti për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për ngritje të kapaciteteve.

    Në njoftimin e PK’së, njoftohet edhe se, trajnimi është zhvilluar gjatë periudhës mars – prill, në kohëzgjatje prej dy javësh dhe është organizuar në dy faza, ku faza e parë, e mbajtur nga 23 deri më 27 mars, ka shërbyer si fazë përgatitore, duke u fokusuar në aspektin akademik dhe zhvillimin e kurrikulës për instruktorët e rinj. Ndërkaq, faza e dytë, e realizuar nga 13 deri më 24 prill, ka përfshirë trajnimin e trajnerëve (TiT) si dhe njëkohësisht trajnimin bazik për kandidatët e rinj, përcjell Gazeta Express.

    ‘’ Trajnimi është mbajtur në Kampin e Njësive Speciale “Vrella”, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës dhe është realizuar në përputhje me agjendën e paraparë dhe objektivat e përcaktuara’’, thuhet mes tjerash.

    Postimi:

    Zyrtarët policorë nga Njësiti për Dronë dhe Antidronë përfunduan me sukses trajnimin për ngritje të kapaciteteve

    Zyrtarë policorë të Njësisë për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për trajnerë (TiT) për përdorimin e dronëve, i cili është realizuar në kuadër të mbështetjes nga Projekti HAPE, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të Njësisë për Dron dhe Antidronë.

    Trajnimi është zhvilluar gjatë periudhës mars – prill, në kohëzgjatje prej dy (2) javësh dhe është organizuar në dy faza. Faza e parë, e mbajtur nga 23 deri më 27 mars, ka shërbyer si fazë përgatitore, duke u fokusuar në aspektin akademik dhe zhvillimin e kurrikulës për instruktorët e rinj. Ndërkaq, faza e dytë, e realizuar nga 13 deri më 24 prill, ka përfshirë trajnimin e trajnerëve (TiT) si dhe njëkohësisht trajnimin bazik për kandidatët e rinj.

    Në kuadër të këtij aktiviteti, janë certifikuar gjithsej dymbëdhjetë (12) pjesëmarrës, përkatësisht:

    gjashtë (6) pjesëmarrës (pesë zyrtarë policorë dhe një zyrtar doganor) kanë përfunduar me sukses trajnimin e trajnerëve (TiT), duke fituar kompetencat e nevojshme për të zhvilluar trajnime të mëtejshme brenda institucioneve përkatëse;gjashtë (6) zyrtarë policorë kanë përfunduar trajnimin bazik për përdorimin e dronëve.

    Trajnimi është mbajtur në Kampin e Njësive Speciale “Vrella”, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës dhe është realizuar në përputhje me agjendën e paraparë dhe objektivat e përcaktuara.

    Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të brendshme trajnuese dhe garanton qëndrueshmëri në zhvillimin e mëtejmë të aftësive profesionale në fushën e përdorimit të dronëve, si në Policinë e Kosovës ashtu edhe në Doganat e Kosovës.

    Shfrytëzojmë rastin të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë për instruktorët francezë për profesionalizmin dhe kontributin e tyre gjatë realizimit të këtij trajnimi, si dhe për Projektin HAPE për mbështetjen dhe mundësinë e ofruar në zhvillimin e këtyre kapaciteteve.

  • Gazetari Pozhari tha se Jehona Lushaku shiti një banese 9 milionë euro, reagon ashpër deputetja: Ishte gabim teknik

    Gazetari Pozhari tha se Jehona Lushaku shiti një banese 9 milionë euro, reagon ashpër deputetja: Ishte gabim teknik

    Jehona Lushaku-Sadriu, deputete dhe shefe e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar ndaj Xhevdet Pozharit pasi që ky i fundit tha se, deputetja e ka shitur një banesë 9 milionë euro.

    Lushaku-Sadriu, në postimin e saj, e ka cilësuar ‘’shpifje’’ deklarimin e Pozharit, duke thënë se ky i fundit është ‘’propagandues’’.

    ‘’ Ky propagandues, që sot shpif mbi gabime teknike (për të cilën Agjencia Kundër Korrupsionit është njoftuar) bëhet me qëllim dhe vetëdije të plotë.’’, ka thënë ajo mes tjerash.

    Postimi:

    Paska shpifur sërish propaganduesi i Vetëvendosjes, Xhevdet Pozhari duke u munduar që me gënjeshtra të mbulojë pamundësinë që ta rehatoj gruan e tij në Gjykatën Kushtetuese.

    Të dashur qytetarë,

    Në deklarimin tim të pasurisë kam deklaruar një transfer nga shitja e banesës që e kemi pasur si familje në Qerret në vlerë prej 94 mijë eurosh, e jo 9 milionë siç po mashtron qëllimshëm dhe me vetëdije propaganduesi Pozhari.

    Në gazetar profesionist do të konfirmonte informacionin dhe hiq pa konfirmim, do të ia merrte mendja që një banesë nuk ka mundësi me kushtu 9 milionë!

    Ky propagandues, që sot shpif mbi gabime teknike (për të cilën Agjencia Kundër Korrupsionit është njoftuar) bëhet me qëllim dhe vetëdije të plotë.

    Mjerë vendi kur njerëz të tillë, me qëllim të pastër propagandistik, ndërtojnë narrativa mbi pavërtetësi, vetëm për të larguar vëmendjen nga realiteti me të cilin përballen qytetarët çdo ditë.

  • Oficeri i FSK-së shkëlqen në trajnimin elitar britanik, nderohet me mirënjohje

    Oficeri i FSK-së shkëlqen në trajnimin elitar britanik, nderohet me mirënjohje

    Një oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtria Britanike.

    Bëhet fjalë për nëntogerin Endi Sherifi, i cili ka përmbyllur kursin PCBC (Platoon Commander Battle Course), të mbajtur në Brecon, Uells, në Mbretëria e Bashkuar.

    Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë këtij kursi intensiv, oficeri kosovar ka treguar nivel të lartë përkushtimi dhe profesionalizmi.

    “ Gjatë këtij kursi intensiv, ai ka demonstruar përkushtim të lartë, profesionalizëm dhe aftësi të shkëlqyera udhëheqëse”, thuhet në njoftim.

    Për performancën e tij, Sherifi është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga komandanti i Shkollës së Këmbësorisë, çmim që iu dorëzua nga Carl Boswell, Shef i Shtabit të Forcave Tokësore.

    “Si rezultat i performancës së tij, Nëntoger Sherifi është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë”, thekson më tej njoftimi.

    FSK-ja ka shprehur krenari për arritjet e pjesëtarëve të saj në arenën ndërkombëtare.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është krenare për arritjet e pjesëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vendin dhe të ngritin standardet profesionale të forcës sonë”, thuhet në njoftim.

  • Kuvendi zgjedh anëtarët e KPM-së

    Kuvendi zgjedh anëtarët e KPM-së

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

    Drita Morina, Besnik Berisha, Luljeta Krasniqi-Aliu dhe Hysni Mustafa janë anëtarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

    Ndërkaq, nga komunitetet jo shumicë, janë zgjedhur Suada Gjokoviq dhe Serpin Emrushi.

  • 5-ditëshi i fundit për Presidentin, Kurti i drejtohet popullit: Opozita nuk propozoi emra, nga zgjedhjet e qershorit na duhen 80 deputetë

    5-ditëshi i fundit për Presidentin, Kurti i drejtohet popullit: Opozita nuk propozoi emra, nga zgjedhjet e qershorit na duhen 80 deputetë

    Kryeministri i Albin Kurti pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pesë ditë para skadimit të afatit të dhënë nga Kushtetuesja, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një video, ku kritikoi opozitën për refuzimin e ofertave të tij dhe mos ofrim të alternativave.

    Ai tha se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë në zgjedhje dhe se ky vullnet duhet të respektohet nga të gjitha subjektet politike.

    “Pas 10 muajsh bllokadë gjatë vitit 2025, në zgjedhjet e 28 dhjetorit populli i Kosovës foli më qartë se asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës”, u shpreh Kurti.

    Kurti kritikoi partitë opozitare për mosgatitshmëri dhe theksoi se ato e kanë detyrim të veprojnë në përputhje me këtë rezultat.

    “Është obligim i secilit subjekt politik e lider partie të sillet në përputhje me atë vullnet të shprehur”, deklaroi ai.

    Kurti tha se zgjedhjet e reja do të sillnin kosto financiare dhe institucionale për vendin dhe nuk do të ndryshonin situatën politike në mënyrë thelbësore.

    “Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro”, tha ai, duke shtuar se do të kishte edhe humbje të tjera financiare për shkak të mosfunksionimit institucional.

    Ai theksoi se çështja kryesore mbetet sigurimi i kuorumit për zgjedhjen e Presidentit.

    “Meqë problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa oferta për bashkëpunim me partitë opozitare, por ato nuk janë pranuar.

    “Kam bërë ftesa të vazhdueshme për partitë opozitare dhe kam ofruar alternativa për zgjidhje. Deri tani pa sukses”, tha ai.

    Ai përmendi gjithashtu propozime për bashkëpunim me Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat, sipas tij, janë refuzuar.

    Kurti theksoi se rezultati zgjedhor duhet të jetë baza e demokracisë dhe vendimmarrjes.

    “Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje që e anashkalojnë atë”, u shpreh ai.

    Në fund, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen.

    “Ju faleminderit për mbështetjen e vëmendjen. Dhe, mirupafshim”, përfundoi Kurti.

  • Roli i ri i Gjirit Persik në rendin e ri monetar

    Roli i ri i Gjirit Persik në rendin e ri monetar

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Shumë shkruajnë se sot Ngushtica e Hormuzit po transformohet nga “një fushë luftimi”, në një “urë monetare të tregtisë” botërore. Për dekada me radhë, Ngushtica e Hormuzit ka shërbyer si “termometri” më i ndjeshëm i tensionit global. Ky rrip i ngushtë uji, që lidh Gjirin Persik me Detin e Omanit, nuk është thjesht një korridor gjeografik, ai është arteria kryesore e ekonomisë botërore. Përmes saj kalon çdo ditë rreth një e pesta e konsumit global të naftës dhe një pjesë masive e gazit të lëngshëm natyror (LNG). Megjithatë, për një kohë të gjatë, ky rajon është cilësuar si “gryka e shishes së tregut energjetik”, një pikë bllokimi strategjike ku kërcënimet e Iranit për mbyllje dhe prania masive e Flotës së Pestë amerikane krijonin një ekuilibër të brishtë të bazuar mbi frikën.

    Sot, në vitin 2026, me përpjekjen për vendosjen e një armëpushimi historik midis Iranit dhe SHBA-së, kjo narrativë po ndryshon rrënjësisht. Normalizimi i marrëdhënieve nuk do të sjellë vetëm heshtjen e armëve, por po rishkruan rregullat e tregtisë globale. Nga një zonë e militarizuar ku çdo lëvizje e pasigurt mund të çonte në rritjen e menjëhershme të çmimeve të naftës, Hormuzi po shndërrohet në një “urë tregtare” që mund të shërbejë si katalizator për një rend të ri financiar. Në këtë kontekst të ri, roli i petrodollari, sistemit ku nafta tregtohet ekskluzivisht në monedhën amerikane po vihet në pikëpyetje si asnjëherë më parë. Për gati gjysmë shekulli, petrodollari ishte produkt i pasigurisë në rajon. Vendet e Gjirit pranonin dollarin si këmbim për mbrojtjen ushtarake amerikane kundër kërcënimeve rajonale, kryesisht Iranit. Me zhdukjen e këtij kërcënimi përmes diplomacisë, “kontrata e sigurimit” që mbante gjallë hegjemoninë e dollarit, me konfliktin aktual ndoshta po lëkundet disi.

    Kur Ngushtica e Hormuzit pushon së qeni një zonë konflikti, ajo pushon së qeni edhe një monopol i interesave amerikane. Një Hormuz i hapur, i sigurt dhe i bashkërenduar mes fuqive rajonale (Iranit dhe Arabisë Saudite), u jep vendeve të Gjirit lirinë e paprecedentë për të eksploruar alternativa monetare. Nëse siguria e transportit të naftës nuk varet më ekskluzivisht nga patrullat amerikane, atëherë dhe pagesat për këtë naftë lënë shteg e pretendim për t’u bërë jo vetëm në dollar amerikan. Mos vallë ky tranzicion shënon fundin e epokës ku energjia përdorej si armë gjeopolitike dhe fillimin e një epoke ku ajo trajtohet si një aset thjesht ekonomik? Në këtë “urë të re” tregtare, Yuan-i kinez, Euro, apo edhe monedhat digjitale të bankave qendrore po fillojnë të qarkullojnë krahas dollarit. Pra, Normalizimi i Hormuzit nuk është vetëm një fitore për diplomacinë, por është hapi i parë drejt një bote multipolare, ku dollari duhet të konkurrojë në treg të hapur, e jo më si më parë. Sipas shumë analistëve, ky është momenti kur “fusha e luftës” po kthehet në portën e parë të një sistemi të ri financiar botëror.

    PETRODOLLARI – PAK HISTORI

    Në arkitekturën e ekonomisë globale të pas Luftës së Dytë Botërore, pak mekanizma kanë ushtruar ndikim kaq të thellë sa sistemi i njohur si “petrodollar”. I lindur në mënyrë joformale pas marrëveshjeve strategjike të viteve 1970 midis Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite. Por si dollari dhe nafta u bënë “binjakë siamezë” të pandashëm? Le të kthehemi pas, më konkretisht në vitin 1974, në një botë që po dridhej nga pasiguria ekonomike dhe fantazmat e Luftës së Ftohtë. Ishte një kohë kur SHBA-ja po përjetonte një nga krizat më të rënda të saj, sepse heqja e standardit të arit më 1971 e kishte lënë dollarin “të zhveshur”, ndërsa embargoja e naftës arabe e vitit 1973 i kishte boshatisur nga makinat rrugët e Amerikës, Japonisë dhe të Europës.

    Në këtë skenë kaosi, pasigurie dhe frike, lindi një nga marrëveshjet më gjeniale dhe më jetëgjata të historisë moderne. Në qershor të vitit 1974, Sekretari i sapoemëruar i Thesarit i SHBAsë, William Simon, u nis drejt Arabisë Saudite me një mision që dukej i pamundur. Ai nuk po shkonte thjesht për të blerë naftë, por për të shitur një ide. Uashingtoni kishte nevojë që dollari të mbetej monedha rezervë e botës, ndonëse nuk ishte më i lidhur me arin. Nga ana tjetër, Arabia Saudite ishte e tmerruar nga destabilizimi rajonal, kërcënimi sovjetik dhe mundësia e një pushtimi nga fqinjët. Marrëveshja që u arrit ishte e thjeshtë në dukje, por monumentale në efektet e saj ekonomike. Arabia Saudite do të shiste naftën e saj ekskluzivisht në dollarë amerikanë. Në këmbim, SHBA do të ofronte mbrojtje ushtarake të palëkundur për mbretërinë dhe pajisje luftarake të teknologjisë së lartë. Jo vetëm kaq, sepse kishte edhe një kusht tjetër “të padukshëm”. Sauditët do t’i riinvestonin fitimet e tyre të majme (tepricën e dollarëve) përsëri në SHBA, duke blerë Tituj të Thesarit (Treasury Bonds). Kjo marrëveshje krijoi një cikël të përjetshëm. Çdo vend në botë që donte të blinte naftë nga Arabia Saudite (e më vonë nga i gjithë OPEC-u, që ndoqi shembullin e saj), duhej fillimisht të blinte dollarë. Kjo krijoi një kërkesë të pafundme për monedhën amerikane. Edhe nëse ekonomia e SHBA-së kishte probleme, dollari mbetej i fortë sepse bota ishte “e etur” për energji dhe rruga drejt energjisë kalonte vetëm përmes dollarit. Ky ishte momenti kur dollari u bë “ari i zi” i ekonomisë moderne. Ai nuk mbështetej më në një metal të verdhë të groposur në Fort Knox, por në fluksin e vazhdueshëm të naftës që rridhte nëpër tubacionet e Lindjes së Mesme. Për SHBA-në, ky ishte “privilegji ekzorbitant” siç e quante Valery Giscard d’Estaing, sepse ajo mund të printonin para për të blerë naftë dhe pastaj ato para ktheheshin sërish në Uashington si investime në borxhin e tyre shtetëror.

    Ky sistem funksionoi si një sahat zviceran për 50 vjet. Por, në vitin 2026, narrativi po ndryshon. Kur flitet sot për armëpushimin me Iranin dhe normalizimin e Ngushticës së Hormuzit, a nuk do të thotë kjo edhe për goditjen e shtyllës kryesore të kësaj marrëveshjeje: Mbrojtjen Ushtarake? Nëse Arabia Saudite dhe fqinjët e saj nuk ndihen më të kërcënuar nga Irani dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen “ekskluzive” amerikane si në vitin 1974, ata nuk kanë më asnjë arsye ekzistenciale për të mbajtur naftën të lidhur vetëm me dollarin. Sot, kur Kina është blerësi më i madh i naftës saudite, pyetja që shtrohet në tryezat e Jeddah-ut nuk është më “si të mbrohemi”, por “pse të mos paguhemi në Yuan?”

    Binjakëzimi i vitit 1974 ishte një martesë interesi e lindur nga frika dhe nevoja për stabilitet. Sot, nëse Ngushtica e Hormuzit (pas raundeve të bisedimeve) kthehet në një urë paqeje dhe kjo martesë duket se po shkon drejt një divorci miqësor, ku nafta po fillon të “takohet” edhe me monedha të tjera, duke e cenuar epokën monolitike të petrodollarit.

    ANALIZA E AKTIT TË PAQES DHE DIVERSIFIKIMI I MONEDHËS

    Që nga viti 1974, roli i ushtrisë amerikane në Gji ka qenë ai i një “kompanie sigurimi” globale. Vendet e Gjirit (GÇ) pranonin dollarin si monedhë të vetme sepse vetëm SHBA-ja mund të garantonte që nafta e tyre do të kalonte e sigurt nëpër Hormuz, pavarësisht kërcënimeve iraniane. Një marrëveshje e pritshme me Iranin (përmbajtja përfundimtare e secilës ende nuk dihet) a do ta lëjë praninë masive ushtarake (si Flota e Pestë në Bahrein) njësoj si më parë apo do ta bëjë të duket e tepërt ose “jashtë mode”. Në se ndodh kjo e dyta dhe rreziku i bllokimit të ngushticës zhduket përmes diplomacisë, “çmimi” që vendet e Gjirit duhet të paguajnë (besnikëria ndaj dollarit) nuk ka më të njëjtën vlerë strategjike. Forcat e armatosura pushojnë së qeni mjeti i vetëm që mbron rrjedhën e parave. Nga Patrullimi Luftarak në Monitorim Multilateral. Deri dje, siguria e Hormuzit ishte një operacion i drejtuar nga SHBA-ja dhe çdo tension rriste vlerën e dollarit si monedhë duke e quajtur një “port i sigurt”. Me një armëpushim, (që mendohet të arrihet) pritet që siguria e kalimit detar të kalojë në duart e një koalicioni rajonal ku Irani dhe Arabia Saudite të bashkëpunojnë. Atëherë, pasoja është e qartë. Nëse siguria detare bëhet “multilaterale”, edhe monedha e transaksioneve do të shkojë drejt një rruge të tillë. Ushtria amerikane humbet rolin e saj si “portier” i vetëm i naftës, duke u hapur rrugën vendeve si Kina që të kërkojnë që blerjet e tyre të bëhen në Yuan, meqenëse rreziku ushtarak është minimizuar. Vendet e Gjirit kanë qenë blerësit më të mëdhenj të armatimeve amerikane, duke i paguar ato me petrodollarë. Ky ka qenë një cikël i mbyllur. Shesim naftë në dollar dhe blejmë armë amerikane me ato dollar dhe në këtë mënyrë sigurojmë mbretëritë tona. Prandaj dhe marrëveshja nuk është shumë e lehtë.

    Një paqe e qëndrueshme me Iranin ul nevojën për blerje emergjente të sistemeve raketore dhe avionëve të gjeneratës së fundit. Me më pak kontrata miliarda dollarëshe për mbrojtje, vendet e Gjirit do të kenë më pak nevojë të mbajnë rezerva masive në dollarë, duke i diversifikuar ato edhe drejt monedhave të tjera ose arit apo kriptomonedhave.

    Me heqjen e sanksioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve, Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane pushon së qeni “shkatërruesi i mundshëm” i petrodollarit përmes sabotimit. Në vend të kësaj, Irani integrohet në sistemin tregtar. Këtu duket paradoksi më i madh i kohës sonë. Duke sjellë paqe, SHBA-ja po “sakrifikon diçka” nga nevoja që bota ka për praninë e saj ushtarake në Gji. Pa këtë prani dominuese ushtarake, detyrimi për të përdorur dollarin si monedhë “rezerve” a do të shkrihet gradualisht? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është sa e vështirë aq dhe e paparashikueshme. Le të bëjmë disa hipoteza. A po shkojmë drejt një bote post-Petrodollar apo thjesht drejt një “bashkëjetese” monedhash?

    Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të imagjinojmë arkitekturën financiare globale jo si një godinë statike prej guri, por si një ekosistem që po pëson një ndryshim klimatik. Pyetja nëse po shkojmë drejt një bote “postpetrodollar” apo drejt një “bashkëjetese monedhash” nuk ka një përgjigje bardhë e zi, por një nuancë që po fillon të anojë disi drejt kësaj të dytës: fragmentarizimit të kontrolluar. Këndvështrimet kryesore mendoj se janë:

    RËNIA E MONOPOLIT, POR JO E MBRETIT

    Për pesë dekada, dollari nuk ishte thjesht një monedhë, ai ishte dhe vazhdon të jetë “gjuha amtare” e tregtisë botërore. Nëse do të blije naftë në Riad, makineri në Berlin apo grurë në Buenos Aires, duhej të kaloje përmes Uashingtonit. Ky monopol u ndërtua mbi dy shtylla dhe me konkretisht, besimi te stabiliteti amerikan dhe nevoja për siguri ushtarake në Gji. Sot, me normalizimin e pritshëm të marrëdhënieve IranSHBA dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit si një zonë paqeje, shtylla e dytë, ajo e sigurisë, po lëkundet. Kur frika nga një luftë rajonale zbehet, nevoja për të paguar “haraçin” e besnikërisë monetare ndaj dollarit fillon e zbehet bashkë me të. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dominimi i dollari, do të bjerë e do të zhduket. Ai po kalon nga statusi i një “diktatori absolut” në atë të një” kryeministri në një qeveri koalicioni”. Lindja e Bashkëjetesës nuk është gjë tjetër veçse ajo që ekspertët e quajnë “Multi-currency World”. Ajo që po ndodh nuk është “vdekja e dollarit”, por lindja në rritje e alternativave që deri dje ishin të paimagjinueshme. Imagjinoni një treg nafte ku Arabia Saudite pranon Yuan-in kinez për të paguar infrastrukturën e saj gjigante, Emiratet e Bashkuara Arabe përdorin Ruplin indian për tregtinë e ushqimeve, dhe Irani tregton gazin e tij me Europën përmes një mekanizmi në euro.

    Kjo është “bashkëjetesa”. Në këtë botë të re, dollari mbetet monedha më e lëngshme dhe më e besueshme për tregjet kapitale, por ai zbeh disi ekskluzivitetin mbi mallrat bazë (commodities). Ky proces quhet “de-dollarizim i skajeve”. Ndërsa qendra e sistemit mbetet e lidhur me dollarin për shkak të thellësisë së tregjeve financiare amerikane, “arteriet” që furnizojnë botën me energji po diversifikohen.

    PSE “POST-PETRODOLLARI” ËSHTË NJË TERM I FORTË?

    Termi “post-petrodollar” mund të jetë i saktë nëse me të nënkuptojmë fundin e epokës ku dollari ishte e vetmja rrugë për të blerë energji. Në vitin 2026, teknologjia blockchain dhe monedhat digjitale të bankave qendrore (CBDCs) po e bëjnë më të lehtë anashkalimin e sistemit SWIFT, i cili ka qenë “shkopi” me të cilin SHBA-ja ka zbatuar vullnetin e saj. Kur një anije niset nga Hormuzi, pagesa për ngarkesën e saj nuk ka më nevojë të kalojë përmes një banke korrespondente në Nju Jork për t’u konvertuar. Ajo mund të zgjidhet në sekonda përmes një kontrate inteligjente (smart contract) në një monedhë rajonale. Ky është ndryshimi epokal: teknologjia po vret nevojën për një ndërmjetës universal.

    RREZIKU I “FRAGMENTARIZIMIT”

    Megjithatë, bashkëjetesa sjell me vete edhe kaos. Një botë me shumë monedha është një botë me kosto më të larta transaksioni dhe me më shumë pasiguri kursesh. Për vendet e Gjirit, ky është një akt balancimi i rrezikshëm. Ata duan të mbajnë dollarin si rezervë vlere (për t’u mbrojtur nga inflacioni), por duan të përdorin monedha të tjera për tregti (për të kënaqur blerësit e tyre të mëdhenj si Kina dhe India vendet e BRICS etj.).

    Përfundimi: Një rend i ri “hibrid”

    A po hyjmë në një epokë hibride. Nuk do të ketë një ditë ku bota do të zgjohet dhe dollari do të jetë i pavlerë Harrojeni. Në vend të kësaj, ndoshta në terma afatgjatë, ne mund të shohim një zbehje graduale, ku dollari do të bashkëjetojë me Yuan-in, Euron dhe arin në një sistem ku asnjë fuqi e vetme nuk mund të “mbyllë rubinetin” e financave botërore!

    Normalizimi i Ngushticës së Hormuzit është goditja simbolike që shpall këtë fillim. Kur energjia rrjedh lirshëm dhe pa frikë ushtarake, monedha që e blen atë bëhet thjesht një mjet këmbimi, jo më një mjet dominimi. Bota post-petrodollar nuk është një botë pa dollarë, por një botë ku dollari është i pari mes të barabartëve, dhe ku Ngushtica e Hormuzi (në varësi të marrëveshjes që do të arrihet) nuk është më një pikë vëzhgimi amerikane, por një treg i lirë global. Përndryshe…?!

    Në këtë sfond, roli i BRICS merr rëndësi të veçantë. Përpjekjet e Kinës dhe Rusisë për të zhvilluar tregti energjetike në monedhat e tyre kombëtare nuk janë thjesht masa teknike, por pjesë e një projekti më të gjerë për një rend monetar multipolar. Edhe pse dollari mbetet dominues, këto zhvillime sinjalizojnë një përpjekje për të arritur një erozion gradual të monopolit të petrodollarit.

    Në përfundim, petrodollari mbetet një shtyllë qendrore e ekonomisë globale, por jo më e pakontestuar. Ai po hyn në një fazë tranzicioni, ku forcat e globalizimit, rivalitetet gjeopolitike dhe inovacionet financiare po ndërveprojnë për të riformësuar balancat ekzistuese. Pyetja thelbësore nuk është nëse petrodollari do të zhduket, por në çfarë mase dhe me çfarë ritmi ai do të përshtatet në një botë gjithnjë e më multipolare?

  • Ministri Sveçla: Drejtësia për Banjskën s’përfundon këtu

    Ministri Sveçla: Drejtësia për Banjskën s’përfundon këtu

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ku dy nga të akuzuarit janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vite burg.

    Përmes një postimi në Facebook, Sveçla e ka cilësuar këtë vendim si një moment të rëndësishëm për drejtësinë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se dënimet maksimale duhet të vlejnë për të gjithë të përfshirët në këtë rast, përfshirë edhe pjesëtarët e një rrjeti më të gjerë prej 45 personash të identifikuar.

    “Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”, tha ministri.

    Ai ka theksuar se përballimi i këtij sulmi nga Republika e Kosovës ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje, duke shtuar se faktet dhe provat dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.

    Sveçla ka bërë të ditur gjithashtu se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe se rendi kushtetues është mbrojtur.

    Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.

    Ministri ka theksuar se ky vendim nuk mund ta kthejë heroin Afrim Bunjaku, por përbën një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe qytetarët.

    “Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, ka shkruar Sveçla.

  • Deputetët serbë lëshojnë sallën pas vendimit për sulmin terrorist në Banjskë

    Deputetët serbë lëshojnë sallën pas vendimit për sulmin terrorist në Banjskë

    Deputetët serbë kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës, pasi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu mirëpriti dënimet për sulmin terrorist në Banjskë, dhe vendimi u duartrokit nga të gjithë deputetët.

    Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

    Pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet.

    Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.