ATV

Category: Lajme

  • Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës

    Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës

    Nga muaji shkurt kur është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin e dytë rreth dhunimit të 11-vjeçares, gjykimi nuk ka vazhduar, pasi mbrojtja ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës për hedhje të aktakuzës.

    Në këtë rast po akuzohen tetë persona.

    Por, Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 prill ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën e mbrojtjes.

    Në vendimin e siguruar nga televizioni, thuhet se Gjykata ka gjetur se aktakuza nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe bazohet në prova e në dëshminë e viktimës.

    “Gjykata nuk është e thirrur në këtë fazë të procedurës penale të bëjë vlerësim të plotë dhe të gjithanshëm të provave dhe të peshojë vetëm provuese të secilës provë veç e veç, siç kërkohet me rastin kur vendoset me aktgjykim. Gjykata gjen të rëndësishme të theksojë se aktakuza mbështetet në deklarimet e palës së dëmtuar, e dhënë në prokurori dhe polici, e cila përshkruan në detaje rastin, pastaj deklaratën e dëshmitarëve dhe provave materiale siç janë: raporti e ekzaminimit klinik mjekësor për të dëmtuarën, raportin e ekspertimit, agjencia e Kosovës për Forenzikë, raportin mbi vlerësimin psikologjik të të dëmtuarës etj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Megjithatë, më 23 prill, mbrojtja ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën e Apelit, por nga kjo gjykatë në një përgjigje me shkrim, ka thënë se lëndën nuk e ka pranuar ende për shqyrtim.

    Teksa kanë kritika për mosefikasitet në gjykimin e këtyre rasteve, monitorues të sistemit të drejtësisë, renditin disa arsye se pse është e rëndësishme që të trajtohen me prioritet.

    Është dashur që procedurat në këtë rast të zhvillohen me efikasitet më të madh se në rastet e tjera, për shkak që është një kategori e ndjeshme e viktimave, mirëpo në praktikë e kemi parë që nuk ka pasur efikasitet në gjykimin e këtyre rasteve”, tha Lavdim Makshana nga Instituti I Kosovës për Drejtësi.

    Për rastin i cili tronditi opinion publik, Departamenti për të Mitur i ka shpallur fajtorë në shkurt të këtij viti katër persona dhe i ka dënuar me gjithsej 40 vjet burgim, ndërsa njërin e ka liruar nga akuza në mungesë të provave.

    Por, Prokuroria pas zgjerimit të hetimeve ngriti aktakuzë edhe ndaj shtatë personave të tjerë, të cilët po mbahen në paraburgim.

    Sipas aktakuzës, vajza 11-vjeçare ishte dhunuar seksualisht për 7 orë në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.

    Në rastin e parë gjatë një muaji ishin caktuar katër seanca dhe gjykimi kishte marrë shpejt një epilog. /atvlive.tv

  • Kandidatët për asamble “që nuk e votuan as veten”

    Kandidatët për asamble “që nuk e votuan as veten”

    Në zgjedhjet e së dielës, garoi për një ulëse në asamblenë komunale të Leposaviqit.

    Po Dibran Behrami nuk mori asnjë votë, qoftë edhe ajo dhënë vetes, e cila do t’i mjaftonte ta fitonte një ulëse në kuvend komunal.

    Megjithatë, ai thotë e votoi veten, por mbase mund të ketë gabuar në fletëvotim.

    “Kom votu, po bon vakia edhe kom gabu, s’mu ka njeh vota, edhe prej gëzimi kështu, po çka me bo”, tha Behrami.

    Megjithatë, është i lumtur që së paku një anëtar i familjes së tij ka arritur të hyjë në asamble.

    Vëllai i Dibranit, Blerimi, i ka siguruar dy vota. Ai prapa kamerave thotë se përveç votës së tij ka marrë edhe besimin e gruas, e cila gjithashtu ishte kandidate, por nuk e mori asnjë votë.

    Por, janë dhe 4 kandidatë të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët në zgjedhjet e së dielës nuk e votuan as veten.

    Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve në këtë komunë, fitoi 15 ulëse në kuvend komunal, por tanimë, nuk ka se si t’i mbushë ato.

    Një praktikë e tillë, e pandodhur më herët, i ka zënë në befasi edhe një pjesë të organizatave që merren me monitorimin e qeverisjes lokale, saqë nuk kanë ndonjë koment nëse ulëset e mbetura bosh duhet të zëvendësohen.

    Megjithatë, njohës të qeverisjes lokale thonë se Kuvendi mund ta vazhdojë punën pasi që ka shumicën.

    “Nuk kemi praktikë të mëhershme kur kuvendet komunale kanë lënë vende vakante, por megjithatë pasi që kuvendi ta marrë vendimin për betimin e kuvendin, sigurisht që MAPL-ja do ta bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së procesit kështu, që besoj që në bazë të ligjit për qeverisje lokale, kuvendi është funksional”, tha Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

    Për një situatë të tillë kur subjekti politik nuk ka kandidatë sa ka ulëse, zgjidhje nuk parasheh as Ligji për Qeverisje Lokale. /atvlive.tv

  • 24 vjet nga masakra në meje të Gjakovës, përkujtohen 376 burrat që u masakruan nga forcat serbe

    24 vjet nga masakra në meje të Gjakovës, përkujtohen 376 burrat që u masakruan nga forcat serbe

    Janë përkujtuar 376 burrat të moshës 15 deri në 60 vjet, që u vranë e u masakruan nga forcat paramilitare serbe, në Meje të Gjakovës, 24 vjet më parë.
    Një pjesë e tyre ende nuk janë gjetur dhe mendohet se gjenden në varrezat masive në Serbi.

    Pranë memorialit në Meje, krerët e shtetit kërkuan drejtësi për viktimat.

    “24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë. Dje në mbledhjen e qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve”, tha kryeministri Albin Kurti.

    “Deri më tash ka pasur fare pak interesim edhe prej mekanizmave tanë shtetërorë të drejtësisë, por edhe prej mekanizmave ndërkombëtarë që drejtësia të vihet në vend për këta familjarë. Sepse që 24 vjet janë duke jetuar me tmerrin e ankthit prej mëngjesit deri në mbrëmje, 24 vite duke mos e ditur shumica prej tyre as fatin e më të dashurve të tyre”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Mejen sot e vizituan edhe krerë të partive opozitare.

    “Si çdo 27 prill, sa herë që vijmë këtu në Mejë, në lëndinën e dhembjes, por edhe në lëndinën e krenarisë, nuk ka se si të mos kujtojmë atë rrugëtim të rëndë dhe të vështirë të popullit tonë që dha dhe sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot. Si në çdo ditë tjetër, por në mënyrë të veçantë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve tanë, por të kombit tonë në përgjithësi, nuk ka se si të mos mendojmë që nuk është bërë mjaftueshëm”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

    “Sot me përulësi nderojmë memorialin për Mejen, ku pushojnë trupat, shpirtrat e shqiptarëve të pafajshëm. Gjithë këta janë vrarë, e vërtetë pa arsye dhe pa asnjë të drejtë, civilë janë ndarë nga familjet e tyre”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Më 27 prill 1999 forcat serbe pasi rrethuan disa fshatra të Gjakovës, grumbulluan meshkujt, të cilët i ekzekutuan brenda vetëm disa orëve. Disa prej trupave të të vrarëve u gjetën pas luftës në varreza të ndryshme masive në Kosovë. /atvlive.tv

  • Familjarët rrëfejnë për mungesën e të afërmeve të zhdukur gjatë luftës

    Familjarët rrëfejnë për mungesën e të afërmeve të zhdukur gjatë luftës

    Babanë e dajën nuk i ka takuar asnjëherë. Ata u zhdukën në Mitrovicë nga ana e forcave serbe, pak kohë para se Flaka Fazlia të lindte në vitin 1999.

    “Unë fatkeqësisht nuk kam arritur të krijoj kujtime me babin, për shkak se unë jam lindë në luftë dhe ai është zhdukë në atë periudhë. Por kam shumë kujtime të cilat m’i kanë tregu familjarët e mi, m’i ka tregu nëna ime, por edhe shokët e tij, pacientë të shumtë, të cilët unë kur i kam takuar nuk i kom njoftë fare”, rrëfen Fazlia.

    24-vjeçarja që tash është bërë juriste, thotë se mungesën e babait të saj, Fatmirit, i cili kishte shërbyer si mjek në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e ndjen në rastet më të veçanta në jetën e saj.

    “Është zhdukë në prill të vitit 1999, së bashku edhe me disa intelektualë të tjerë, që njihen si Intelektualët e Mitrovicës, ku ka pasë edhe mjekë të tjerë që janë zhdukur dhe prej asaj kohe nuk kemi asnjë të dhënë për fatin e tij. Vërehet mungesa e një prej shtyllave kryesore të jetës, ndërsa për një vajzë akoma më shumë, por që i tillë është fati dhe jemi munduar ta pranojmë atë, por siç e thashë duke mos u ndalur asnjëherë për të kërkuar drejtësi për njerëz, të cilët kanë qenë të drejtë”, tregon Fazlija.

    Sipas saj, fati i të pagjeturve duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës.

    1620 persona figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. /atvlive.tv

  • Gërvalla në tri gjuhë: Daçiqi është përgjegjës për krime lufte

    Gërvalla në tri gjuhë: Daçiqi është përgjegjës për krime lufte

    Fjalimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ministrja e Jashtme e Kosovës e kishte planifikuar ta mbajë në shqip, por një kërkesë e tillë iu mohua.

    “Daçiq foli me gjuhë të popullit të vet, e jo në gjuhën angleze, siç bëjnë të gjithë. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë”, tha Gërvalla.

    Por, kjo nuk e ndaloi kryediplomaten kosovare që në shqip ta akuzojë homologun serb për krime lufte.

    “Vuçiq ishte ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit, për ngjarjet në Kosovë dhe ai ende po vepron si ministër propagande. Edhe ky që foli para nesh, ka qenë dora e djathtë e Kasapit të Ballkanit që është përgjegjës për luftërat në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Gërvalla.

    Paraprakisht, në seancën qe u kryesua nga Rusia, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.

    Ai gjithashtu e beri të qartë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

    “Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë. Prishtina po e shmang qëllimshëm përmbushjen e këtij obligimi”, tha Daçiq.

    Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Megjithatë, raporti u kritikua nga ministrja e Jashtme e Kosovës.

    “UNMIK-u është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë”, theksoi Gërvalla.

    Në raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë u vlerësua se korniza e re e dialogut mund të prodhojë zgjidhje afatgjate.

    Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve. /atvlive.tv

  • Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, injoron ministrin Krasniqi

    Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, injoron ministrin Krasniqi

    Ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i emëruar nga ish-ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, ka injoruar ftesën për takim nga ministri aktual, Elbert Krasniqi.

    Gati një muaj pasi ATV-ja raportoi se Danijela Vujicic, deputete e partisë së Aleksandar Vucicit në parlamentin e Serbisë, është kryesuese e ekipit, ministri Krasniqi publikoi tri vendime të qeverive të kaluara për ndryshimet në përbërje.

    “Nga përbërja fillestare, vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues. Pika e gjashtë e vendimit të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën më 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, tha Krasniqi.

    Kryeministri Albin Kurti nuk tregoi nëse do ta ndryshojnë përbërjen e ekipit.

    “Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka ftuar në takim ekipin menaxhues, por ai nuk është përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë, e cila merret për së afërmi me këtë menaxhues për draft-statutin”, tha Kurti.
    Edhe pse Vujicic ishte emëruar në Qeverinë e tij, në një intervistë në CONTEXT në ATV, ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se ekipi nuk ka prodhuar asgjë atëkohë.

    “Unë nuk jam marrë me Asociacionin e komunave, as me status të Kishës Ortodokse. Qeveri pas qeverie në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, ministri i pushtetit lokal është dashur ta themelojë këtë ekip menaxhues. Nuk ka pasë asnjë zhvillim në këtë drejtim, sepse fokusi im si kryeministër ka qenë në marrëveshjen përfundimtare”, tha Hoti.

    Sipas marrëveshjes së vitit 2013, Ekipi Menaxhues i cili ka për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit, duhet të përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, më 2 Maj, në një intervistë në Sllovaki, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, tha se është e rëndësishme të fillojë puna për përcaktimin e statusit dhe kompetencave të Asociacionit. /atvlive.tv

  • Shefja e UNMIK-ut në Këshill të Sigurimit: Marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet

    Shefja e UNMIK-ut në Këshill të Sigurimit: Marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet

    Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi të arritur gjatë këtij viti.

    Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po mbahet seanca për Kosovën, Ziadeh tha se marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel dhe pajtueshmëria për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër duhet të reflektojnë me udhëheqje dhe veprime të guximshme që të normalizohen raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Pa një mekanizëm për bisedime të vazhdueshme situata mund të rëndohet akoma më shumë në Kosovë me pasoja edhe për stabilitetin në rajon. Prandaj një vëmendje dhe fokus i vazhdueshëm tek parimet e pohuar në mënyrë të përbashkët më 27 shkurt në Bruksel dhe të cilat janë shtjelluar më tutje më 18 mars në Ohër duhet të përputhen me veprime të guximshme lidershipi. Zotimet specifike janë bërë nga dy palët lidhur me rrugëtimin për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të ndërmerren hapa të menjëhershme për krijimin e vullnetit të mirë në teren, kjo është e rëndësishme që të shtohet besimi sa i përket normalizimit dhe përmirësimit të gjendjes në teren”, tha ajo, trasmeton KP.

    Duke raportuar në Këshillin e Sigurisë, ajo përmendi edhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, derisa tha se pret që në takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut më 2 maj në Bruksel të nënshkruhet deklarata për të pagjeturit dhe të fillohet diskutimi për formimin e Asociacionit.

    “Zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit prill kanë qenë të rregullta dhe të qeta. Në të njëjtën kohë duhet të trajtohen edhe çështjet e përfaqësimit si pjesë e një procesi më të gjerë politik, i cili është duke ndodhur. Liderët e zgjedhur dhe autoritete e tjera duhet të reflektojnë dhe përmbushin interesat e zgjedhësve. Me datën 2 maj zotimet e dy palëve në lidhje me personat e zhdukur ka potencial për rifillimin e bashkëpunimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për personat e zhdukur. Të dy palët duhet të japin mundësi për dhënien e përgjigjeve për më të dashurit e tyre. Përfaqësimi i ekipit menaxhues i hartimit të draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të qojë direkt tek konsideratat e drejta dhe të mirëfillta”, shtoi ajo.

    Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në seancën për Kosovën do të marrë fjalën edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.

  • Osmani nderohet me Çelësin e Qytetit të Tetovës

    Osmani nderohet me Çelësin e Qytetit të Tetovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka vizituar komunën e Tetovës, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune Bilall Kasami, i cili e ka nderuar Presidenten Osmani me Çelësin e Qytetit, çmim ky që u dha për herë të parë nga komuna e Tetovës.

    “E nderuar që vizitën në Tetovë ta filloj me Çelësin e Qytetit nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, një simbol i përkushtimit tonë të çdoditshëm për të qëndruar pranë bashkëkombasve tanë”, ka thënë Presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani ka vlerësuar rolin historik të Tetovës për shqiptarët gjithandej dhe ka falënderuar tetovarët që gjatë luftës në Kosovës, më 1998-1999 kanë hapur zemrat dhe dyert e tyre për t`i strehuar refugjatët kosovarë të dëbuar me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

    Në takim, ndër të tjera është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve nga të dy shtetet.

    “Tetova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, prandaj sot, së bashku me kryetarin Kasami, rikonfirmuam angazhimin tonë për kultivimin e mëtejshëm të raporteve tona të veçanta”, ka theksuar Presidentja Osmani.

  • Daçiq: Serbia nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së

    Daçiq: Serbia nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së

    Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq përkundër faktit që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për të mos penguar njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, transmeton kp.

    Daçiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kërkoi zbatimin e plotë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, duke thënë se ose duhet të pezullohet ose të respektohet.

    Ai foli edhe për zgjedhjet e organizuara në veri të Kosovës, duke thënë se ato nuk ishin demokratike dhe se serbët kanë bojkotuar ato.

    “Serbia nuk mund dhe kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së”, tha ai.

    Sipas tij, paraprakisht duhet që obligimet e marra para 10 viteve për themelimin e asociacionit, të përmbushen, në të kundërtën nuk do të ketë asnjë marrëveshje.

  • Gërvalla ia thotë në sy Daçiqit në OKB: Je përgjegjës për vrasje masive në Kosovë

    Gërvalla ia thotë në sy Daçiqit në OKB: Je përgjegjës për vrasje masive në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkoi që kryediplomati serb, Ivica Daçiq të sillet para drejtësisë ndërkombëtare.

    Ajo në tri gjuhë, në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe e akuzoi Daçiqin për krime lufte, vrasje masive dhe përdhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Ivica Daçiq tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë është përgjegjës për vrasje masive, dhunim si armë e luftës dhe krime lufte. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte…Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ishte dora e djathtë e kasapit të Ballkanit, Millosheviq.”, tha ajo, përcjell kp.

    Kryediplomatja kosovare, në fjalinë e parë porsa mori fjalën u ankua që nuk u lejua të flasë në gjuhën shqipe në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku po diskutohet raporti për Kosovën.

    Përkitazi me këtë ajo tha se raporti i UNMIKU-ut për Kosovën ka gabime të mëdha.

    Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Gërvalla u shpreh se kur Kosova nënshkruan diçka e mban fjalën, ndryshe nga Serbia që marrëveshjen i bën vetëm si farsë.

    Në anën tjetër, Gërvalla tha se Rusia si aleati më i afërt i Serbisë është kërcënim për Kosovën dhe rajonin.

    Mirëpo, ajo nënvizoi se Kosova nuk do të jetë kurrë më e pambrojtur.