ATV

Category: Lajme

  • Serbët ia vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit, nëna rrëfen tmerrin që ndodhi në Mejë

    Serbët ia vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit, nëna rrëfen tmerrin që ndodhi në Mejë

    Dielli ka ndriçuar përmendoren e djalit të saj të vrarë, teksa pa ndalim lëmon faqet e tij. Ajo po heq mallin e Samiut përmes fotografisë aty, të cilit ia këputen rininë në moshën 20-vjeçare. E moshuara nga fshati Brovinë, ka marrë ulësen me vete për të qëndruar me orë në afërsi, ku prehet trupi i më të dashurit të saj. Mezi iu bën bashkë edhe eshtrat, pas masakrës së Mejës ku të njëjtin fat e patën edhe 376 të tjerë.

    Mosha e mërzia nuk ia kanë shlyer kujtimet e tmerrshme të kësaj masakre.

    Nënë Tixhja nga fshati Brovinë e Gjakovës, jeton me dhimbjen për djalin e saj, të cilin ia morën nga jeta paramilitarët serbë.

    “I djalit tim është (varri) që ma kanë vrarë këtu në Mejë, sot 22-23 vjet. Ne kështu të mërzitura cdoherë. Çfarë të bëjmë…. Atëherë na qiten shkijet neve, këta i ndalen këtu, duart për mbrapa, e gjunjtë në tokë. Qaty i kemi lënë, nuk kemi guxuar me i ndal, sa atje i kemi dëgjuar krismat që i kanë vrarë aty. Tani na kanë mërthyer për Shqipëri, jemi shkuar për Prizren edhe atje patën me na vra shkijet, duke na i vendosur thikat në fyt, duke na kërkua pare, menzi jemi dalë në Shqipëri për Shqipëri”, tha ajo.

    Ajo shtoi se po e ka të vështirë të jetojë me këtë dhimbje, por për ta ndryshuar këtë nuk ka mundësi.

    “Vallahi po, vdekjen e djalit, të burrit, tre vëllezërve, qaty. Çka të bëjmë? Po u dashke me jetu, me qëndru, e tona me i bo”, shtoi ajo.

    Në 24 vjetorin e kësaj masakre, pranë shumë varreve në Mejë, janë kujtuar edhe prindërit që lanë fëmijët me dhimbje. Mire Ndreca tregon për KosovaPress, për nënën e saj të vrarë në 27 prillin e vitit 1999.

    “Se harrojmë kurrë, është ditë e paharrueshme kjo ditë. Vet të vjen merzia, kur t’i kujtojmë se si kanë shkuar. Na i kanë mbyt, na i kanë dërguar në Serbi dhe i kanë sjell pasi janë rivarrosur… Tmerr e kemi kaluar boll, nëpërmjet TV e radiove, pa e ditur, të gjithë duke ikur”, rrëfeu ajo për KosovaPress.

    Shteti serb nuk kurseu as të miturit. Ajshe Avdyli po kujton 16-vjeçarin, aso kohe, Bajrushin.

    “Nuk e bën as toka e as qielli sa zor është. Shumë vështirë, veç Zoti qysh e ka bërë… i kanë ndal të gjithë, neve edhe kunatin këtu në Mejë, në kolonë i kanë zhbërit prej traktorit i kanë mbledhur… As toka e as qielli nuk e bën këtë masakar çfarë është bërë në atë vend”, shtoi ajo.

    Ajshja tha se institucionet nuk kanë bërë asgjë në vendosjen e drejtësisë për të gjithë të vrarët.

    “Sen nuk kanë bërë, sen mbi këtë tokë nuk po bëjnë, për veti po bëjnë boll, tjetër kënd për kërkënd”, përfundoi ajo.

    24 vjet më parë, 377 shqiptarë janë vrarë nga paramilitarët serbë.

    Kosova ende nuk dinë për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

  • Komuna e Podujevës u jep bizneseve pushim për 1 Maj

    Komuna e Podujevës u jep bizneseve pushim për 1 Maj

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës më 1 maj, Komuna e Podujevës njoftoi se kjo është festë zyrtare dhe rrjedhimisht edhe ditë pushimi për bizneset.

    Megjithatë, ajo që bie në sy në njoftimin e kësaj komune është se përjashtim për këtë vendim kanë shumica e bizneseve, ndër to edhe gastronomia.

    Komuna tha se përjashtim nga ky njoftim kanë si vijon:

    – Bizneset e hotelerisë ”dhe gastronomisë̈;

    – Internet kafe, video lojëra dhe të ngjashme;

    – Pikat e shitjes së derivateve;

    – Barnatoret sipas kujdestarisë̈ në Zonat I, II dhe III;

    – Furrat e bukës;

    Ani se 1 Maji është ditë për të protestuar për të drejtat e punëtorëve, sipas këtij njoftimi, Komuna e Podujevës u ka dhënë leje numrit më të madh të punëtorëve që të punojnë edhe më 1 maj.

  • Gërvalla në Këshill të Sigurimit do të flasë për Marrëveshjen e Ohrit

    Gërvalla në Këshill të Sigurimit do të flasë për Marrëveshjen e Ohrit

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla do të përfaqësojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor nga sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres.

    Në mbledhjen e cila do të nisë nga ora 16:00 sipas kohës lokale në Kosovë, Gërvalla do të flas për të arriturat dhe sfidat e vendit, zhvillimet politike pas marrëveshjes së Ohrit.

    “Gjatë kësaj seance, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës, zhvillimet politike pas marrëveshjes së Ohrit, zhvillimet e suksesshme në arenën ndërkombëtare, sukseset në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit si dhe t’i njoftojë pjesëmarrësit në seancë për perspektivën e përgjithshme të vendit në vitet pasuese”, thuhet në njoftim i MPJD-së.

    Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të enjten, më 27 prill, duke nisur nga ora 16:00 sipas orës lokale në Kosovë.

  • Refuzohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj Stanishiqit, i dënuar për krime lufte

    Refuzohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj Stanishiqit, i dënuar për krime lufte

    Gjykata Supreme ka informuar sot se i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarit për krime lufte Goran Stanishiq, të të cilit Gjykata e Apelit ia kishte ulur dënimin nga 20 në 15 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.

    “Kolegji i Gjykatës Supreme i ka refuzuar si të pabazuara, kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të dënuarit për krime lufte G.S., dhe të Prokurorit të Shtetit, të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të dënuarit G.S. nga fshati S., komuna e L., me vendbanim në M., Republika e S., për shkak të veprës penale krimet e luftës kundër popullatës civile, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit dhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ushtruar nga Prokurori i Shtetit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special APS.nr.28/2022 datë 27.09.2022, në seancën e kolegjit të mbajtur më 16 shkurt 2023, i refuzoi si të pabazuara këto kërkesa.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore, rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, gjatë një sulmi sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në Sllovi dhe Tërbovc, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve tjera të kundërligjshme.

  • ​Mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare promovojnë turizmin në Prishtinë

    ​Mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare promovojnë turizmin në Prishtinë

    Në edicionin e 19-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit që është hapur sot në kryeqytet, po marrin pjesë mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare.

    Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, Daulina Osmani tha se përmes këtij panairi po promovohet pasuria natyrore e ujore që ka Kosova.

    Osmani u shpreh e lumtur që Kosova me kryeqytetin Prishtina dhe me shtatë komuna të tjera është edhe shtet kandidat për organizmin e lojërave mesdhetare 2030.

    “Kosova, mirëpo edhe i gjithë rajoni me pasuri të shumta natyrore e ujore ka hapësire jashtëzakonisht të madhe për promovimin e turizmit sportiv, mirëpo përtej kësaj Kosova nga viti në vit po shndërrohet në një lokacion adekuat, ku po mirëpret organizime të aktiviteteve të shumta e të mëdha ndërkombëtare sportive. Aktualisht Kosova me kryeqytetin Prishtina dhe me shtatë komuna të tjera është edhe shtet kandidat për organizmin e lojërave mesdhetare 2030, e cila padyshim se është një projekt që do të kërkojë mobilizim te të gjitha strukturave e sektorëve në mënyrë që të jemi të gatshëm të ofrojmë një organizim të suksesshëm në vitin 2030”, tha Osmani.

    Se panairet e tilla janë mundësi e mirë për promovimin e turizmit e tha edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.

    Bajraktari theksoi se Kosova është tregu më i rëndësishëm turistik për Ulqinin.

    “Vizitat tona të shpeshta në Kosovë, përfshirë edhe vizitën e fundit së bashku me kryeministrin, Abazoviq tregojnë qartësisht rëndësinë e tregut kosovar për turizmin e Ulqinit. Kosova është tregu më i rëndësishëm turistik për Ulqinin dhe se dëshirat dhe preferencat e turisteve nga Kosova janë ato që do ta determinojnë suksesin e sezonit turistik veror në Ulqin. Prandaj, pushteti lokal i Ulqinit po bënë përpjekje të forta që në Kosovë të prezantohet sa më denjësisht të ofrojë pushime dhe eksperienca unike për çdo qytetar të Kosovës”, tha Bajraktari.

    Kryetari i Komunitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi u shpreh i lumtur me organizimin e këtij panairi,

    Krasniqi tha se organizmi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën kanë ndikim edhe me benifitet multidimensionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pas parasysh fokusimin te turizmi që sporti ja sjell vendit tonë.

    “Është kënaqësi të jemi sërish në një ngjarje ku sporti dhe turizmi lidhin ngushtë njëra me tjetrën dhe jo rastësisht ky panair ka ndërlidhë këto dy arterie të rëndësishme. Sot Komuniteti Olimpik i Kosovës bashkë me nëntë federata sportive, të cilat kryesisht lidhen me turizmin dhe organizimin e garave ndërkombëtare janë duke paraqitur ofertat e tyre për të joshur sa më shumë bizneset, sportistet e dashamirë të sportit. Organizmi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën kanë ndikim edhe me benifitetet multidimensionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pas parasysh fokusimin te turizmi që sporti ja sjell vendit tonë”, tha Krasniqi.

    Edhe pjesëmarrësit tjerë konsiderojnë se panairet e tilla po ndihmojnë në promovimin e bizneseve të tyre.

    Një nga përfaqësueset e një hoteli në Komunën e Dragashit, Lena Piraj tha se ky panair është një shërbim shumë i mirë që të vetëdijesohen njerëzit që Komuna e Dragashit bënë shërbime të bukura, duke përfshire edhe Bjeshkët e Malit, traditat, vlerat që i ka trashëguar brez pas brezi.

    “Qëllimi ynë është që të përfaqësojmë turizmin, shërbimet tona kulturore dhe turistike që bëjmë ndaj të tjerëve. Një nga arsyet që jemi ardhur në këtë panair e shohim shumë në kuadrin tonë, është se jo çdokush është i vetëdijshëm për vlerat kulturore që shërben Komuna e Dragashit. Ky është një shërbim shumë i mirë që të vetëdijesohen njerëzit që Komuna e Dragashit bënë shërbime të bukura, duke përfshirë edhe Bjeshkët e Malit, traditat, vlerat që i ka trashëguar brez pas brezi”, tha Piraj.

    E për t’i prezantuar më të rejat nga ofertat turistike të Ulqinit në këtë panair, është ardhur edhe drejtori i organizatës turistike i Ulqinit, Qazim Hoxha.

    Hoxha tha se panairet e tilla janë mundësi e mirë që pjesëmarrësit t’i dëgjojnë risitë e Ulqinit.

    “Kjo është ajo që mundësitë që nuk i kanë dëgjuar t’i dëgjojnë risitë për çdo vit se çfarë ka ofertë të re Ulqini, me çmime, sigurime… Pra, panairet gjithmonë janë të mirëseardhura dhe ne si organizate turistike e Ulqinit i thirremi pozitivisht çdo ftese që vjen nga Kosova”, tha Hoxha.

    Qëllimi i këtij panairi vazhdon të jetë promovimi i turizmit vendor dhe rajonal duke shërbyer si udhëzues i pikave dhe atraksioneve turistike

    Panairi do të jetë i hapur edhe të premten në sallën “1 Tetori” në kryeqytet.

  • NLB Banka dhuron pajisje mjekësore në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Reumatologjisë

    NLB Banka dhuron pajisje mjekësore në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Reumatologjisë

    Për të mbështetur trajtimin shëndetësor të pacientëve, NLB Banka sot ka dhuruar dy pajisje mjekësore në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës – ShSKUK. Donacioni përfshin aparatin EEG që shërben për diagnostifikimin e fëmijëve me epilepsi në Klinikën e Pediatrisë dhe aparatin Kapilariskop që bën matjen dhe vlerësimin e rrjedhes së gjakut në enët e imta të organizmit në Klinikën e Reumatologjisë.

    Këto dy pajisje do të kenë ndikim të rëndësishëm në cilësinë e kujdesit që pacientët marrin në të dyja klinikat. Duke ofruar pajisje mjekësore të avancuara, mjekët mund të realizojnë diagnoza më të sakta që ndikojnë direkt në zbulimin dhe trajtimin më të hershëm të sëmundjeve.

    “Të gjithë jemi dëshmitar për gjendjen e sistemit e shëndetësor në vendin tonë si dhe kushtet e vështira të punës, prandaj kemi vendosur që të ndihmojmë komunitetin ku veprojmë, në mënyrë që të kontribuojmë sado pak në përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor”, tha Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Banka, z. Gazmend Kadriu. Ai u zotua se përkrahjet e tilla nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

    Në një fjalë rasti mbajtur para të pranishmëve, Dr. Violeta Grajçevci Uka dhe Dr. Avni Kryeziu falënderuan Bankën për donacionin e dhënë në këto dy klinika.

    “Jemi jashtëzakonisht falenderues që NLB Banka vazhdon mbështetjen e saj ndaj sistemit shëndetësor ndër vite. Këto pajisje kanë qenë të domosdoshme në diagnostifikimin e pacientëve dhe trajtimin e tyre brenda vendit.”

    Kontributi i Bankës do të vazhdoj edhe në të ardhmen në mbështetje të aktiviteteve dhe projekteve të rëndësishme që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.

  • Raporti i OKB-së: Kriza e nëntorit në veri, më e rënda në Kosovë që një dekadë

    Raporti i OKB-së: Kriza e nëntorit në veri, më e rënda në Kosovë që një dekadë

    ekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka përpiluar një raport mbi aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet të ndërlidhura me to, që nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023.

    Bazuar në këtë raport, kriza e nëntorit të vitit 2022 që u zhvillua pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, se do të fillojë shqiptimin e gjobave ndaj shoferëve që vozitin veturat e tyre me targa të jashtëligjshme, ishte më e rënda në Kosovë për më shumë se 10 vite.

    Në fund të vitit të kaluar, detyrat e Misionit në lidhje me Mbështetjen e Dialogut “iu transferuan Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”.

    Ky raport i është dorëzuar në përputhje me rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, me të cilën Këshilli themeloi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të raportojë në intervale të rregullta për zbatimin e mandatit të tij.

    Ky raport është i bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm mbi aktivitetet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë nga 16 shtatori 2022 deri më 15 mars 2023.

    “Gjatë periudhës raportuese gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është përkeqësuar; përkeqësimi filloi në fillim të nëntorit me dorëheqjen masive të pothuajse të gjithë serbëve të Kosovës nga policia, gjyqësori dhe administrata publike (përfshirë zyrtarët e zgjedhur) në katër komunat në veri të lumit Ibër dhe kulmoi në një përleshje të armatosur tre-javore me barrikada të ngritura në lokacione të shumta. Kjo ishte kriza më e rëndë e këtij lloji në Kosovë për më shumë se një dekadë”, vijon raporti.

    Gjithashtu, në raport potencohet se situata e shtyu Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë që të përforcojë përkohësisht njësinë e saj të rregullt policore “duke vendosur një njësi policore të formuar rezervë dhe të rrisë patrullimin e saj zbulues në veri të Kosovës në koordinim me homologët e Kosovës dhe Forcën e Kosovës”.

    “Kështu, Misioni e rriti dukshëm praninë dhe dukshmërinë në veri të Kosovës. Në ndërkohë, Misioni vazhdoi të kryejë detyrat e tjera operative, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit policor, mjekësisë ligjore dhe mbështetjes për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

    Po ashtu, raporti sqaron se “Misioni vazhdoi monitorimin e rasteve dhe gjykimeve të përzgjedhura, me fokus të veçantë në zhvillimet që ndërlidhen me incidentet ndër-komunitare dhe të sigurisë në mbarë Kosovën”.

    “Misioni publikoi raportin e tij të tretë sistematik dhe tematik të monitorimit të drejtësisë, ndihmoi autoritetet e Kosovës në zhvillimin strategjik afatmesëm dhe organizoi disa seminare. Pas përkeqësimit progresiv në nëntor dhe dhjetor, Misioni rriti monitorimin e situatës së sigurisë dhe sundimit të ligjit në të gjitha aspektet e saj, me fokus në veri të Kosovës”.

  • ​Bullgaria: Jemi të gjashtë në botë për ndihmën ndaj Ukrainës

    ​Bullgaria: Jemi të gjashtë në botë për ndihmën ndaj Ukrainës

    Bullgaria renditet e gjashta në botë për sa i përket angazhimit të saj për ndihmën ndaj Ukrainës si përqindje e PBB-së bullgare, tha ministri i jashtëm i përkohshëm, Nikolai Milkov në një konferencë shtypi të enjten, duke cituar informacionet nga www.statista.com.

    Sipas kësaj faqeje interneti, Bullgaria ofroi 0.36% të PBB-së së saj për të ndihmuar Ukrainën midis 24 janarit 2022 dhe 15 janarit 2023, duke u renditur pas Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe SHBA-së, midis 37 vendeve në mbarë botën.

    “Bullgaria qëndron mirë në lidhje me pozicionin e saj të përgjithshëm dhe ndihmën ndaj Ukrainës. Partnerët tanë na përgëzojnë për pozicionin tonë dhe për ndihmën që japim,” tha ministri i jashtëm.

    Ai u shpreh kundër përdorimit të çështjeve të tilla për konsum të brendshëm. “Për shkak të zgjedhjeve në të cilat Bullgaria ka qenë tashmë dy vjet, jashtëzakonisht shumë tema të politikës së jashtme janë instrumentalizuar për konsum të brendshëm,” komentoi Milkov. Ai argumentoi se kjo dëmton efektivitetin e politikës së jashtme dhe është një faktor që dëmton konsensuset e kahershme të politikës së jashtme të këtij vendi.

    Më herët gjatë ditës së sotme, në hapjen e konferencës ndërkombëtare të Forumit të Sigurisë së Sofjes me temë “Adresimi i sfidave në arkitekturën e fragmentimit të sigurisë: Luftimi i aktiviteteve hibride ruse”, Milkov tha se “paralelisht me veprimet agresive ushtarake të Rusisë, ne po përballemi me një rritje të paprecedentë të sulmeve të ndryshme hibride që synojnë të minojnë qëndrueshmërinë e Bullgarisë, dhe rrjedhimisht vlerat dhe proceset tona demokratike”.

    Rusia po përdor një arsenal të plotë të teknikave hibride, instrumentalizimin e furnizimeve me energji dhe ushqim, aktivitetet kibernetike të kontrollit mbi teknologjitë e ndjeshme, intensifikimin e paparë të propagandës që synon destabilizimin e brendshëm politik të shoqërive tona – duke provokuar pakënaqësi dhe duke reduktuar solidaritetin me Ukrainën, shtoi ai./BTA/

  • Ambasadorja amerikane në OKB: Kosova dhe Serbia urgjentisht ta zbatojnë marrëveshjen

    Ambasadorja amerikane në OKB: Kosova dhe Serbia urgjentisht ta zbatojnë marrëveshjen

    Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas Greenfield, në takime të ndara me krerët e diplomacisë së Kosovës dhe Serbisë, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që ta zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve.

    Në Nju Jork, më 26 prill, një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Greenfield ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Paraprakisht, më 25 prill, ajo ishte takuar me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive për mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre në arritjen e marrëdhënieve të parashikueshme dhe paqësore, i tha Thomas-Greenfield ministrit serb.

    Ajo theksoi “sa e rëndësishme është që të dyja palët të zbatojnë urgjentisht angazhimet e dala nga marrëveshja historike, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin” që arritën, sipas deklaratës nga zëdhënësi i misionit amerikan në OKB, Nate Evans.

    Gjithashtu shtohet se ambasadori amerikan dhe shefi i diplomacisë serbe kanë biseduar edhe për rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes SHBA-së dhe Serbisë.

    Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq, gjatë bisedës me ambasadoren amerikane ka theksuar se Serbia do të mbajë qëndrim konstruktiv sa i përket propozimit evropian dhe zbatimit të planit të veprimit për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Prishtinën.

    Përsëri, megjithatë, ka vija të kuqe për Serbinë nga të cilat ajo nuk do të heqë dorë. Ai, po ashtu, ka theksuar se për Serbinë puna e UNMIK-ut në kapacitetin e tij të plotë është e një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme në Kosovë.

    Shefi i diplomacisë serbe tha, gjithashtu, se shpreson që vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, në Serbi të realizohet në periudhën e ardhshme.

    Paraprakisht, më 25 prill, në një bisedë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield bëri thirrje për zbatimin urgjent të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim, thuhet në deklaratën e zëdhënësit e misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans.

    Është bërë e ditur se ambasadorja amerikane dhe ministrja kosovar kanë biseduar për “partneritetin afatgjatë mes SHBA-së dhe Kosovës”.

    Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Negociatat do të vazhdojnë mes aktivitetesh të intensifikuara diplomatike të partnerëve perëndimorë, në radhë të parë të BE-së dhe SHBA-së.

    Këto përpjekje rezultuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës./REL

  • ​Kurti: Serbia jokonstruktive, ndërkombëtarët t’i bëjnë presion

    ​Kurti: Serbia jokonstruktive, ndërkombëtarët t’i bëjnë presion

    Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ndërmjetësit evropianë duhet të bëjnë trysni mbi Serbinë, meqë shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet.

    Pas homazheve në Kompeksin Memorial në Mejë, Kurti ka theksuar se ministri Elbert Krasniqi ka ftuar në takim ekipin menaxhues për hartimin e draft-statutit. Megjithatë, ata nuk janë përgjigjur.

    “Ministri im i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i ka ftuar në takim ekipin menaxhues, por ata nuk janë përgjigjur. Pra, është kjo ministri ne kuadër të qeverisë e cila merret për se afërmi me këtë menaxhues për draft-statutin, siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në qeveri, para se unë të bëhem sërish kryeministër. Por, me datën 2 maj në bazë të tekstit të marrëveshjes se Brukselit, e cila fitoi aneksin e zbatimit në Ohër, çështje urgjente është çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë”, ka deklaruar Kurti.

    Ai ka shtuar se shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet nga ana e Serbisë, për çka ndërmjetësit evropianë dubrt të bëjnë trysni.

    “Unë kërkoj që teksti i dakorduar tashmë të shndërrohet në marrëveshje. Sa i përket Kosovës dhe meje, gjithçka është e qartë dhe e garantuar, por ndërmjetësit evropianë do të duhej të bëjnë trysni mbi palën tjetër. Shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet, kur dimë që pikërisht në Batajnicë në varrezën masive, ku nuk ka asnjë pllakë, asnjë shënim që aty ka pasur dikur varrezë masive, organizohet paradë ushtarake, e ku ftohen edhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës edhe lideri separatist i serbëve të Bosnjës, Dodik. Këto shenja nuk janë të mira, mirëpo me palën tjetër nuk do të mund të merremi ne, sepse ne nuk jemi juridiksion mbi Beogradin, këtë duhet ta bëjë Bashkimi Evropian”, ka shtuar ai. /KP